Pyetja:
A është gjynah të kesh shoqëri me katolikë apo të shkosh të rrish ta në shtëpi?
Përgjigja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Nuk është e ndaluar për besimtarin kontakti dhe shoqëria me anëtarët e fesë së krishtere dhe çifute, prandaj lejohet vizita e ndërsjellët. Ajo që është e ndaluar për ne është që të afrohemi me jobesimtarë që na lufojnë dhe janë armiq të haptë të muslimanëve. Kurse nëse ne njihemi me jomuslimanë që nuk shprehin armiqësi ndaj neve edhe nëse mund të kenë paragjykime, atëherë lejohet mbajtja e kontaktit me ta. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. Allahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftuan për shkak të fesë, që ju nxorën prej shtëpive tuaja dhe që ndihmuan dëbimin tuaj; ju ndalon të miqësoheni me ta. Kush miqësohet me ta, të tillët janë dëmtues të vetvetes.” Mumtehine, 8-9.
Transmetohet se Resulullahu (salallahu alejhi ue selem) kishte raporte të mira me jomuslimanët që në atë kohë jetonin në Medine, nga të krishterët dhe çifutët.
Shoqërimi me të krishterë apo çifutë mund të konsiderohet e preferuar, nëse ju mund të kuptoni se vizita juaj dhe mbajtja e kontaktit mund të shkaktojë që ata ta njohin Islamin dhe mirësitë e tij nga afër. Gjithashtu, sa i përket edhe ushqimit që serviret nga ata është i lejuar, përveç nëse ka përzierje me alkool apo mish derri, kjo është e ndaluar. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot u lejuan për ju ushqimet e mira, edhe ushqimet (të therurat) e ithtarëve të librit (të krishterët dhe çifutët) janë të lejuara (hallall) për ju, edhe ushqimet (të therurat) tuaja janë të lejuara për ta (u janë lejuar).” Maide, 5.
Por, këtu, më duhet të bëj edhe një vërejtje të domosdoshme, ajo është se nëse shoqërimi i muslimanit me të krishterin, apo çifutin ndikon në fenë e tij, kështu që mund të ndikohet ai nga ata, posaçërisht nëse ai është i dobët, atëherë nga ai kërkohet të mos përzihet me ta shumë. Më primare për muslimanin është ruajtja e vetes, se sa ndihma e të tjerëve. Allahu e di më së miri.
Alaudin Abazi
19.06.2006