4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A kemi nevojë për edukim seksual?

Më të lexuarat

Muhamed b. Abdil-lah Ed Duvejjish

A kemi nevojë për edukimin seksual?

Prej urtësisë së Allahut në krijesat e tij është krijimi i  instinkteve në shpirtin e njeriut dhe bërja e epsheve tërheqëse për njerëzit, sikur që thotë Allahu i lartësuar: “Njerëzve u është zbukuruar dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.” (Ali Imran: 14)

Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) na ka lajmëruar se sprova e epsheve është ajo që më së shumti i frikësohet për umetin e tij, për këtë ka thënë: “Nuk kam lënë pas vete sprovë më të dëmshme për burrat se sa gratë.” (Buhariu me nr: 5096 dhe Muslimi me nr: 2740)

Për shkak të madhësisë së kësaj sprove Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka premtuar, bile i ka garantuar xhenetin atij që karakterizohet me dëlirësi, për këtë thotë: “Kush më jep garancë se do të ruaj atë që ka mes buzëve dhe këmbëve të tij, unë ia garantoj atij xhenetin.” (Buhariu me nr: 6474)

Me zhvillimin e mediave dhe mjeteve të komunikimit dhe hapjes së shoqërive islame ndaj shoqërive të tjera janë rritur mjetet e nxitjes (eksitimit) dhe joshjes si dhe janë vënë në punë teknologjitë e reja për t’i nxitur instinktet dhe për t’i ndezur ato, të motivuar nga përfitimi material apo senzacioni medial apo edhe për të përhapur amoralitetin në mes njerëzve.

Prandaj këtu me të madhe shtrohet pyetja: A kemi nevojë ne për edukim seksual? Apo ajo që quhet edukatë seksuale?

Përgjigja me ‘po’ apo ‘jo’ në pyetje të tilla është thjeshtësim (reduktim) i skajshëm i kësaj teme dhe përgjithësim në një pozitë ku imponohen sqarimet e detajuara.

Duke u mbështetur në këtë mund të themi: Hapi i parë lidhet me përcaktimin e konceptit të edukimit seksual apo edukatës seksuale.

Për sa i përket konceptit perëndimor, e i cili mbizotëron në një pjesë jo të vogël të mjeteve të informimit, ai bazohet në bisedën rreth çështjeve të seksit dhe detajet e tyre para të rinjve dhe adoleshentëve, qofshin meshkuj apo femra dhe mëton të orientoj aktivitetin seksual sipas konceptit perëndimor dhe me qëllim të mbrojtjes nga sëmundjet. Nuk ka dyshim se kjo është e papranueshme bile është përhapje e amoralitetit dhe ndezje e instinkteve.

Por, pyetja e cila e imponon veten është: A është e mundur që familja apo  institucionet arsimore të injorojnë çështjet e seksit dhe të lënë të rinjtë dhe të rejat të përfitojnë kulturën dhe njohuritë e tyre nga mediet, interneti, miqtë dhe kolegët?

Besoj që pedagogët pajtohen se kjo çështje nuk duhet të anashkalohet dhe se është nevojë të trajtohet kjo çështje sipas metodave islame por, kundërshtimi ndërlidhet me vetë terminologjinë.

Mospajtimi në terminologji tolerohet dhe siç thuhet ‘Nuk duhet të ketë kundërthënie në terminologji’  por, çështja është se duhet të zgjidhet një koncept i përcaktuar qartë.

Përhapja e botëkuptimit negativ të konceptit nuk duhet të ndikoj në refuzimin absolut. Koncepti për lirinë dhe të drejtat e njeriut, për shembull, interpretohet në mënyrë të ndryshme nga fetë dhe kulturat. Si dhe përhapja e konceptit perëndimor nuk do të thotë refuzimi absolut i terminologjisë por, ri-përcaktimin e konceptit në përputhje me qasjen islame ndaj kësaj çështje.

Duke u bazuar në këtë institucionet arsimore duke filluar prej familjes, shkollës dhe institucionet që thërrasin në islam duhet të kujdesen për edukim seksual sipas qasjes islame, e shtyllat kryesore të kësaj qasje janë:

  • Përkufizimi i instinktit dhe urtësisë prej krijimit të tij dhe sqarimi i funksioneve të tij, duke ia shtuar metodologjinë islame në trajtimin e tij.
  • Pajisja e mësimdhënësve me dijen fetare adekuate rreth pubertetit dhe dispozitat e adhurimeve që janë të lidhura me çështjet e ejakulimit të spermës dhe marrëdhënieve intime sikurse, pastërtia dhe kështu me radhë.
  • Njohja e të martuarve me çështjet e hallallit dhe haramit të lidhura me jetën intime mes dy të martuarve.
  • Zhvillimi i devotshmërisë, vullnetit dhe vendosmërisë të cilat ndihmojnë në përballjen me ngacmimet dhe joshjet.
  • Ndërtimi i vlerave të dëlirësisë dhe promovimi i tyre dhe sqarimin se ato përbëjnë triumf të personalitetit dhe përmes tyre realizohet burrëria.
  • Ofrimi i zgjidhjeve dhe këshillave në trajtimin e situatave të lidhura me instinktin si dhe ofrimi i ndihmës për atë që ka ndodhë prej tij ndonjë gabim apo lëshim dhe i cili vuan nga pasojat dhe implikimet e tyre.
  • Kritika ndaj modelit perëndimor të edukimit seksual duke vënë në dukje motivet dhe mjetet e tij si dhe lidhjen e tij me filozofinë perëndimore dhe vështrimin të saj për njeriun.

 

Është e rëndësishme në metodologjinë e trajtimit dhe studimit të çështjeve seksuale që të kihet parasysh turpi dhe edukata fetare si dhe për të shmangur hyrjen në detaje dhe shprehjet që gërvishtin turpin dhe nxisin më tepër se sa edukojnë.

Si dhe nuk është e domosdoshme bile nuk është etike që të vihet një lëndë e posaçme për edukatën seksuale por, ajo trajtohet përmes asaj që realizon qëllimet edukative dhe zhvillon dëlirësinë me anë të lëndëve tjera dhe programeve edukative.

 
Përktheu: Driton Lekaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit