Reuters
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë tërhequr vërejtjen Kinës se sanksionet e koordinuara kundër pushtimit rus të Ukrainës, duhet të shërbejnë si paralajmërim për atë që e pret Pekinin nëse bën lëvizje kundër Tajvanit.
Pas reagimit të Pekinit ndaj vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, në gusht në Tajvan, Uashingtoni ka rritur diskutimet rreth opsioneve të sanksioneve, derisa Bashkimi Evropian është nën presionin diplomatik nga Taipei për të bërë të njëjtën gjë, thonë burimet për Reuters.
Megjithatë, mbështetja për hapa të tillë do të jetë shumë më e vështirë sesa në rastin e Rusisë, duke pasur parasysh rolin masiv të Kinës në ekonominë globale.
Këtu janë disa nga opsionet dhe pengesat që ekspertët, diplomatët dhe ish-zyrtarët kanë paraqitur:
Kujdesi mbi “opsionin bërthamor”
Draft-legjislacioni i Kongresit të SHBA-së ka përshkruar një gamë të plotë sanksionesh ndëshkuese që mund t’i vendosen Kinës në lidhje me Tajvanin. Këtu përfshihen sanksione mbi presidentin Xi Jinping dhe liderë të tjerë, veprime për përjashtimin e bankave kineze nga tregjet globale, ndalimi i listimeve amerikane të firmave kineze mbi importet e mallrave të tyre dhe frenimi i projekteve energjetike kineze.
Megjithatë, i ashtuquajturi “opsioni bërthamor” i ndalimit të të gjitha bizneseve në dollarë amerikanë ndërmjet bankave amerikane dhe kineze, i cili në mënyrë efektive do të ngrinte institucionet kineze jashtë sistemit financiar ndërkombëtar, konsiderohet shumë i pamundur, sigurisht fillimisht, duke pasur parasysh dëmin që mund të sjellë në SHBA dhe në ekonomitë globale.
Mbrojtja, teknologjia dhe hapësira ajrore
Në vend të kësaj, politikëbërësit ka mundësi të zgjedhin fillimisht masa më pak dramatike, të tilla si ngrirjet e aseteve të synuara kundër zyrtarëve, kompanive dhe institucioneve kineze; lëvizje më të kufizuara ndaj disa bankave; dhe rregulla që ndalojnë marrëveshjet në përfitim të kompleksit ushtarak-industrial të Kinës, duke përfshirë sektorin e saj gjysmëpërçues dhe hapësirën ajrore.
Craig Singleton, një ish-zyrtar i Qeverisë amerikane dhe ekspert i sanksioneve në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, tha se mund të ketë një gatishmëri për të parë hapat kundër institucioneve financiare të lidhura me Partinë Komuniste kineze në pushtet, duke përfshirë Bankën Qendrore të Bankës Popullore të Kinës dhe bankat e ndryshme, bankat shtetërore që mbështesin tregtinë dhe industrinë, “por lista do të ishte mjaft e gjatë”.
“Unë dyshoj se shumë politikbërës të SHBA-së do të hezitojnë të marrin masa shumë të rënda, të paktën përpara një pushtimi aktual”, tha ai, duke shpjeguar se lëvizje të tilla mund të “dëmtojnë ndjeshëm ekonominë e Amerikës”.
Aleatët aziatikë duket se po ngurrojnë
Mbështetja nga Azia është thelbësore për sanksionet efektive dhe do të ishte e vështirë të bindeshin vendet atje duke pasur parasysh lidhjet e tyre masive ekonomike me Kinën.
Shumica e vendeve aziatike, Australia, Japonia, Singapori dhe Koreja e Jugut duke qenë përjashtime, nuk shkuan përtej dënimit verbal të Rusisë për pushtimin e Ukrainës dhe “Rusia nuk është aq e ndërlidhur me ekonominë globale sa Kina”, tha një diplomat aziatik.
“Unë nuk jam i sigurt se sa realist do të jetë ky kërcënim i sanksioneve të tipit Rusi”, tha ai.
“Vendi më i mundshëm që do të mbështeste pozicionin e SHBA-së do të ishte Japonia. Por, kompanitë japoneze, edhe pse janë përpjekur të diversifikojnë, kanë aq shumë prodhime në Kinë, sa nuk e di nga çfarë mund të heqin dorë shpejt”.
Në total 7.486 firma japoneze kanë përfaqësi lokale në Kinë, sipas statistikave të vitit 2021, më pak se një e treta e të gjitha përfaqësive të firmave japoneze janë jashtë shtetit, sipas sondazhit të fundit nga Ministria japoneze e Tregtisë.
“Shumë vende nuk janë gati për të sanksionuar Kinën”, tha një zyrtar nga një aleat aziatik i SHBA-së. “Ne jemi në fazën fillestare për të zhvilluar solidaritetin midis vendeve me të njëjtin mendim, gjë që aktualisht duket paksa simbolike dhe sipërfaqësore”.
Kundërmasa kineze
Pekini ka marrë masa të ashpra ndaj vendeve aziatike që kanë ndjekur udhëheqjen e SHBA-së në të kaluarën, si rasti kur Koreja e Jugut u përball me hakmarrjen ekonomike kineze pas vendosjes së një sistemi të mbrojtjes raketore të SHBA-së në territorin e saj.
Kina gjithashtu ka vepruar për të pakësuar varësinë nga teknologjia e importuar dhe po punon për të zhvilluar përdorimin e një monedhe digjitale që do ta lejonte atë të anashkalonte sanksionet bankare.
“Kina ka qenë agresive në përpjekjen për të përhapur monedhën e saj digjitale te sa më shumë partnerë që është e mundur”, tha Nazak Nikakhtar, një ish-zyrtar i lartë në Departamentin e Tregtisë të SHBA-së.
“Pra, do të ketë një nëngrup të mirë të komunitetit tregtar global që do të jetë në gjendje të punojë kundër çdo sanksioni të drejtpërdrejtë ndaj Kinës”.
Udhëheqësit kinezë e kishin bërë të qartë se do të mësonin nga përvoja e sanksioneve të Rusisë dhe gjithashtu nga fushata e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, kundër gjigantit të telekomunikacionit Huawei, të cilit iu deshën gati dy vjet për rimëkëmbje nga sanksionet dhe ndalimi i eksportit të çipave që shkaktuan dëme të konsiderueshme.
“Huawei grumbulloi çipa amerikan përpara se ndalimet të hynin në fuqi, me qëllimin për të mbrojtur kompaninë nga një goditje”, tha Singleton. “Kina pothuajse me siguri do të bëjë të njëjtën gjë kundrejt Tajvanit – ka disa indikacione që Kina po bën po aq shumë tashmë – për të reduktuar ekspozimin e saj ndaj rrezikut, derisa marrëdhëniet SHBA-Kinë vazhdojnë të përkeqësohen”.
Thirrja e Joe Biden
Ekspertët si Singleton i konsiderojnë të pamundura “sanksionet gjithëpërfshirëse” ndaj Kinës, veçanërisht duke pasur parasysh se ato ende nuk janë vendosur ndaj Rusisë.
Një ish-zyrtar i lartë amerikan tha se në fund një gjë e tillë do t’i takonte presidentit Joe Biden, i cili gjatë një vizite në Japoni këtë vit tha se Kina tashmë po “flirton me rrezikun” me presionin ushtarak që po bënte në Tajvan.
“Në fund të ditës, le të jemi të qartë, ky është një vendim politik i presidentit dhe nëse ai vendos që ne duhet të sinjalizojmë parandalim si ky, ai mund të thotë “shko” dhe Thesari mund ta bëjë atë shumë shpejt”, tha ai.