5.6 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

A ka Vetëvendosja ambicie panshqiptare?

Më të lexuarat

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar si subjekt në Maqedoninë e Veriut dhe nuk është duke kërkuar pushtet atje”, thonë zyrtarë të kësaj partie për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ata pranojnë se partia, e cila udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkëpunon me parti të caktuara në Maqedoninë e Veriut dhe se anëtarë të saj, me shtetësi maqedonase, do të marrin pjesë në zgjedhjet e atjeshme parlamentare, që do të mbahen më 8 maj të këtij viti.

Angazhimi i përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në garën zgjedhore të shtetit fqinj ngjalli disa reagime.

Njohësit e zhvillimeve politike në të dyja vendet thonë se veprimet e partisë që mban pushtetin në Kosovë, ka rrezik të shihen si përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që vetë Kurti siguroi se Vetëvendosja, si parti, nuk do të marrë pjesë në ato zgjedhje.

“Së pari, u përket qytetarëve këtu [në Maqedoninë e Veriut], u përket partive politike nëse do të kenë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo. Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut… Andaj, edhe ne, si Lëvizje Vetëvendosje, nuk marrim pjesë këtu”, tha Kurti pas një konference për Ballkanin Perëndimor, që u mbajt në Shkup më 22 janar.

Një flamur i Kosovës me portretin e shtuar të kryeministrit të saj Albin Kurti, shihet në ballkonin e një ndërtese në Çair. Albin Kurti vizitoi Çairin në gushtin e vitit 2023.
Një flamur i Kosovës me portretin e shtuar të kryeministrit të saj Albin Kurti, shihet në ballkonin e një ndërtese në Çair. Albin Kurti vizitoi Çairin në gushtin e vitit 2023.

Si filloi?

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, tri partitë shqiptare në opozitë në Maqedoninë e Veriut – Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike – paralajmëruan listë të përbashkët zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit.

Bekim Qoku, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka edhe shtetësi maqedonase, tha se partia e tij do t’i bashkohet kësaj liste.

“Unë, sot, jam këtu për të iniciuar bashkëpunimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje… një lloj shtylle e katërt e këtij koalicioni, tashmë të etabluar këtu”, tha atëkohë Qoku, i cili është edhe këshilltar politik i kryeministrit Kurti.

I befasuar me këtë angazhim të Vetëvendosjes në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut tha se është kryeministri i këtij vendi, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetar i Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).

“Kjo mendoj se nuk paraqet një dinamikë të dëshiruar”, tha ai më 25 dhjetor.

Një tjetër reagim më 17 janar bëri ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke thënë se “përfshirja e politikës zyrtare të Kosovës në skenën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, mund të reflektohet në fragmentimin e politikës shqiptare – tendencë e nxitur nga faktorë të jashtëm”.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me Qokun, për të kuptuar më shumë se cilat janë qëllimet e tij.

Por, Lëvizja Vetëvendosje, deklaratat e përfaqësuesve të saj – njëherësh zyrtarë të pushtetit në Kosovë – thotë se nuk i sheh si ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Nga kjo parti këmbëngulin se Vetëvendosja nuk do të marrë pjesë si subjekt politik në zgjedhjet e atjeshme dhe se ajo nuk është e regjistruar si parti në këtë shtet.

I pyetur për të komentuar deklaratat e anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Bekim Qoka, zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, thotë për Radion Evropa e Lirë:

“Lëvizja Vetëvendosje ka simpatizantë dhe anëtarë me etni shqiptare, por edhe me etni të tjera, që janë nënshtetas të vendeve të ndryshme, në shumë vende të botës, dhe ata patjetër që kanë të drejta politike sipas ligjit në vendet ku janë nënshtetas”.

Manxhuka thotë se përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje për subjekte apo politikanë të vendeve të ndryshme “është ekskluzivisht përkrahje e ideve dhe programeve të tyre, sipas tri shtyllave: socialdemokracisë, luftës kundër korrupsionit e mafias dhe luftës kundër diskriminimit etnik të shqiptarëve, por edhe të etnive të tjera”.

Për çka angazhohet Vetëvendosje?

Në ueb-faqen e saj, Lëvizja Vetëvendosje shkruan se është lëvizje politike që e synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mobilizimit të tij.

Ajo thotë se angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari.

Po ashtu, thotë se synon një Kosovë sovrane, pra një Kosovë që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtën për bashkimin me Shqipërinë.

 

Si e shohin qytetarët e anketuar në Shkup?

Berat Azizi, opinionist, vlerëson se simpatia e qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për Lëvizjen Vetëvendosje “është e madhe”.

“Mirëpo, nuk do të thotë se Vetëvendosja këtu do të jetë e njëjta, siç është në Kosovë”, thotë ai.

Për juristen Lejla Nebiu, Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë shembull të mirë në Kosovë, se si mund të qeveriset një shtet, “ku ligji dhe sundimi i tij janë parime kryesore”.

“Për të përsëritur të njëjtën eksperiencë, të njëjtat përvoja, në Maqedoni [të Veriut] është më se e nevojshme. Por, e njëjta duhet të bëhet me njerëz që janë të përkushtuar ndaj këtyre parimeve”, thotë Nebiu për Radion Evropa e Lirë.

A po ndërhyn Vetëvendosja në punët e brendshme të fqinjit?

Belgzim Kamberi, nga Instituti për Politika sociale “Musine Kokolari” në Prishtinë, thotë se në arenën e partive ndërkombëtare, orientimi ideopolitik i Lëvizjes Vetëvendosje, në parim, e bën atë partnere të natyrshme me Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Aleancës Progresive dhe Internacionales Socialiste.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje “noton ndërmjet konceptit të një lëvizjeje social-demokrate dhe të së majtës sovraniste”.

Ndërkaq, tri partitë shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut, të cilat në zgjedhje do të garojnë si koalicioni Lëvizja Evropiane për Ndryshim, kanë orientim të djathtë ideopolitik.

Kamberi thotë se krijimi i aleancës së Vetëvendosjes me këto parti shqiptare tregon se partia e kryeministrit Kurti ka përzgjedhur më shumë aspektin kombëtar të veprimit sesa atë ideopolitik.

Në këtë kontekst, thotë Kamberi, kjo mund të krijojë efekte paradoksale në skenën politike në Maqedoninë e Veriut, ku partitë shqiptare dhe maqedonase, me orientim nacionalist, do të bashkëpunojnë për pushtet.

Përfshirja eventuale e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, sipas tij, mund të ndikojë në raportet ndërshtetërore.

“S’ka lidhje a regjistrohet apo jo. Në momentin që një zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje merr pjesë në zgjedhje drejtpërdrejt, nuk do të jetë reagimi sikurse të merrte pjesë një kandidat autonom. Pra, po merr pjesë kandidati i partisë në pushtet [në Kosovë] në një shtet tjetër. Kjo do të nënkuptonte, pastaj, që [kjo parti] i legjitimon metodat e njëjta edhe për vendet tjera”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndryshe mendon njohësi i çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut, Petar Arsovski.

Sipas tij, bashkëpunimi i partive në Maqedoninë e Veriut me partitë apo organizatat jashtë vendit nuk është risi, nga e cila duhet pasur frikë.

“Kjo nuk duhet të na preokupojë shumë… Duhet t’i shohim përcaktimet ligjore dhe sundimin e ligjit për atë se kush mund të kandidojë dhe nëse ndonjë bashkëpunim me parti të jashtme ndikon apo paraqet përzierje në politikën tonë të brendshme. Nëse këto dy kushte plotësohen, atëherë çdokush është i lirë të garojë në zgjedhje, që në fakt është edhe e drejtë e garantuar me kushtetutë”, thotë Arsovski për Radion Evropa e Lirë.

Për analistin tjetër nga Shkupi, Xhelal Neziri, partneriteti i partive politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut me partitë nga Kosova dhe Shqipëria, është i zakonshëm në kuptimin e marrjes së mbështetjes logjistike dhe mediatike.

Por, sipas tij, deri më tash nuk ka ndodhur që partitë nga jashtë të përshihen drejtpërdrejt në ndonjë garë zgjedhore të Maqedonisë së Veriut.

Ai shpreh dyshimin se, në të ardhmen, kjo situatë mund të shkojë një hap më tej – drejt regjistrimit të kësaj partie në Maqedoninë e Veriut.

“Nëse ndodh që Vetëvendosja themelohet në Maqedoninë e Veriut dhe garon si e tillë këtu, si dhe kontrollohet dhe drejtohet faktikisht nga ana e zotëri Kurtit, që aktualisht është kryeministër i Kosovës, në atë rast do të kishim një precedent të rrezikshëm për rajonin. Kjo, më pas, do të hapte rrugë sidomos për politikën serbe, që ta formalizojë dhe zyrtarizojë ndikimin e saj në politikën e Malit të Zi, në politikën e Kosovës, në politikën e Bosnje e Hercegovinës, por edhe në politikën e Maqedonisë së Veriut”, thotë Neziri.

Suksesi në Luginë të Preshevës dhe dështimi në Shqipëri

Për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të cilat u mbajtën më 17 dhjetor të vitit 2023, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, mbështetën Shaip Kamberin e Partisë për Veprim Demokratik. Ai është i vetmi politikan shqiptar nga Lugina e Preshevës, në jug të Serbisë, i cili fitoi mandatin e deputetit.

Belgzim Kamberi beson se Kurti dhe partia e tij e kanë shtrirë ndikimin te partia e Shaip Kamberit.

Ish-kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik, aktualisht është këshilltare e Kurtit. Ndërsa, nënkryetari i kësaj partie, Ragmi Mustafi, është këshilltar politik i zëvendësit të Kurtit, Besnik Bislimi.

Belgzim Kamberi thotë se as në Luginën e Preshevës dhe as në Maqedoninë e Veriut, partnerët që i ka zgjedhur Lëvizja Vetëvendosje, përkatësisht lideri i saj, nuk kanë shumë përputhje të koncepteve ideopolitike.

Sipas tij, “apetitet” e Vetëvendosjes kanë të bëjnë më shumë me “konceptin gjithëpërfshirës nacional në planin rajonal”.

“Këtu jemi, së pari, në një logjikë të tillë panshqiptare. Pra, këtu e tejkalon shtetin-komb dhe përpiqet të përhapë një ide të shqiptarisë në rajon”, thotë Kamberi.

“Duket se së pari po përpiqet që të ketë ndikim tek aktorët e caktuar politikë shqiptarë në rajon. Pra, qoftë në Luginë të Preshevës për t’i pasur njerëzit e vet, që marrin pushtet aty, qoftë nesër edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku siç duket dëshiron t’i ketë njerëzit e afërt të saj në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut”, shton ai.

Në Shqipëri, ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje hyri në skenën politike në vitin 2019, kur u regjistrua në gjykatën e Tiranës jo si parti politike, por si një qendër.

Në atë kohë u tha se “Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje u ngrit për të rritur vetëdijen dhe angazhimin në lidhje me çështjen kombëtare shqiptare”.

Në vitin 2021, Vetëvendosja u fut edhe në zgjedhjet lokale të 25 prillit, por jo si subjekt politik.

Kandidatët e saj garuan si të pavarur në tri bashki të Shqipërisë: Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.

Pjesë e fushatës zgjedhore u bë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në fjalimet e tij nëpër këto tri qytete, ai kërkoi mbështetje për “alternativa të reja”, duke theksuar se figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet, nuk mund të prodhojnë asgjë të re për qytetarët e Shqipërisë.

Në takime, Kurti shoqërohej edhe nga politikanë të tjerë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës apo Mali i Zi.

Por, në zgjedhje, Vetëvendosja mori vetëm 3.541 vota nga rreth 1 milion e 660 mijë të hedhura në kutitë e votimit.

Njohësi i çështjeve politike nga Tirana, Ben Andoni, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo lëvizje nuk u prit mirë nga Partia Socialiste e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas tij, “karta” e patriotizmit, Lëvizjes Vetëvendosje nuk i krijoi mbështetje në zgjedhje.

Veprimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, me përfshirjen e përfaqësuesve të saj në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, thotë Andoni, tregojnë se interes i kësaj partie është përhapja e saj në hapësirat shqiptare.

“Protagonizmin e z. Kurti dhe njerëzit që duan ta ndjekin, duket se nuk i mban dot vetëm Kosova, por duan edhe skenën politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që me këtë, Vetëvendosja ka hequr shpesh edhe vëmendjen nga problematikat shumë të mëdha ekonomike-sociale të vendit, që nuk janë të pakta”, thotë Andoni.

Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet lokale të 2021-shit, Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri thuajse u shua, edhe pse drejtuesit që dhanë dorëheqje, folën për riorganizim të saj.

Përpjekja e Kurtit për “ndikim vertikal”

Por, në Maqedoninë e Veriut tashmë ka mendime se ndaj politikës shqiptare atje, ushtrojnë paternalizëm të dyja kryeqytetet fqinje – Tirana dhe Prishtina.

Petar Arsovski nga Shkupi thotë se Tirana zyrtare është përpjekur më herët të ndikojë te partitë shqiptare.

“Në këtë vijë ishte edhe ajo që njihet si ‘Platformë e Tiranës’. Ky është njëri shembull”, sipas Arsovskit.

Në vitin 2017, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ftoi në Tiranë partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut për të biseduar lidhur me zhvillimet e asokohshme në atë shtet dhe për bashkërendimin e mundshëm të veprimeve të partive shqiptare.

Partitë shqiptare më pas dolën me një deklaratë, ku, mes tjerash, thanë se “angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni [të Veriut] në popull shtet-formues – me gjuhë zyrtare, e cila do të kishte statusin e barabartë me gjuhën maqedonase – dhe për zgjidhjen e shumë çështjeve tjera etnike”.

Kjo deklaratë në opinionin maqedonas u njoh si “Platforma e Tiranës”.

Presidenti i atëhershëm maqedonas, Gjorgje Ivanov, e cilësoi si “kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin” e vendit.

Në janarin e vitit 2023, Rama ftoi sërish në Tiranë partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut.

LSDM-ja, që mban pushtetin në Maqedoninë e Veriut, nuk reagoi negativisht ndaj këtij takimi, por VMRO-ja në opozitë tha se takimi në Tiranë ishte “në funksion të shpëtimit të pushtetit të LSDM-së nga partitë shqiptare”.

Analisti nga Shkupi, Xhelal Neziri, thotë se partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut duhet ta ruajnë bashkëpunimin me Tiranën dhe Prishtinën, por edhe veprimin e tyre autonom.

“Çdo parti duhet të kujdeset që ta ruajë autonominë e veprimit dhe të vendimmarrjes, pa marrë parasysh intensitetin e bashkëpunimit me partitë politike, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë”, thotë ai.

Po ashtu, në janar të vitit 2020, ministri i atëhershëm në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ftoi në Tiranë partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, me të cilat u pajtua për një listë të përbashkët të tyre për zgjedhjet e asokohshme parlamentare në Serbi.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Belgzim Kamberi thotë se të dyja partitë në pushtet – Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama në Shqipëri dhe Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti në Kosovë – kanë pretendime paternaliste ndaj partive shqiptare jashtë shteteve të tyre.

Por, sipas Kamberit, metodologjia e ushtrimit të ndikimit të dy kryeministrave, Ramës dhe Kurtit, dallon.

Sipas tij, kryeministri Rama përpiqet që në vijën horizontale t’i bashkërendojë veprimet me partitë shqiptare në rajon.

E kundërta, thotë ai, është me kryeministrin Kurti, i cili përpiqet të ushtrojë ndikim në vijën vertikale, që nënkupton që qendër e vendimmarrjes për partitë shqiptare në rajon të jetë Prishtina.

“Qeveria e Kosovës – Vetëvendosja si pushtet në Kosovë – provon që me një bashkërendim me partnerët shqiptarë në rajon, të bëjë një politikë të caktuar. Këtu kemi një vertikalizim, pasi përpiqet që qendra e politikës në rajonet shqiptare të bëhet në Prishtinë, e në veçanti te një parti e caktuar dhe te një njeri i caktuar”, thotë Kamberi.

Sipas tij, një nga qëllimet e Lëvizjes Vetëvendosje në Maqedoninë e Veriut është rrëzimi nga pushteti i partisë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, i udhëhequr nga Ali Ahmeti, dhe sjellja në pushtet e partive opozitare me të cilat bashkëpunon.

Vetë Ali Ahmeti, në një intervistë për Televizionin Top Channel të Shqipërisë në janarin e sivjetmë, duke iu referuar raporteve të dy kryeministrave, Edi Ramës dhe Albin Kurtit, me partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, tha:

“Edi Rama asnjëherë nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizimit politik në Maqedoni [të Veriut]. Përherë ka bërë përpjekje për t’i afruar partitë politike në Maqedoninë [e Veriut] dhe unë sigurisht që i jam falënderues dhe mirënjohës… Por, ka ndodhur rasti për zgjedhjet presidenciale, kur zoti Kurti mbajti anë”.

Ahmeti iu referua mbështetjes që partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, i kishte dhënë kandidatit për president të Maqedonisë së Veriut, Blerim Reka, në zgjedhjet presidenciale në këtë vend, më 2019, të cilat, megjithatë, i fitoi Stevo Pendarovski, atëkohë kandidat i BDI-së dhe LSDM-së.

Kontribuuan: Isuf Kadriu nga Shkupi dhe Jetmira Delia Kaci nga Tirana

REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit