0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

A jemi afër fundit të punëve 8-orëshe?

Më të lexuarat

  • Pas përvojës së punës në distancë gjatë COVID-19, punonjësit tani duan më shumë fleksibilitet në orarin e punës.
  • Gjysma e tyre do të donin të kishin fleksibilitet të plotë kur bëhet fjalë për orarin, sipas një raporti të ri nga Adobe.
  • Punonjësit në Gjermani janë më të prirur për ta kërkuar këtë krahasuar me punonjësit nga cilido prej shtatë vendeve të tjera të anketuara.
  • Të rinjtë janë gjithashtu më në favor të orarit fleksibël, me tre të katërtat e tyre që raportojnë se duan të kenë më shumë kontroll mbi orarin e punës.

Pasi shijuan punën në distancë gjatë pandemisë, punonjësit tani dëshirojnë më shumë fleksibilitet kur bëhet fjalë për orarin e tyre të punës.

Sipas një raporti nga Adobe, 51 për qind e punonjësve të ndërmarrjeve do të dëshironin të kishin fleksibilitet të plotë për orarin e tyre, në ndryshim nga vetëm 16 për qind e të anketuarve që thanë se java e tyre ideale e punës nuk do të kishte fare fleksibilitet, por përkundrazi, “puna do të fillonte dhe do të përfundonte sipas një plani të caktuar.”

Raporti i vitit 2021, i titulluar The Future of Time, thotë se kjo dëshirë për një qasje më fleksibël u vu re te të shtata vendet e anketuara, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në, Australinë, Zelandën e Re, Francën, Gjermaninë dhe Japoninë.

Nga të gjitha këto vende, gjermanët ishin grupi më i prirur për të kërkuar orarin fleksibël të punës, me plot 56 për qind të të anketuarve që e mbështesnin këtë qasje. Ata ishin gjithashtu grupi me përqindjen më të lartë të njerëzve që po përjetonin aktualisht një stil jetese fleksibël, me 39 për qind që e deklaruan këtë.

Japonia aktualisht ka përqindjen më të ulët nga të shtatë vendet e anketuara për numrin e njerëzve që punojnë me orar fleksibël, me vetëm 12 për qind, por gati gjysma (48 për qind) e të anketuarve deklaruan se do të dëshironin të punonin në një mënyrë më pak kufizuese në të ardhmen, nëse do të ishte e mundur.

Brezat e rinj në veçanti duket se kishin një fokus më të madh për nivelin e vetë-autonomisë mbi orarin e tyre të punës, me 73 për qind të të rinjve që thonë se do ta ndërronin punën e tyre me një punë tjetër me fleksibilitet më të madh, nëse paga dhe përshkrimi i punës do të mbeteshin të njëjta, sipas raportit.

Gjithashtu, siç shkruan Wrike, një rritje në oraret fleksibël të punës mund të ndihmojë edhe për barazinë gjinore, pasi prindërit mund të ndajnë së bashku barrën e kujdesit për fëmijët.

Ky trend duket se po fiton shumë terren, pasi është vënë re një rritje e numrit të kompanive që po e pranojnë këtë ide. Për më tepër, puna fleksibël ka filluar të mbështetet edhe nga qeveritë, pasi Irlanda tani është e vendosur të zbatojë të drejtën për të kërkuar marrëveshje për punë fleksibël, sipas RTÉ.

Kohët kanë ndryshuar që kur Henry Ford prezantoi turnet 8-orëshe për punëtorët e fabrikave, në fillim të viteve 1900. Siç shkruan Forbes, të jetosh në një ekonomi shërbimesh nuk është njësoj me jetën në një ekonomi prodhuese; ne tani kemi teknologjinë për t’u lidhur menjëherë me kolegët tanë, pavarësisht distancave të mëdha.

Për shumë njerëz, sidomos në veriun e globit, modelet sociale kanë ndryshuar tërësisht. Siç shkruan Adobe, “Punëdhënësit duhet t’i adresojnë këto sfida, ose rrezikojnë të humbasin talentet e tyre më të mira”. /World Economic Forum & Statista/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit