-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

A ËSHTË KURANI KOPJE E BIBLËS ?

Më të lexuarat

Senad Maku

“Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të lavdishmit”. (Fussilet 42)
“Përkundrazi, Ne të pavërtetën e godasim me të vërtetën dhe ajo (e vërteta) triumfon mbi të ndërsa ajo (gënjeshtra) zhduket”. (Kur’an: Enbija 18)

Shumë prej kundërshtarëve të Islamit mundohen të mbjellin farën e dyshimeve rreth çështjes së Kur’anit dhe prejardhjes së tij. Armiqët e islamit mundohen dita ditës të shpifin dhë të hapin polemika mbi autenticitetin (vërtetësinë) e tij si libër Hyjnorë. Shumë libra, revista dhe media të ndryshme e paraqesin Kur’anin Famëlartë si një vepër të mendjes njerëzore, krijuar prej një “mashtruesi” të pejgamberisë. Puna e madhe e tyre ka patur një objektivë të qartë, atë të çoroditjes së njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm nën maskën e punimeve shkencore. Disa mundohen të paraqiten përpara masës me maskën Islame, duke menjanuar tekstet e tija, e duke ndryshuar koncepte e parime bazë, për interesa të ndryshme, në shumë raste politike e financiare. Disa të tjerë hedhin dyshime se Muhamedi a.s. duhet të jetë autorë i vetëm i këtij libri, e shumë e shumë shpifje dhe trillime në adresë të Islamit, Kur’anit dhe Muhamedit a.s. Shumë kemi dëgjuar e shumë kemi për të dëgjuar…

Kur’ani vet ju përgjigjet këtyrë trillime me një përgjigje të saktë dhe vendimtare, ku Allahu xh.sh. thotë:
“Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve. Përkundër kësaj, ata (idhujtarët) thonë se atë e trilloi ai (Muhammedi). Ti thuaj: “Sillne pra ju një kaptinë të ngjajshme me këtë, madje thirrni kë të doni në ndihmë, pos All-llahut, po qe se jeni të drejtë në atë që thoni”. Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur’anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin dhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve. Ka prej tyre (te të cilët u dërgua Muhammedi) që e besojnë atë(Kur’anin), e ka prej tyre edhe asish që atë nuk e besojnë. Zoti i njeh më së miri kokëfortit”. (Junus 37-40)

Prej shpifjeve të shumta që i adresohen Kur’anit Famëlartë është edhe kjo që kinse Kur’ani është kopje e biblës, apo Muhamedi a.s. huazoj prej librave hebreo-kristiane dhe përpiloj Kur’anin, kopjoi atë nga autorë dhe burimet tjera.
Faktikisht kjo akuzë është ripërtëritje e pohimeve të vjetra pagane të kohës së Pejgamberit Muhamed, megjithatë në një formë tjetër:
Edhe thanë: “(për Kur’anin) Janë legjenda të të parëve, që ai (Muhammedi) kërkoi t’i shkruhen ato, e i lexohen atij mëngjes e mbrëmje”. (Furkan 5).

Sipas logjikës së kësaj akuze duke qenë se Kur’ani flet për shumë ngjarje të cilat përmenden gjithashtu edhe në bibel ky u dashka të jetë një kopje e saj. Mirëpo kjo akuzë është fare e paargumentuar. Pikë së pari ngjajshmëria nuk do të thotë medoemos kopjim. Allahu e bën të qartë në Kur’an se mesazhi që ai po shpallte nëpërmjet Muhamedit a.s. nuk ishte diçka e re, por ishte vetëm një vazhdim i zinxhirit të mëhershëm të porosive dhënë nga Zoti nëpërmjet Pejgamberëve.
“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse e patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; e patëm frymëzuar Ibrahimin, Ismajlin, Is-hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm hënë Zeburin”. (Nisa 163)
“E, sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?! (Zuhruf 6)
“Secili popull kishte të dërguarin e vet, e kur u vinte i dërguari i tyre bëhej gjykimi i drejtë mes tyre, atyre nuk u bëhet padrejtësi”. (Junus 47)

Është e natyrshme që mesazhi i këtyre Pejgamberëve ishte i njëjtë duke qenë se ata vinin nga Zoti i njëjtë dhe tash pasi që në bibel kanë mbetur gjurmë të mesazhit të vërtetë të përcjellë nga Pejgamberët, nuk është aspak e çuditshme nëse edhe në Kur’an gjejmë paralelizma me ngjarje të caktuara. Akuza se Kur’ani është kopje e biblës vetëm pse të dy librat flasin për disa ngjarje të njëjta është shumë naive.

Mungesa tjetër e kësaj akuze është se kurr nuk është gjetur se cili është ai person misterioz nga i cili Muhamedi a.s. mësoi biblën apo mësimet hebreo-kristiane, për ti kyçur pastaj ato në Kur’an, për arsyen e thjeshtë se ai person apo ata persona nuk ekzistonin. Mosdija e shkrim-leximit që e shoqëroi Muhamedin a.s. gjatë tërë jetës së tij përbën një pengesë të rëndësishme. Është e pamundshme se si ai mund të mblidhte tërë ato materiale nga çifutët, krishterët apo nga burimet tjera pagane me qëllim që këtë material ta përpunonte dhe ta recitonte më pas për 23 vjet në gjuhën e madhërishme të Kur’anit pa ndihmën e një pende. Kur’ani thotë:
“Ti (Muhammed) nuk ishe që lexon ndonjë libër para këtij, e as që shkruajshe atë me dorën tënde të djathtë, pse atëherë do të dyshonin ata të prishurit”. (Ankebut 48)

Shtrohen pyetjet: Cili mësues mund ti mësonte Muhamedin a.s. një besim të plotë e koherent që ktheu faqen e historisë? Përse nuk u ngrit ai apo ata (në qoftëse ka patur ndonjë) kundër të ashtëquajturit nxënës i cili vazhdonte ta mësonte dhe t’i injoronte ata në të njëjtën kohë duke shpallur se mësimet a tij vinin nga një burim Hyjnorë, siç është vetë Allahu xh.sh.? E si mundet që disa nga bashkëkohësit e tij krishterë dhe çifutë u kthyen në musliman dhe besuan në vërtetësinë e tij në qoftëse e dinin se ai po kopjonte shkrimet e tyre të shenjta apo po mësonte nga rabinjt ose priftërinjt e tyre? etj.

Verzioni i parë arab i Dhjatës së Vjetër doli 200 vjet pas vdekjes së Muhamedit a.s. dhe verzioni më i vjetër i Dhjatës së Re doli 1000 vjet pasi Muhamedi a.s. na kish lënë. Tomas Patrik Hjuz thotë: “Nuk kemi asnjë provë se Muhamedi pati mundësi ti njihte shkrimet e shenjta. Duhet gjithashtu të kemi parasysh se nuk kemi asnjë gjurmë për ekzistencën e teksteve arabisht të Dhjatës së Vjetër përpara ardhjes së Muhamedit”.

Jologjikshmëria tjetër e kësaj akuze është se megjithqë në disa raste Kur’ani flet për ngjarje të njëjta me Biblën, ato në asnjë mënyre nuk janë identike por ndërrojnë thelbësisht. Pastaj ky edhe ishte misioni themelor i Muhamedit a.s. që të përmirësonte mesazhin e Zotit i cili ishte korruptuar deri atëher.

Ideja se Kur’ani ka huazuar nga bibla kundërshtohet më tej edhe me ekzistencën e dallimeve themelore në besim që i gjejmë në dy tekstet. Këto dallime janë: P.sh.: në konceptin e Zotit. Bibla Zotin e tregon si një Zot që lodhet (Ekzodi 31:17- Zanafilla 2:2); një Zot që harron (Psalmi 13:1- Vajtimet 5:20); i pafuqishëm (Zanafilla 32:28); një Zot që flen (Psalmi 44:23- 78:65); i pamëshirshëm (Psalmi 77:7-9); dituria e mangët e Zotit (Zanafilla 3:8); Zoti përshkruhet në formën njerëzore (Zanafilla 1:26- 9:6); një Zot që ka familje (Ekzodi 4:22- Ligji i përtërirë 32:19- Ezekieli 16:3-32- Hebrenjve 5:5- Psalmi 2:7); një Zot që ka nevojë për udhëheqjen e njeriut (Exodi 12:13); padrejtësia e Zotit (Jobi 19:6-7); një Zot që prish premtimin (Levetiku 26:44); një Zot i cili pendohët për atë që bën (Zanaflilla 6:6-7), e shumë argumente të tjera që janë në kundërshtim me Qenien e Zotit xh.sh., kurse Kur’ani i hedh posht këto trillime, shih ajetet që iu kundërvihen këtyre citatëve biblike; Kaf 38, Taha 52, Haxh 74, Bekare 255, Zumer 53, Bekare 115, Shuara 11, Nahl 74, Ihlas 1-4, Maide 18, Furkan 6, En-Am 59, Junus 44, Nisa 40, Ibrahim 42, Rrum 6, e shumë citate tjera.

Poashtu edhe në konceptin e Pejgamberëve ka dallime. Bibla i quan profetët si mëkatarë, gënjeshtarë, tradhtarë, e shumë epitete të tjera, në kryerjen e veprave të shëmtuara dhe të ndyra, etj. P.sh. Luti a.s. bëri zina me dy bijat e tij (Zanafilla 19:30-38); Haruni a.s. si njeri i cili e konstruktoi viçin që ta adhurojnë Izraelitët (Ekzodi 32:1-20); Sulejmani u martua me 700 gra dhe 300 konkubina dhe u kthye në idhujtari (1 Mbretërve 11:3-7); Zoti e urdhëron profetin Osea që të martohet me prostitutë, e të ketë fëmijë të kurvërisë (Osea 1:2); Jakobin e quan si dinak dhe mjeshtër i intrigave të shumta (Zanafilla 27:16, 19-36/32:24-30); Juda bëri zina me nusën e të birit Tamarën dhe ajo u ngjis me të dhe lindi dy binjakë, Faresi dhe Zara, ku prej Faresit, si rezultat i kësaj zinaje nderohen si stërgjyshërit e Jezusit-Isait a.s., Davudi a.s., Sulejmani a.s. (Zanafilla 38:12-30, Mateu 1:3-16) etj. Kurse Kur’ani Pejgamberët i ngrit në piedestalin më të lartë dhe i bën shëmbëlltyrë për ne.

Dallime thelbësore gjejmë edhe përsa i përket besimit në jetën e tanishme dhe të përtejme në konceptin e shpëtimit dhe drejtimit në jetë. Poashtu dallime kemi edhe ne histori ku Kur’ani dhe Bibla nuk përputhen: p.sh. te Ademi dhe Havaja, te Ibrahimi a.s., Isamilit, Ishakut, Lutit, Musait, Isait a.s. etj.

Teoria e huazimëve dobësohet më tej nga prania në Kur’an e historive dhe detajëve të cilat mungojnë në bibël. Si p.sh. rrëfimi mbi popullin e Adit dhe Themudit mbi pejgamberët e tyre Hudin dhe Salihun a.s. që nuk përmendën në bibël. Në Kur’an gjen edhe histori dhe detaje tjera që nuk gjendën në bibël si rasti i Ibrahimit dhe mrekullia e tij, shpëtimi nga zjarri (mosdjegja në zjarr) mrekullia e ringjalljës së shpendëve nga ana e Allahut xh.sh. Rasti i Isaut a.s. që ka folur qysh foshnje (në djep), zogun që krijoi nga balta, e shumë raste të tjera. (shih Kur’anin 2:258/2:260/3:37/3:46/3:49/11:32/21:57/21:69/42:19 etj.)

Shtrohet pyetja: Kah i mori Muhamedi a.s. kaq shumë detaje për popujt dhe pejgamberët dhe historia e tyre që nuk i gjejmë në bibël? Kur’ani kur flet për popujt dhe pejgamberët e tjerë, Allahu xh.sh. ja bën me dije Muhamedit a.s. për ti treguar masës dhe njerëzve në përgjithësi se ti as që ke marrë pjesë në ato ngjarje, as që ke ditur gjë mbi ta gjerë atëherë, por është vetë Allahu xh.sh. Ai që të ka lajmëruar dhe se ky Kur’an është fjalë e Zotit të Madhërua:
“Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete”. (Ali Imran 44) “E ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit ku All-llahu i foli Musait) kur Ne Musait ia besuam shpalljën (e bëmë pejgamber dhe dërguam te faraoni), e ti as nuk ishe aty pran”. (Kasas 44) “Këto janë disa rrëfimet e panjohura (për ty), që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kur’anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit”. ( Hud 49) “Nuk është e logjikshme të mendohet se ky Kur’an është i trilluar prej dikujt pos All-llahut, por është vërtetues i asaj (shpalljes) që ishte më parë, dhe sqarues e komentues i librit. Nuk ka farë dyshimi se është (i zbritur) nga Zoti i botëve”. (Junus 37)

Po të analizohet bibla në tërësi do të gjendi shumë kundërthënie, mospajtime, gabime ndërmjet dy Dhjatave dhe citatëve që gjendën në të, gjë që tregon se në bibël ka prekur dora e njeriut. Kurse te Kur’ani një gjë e tillë nuk ekziston, gjë që vetë Kur’ani e mbron vetvehtën, ku thotë: “A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)

Bibla nuk është një libër por një përmbledhje të librave. Bibla sipas versionit protestant përmban 66 libra, kurse bibla sipas versionit Romano-Katolik përmban 73 libra. Pse???!

Bibla është një përzierje e thënieve hyjnore dhe komenteve njerëzore të atyre që erdhën më pas, duke falsifikuar, ndryshuar shkrimin e shenjtë dhe duke vendosur mendimet dhe fjalët e veta. (shih p.sh. Jeremia 8:8, Luka 1:1-4, 1 Korintasve 7:25) Origjinali i këtyre librave si të Dhjatës së Vjetër dhe Ungjijve kanë humbur. Kur’ani nuk përmend komente dhe ndërhyrje njerëzore siç ka ndodhur me vetë biblën, madje edhe fjalët e Mudamedit a.s. nuk janë pjesë të Kur’anit, ato quhen Hadithe.
Në bibël gjindën disa libra të cilat janë shkruar shumë vjet pasi këto pejgamber kishin vdekur dhe jo në gjuhën e tyre të pejgamberëve duke krijuar kështu një numër vështirësish në analizimin e tyre, duke hasur në gabime, kontradikta, mospërputhje faktësh etj. Kurse i tërë Kur’ani u shkrua gjatë jetës së pejgamberit Muhamed a.s. dhe u mësua përmendësh nga qindra njerëz në gjuhën origjinale.
Të katër ungjijt kanonikë nuk ishin ungjijt të vetëm. Vendimi, se çfarë duhët të jetë në bibël dhe çfarë jo iu la gjykimit njerëzor. Në islam nuk u mbajt asnjë konferencë që të përcaktohet se cila sure duhet të jetë e cila të mos jetë në Kur’an. Në dhjatën e re, të katër ungjijt japin jetën dhe misionin e Isait, Jezusit a.s., kurse Kur’ani nuk është një biografi e Muhamedit a.s. shkruar nga pasuesit e tij. E shumë e shumë dallime të tjera ndërmjet biblës dhe Kur’anit.

Ideja se Kur’ani ka huazuar nga bibla është padyshim e gabuar.
Keneth Kreg thotë se: “Muhamedi nuk pati asnjë kontakt personal me shkrimet e shenjta paraardhëse… Kemi pothuajse një mungesë absolute të asaj që mund të quhej citim i drejtpërdrejt nga secila Dhjatë”.
Ndërsa atyre që akoma vazhdojnë të besojnë se Kur’ani është vepër e dikujt tjetër pos Allahut xh.sh., u këshilloj të lexojnë ajetin Kur’anorë:
“A nuk e përfillin ata (me vëmendje) Kur’anin? Sikur të ishte prej dikut tjetër, përveç prej All-llahut, do të gjenin në te shumë kundërthënie”. (Nisa 82)
E nëse akoma vazhdojnë të jetojnë në botën e ankthit dhe të dyshimit: Zoti i udhëzoftë!
Këtë artikull po e përfundoj me fjalët e Allahut xh.sh. në Kur’anin e Madhërishëm:
“E edhe ai (kur’ani) është shpallje (zbritje) e Zotit të botëve”. (Shuara 192)
“E ju gjithsesi do ta kuptoni pas pak kohe vërtetësinë e tij”. (Sad 88)

Literature e shfrytzuar:

1. Kur’ani – Përkthim me komentim i H. Sherif Ahmetit.
2. Bibla – Diodati i Ri përkthim 1991-94.
3. Islami dhe Krishterimi, Halil Ibrahimi, botim i parë 2004
4. Burimet e Kur’anit, Hamza Mustafa Nijazi, Mitrovicë 1996
5. Dituria Islame, viti IX, nr.178, Maj 2005, Prishtinë, “Koncepti i Zotit në Bibel dhe në Kur’an” – Senad Makoviq
6. Dituria Islame, viti IX, nr.180-181, Korrik – Gusht 2005, Prishtinë, “Koncepti Pejgamberik në Bibel dhe në Kur’an” – Senad Makoviq

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit