0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

A ka të drejtë babai të më kërkojë rrogën?

Më të lexuarat

Pyetja:

Selam alejkum!
Jam një muslimane e cila fal namaz. Kam një problem. Babai im pi alkool ndonjëherë dhe kur pi, nuk di çfarë flet dhe shpeshherë na bën zullum në shtëpi. Unë, sado që mundohem ta respektoj, ndonjëherë edhe po e ngre zërin ndaj tij, se po sillet shumë keq. I them “mos pi, se është haram”, po ai nuk po kupton. Elhamdulilah unë punoj dhe kur vjen fundi i muajit, gjithmonë më bën presion për rrogën time. Edhe pse e jap në shtëpi shumicën, normalisht ndal pjesën më të vogël të rrogës për vete. Po ai gjithmonë po më bën presion t’i dorëzoj të gjitha në shtëpi. A ka të drejtë? Me të vërtetë po e ndiej veten shumë keq. Do të më ndihmonte shumë një përgjigje e juaja.

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Për t`ju dhenë një këshillë rreth problemit tuaj, duhet t’i qasemi atij në disa aspekte.
Fillimisht duhet ta kemi parasysh se barra esenciale për mbajtjen e familjes i takon prindit, mirëpo kur fëmijët arrijnë moshën madhore dhe kanë mundësi të punojnë, nuk ka mëkat prindi nëse kërkon nga fëmijët ndihmë, posaçërisht nëse për këtë babai ballafaqohet me vështirësi. Prandaj është e drejtë e prindit që të kërkojë nga ju ta ndihmoni në sigurimin e gjërave esenciale në shtëpi.

Në një hadith, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, thotë: “Ti dhe pasuria jote jeni të babait tënd.” Shënon Ibën Maxheh dhe hadithi është i saktë.
Nga ky hadith nxjerrim se prindi ka të drejtë që të marrë nga pasuria e fëmijës së tij dhe në këtë nuk ka mëkat, por shumë dijetarë kanë kushtëzuar se kjo lejohet nëse:
– prindi ka nevojë për këtë dhe
– të mos e lërë fëmijën keq (pra, të dëmtohet ai dhe të mbetet nevojtar).

Duke pasur parasysh këtë, themi se prindi juaj ka të drejtë që të kërkojë nga ju ta ndihmoni në sigurimin e gjërave esenciale që janë të nevojshme në familje, por ju gjithashtu keni mundësi të ruani një pjesë të rrogës për nevojat tuaja personale. Në përgjithësi, nëse prindi e keqpërdor pasurinë tuaj, atëherë ju nuk obligoheni t`ia dorëzoni tërë rrogën atij.

Ndërsa në rastin tuaj konkret, pasi prindi juaj pi alkool dhe mund ta keqpërdorë pasurinë e fituar, atëherë nëse është mundësia, ju personalisht blini gjërat e nevojshme në shtëpi dhe mos ia dorëzoni paratë të gatshme. Me këtë ju i largoheni asaj blerjes prej tij të alkoolit me paratë tuaja.

Lusim Allahun e Lartësuar që ta udhëzoj babanë tuaj sa më shpejt dhe ta lërë këtë ves të keq dhe po ashtu e lusim të Plotfuqishmin që t`ju japë mirësi edhe juve në këtë botë dhe në botën tjetër!
Alaudin Abazi
12.4.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit