Nga: Ruqaiyyah Waris Maqsood
A kemi lindur për të qenë të lirë
“Vullneti i lirë është prej dhuratave të Zotit, që janë të vështira të kuptohen apo të vlerësohen. Ai njeri, i cili heq dorë nga liria egoiste dhe pranon t’i nënshtrohet Zotit do të jetë gjithmonë i lirë”. Liria është një prej gjërave më të vlefshme, megjithëse shumë prej nesh nuk e kuptojnë vlerën e saj, derisa e humbin atë. Ajo konsiderohet si një prej të drejtave themelore të njeriut dhe të përpiqesh ta frenosh atë të drejtë pa një kauzë të drejtë është mëkat i madh.
Sa liri kemi?
Ne të gjithë mendojmë se jemi të lirë, dhe se kemi vullnet të lirë kur bëjmë zgjedhjet tona – por le të mendojmë për një çast për realitetin e situatës. A kemi lindur me të vërtetë për të qenë të lirë? Dhe nëse është kështu, në çfarë mënyre? Çfarë kuptimi ka kjo për ne?
Në fakt, liria që ne kemi në të vërtetë është shumë më e kufizuar, sesa ne mund ta kuptojmë. Le të fillojmë me shembuj të thjeshtë, që ne të gjithë mund t’i kuptojë, gjëra që kanë të bëjnë me trupat tanë. Sa liri kemi në lidhje me gogësimën, apo teshtimën, djersitjen, gjakrrjedhjen, tretje, apo jashtëqitjen? Si liri kemi ndaj të parit, të dëgjuarit, të ndjerit, apo vënies në punë të muskujve dhe të gjymtyrëve? Më parë vrapoja për të kapur autobusin, dhe ngjitesha në male – por pavarësisht sa shumë këmbëngul se jam i lirë t’i bëj ato gjëra tani, nuk mundem. Nuk e kam lirinë e zgjedhjes as të ngrihem në këmbë; nëse kam qenë ulur duke shkruar për një kohë të gjatë, këmbët më ngrijnë dhe nuk mund të lëviz. Nuk mund ta kontrolloj atë që më ndodh me trupin tim. Nuk e kam idenë se si funksionojnë veshkat e mia dhe si e dinë çfarë është e nevojshme dhe çfarë jo. Nuk e kam idenë se çfarë e bën zemrën time të rrahë, apo kur ajo do të ndalojë.
Merrni parasysh njerëzit me të cilët kam lidhje. Nuk e kam lirinë të zgjedh prindërit apo gjyshërit e mi, apo motrat e vëllezërit. Nuk mund ta zgjedh përbërjen gjenetike. U përpoqa të zgjedh kur fëmijët e mi do të lindnin, por kjo gjë nuk funksionoi siç e prisja. Unë nuk e kisha idenë se çfarë gjinie do të ishin fëmijët e mi, apo se çfarë pamje do të kishin. Kur mendojmë për këto gjëra, nuk duket sikur qeniet njerëzore kanë shumë liri, apo jo?
Gjithsesi, besimi në lirinë e shpirtit njerëzor është një prej gjërave kryesore që Zoti e ka shpallur në të gjitha kohërat. Në mësimet islame mësojmë se ishte diçka që Zoti ua dha qenieve njerëzore dhe jo engjëjve. Ndoshta ne nuk mund të zgjedhim se si të jemi fizikisht, por ne duhet të zgjedhim se çfarë do të bëjmë në lidhje me gjërat shpirtërore. Zoti kërkon që ne të marrin nën kontroll veten tonë dhe të bëjmë disa zgjedhje të caktuara dhe gjithashtu të veprojmë në mënyra të veçanta – por Ai nuk na detyron ne asnjëherë. Madje as nuk jemi të detyruar ta besojmë, dhe njeriu mund të zgjedhë të mos i bindet dhe nënshtrohet Atij. Miliona njerëz veprojnë kështu. Sigurisht, ne nuk jemi robotë të programuar. Ne nuk reagojmë në të njëjtën mënyrë ndaj situatave të caktuara; disa prej nesh janë më bujarë, falës, të gjindshëm dhe më të aftë të përballen me situatat, sesa të tjerët. Nëse shohim një të moshuar në rrugë me çanta të mëdha, ne mund të zgjedhim nëse do të shkojmë atje ta ndihmojnë, ta rrëzojmë dhe t’i vjedhim çantat, të bëjmë sikur nuk e shohim, ose ta shajmë dhe të largohemi. Lidhur me këtë rast ne mund të hamendësojmë se si do të sillej secili individ me të moshuarën. Ne të gjithë e kemi ndjenjën “e detyrimit”; ne mendojmë se e dimë se çfarë do të bënte një njeri i mirë, një njeri besimtar dhe me ndërgjegje.
Sa herë që themi se një individ duhet të bëjë diçka, ne supozojmë se ai individ është në fakt i lirë dhe i aftë ta bëjë atë. Nuk ka kuptim të themi se çdo individ duhet ta ndihmojë atë, sepse për shembull, ka njerëz, të cilët nuk munden për arsye të ndryshme. “Detyrimi” nënkupton “mundësi”. Nëse Zoti mund të bëjë gjithçka që Ai do, atëherë do të ishte e mundur që ai të kontrollonte mendjet dhe zgjedhjet tona. Kjo është një çështje që është brenda aftësive të vetë qenieve njerëzore, dhe do të ishte shumë e lehtë për Zotin. Megjithatë, fakti se Ai i lejon njerëzit të zgjedhin ta besojnë Atë ose jo dhe të mos bëjnë atë që Ai dëshiron, tregon përfundimisht se Zoti nuk i robotizon mendjet e njerëzve.
Çfarë kërkon Zoti nga ne?
Secili prej profetëve, duke përfshirë Ibrahimin, Musain, Jezusin dhe Muhamedin, na kanë mësuar se ajo që njerëzit zgjedhin të bëjnë në lidhje me besimin te Zoti dhe bindjen ndaj vullnetit të Tij, përbënin një ndryshim të madh në rezultatin përfundimtar të çështjeve të tyre. Njerëzit kanë shumë aftësi të duan dhe të jenë të njerëzishëm, ose të urrejnë dhe të vlerësojnë. Çështja e vullnetit të lirë ka lidhje me kuptimin e parimeve morale – pa to nuk mund të dallohet sjellja e mirë nga sjellja e keqe, sepse në rastin e kundërt do të ishim thjesht robotë.
Nëse ne nuk mund të jemi të lirë të bëjmë zgjedhjet tona, atëherë nuk do të ekzistonte gjykimi – një gjë e tillë do të ishte krejt e kundërt me drejtësinë. Kurdoherë që njerëzit nuk janë të lirë të bëjnë zgjedhjet e tyre, atëherë ata nuk mund të quhen përgjegjës. Aishja ka transmetuar se profeti (a.s.), e ka bërë të qartë se ata, liria dhe intelekti i të cilëve ishte i kufizuar – për shembull, ata që janë të vegjël, ose injorantë, ose me çrregullime mendore – nuk mund të quhen moralisht përgjegjës për veprimet e tyre, as sipas ligjeve të sheriatit (ose nga një gjykatë e Mbretërisë së Bashkuar), dhe as gjatë gjykimit që do t’u bëhet njerëzve Ditën e Gjykimit.
Çfarë mund të themi për konceptin mysliman të el-Kadrit, doktrinën kryesore të kontrollit total dhe final të Zotit ndaj përmbushjes së ngjarjeve, ose Fatit? Si e percepton individi faktin se Zoti di gjithçka dhe faktin e vullnetit të lirë? Nëse Zoti e di se çfarë do të ndodhë, atëherë pa dyshim, jeta e një individi duhet të jetë krejtësisht e paracaktuar? Për më tepër, nëse Zoti nuk ndërhyn që t’i ndalojë disa gjëra që ndodhin, atëherë njerëzit mund të thonë se Ai është përgjegjës për ta. Kjo lidhet me çështjen e së keqes. Kush është përgjegjës për të keqen, nëse mund ta quajmë Zotin përgjegjës për gjithçka? Një hajdut mund të deklarohet i pafajshëm, sepse ai ishte i paracaktuar që të vidhte dhe si pasojë, si mund të thuhet se ishte faji i tij?
Shumë njerëz mendojnë se të gjithë myslimanët janë fatalistë, sepse besojnë se duke qenë se “gjithçka është e shkruar” dhe se Zoti di gjithçka që para se ajo të ndodhë – si rrjedhim, gjithçka duhet të jetë e paracaktuar. Asnjë individ nuk ka mundur ta shtjellojë krejtësisht këtë çështje – sigurisht as unë – por fakti se Zoti ka sjellë të Dërguar me shpallje, tregon qartë se nga njerëzit pritet që të dëgjojnë, pastaj të bëjnë zgjedhje dhe në fund të jetojnë në përputhje me rrethanat (Kuran 6:91; 23:73). Zoti ka thënë: “All-llahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat) derisa ata ta ndryshojnë veten e tyre.” (Kuran)
Ky ajet nënkupton se njerëzit kanë forcën të ndryshojnë nëpërmjet vullnetit të tyre të lirë dhe këto ndryshime ndryshojnë fatin e tyre. Duhet të jetë e vërtetë që Zoti di gjithçka dhe çdo mundësi, por njerëzit nuk e dinë këtë. Si pasojë, nëse një njeri zgjedh diçka, do të ketë një rezultat të veçantë, që të shpie në një përfundim të veçantë. Nëse njeriu zgjedh një rrjedhë të ndryshme veprimi, atëherë rezultati dhe konkluzioni do të jenë të ndryshëm. Nëse ju zgjidhni të gëlltisni një shishe me tableta, ju do të vdisni; por nëse pini dy tableta, ato mund t’ju shërojnë nga sëmundjet. Zoti i di të gjitha rezultatet e mundshme, por Ai jua le zgjedhjet juve. Ne nuk mund ta kuptojmë këtë, por Zoti po. “Inteligjenca” e Tij është miliona herë më e madhe dhe krejtësisht e ndryshme nga e jona. E vërteta gjendet te gajbi (çështjet që njeriu nuk mund t’i perceptojë). Ajo që besimtarët mund të bëjnë është të kërkojnë udhëzimin gjatë jetës së tyre. Ne mund të mos jemi të aftë ta dimë se çfarë do të ndodhë, por mund të lutemi që Zoti të na ndihmojë. Nëse do të ishte e pamundur që njerëzit të zgjidhnin, për shkak se e ardhmja e tyre do të ishte e përcaktuar, atëherë Zoti jo vetëm do të ishte i padrejtë, por nuk do të kishte kuptim që ne të përpiqeshim të jetonim në rrugën e drejtë. Fatalizmi të shpie në dëshpërim, dobësi, disfatizëm dhe i pengon njerëzit që të përpiqen të përmirësojnë veten e tyre dhe t’i ndihmojnë ata që ndodhen pranë tyre.
Çfarë kërkon Zoti nga ne? Ai dëshiron që ne të arrijmë lumturinë dhe suksesin. Ai kërkon që ne të gjejmë lirinë e vërtetë. Nëse liria e vërtetë sjell lumturinë, atëherë gjërat nuk janë ashtu si shumë njerëz mendojnë. Unë mund të jem i lumtur nëse krijoj lidhje me partnere të ndryshme çdo javë, ose nëse ha ushqime të shijshme por jo të shëndetshme, ose nëse shpenzoj shumë para për veshjet, stolitë, ose disqet muzikore, ose nëse pi duhan apo qëndroj jashtë shtëpisë vonë e kështu mërzis prindërit, ose nëse shmang detyrat apo punët e shtëpisë, ose nëse fitoj shumë para ndoshta pandershmërisht, ose nëse jam i famshëm dhe më adhurojnë shumë njerëz. A janë këto gjërat që e bëjnë një njeri të lumtur?
Sa e thjeshtë do të ishte nëse kjo do të ishte e vërtetë. Shejtani e ka të lehtë t’i mashtrojë njerëzit – rruga që të shpie drejt shkatërrimit është joshëse dhe e bukur. Por ndaloni dhe mendoni. Shumë prej njerëzve më të pasur dhe më të pushtetshëm në botë, janë prej njerëzve më të vetmuar. Duhanpirësit ndërkohë vdesin të rinj për shkak të kancerit ose infarktit – duke shkaktuar pikëllim të madh te njerëzit e tyre të dashur. Njerëzit imoralë shkatërrojnë veten e tyre dhe fëmijët të cilët i lënë pas dore, i braktisin (zakonisht baballarët në moshë të re), ose i abortojnë (nënat e reja). Lumturia e vërtetë arrihet duke u kujdesur për atë që na ka dhënë Zoti dhe na i ka besuar për një periudhë të përkohshme – trupat tanë, familjet tona, talentet tona, ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. Kjo do të thotë të mos jemi të lirë t’u dorëzohemi dëshirave dhe epshit tonë, gjërat që i dimë shumë mirë do të na lëndojnë ne dhe të tjerët më vonë.
Po ja çfarë është e çuditshme – personi, i cili heq dorë nga liria egoiste dhe pranon të jetë rob i Zotit do të jetë gjithmonë i lirë. Ata e dinë se kanë bërë ç’kanë mundur; ndërgjegjen do ta kenë të pastër, do të kenë besim në vetvete dhe do të kenë shumë shpresë, dhe gjithashtu nuk do të jenë robër të vetvetes, apo të ndonjë personi apo gjëje tjetër.
Ruqaiyyah Waris Maqsood është autore britanike myslimane, e cila ka punuar si Kryetare e Studimeve Fetare në William Gee High School, Hull, Angli. Ajo ka shkruar rreth dyzet libra për Islamin dhe për tema të tjera. Para se të pranonte Islamin në vitin 1986, ajo ishte e krishterë e devotshme, me diplomë për teologjinë e krishterë në vitin 1963 në Hull University, dhe ka një certifikate pasuniversitare në arsim në vitin 1964.
…
Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).