8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

A është koha për ta mbyllur Facebook-un?

Më të lexuarat

“Mark është person i mirë, i këndshëm. Mirëpo unë jam i zemëruar se si, duke u fokusuar në rritje (të kompanisë), ai ka sakrifikuar sigurinë dhe shoqërinë për klikime”.

Këto janë fjalët e Chris Hughes, bashkëthemeluesit të rrjetit social, Facebook për Mark Zuckerberg, i cili, për të përditshmen The New York Times, tregon se ndonëse nuk ka punuar që një dekadë në këtë kompani, brenda tij ekzistojnë ndjenja të zemërimit dhe përgjegjësisë.

Hughes tregon se si Facebook-u është shndërruar nga një projekt i zhvilluar në një dhomë studimesh, në një kompani serioze me avokatë dhe departament të burimeve njerëzore.

“Ne kemi pasur 50 punëtorë dhe familjet e tyre janë varur nga Facebook-u për të vënë bukë në tavolinë. Kam shikuar jashtë dritares dhe i kam thënë vetes ‘Kjo nuk do të përfundojë kurrë. Sa më shumë që rritemi aq më shumë do të na duhet të punojmë për të vazhduar rritjen’”, është shprehur ai.

Pas disa skandaleve me të dhëna që kanë prekur këtë kompani, thirrja e tij drejtohet nga mospërdorimi dhe mbyllja e këtij aplikacioni. Mirëpo një gjë e tillë për shumë persona duket se është proces i vështirë.

“Edhe kur njerëzit dëshirojnë të heqin dorë nga Facebook-u, ata nuk kanë ndonjë alternativë kuptimplotë, siç edhe është vërtetuar pas skandalit me Cambridge Analytica. Të shqetësuar për privatësinë dhe mungesën e besimit në Facebook, përdoruesit në gjithë botën kanë nisur lëvizjen ‘Fshini llogarinë e Facebook-ut’. Sipas një studimi të Qendrës Pew, një e katërta ka fshirë llogaritë e tyre nga telefonët, mirëpo vetëm përkohësisht. Unë kam dëgjuar një shok duke thënë ‘U largova nga Facebook-u, falemnderit Zotit që ekziston Instagrami’, pa e kuptuar se Instragram është një Facebook i vogël”, është shprehur ai.

Në shkrimin e tij Hughes tregon për gjithë procesin e krijimit të aplikacionit si dhe për vendimet që gjatë rrugës i kanë shtuar popullaritetin këtij aplikacioni. Një nga vendimet ka qenë edhe blerja e aplikacioneve Whatsapp dhe Instagram.

Ndonëse të dyja në fillim nuk kanë qenë shumë të vlefshme, ato kanë pasur përdorues, çka i kanë garantuar jetëgjatësinë Facebook-ut si dhe rolin dominues. Për më shumë, Hughes mendon se pasi themeluesit e këtyre dy aplikacioneve janë larguar nga kompania, si pasojë e përplasjeve me Mark Zucekberbergun, ky i fundit është i lirë për të diktuar politikat e secilit aplikacion i vetëm.

Prandaj sipas tij, Qeveria duhet të mbajë përgjegjës drejtorin ekzekutiv të Facebook-ut.

Ai beson se për një kohë të gjallë ligjvënësit amerikanë kanë admiruar rritjen e kësaj kompanie duke mos menduar se kanë përgjegjësi për të siguruar se amerikanët janë të mbrojtur dhe tregjet janë konkuruese.

“Ndonëse Komisioni Federal për Tregti pritet të ndëshkojë më 5 miliardë dollarë kompaninë, kjo nuk është e mjaftueshme. Pas dëshmisë së Markut vitin e kaluar në Kongres, do të duhej të kishte thirrje për kalkuluar gabimet e tij. Mirëpo në vend të kësaj, ligjvënësit që e kanë pyetur atë, janë konsideruar shumë të vjetër dhe pa njohuri të mjaftueshme për teknologjinë. Ky është imazhi që Mark ka kërkuar të kenë amerikanët, sepse i bie që pak do të ndryshojë”.

Ai i është drejtuar dëshmisë që Zucerberg ka bërë një vit më parë në Kongresin amerikan, pasi firma konsulente me seli në Britani, Cambrige Analytica dyshohet se ka keqpërdorur të dhënat e miliona përdoruesve në Facebook, për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Prandaj bashkëthemluesi i Facebook-ut mendon se amerikanët do të fitonin më së shumti nga mbyllja e këtij aplikacioni.

Përveç sigurisë dhe të dhënave, ai beson se një gjë e tillë do të ndikonte pozitivisht edhe në hapjen e tregut për kompanitë tjera.

“Askush nuk e di se çfarë saktësisht do të ofronin konkurentët e Facebook-ut. Këtu është pikërisht dilema”, ka thënë ai.

Fushatë për mbyllje të Facebook-ut

Kandidanti për president të SHBA-së, nga radhët e demokratëve, Joe Biden ka thënë të martën se ai është i hapur për të mbyllur Facebook-un, duke treguar një ndjenjë të thellë të skeptizimit që ekziston te shumë demokratë, lidhur me këtë kompani.

Në një intervistë për The Associated Press, ish nënpresidenti amerikan, që tani po garon për Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se shkatërrimi i kompanive gjigante siç është Facebook-u, “është diçka për të cilën duhet menduar shumë”.

Këto komente kanë demostruar se si Facebook-u është duke u përballur me presion në rritje në mesin e demokratëve, pasi disa kandidatë për presidencë janë duke argumentuar se kompani të tilla janë të paverifikuara dhe lejojnë që dezinformatat të helmojnë debatin publik.

Biden po ashtu ka thënë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump nuk ka bërë mjaftueshëm për të fuqizuar ligjet kundër monopolit në disa lloje industrish.

Rregullat e reja franceze për Facebook-un?

Themeluesi i rrjetit social, Mark Zuckerberg ka thënë të premten se përpjekjet e Francës për të krijuar rregullore për luftimin e gjuhës së urrejtjes në platformat online, është model për Bashkimin Evropian.

“Unë jam optimist për rregulloret që janë vënë në zbatim”, ka thënë Zuckerberg para selisë së Facebook-ut në Paris.

“Do të jetë e vështirë për ne dhe do të ketë gjëra me të cilat nuk pajtohemi. Kjo është e natyrshme. Mirëpo në mënyrë që njerëzit të kenë besim në internet, duhet të ketë rregullore të duhura”, ka thënë ai.

Bazuar në një raport të hartuar nga disa rregullatorë francezë, institucioneve u kërkohet të krijojnë ligje që i lejojnë Qeverisë franceze për të hetuar dhe ndëshkuar rrjetet sociale që nuk marrin përgjegjësi për përmbajtjen që u sjellë atyre të holla.

Aty po ashtu përmendet se me ligjet e reja do të duhej të respektohet liria e shprehjes, mirëpo nuk është sqaruar se si Facebook-u duhet të balancojë përgjegjësitë e tij në praktikë.

Hakohet edhe WhatsApp

Rrjeti social Facebook, përjetoi ndërprerjen më të gjatë në historinë e tij më 14 mars të këtij viti. Produkti kryesor i Facebook-ut, Instagram-i, po ashtu ishte ndikuar në atë ditë.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, të hënën është bërë e ditur se edhe aplikacioni tjetër, WhatsApp ka rënë pre e sulmeve.

Hakerët është thënë se kanë instaluar nga distanca një softuer të mbikëqyrjes në telefona dhe pajisje të tjera që përdornin këtë aplikacion për mesazhe.

Sipas një raporti në gazetën Financial Times, sulmi është zhvilluar nga firma izraelite e sigurisë NSO Group.

Aty është thënë se sulmi është zbuluar për herë të parë në fillim të këtij muaji.

“Sulmi i ka të gjitha shenjat dalluese të një kompanie private, që thuhet se punon me qeveritë”, kanë thënë zyrtarët e kompanisë WhatsApp.

Grupi NSO është një kompani izraelite që është përmendur në të kaluarën si një “tregtar i armëve kibernetike”.

#breakupfacebook

Pas deklaratës që ka bërë Chris Hughes për mbyllje të Facebook-ut, disa përdorues të rrjetit tjetër social, Twitter kanë thënë se nuk mund të pajtoheshin më shumë se bashkëthemeluesin e kësaj kompanie.

Duke përdorur Hashtagun, #breakupfacebook, disa prej tyre kanë thënë se ky shkrim u ka hapur sytë, disa i janë bashkuar thirrjes për mbyllje të llogarive në këtë kompani, por të tjerë të brengosur kanë shqyrtuar këtë ide, pasi, siç janë shprehur ata, nuk do të kenë ku të organizojnë festa masive për miqtë. /RadioEvropaLirë

Burimi: http://pcworld.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit