-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

A kanë përjetuar muslimanët gjatë historisë Ramazan si ky, për shkak Covid-19?

Më të lexuarat

Studiues dhe njohës së fushës së historisë, nënvizojnë se muslimanët janë ballafaquar me dy epidemi gjatë muajit të Ramazanit. Epidemia e parë ndodhi në vitin 131 të Hixhretit në qytetin e Basrës në Irak. Kjo epidemi njihet si Murtaja e “Muslim ibn Kutejbes”, dhe u përhap gjatë periudhës së shtetit Emevit. Ndërkaq, epidemia e dytë është quajtur “Epidemia e madhe”, e cila është përhapur në vendet e Shamit (Siri, Liban, Palestinë), në vitin 749 të Hixhretit. Më pas, kjo epidemi u transferua në Egjipt.

Profesoresha Sumejje Fet’hij, profesoreshë e Historisë Islame në Universitetin e Kajros, pohon se kjo pyetje kërkon një studim historik serioz dhe të thellë, studim ky që nuk do të shtrihet vetëm në burimet historike, por edhe në librat e të Drejtës Islame (Fikhut), Kronika të autorëve të ndryshëm dhe burime tjera. Profesoresha Sumejje Fet’hij shton se në librin “es-Suluk” të autorit el-Makrizij, shënohet se me rastin e epidemisë së Murtajës në vitet 749 të Hixhretit dhe 787 të Hixhretit, njerëzit ua mësynë xhamive që të falin namaz e të bëjnë lutje dhe përgjërim ndaj Allahut që t’ua largojë fatkeqësinë. Me këtë rast, ata e kanë lexuar përmbledhjen e haditheve autentike (thënieve të të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) të përzgjedhura nga imam Buhariu (Sahihu-l-Buhari) për disa ditë me radhë në xhaminë e Az’harit në Kajro. Pas leximit të thënieve të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, të përmbledhura nga imam Buhariu, ata kanë bërë lutje që Allahu ta largojë Murtajën. Profesoresha Sumejje Fet’hij vazhdon dhe pohon se me rastin e epidemisë së Murtajës e cila u përhap në vitin 833 të Hixhretit, sulltani i asaj kohe mblodhi 40 fisnikë të fiseve të atij vendi dhe u tubuan në xhaminë e el-Az’har në Kajro, ku së bashku kanë lexuar Kur’an dhe kanë bërë lutje. Në lutje u janë bashkangjitur edhe njerëzit tjerë. Në këtë kohë, njerëzit faleshin me imamët e tyre në natyrë, gjegjësisht në shkretirë, ku vazhdimisht bënin lutje që Allahu ta largojë epideminë.

Përdorimi i epidemive për qëllime politike

Akademiku i specializuar në historinë e Osmanlive, Dr.Ahmed esh-Sherkavi, përmend se në historinë e shtetit Osman, kanë ndodhur shumë epidemi. Disa prej këtyre epidemive kanë ardhur prej vendeve tjera, e disa janë paraqitur në disa Vilajete dhe qytete të shtetit Osman. Shteti Osman në atë kohë ka ndërmarrë disa masa për evitimin e rrezikut nga epidemitë, të cilat u përgjasojnë në masë të madhe masave të cilat ndërmerrren sot nga shtetet e ndryshme. Por, nënvizon Dr.esh-Sherkavi, këto kriza shëndetësore janë përdorur edhe për qëllime politike. Kështu, sipas Dr.esh-Sherkavit, Britanija synonte të dërgojë në Haxh njerëz të varfër nga India, me qëllim që në provincën e Hixhazit (ku bën pjesë edhe Mekeja e Medineja), ta përhapin Kolerën, me çka do ta vinin në pozitë të palakmueshme shtetin Osman. E gjithë kjo, me qëllim që provinca e Hixhazit, të kalojë në administrim ndërkombëtar. Mirëpo, vazhdon Dr.esh-Sherkavi dhe thotë:”Por, unë personalisht nuk kam rastisur ndonjë historian të shënon se në Ramazan janë përhapur epidemi, apo se janë ndaluar namazet me xhemat dhe ritualet tjera”.

Dr. Sa’d el-Halevani, profesor i Historisë Islame dhe Civilizimit në Universitetin al-Az’har, pohon se fatkeqësitë dhe epidemitë, disa herë janë përhapur në botë, gjithandej. Disa herë kanë qenë fatale për shumë njerëz. Normalisht, edhe vendet me shumicë muslimane nuk kanë ngelur të pa prekura nga këto epidemi. Po, disa prej këtyre epidemive kanë ndodhur në Ramazan, mirëpo, edhe përskaj kësaj, xhamitë nuk janë mbyllur me urdhër nga autoritetet, por, njerëzit vetë nuk kanë shkuar në xhami, duke u drejtuar nëpër kodra dhe shkretirë, derisa të kaloje epidemia.

Studiuesi Ahmed el-Adevij, në librin e tij “Murtaja në epokën Emevite…”, përmend se gjatë kohës së shtetit Emevit, janë përhapur diku rreth 20 Murtaja dhe epidemi. Murtaja e vetme e cila i preku muslimanët në muajin e Ramazanit, është Murtaja e vitit 131 të Hixhretit e cila filloi në qytetin Basra të Irakut. Kjo epidemi u shfaq në muajin Rexheb, pastaj vaxhdoi në muajin Shaban dhe Ramazan, ndërsa përfundoi në muajin Sheval. Nga kjo epidemi vdiq edhe Ebu Bekër Ejjub ibn Ebi Temime Kejsan, për të cilin dijetari i shquar el-Hasen el-Basriju, thoshte se ai është zotëriu i banorëve të Basrës.

(Burimi:http://www.iumsonline.org/ar/ContentDetails.aspx?ID=11389&fbclid=IwAR38wEMwuoT8S-U0gCOchzT4PGUP9ts8_JLW8mr-SJe-X8QUufLhTz3t1cs_)

Prej arabishtes:Bashkim Aliu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit