Me mbledhjen e Kryesisë të hënën nis sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës, por administrata e këtij institucioni ende nuk ka informacione nëse deputetët e partive parlamentare janë vaksinuar.
Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim, që nëpër institucionet publike nga data 13 shtator të mos lejohet të hyjë askush që nuk paraqet dëshminë për vaksinim ose test negativ në hyrje të institucionit.
Telegrafi i është drejtuar me pyetje Kuvendit të Kosovës të martën (më 7 shtator), për të kuptuar nëse deputetët e Kosovës kanë marrë vaksinat antiCOVID, por këtij institucioni i janë nevojitur tri ditë për të kthyer përgjigje.
“Lidhur me temën në fjalë, ju lutemi pyetjen adresojeni në grupe parlamentare”, thuhet në përgjigjen e tyre, dërguar në adresë të Telegrafit në përfundim të orarit të punës të premten më 10 shtator.
Mbledhja e Kryesisë pritet që të mbahet të hënën me fillim nga ora 13:00, ndërkaq nuk dihet nëse të gjithë deputetët do të mund të marrin pjesë në seancën që do të caktohet.
Megjithatë, Telegrafi është në pritje të përgjigjes nga shefat e Grupeve Parlamentare të partive politike, për të njëjtën pyetje.
Disa nga ta edhe publikisht kanë bërë thirrje që të vaksinohen qytetarët, duke publikuar edhe fotografi nga Qendrat e Vaksinimit. /Telegrafi/