2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

A ka kuptim islamofobia?

Më të lexuarat

Nga Alan Posener

Pascal Bruckner kërkon ndalimin e fjalës ‘Islamofobi’. Cila është fjala tjetër e rradhës : Racizmi? Relativizmi?

Shkrimtari frëng Pascal Bruckner dëshiron ndalimin e një fjale, çka i ngjet më tepër një obsedimi tipik gjerman. Por për Bruckner-in ‘islamofobia’ është një prej atyre « shprehjeve që duhet ta largojmë me dashuri nga fjalorët tanë ». Pyesim veten me drithërim se cilën fjalë tjetër vallë do të na duhet «ta largojmë me dashuri»: Populizmin e djathtë? Racizmin? Relativizmin? Por le ta lëmë këtë të vazhdojë vetë. Shkrimi i Bruckner-it ka meritën e artikulimit të çështjes kundër ‘islamofobisë’ qartësisht dhe me ndërgjegjje dhe kësisoj, u lejon atyre që – sikundër unë – propozojnë ruajtjen e fjalës deri sa të gjendet një tjetër më e mirë që t’i përgjigjet në një mënyrë të ngjashme qartas dhe përmbledhtas.

Më lejoni të paraqes argumentimin e Bruckner-it me fjalët e tij :

«Fundamentalistët iranianë sajuan fjalën islamofobi, formuluar në analogji me ksnenofobi, gjatë fundit të viteve 1970. Qëllimi i kësaj fjale është ta deklarojë Islamin të pacënueshëm. Cilido që e tejkalon këtë cak, konsiderohet racist».

Argumentimi se shprehjen e sajuan islamistët për ta portretizuar cilëndo dhe secilën kritikë ndaj Islamit si një simptomë sëmundjeje (meqenëse fobia është një frikë irracionale), mund të jetë i drejtë ose i gabuar. Gjithsesi, ai është i pavend. Kujtojmë se fjala ‘antisemitizëm’ u sajua po ashtu nga reaksionarë, të cilët dëshironin ta hidhnin urrejtjen e tyre mbi çifutë, të frymëzuar nga antijudaizmi i krishterë, një llustër kjo ‘shkencore’. Në fakt, ‘antisemitët’ nuk kishin gjë kundër semitëve të tjerë (arabëve, për shembull), dhe urretja e tyre u rezervohej një populli, i cili (pace Thilo Sarrazin-it) qe dhe mbetet një prej atyre me përbërje etnike prej më ndryshmeve në botë. Megjithatë, ne vijojmë sërish ta përdorim këtë shprehje edhe sot, jo vetëm për të karakterizuar ideologjinë e zhvilluar prej sajuesve të saj europianë. Sot, për shembull, pak njerëz do të hezitonin ta quanin Martin Luther-in antisemit, thjesht sepse ai nuk dinte asgjë për racat dhe gjenetikën dhe për pasojë, nuk i bëri apel pseudoshkencës për të justifikuar urrejtjen e tij vrasëse kundër çifutëve.

«Megjithatë, një besim fetar nuk është më i njëllojtë me një racë se me një ideologji shekullare. (…) Nuk qe vetë presidenti i Francës, asnjëherë i vonuar në lëminë e gafave, ai i që e krahasoi islamofobinë me antisemitizmin ? Gabim tragjik. Razicmi i sulmon njerëzit për atë çka ata janë : të zinj, arabë, çifutë, të bardhë».

Le ta vendosim mënjanë, për një çast, çështjen nëse mundemi ose jo ta ‘krahasojmë’ islamofobinë me antisemitizmin. (Sigurisht që mund të krahasohen. Domethënë, mund të tregohen ngjashmëritë midis dy formave të diskriminimit. Por le ta lëmë këtë, së bashku me çështjen nëse diskriminimi racial në shtetet e jugore të SHBA-ve, Aparteidi në Afrikën e Jugut, spestrimet ‘etnike’ – në fakt, fetare – në Ballkan, etj., mund të ‘krahasohen’ me politikat raciale të nacional-socializmit.) Le të merrem më mirë me dy keqkuptime thelbësore të formuluara këtu nga Bruckner-i:

  1. Raca dhe feja janë qartësisht të ndara në mendjen e racistit.
  2. «Racizmi i sulmon njerëzit për atë çka ata janë».

Le ta nisim me pretendimin e dytë sepse është aq i gabuar sa mund të hidhet poshtë fare lehtë. Racisti nuk i sulmon njerëzit për atë «çka ata janë», por për atë çka ai mendon se ata janë. Racisti imagjinon një «komplot ndërkombëtar çifut», të udhëhequr nga « pleqtë e Sionit » që takohen në varrezën çifute të Pragës (ja ku përfundoi dhe ndarja e qartë midis racës dhe fesë, për më tepër shih më poshtë) ; homofobët kanë vegime për një « republikë pedesh » ; islamofobët për një «sulm islamist në Europë» (Pascal Bruckner), i cili do të shpjerë, me sa duket, drejt Kalifatit të « Eurabisë » (Bat Ye’Or), përmes ndihmës dhe përkrahjes së idiotëve të dobishëm si puna ime, që insistojnë në përdorimin e fjalëve të ndaluara si ‘islamofobia’.

Çka edhe na sjell tashmë në pretendimin e parë. Sikurse e thashë më lart, ideja se racizmi ‘shkencor’ nuk ka të bëjë më fenë është përdorur nga vetë racistët, që dëshironin t’u jepnin ideve të tyre të vrazhda një shkëlqim shkencor me ndihmën e statistikave dhe përmasave të kafkave, etj. Ky argumentim u kap gjërësisht nga kishat pas vitit 1945 sepse dukej se e shpëtonte Krishtërimin prej 2000 vitesh antijudaizëm. Në fund të fundit, kishat kishin kritikuar vetëm ‘besimin fetar’, i cili kishte kishte të bënte me racën po aq sa cilado ideologji e vjetër, sikurse thotë edhe Bruckner-i. Gjithkush mund t’i braktiste «njerëzit që kishin vrarë Zotin» (obobo !) përmes pagëzimit. Por gjithë sikurse shprehja «njerëzit që vranë Zotin» – shprehje kjo ende në përdorim nga Vëllazëria e Devotshme, sa për dijeni – nënkupton një fajësim kolektiv të të gjithë çifutëve për mëkatet e paraardhësve të tyre dhe ekzistencën e «një populli» sidoqoftë të ndryshëm nga feja, ashtu edhe urrejtja ndaj çifutëve qe gjithmonë më tepër se një kritikë e thjeshtë ndaj fesë së tyre. Sikurse është edhe në rastin e islamofobisë.

Bruckner ndoshta nuk do ta dijë këtë, por janë të shumtë autorët që kanë terhequr vëmendjen ndaj influencës së ideve fetare në antisemitizmin e Adolf Hitlerit, i cili ishte një katolik i pagëzuar dhe kurrë nuk e braktisi kishën. Më lejoni të citoj një prej botimeve më të fundit. Në librin e tij të shkëlqyer «Anständig geblieben: Nationalsozialistische Moral» (Të Qëndruarit Hijshëm: Morali i Nacional Socializmit), Raphael Gross shqyrton midis të tjerash «jetën e përtejme të fesë gjatë nacional socializmit» në një kapitull të titulluar «Krishtërimi pozitiv: feja dhe moraliteti në politikën e Hitlerit». Leximi është mbresëlënës. Do të më duhet të përqëndrohem në disa citime të fjalimeve të Hitlerit për të treguar se si kritika ndaj fesë nuk i shkëputet racizmit.

Më 27 tetor 1928 Hitleri thotë: «Kjo, lëvizja jonë, është vërtetë e krishterë. Ne jemi të mbushur me dëshirë për t’i parë katolikët dhe protestantët të gjejnë njëri-tjetrin në orën e nevojës së popullit tonë…». Cili është armiku i Krishtërimit? -Çifutët! Edhe pse Hitleri shkroi në «Mein Kampf» se «Judazimi qe gjithmonë një popull me disa karakteristika raciale dhe kurrë një fe», ai vazhdimisht e përkufizoi Judaizmin, sikurse e vëren edhe Gross, «në terma fetarë, domethënë, përmes mungesës së fesë të çifutëve». Kështu, në «Mein Kampf», Hitleri vijon: «Prej karakterit të tij origjinal, çifuti nuk mundet kurrë të zhvillojë një institucion fetar, për arsyen e thjeshtë se atij i mungon çdo formë idealizmi dhe kësisoj, çdo besim në të përtejmen». Këtu, një karakteristikë e supozuar e Judazimit (e vërtetë ose e gabuar, nuk është ky qëllimi i këtij argumentimi) përdoret për të karakterizuar ‘çifutin’ si anëtar i një një populli ose race. Dhe ashtu sikurse populistët e sotëm si Geert Wilders thonë se Islami nuk është një fe, por një ideologji politike, një projekt i pushtimit të botës për umën, Hitleri mbronte se «mësimet fetare të çifutëve janë para së gjithash një urdhër për ta mbajtur gjakun çifut të papërzier… Për sa i përket vlerës morale të mësimit të tyre fetar, ai është studiuar në detaje në të gjitha fushat». Sigurisht, me rezultatin se çifutëve u mungojnë «vlerat tona morale» sepse, sikurse mbrohet edhe prej kishës gjermane, «vlerat lypin Zotin» – Zotin tonë të krishterë, sigurisht. Përfundimisht, dhe këtu i kthehemi pikës sonë fillestare, domethënë karakterit të krishterë të nacional socializmit : mendja e ‘çifutit’, sipas Hitlerit, «është aq thellësisht dhe thelbësisht e huaj ndaj Krishtërimit të vërtetë sa ç’ishte edhe karakteri i tij ndaj themeluesit të madh të mësimeve të reja dy mijë vjet më parë».

Si mundet dikush të pohojë se kririka ndaj një ‘besimi fetar’ dhe ajo ndaj racizmit nuk kanë asgjë të përbashkët me njëra-tjetrën dhe të presë ta marrin seriozisht si një arbitër fjalësh?

«Në të gjithë botën është duke u ndërtuar një Krim i Mendimit (domethënë ‘islamofobia’), i cili kujton mënyrat përmes të cilave Bashkimi Sovjetik persekutonte « armiqtë e popullit».

Të krahasosh ‘islamofobinë’ sikurse bën Bruckner-i, me sulmin sovjetik mbi «armiqtë e popullit» nënkupton se ajo përdoret kryesisht kundër myslimanëve për të nështruar kritikat ose devijimet nga Islami, sikurse leninistët e përdornin formulën kundër njerëzve të tyre. Ky nuk është i tillë rast. Ligjet skandaloze kundër apostazisë dhe blasfemisë që ekzistojnë pothuaj në të gjitha vendet islamike janë mrekullisht të denja për këtë detyrë. Dhe atje ku nuk janë, si për shembull në rastin e Selman Rushdisë, kur blasfemuesit i qëllon të jetojë në një demokraci, do të gjendet një fetva. ‘Islamofobia’ është një akuzë e cila i rezervohet pothuaj ekskluzivisht jo-myslimanëve (dhe, padyshim, disa radikalëve qemalistë); unë fjalën e përdor për të karakterizuar një formë ksenofobie të paketuar në terma fetarë.

Por meqenëse Bruckner-i citon shembullin e Bashkimit Sovjetik për të nënvizuar «sulmin islamist» imagjinar, është ndoshta më me vend të vërejmë abuzimin me antikomunizmin nga njerëz si Joseph McCarthy për ta kuptuar më mirë islamofobinë. Të qenit antikomunist ishte, në vitet 1950, jo vetëm e respektueshme; kritikët dhe intelektualët antifashitë duhet të ishin antikomunistë nëse nuk dëshironin t’i kompromentonin idetë e tyre. McCarthy dhe shpura e tij, sidoqoftë, e kthyen antikomunizmin në një histeri dhe në një racionale për gjueti shtrigash.

Diçka e ngjashme po tentohet me islamizmin sot dhe këtu kritikat ndaj fesë dhe politikave fetare shndërrohen në islamofobi. Personalisht, nuk e kam mbajtur kurrë sekret ateizmin tim. Në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme kam kritikuar Krishtërimin, Islamin dhe Judaizmin. (Dha jam akuzuar për kristianofobi,katolofobi dhe islamofobi.) Por nëse dikush do të sugjeronte se nuk ka asnjë ndryshim midis – shpresoj – arsyetimit tim, nëse ndonjëherë i padrejtë, kriticizmit polemik të ideve dhe institucioneve më një anë, dhe denigrimit të një grupi të tërë njerëzish, sikurse në rastin e Thilo Sarrazin-it më anën tjetër, atëherë do të më duhej të përfundoja se studimet PISA janë gabuar që i dhanë Francës një vend mesatar midis vendeve të zhvilluara për sa i përket leximit dhe kuptimit të teksteve.

Quajeni si të doni: ka një formë kritike ndaj Islamit, e cila tenton, përmes shprehjeve të tilla si « kultura islamike » më një anë dhe «Leitkultura e krishterë-judaike» (kultura udhëheqëse) më anën tjetër, të rrënjësojë konceptin e dy klasave të ndryshme midis qytetarëve europjanë. Kjo tentativë motivohet nga frika irracionale, e cila është e krahasueshme me histerinë antikomuniste të McCarthy-t, të cilën unë e quaj ‘islamofobi’. (Dhe po, kishte spiunë komunistë në qeverinë e SHBA-ve, dhe, po, ka terroristë islamikë. Por histeria dhe frika nuk janë këshilltarë të mirë në betejën për një shoqëri të hapur dhe kundër armiqve të saj.)

Mbetem në pritje të sugjerimeve për fjalë më të gjetura. Por cilido që e mohon procesin e përjashtimit dhe denigrimit që kam skicuar e që në fakt është duke ndodhur, është qartësisht duke vuajtuar nga një formë deluzioni, pa lidhje me realitetin ; dhe për këtë person është veçse logjike të dëshirojë të ndalojë fjalët që mund t’i kujtojnë se ky realitet ekziston.

Autori është një gazetar gjermano-britanik, korrespondent dhe komentues për Die Welt dhe Welt am Sonntag në Berlin dhe një prej bloguesëve më influentë në Gjermani. Libri i tij i fundit, « Kryqëzata e Papë Benediktit » është një kritikë ndaj Benediktit XVI. Ky artikull u botua fillimisht në gjermanisht në starke-meinungen.de, më 14 dhjetor 2010.

Përktheu : Nermin Begzade

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit