-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A është kush që djeg Biblën?!

Më të lexuarat

BiblaVitet e fundit bota po dëshmon një ndryshim fatal, i cili ngjall frikë për një të ardhme të keqe si pasojë e veprave mizore të njerëzve. Kjo frymë frike vjen duke u shtuar, sidomos me luftërat e shumta që po zhvillohen dita-ditës.

Por nuk ekziston vetëm kjo frikë për ata të cilët e duan paqen dhe mundohen ta mbjellin atë në çdo skaj të botës, ngase problemet e këtij shekulli nuk kufizohen vetëm me luftërat ushtarake, por përfshijnë edhe luftën ideologjike, e cila ka marrë hovë të madh.

Ne si shqiptarë muslimanë nuk duhet dhe nuk kemi të drejtë të qëndrojmë duarkryq dhe të mos kontribuojmë për ndalimin e së keqes dhe pakësimin e saj si dhe në përhapjen e së mirës dhe shtimin e saj, prandaj edhe kemi shkruar në këtë revistë dhe gjetiu për problemet serioze që destabilizojnë gjendjen, duke filluar nga terrorizmi bashkëkohor e deri te droga, alkooli, prostitucioni dhe duhani, ngase të gjitha këto mbjellin frikën, largojnë sigurinë dhe paqen dhe i kontribuojnë destabilizimit të vendit.

Por të habit fakti që edhe pse ne i luftojmë këto dukuri negative duke u bazuar në rregullat e Kur’anit dhe fjalët e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, prapëseprapë etiketohemi me gjërat që i luftojmë, na atribuojnë gjërat që i kundërshtojmë, na cilësojnë si kriminelë pa bërë asnjë krim, bile duke luftuar krimin.

Posa ramë pak në qetësi nga skenat e dhunshme që nxiti piktori danez i karikaturave fyese për Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, njeriun më paqësor që ka pasur ndonjëherë njerëzimi, u gjendëm para një skene tjetër zullumi dhe poshtërsie, që buroi nga deklarata fyese dhe shumë tmerruese e priftit shqiptar Anton Kcira, e cila rrëqethi zemrat para lëkurës.

Këto provokime nuk u ndalën këtu, pasi ata përfundimisht vendosën të na provokojnë në thelbin e fesë sonë, në atë pa të cilin nuk do të kishte kuptim jeta jonë, por në këtë rast ishte një prift amerikan, Terry Jones, i cili e shfaqi haptazi mllefin e tij ndaj Kur’anit. Për të ndaluar gjestin e tij, djegien e Kur’anit, u desh të ndërhynte edhe shteti amerikan. Por disa persona të thjeshtë në Amerikë, Australi e së fundi në Britani nuk u ndalën nga kjo armiqësi dhe e dogjën Kur’anin publikisht.

Përse të digjet Kur’ani?

Çfarë të keqeje ka në Kur’an që të digjet? Për çfarë dhune urdhëron Kur’ani?! Çudi, në vend që të përfitojnë nga ky libër, i cili përmban të gjitha të mirat, ata dëshirojnë ta zhdukin atë dhe bashkë me të edhe mirësinë. A nuk do të kishte qenë më mirë për ta që të pyesnin muslimanët për gjëra që nuk i kuptojnë në Kur’an apo tek e fundit ta kundërshtonin Kur’anin me argumentet e tyre (e them ketë në formë supozimi, pasi

dihet që nuk kanë asnjë argument) e jo ta shfaqnin haptas armiqësinë e madhe që kanë ndaj Kur’anit dhe pasuesve të tij?

Unë e kuptoj pse nuk i kanë bërë këta hapa, ngase nuk e duan udhëzimin dhe nuk kanë mundësi ta kundërshtojnë Kur’anin, prandaj u mbetet alternativa e fundit, djegia e tij, dhe kështu çdo njeri që nuk ka argumente domosdoshmërisht do të veprojë diçka të palogjikshme, të ulët dhe aspak humane.

Të djegësh Kur’anin do të thotë të djegësh zemrën e muslimanit, është njësoj si të djegësh shpirtin e tij dhe ta djegësh atë të tërin. A ka më terrorizëm se ky në botë?! Këta vetë bëjnë terrorizëm, nxisin për terrorizëm dhe në fund i quajnë të tjerët terroristë!

Në këtë revistë të begatë kemi kundërshtuar çdo lloj terrorizmi, edhe terrorizmin e ashtuquajtur “islamik” me pa të drejtë, ngase Islami është fe e paqes, e cila erdhi për të ofruar paqe dhe siguri për njerëzit e globit, edhe për kafshët dhe gjallesat e tjera. Gjithashtu ne kundërshtojmë me zë të lartë edhe këtë terrorizëm ndaj Islamit dhe shenjave të tij, i cili po shkakton trazira çdo ditë e më shumë.

Ky prift jo vetëm që bën terrorizëm, e cila është përgjegjësia e tij personale, por edhe nxit konflikte mes civilizimeve dhe feve në gjithë botën, sidomos në ato vende ku muslimanët dhe të krishterët jetojnë së bashku, prandaj edhe u desh të ndërhynte shteti, amerikan ngase të gjithë e kuptuan rrezikun e veprës së tij.

Të mbrojmë Kur’anin dhe të djegim Biblën?

Ne si muslimanë nuk do të sillemi ashtu siç sillen ata, por këtë problem do ta trajtojmë me urtësi dhe do t’u përmbahemi urdhrave të Kur’anit, i cili na ndalon që të keqen ta kthejmë me të keqe. Prandaj përgjigjja që kërkohet nga ne në këtë rast është që t’u tregojmë sa më shumë njerëzve për këtë libër madhështor, t’ua mësojmë atë të tjerëve, t’u përmbahemi dispozitave të tij dhe kështu e mbrojmë këtë libër, i cili sidoqoftë është i mbrojtur nga Allahu dhe nuk do të humbë, vetëm se atëherë kur do i madhi Allah, ngase Ai e ka zbritur në tokë dhe vetëm Ai e ngre nga toka.

Ne nuk do të djegim ndonjë Bibël, siç vepruan këta njerëz me Kur’anin, por kemi djegur dhe do të vazhdojmë të djegim teorikisht gabimet e saj me argumente të qarta, ngase çdo libër hyjnor është ndryshuar nga origjinali, përveç Kur’anit, i cili që prej 1400 vitesh nuk ka ndryshuar ngase garancinë për ruajtjen e tij nga ndryshimi na e dha Allahu i Madhëruar. E, kë garanton Allahu, ai do të jetë i sigurt çdoherë.

Në fund, u jap përgëzimin lexuesve me dy ajete të këtij libri fisnik. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata dëshirojnë ta fikin dritën (fenë) e Allahut me gojën e tyre, por Allahu ka vendosur vetëm që ta përsosë dritën e Vet, edhe sikur mohuesit ta urrejnë këtë gjë.” Et Tevbe:32

Dhe: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” El Hixhr: 9

Xheladin Leka

Burimi: www.shkollaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit