5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A është feja e shqiptarit – shqiptaria?

Më të lexuarat

Enderson-i nuk mendon se gjërat kanë ndryshuar shumë, por nuk e ka objekt diskutimi raportin ndërfetar pas tranzicionit. Një numër i madh misionarësh, të cilët shpesh janë dëshmuar edhe për nxitje trazirash, veprojnë brenda hapësirave shqiptare dhe, çuditërisht, kurdo që përballen me Islamin, luajnë me “kartelën” e shqiptarisë

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Titullin e këtij shkrimi e përmban libri i autores Cecilie Enderson [Is the Albanian’s Religion really “Albanianism”] të botuar në Wiesbaden më 2012. Natyrisht, ajo nuk e ngatërron konceptin e fesë me kombin,: nëse je mysliman, jo domosdoshmërisht duhet të jesh turk e arab dhe nëse je i krishterë nuk duhet të jesh anglez, italian, grek ose rus. Kombi, në përcaktimin historik, është bashkësi e qëndrueshme njerëzish me një identitet politik, me një gjuhë, kulturë, etni e histori të përbashkët. Pak a shumë kështu e kanë konceptuar ‘kombin’ mendimtarët e njohur perëndimorë. Ndërkohë feja është program i Krijuesit për krijesat, baza e besimit dhe mënyra e jetësimit të atij besimi, që rregullon raportet e njeriut me Krijuesin, me veten, me familjen, me shoqërinë dhe me kombin e tij. Nëse është kështu, atëherë “feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk ka asnjë kuptim.
Enderson-i, natyrisht, nuk merret me broçkulla. Ajo synon më shumë ta zbulojë zanafillën e këtij “fenomeni”, duke trajtuar një periudhë të gjatë historike. Dihet – thotë ajo – se edhe para ardhjes së osmanëve, shqiptarët kishin kontakte sporadike me individë të huaj muslimanë, por ishte ardhja e osmanëve kur Islami zuri vend në formë institucionale. Krahas komunitetit ortodoks e katolik, u krijua edhe komuniteti musliman, të tria këto komunitete pa ndonjë institut të bashkuar. Në aspektin linguistik, në mungesë të një alfabeti të përbashkët, këto tre komunitete përdornin shkronja të ndryshme (arabe, greke ose latine), ndërsa literatura ishte në osmanishten islame, në greqishten ortodokse ose në italishten katolike. Për t’i eliminuar këto ndarje religjioze, u rrit koncepti i “shqiptarizimit”, me të cilin shqiptari duhej të definohej, aq sa edhe “Hamburgische Corrospondent” (9 qershor 1883) shkruante se shqiptarët i bashkon “shqiptaria” [Buxhovi: 2012/(II)281]. Por, cila ishte mënyra e vetëdijesimit, çfarë ishte të qenit shqiptar dhe çfarë ishte shqiptaria, që para vitit 1878 nuk ekzistonte fare si program politik [Endersen: 2012/47]? Deri në këtë kohë komunitetet religjioze ishin institucionet sociale autonome e juridike dhe ndërtuesit primarë të identitetit social [Clayer: 2007/43-58], por të lidhura me fuqi të jashtme politike me seli jashtë Shqipërisë. Koha e bëri të veten. Gjorgjeviqët i akuzonin shqiptarët për para-humanë shpellash, që kishin humbur bishtin vetëm pak dekada më parë [Jezernik: 2004/84], pasardhës magjypësh, injorantë të pa histori, me prirje incesti, anarkie e hakmarrjesh. “Gjorgjeviqët” e tjerë i portretizonin si serbë të degjeneruar, të cilët me “muhamedanizimin” e tyre humbën kombësinë dhe u bënë shqiptarë pro-turk [Banac: 1993/294-295].

Evropa i trajtonte në një koncept klanesh e familjesh të ndara në bazë të besimit [Hasani: 2001; Musai: 2007/25]! Bizmarku uamohonte ekzistencën si komb i veçuar, sa i ‘detyroj’ ata të shihnin nevojën e një ndarjeje“nga turku” si “komb më vete”, duke i akuzuar turqittani sipas shijes sllave, si të huaj, despotë, të pacivilizuar, destruktiv, barbarë, aziatikë, fanatikë, si një e keqe e ardhur nga orienti ose një rrezik kundrejt pasardhësve të pellazgëve të racës Ariane [Sulstarova: 2006/50-54], përkatësisht “populli me i pastër gjenetik në Evropë”.
Lufta e madhe anti-turke e Skënderbeut u personifikua me civilizimin evropjan, kurse vetë Skënderbeu u trajtua “shpëtues i Evropën nga errësira aziatike”. Në poemën “Historia e Skënderbeut” (1898), Naim Frashëri e interpretonte Skënderbeun si rezistencë kundër osmanëve, si luftë kombëtare për çlirimin kundër Sulltanit [Clayer: 2007/441-442; Schmitt: 2008/433-434]. Vëllai i Naimit – Samiu, ndryshe nga “Besa” (1874), ku identitetin shqiptar e kishte vendosur si pjesë të identitetit të madh osman [Gawrych: 2006/8], tani në “Shqipëria çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhetë” (1899), shqiptarët nuk mund të duronin më “dimrin e madh të tiranisë së zezë” turke [Kulla: 2003/67]. Intelektualët shqiptarë filluan t’i paraqesin marrëdhëniet historike të shqiptarëve me Perandorinë Osmane si një periudhë vuajtjesh e sakrificash [Malcolm: 2002/82].

Ata që synonin territoret e tyre, “këndonin këngën” e ankthit, se një Shqipëri e Pavarur jo vetëm që do të ishte “një Turqi e vogël në Evropë”, por do të bëhej një shtet fanatik që do të tiranizonte minoritetet e krishtera, se pikërisht ata ishin bashkuar me pushtuesin osman, duke tradhtuar edhe Krishterimin me konvertimin e tyre [Kolsto (ed. ): 2005/164-185]. Ata, natyrisht, nuk donin dhe nuk mund ta pranonin se administrata osmane u kishte lejuar më shumë liri fetare minoriteteve sesa u lejonte Evropa e asaj kohe! Ata nuk mund ta imagjinonin se motivet fetare në vete mund të ishin të mjaftueshme që ta linin Krishterimin ose se mund të ishte prestigji i lartë politik e administrativ brenda asaj perandorie të madhe. Ishte pikërisht ai versioni i çoroditur historik që e përqafoi komunizmi, se ardhja e osmanëve i fundosi “vitet e arta” të tyre dhe i ndau nga civilizimi perëndimor!
Në dekadat e para të viteve 1878, “Shqiptaria” u politizua, Lidhja Shqiptare si lëvizje kombëtare u shua (1881), por ushqeu shpirtërisht “lëvizjen nacionaliste”, platformën politike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një koncept politik që duhej të bashkonte të gjithë shqiptarët, pa dallim feje e krahine, në një front të përbashkët. Kjo mund të shihej edhe si reagim ndaj lëvizjeve të caktuara me ngjyrime fetare për ndarjen e Shqipërisë, por kurrsesi si mohim i fesë në përgjithësi [Basha: 2011/157]. Pashko Vasa, ashtu si të gjithë rilindësit e tjerë, ishte besimtar i devotshëm [Rizvanolli: 2007/295] Ata shpesh e ilustronin me fjalët e Kuranit [Imran: 103] ose me thirrjen e Jezusit për vëllazërim. Diaspora shqiptare u organizua në një lëvizje kombëtare dhe klubet shqiptare të Egjiptit, SHBA-ve dhe Italisë vepruan për zgjimin kombëtar shqiptar. Komuniteti Arbëresh e kërkonte origjinën dhe identitetin si “pasardhës të Skënderbeut” në unifikim me të krishterët e Ballkanit [Clayer: 2007/133-137].

Ata kishin përjetuar një asimilim religjioz, por meqë i ishin nënshtruar autoritetit papal, por duke praktikuar ritet greko-bizantine dhe duke mbajtur greqishten për gjuhë liturgjike, u identifikuan si greko-shqiptarë dhe mbajtën ndjenja më të mëdha identitare sesa arbëreshët katolikë [Endersen: 2012/48]. Në jug të Shqipërisë, helenizmi dhe pavarësia e Greqisë e formuan shtyllën e “shqiptarisë” në një teori që u zhvillua me reformat osmane në kontekstin politik.
Shoqata Shqiptare e Rumanisë ishte më aktivja pas vitit 1876, siç ishin “Albano-Rumaniane” dhe “Shqiptaro-Vllahe” [Clayer: 2007/289-306]. Tani konceptimi se çfarë në të vërtetë ishte shqiptari shikohej nga konteksti socialo-politik. Përmes gazetës “Shqipetari” Nikolla Naço i shihte shqiptarët si vëllezër me arumunët, prej të njëjtës rrënjë latine [Clayer: 2007/304-305]. Ndryshe nga grekët, që ishin një brez i papastër egjiptiano-çifutë me gjak të përzier aziatiko-afrikanë [Clayer 2007/306], shqiptarët ishin bijtë e helenëve antikë, pasardhës të pellazgëve. Naço e denonconte pan-sllavizmin dhe propagandonte për një shtet shqiptaro-vlleh [Maksutovici: 2003/50].
Në Lidhjen Shqiptare, që siç thotë Bartl, filloj si projekt i muslimanëve për muslimanët [Bartl: 1968], ishin kryesisht bejlerët muslimanë të Kosovës dhe zonave kufitare me Malin e Zi, të cilët ndiheshin të rrezikuar të humbisnin territoret nga zgjerimi i fqinjëve të krishterë, Serbia dhe Mali i Zi. Ishte si një interes regjional e organizatë e muslimanëve që fillimisht përmbante në vete edhe sllavë muslimanë. Ndryshe nga muslimanët e Shqipërisë së Mesme, që nuk gjeti përkrahje të fortë, pasi nuk e ndienin veten të rrezikuar nga ekspansioni sllav, katolikët e Shkodrës, që e ndienin rrezikun, iu bashkuan Lidhjes [Schmitt: 2008]. Projekte të tjera shqiptare u zhvilluan në Stamboll dhe në Shqipërinë e Jugut, të cilët u distancuan nga qeveria osmane dhe gjetën Shqiptarinë ndryshe prej turqve me gjuhë, histori, kulturë e origjinë. Ata kërkonin autonomi me bashkimin e katër vilajeteve, me të drejtë të kultivimit të gjuhës, por nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e osmanëve.

Nga ana tjetër, shtetet e krishtera të Ballkanit kishin vendosur t’i përjashtonin përfundimisht osmanët nga Evropa dhe të ndanin vendet e shqiptarëve ndërmjet tyre. Slogani “Feja e shqiptarit është shqiptaria” kishte kuptimin e thirrjes për bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje për mbrojtjen e vatanit. Kërcënimi i nxiti fuqimisht shqiptarët të shpallin pavarësinë më 28 Nëntor 1912 në Vlorë! Por, ata nuk patën kohë as të gëzoheshin, sepse luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore e përkeqësoi më shumë gjendjen dhe ua shkatërroi vendin [Vickers: 2006/88]. Shqiptarët u ndanë në vija religjioze e fisnore. Politika e tyre ra në ndikimin e grupeve, fiseve dhe individëve. Elita e muslimanëve të pasur i refuzonin reformat! Ortodoksët i kundërshtonin poseduesit e tokave. Ato të Shkodres nuk e donin Tiranën për qendër të shtetit, ishin kundër qeveritarëve muslimanë dhe u kërkonin myslimanëve e ortodoksëve të ktheheshin “në fenë e vërtetë” (katolike) [Popovic: 1986/19].

Karakterizimi i Konstandin Çerkezit për kombin, kishte shpënë shumë shqiptarë të kohës të përvetësonin idenë se shqiptarët janë përballur me pushtimin e “hordhive aziatike” dhe se kanë zgjedhur të shkëmbejnë fenë për lirinë e tyre [Çerkezi: 1919/203]. Kjo imagjinatë qëndroi si ide kryesore për konstruktimin e mëvonshëm të identitetit, e cila iu trumbetua edhe në periudhën komuniste. Në këtë mënyrë shqiptarizimi u përshkrua si europiane-perëndimor në kontrast me barbarizmin oriental, në efekt me Islamin [Endersen: 2012/59]. Kjo shkaktoj edhe një tjetër ndarje: “të vjetrit”, që ishin “lindorë” ose “orjentalë” më pak të civilizuar dhe që identifikoheshin me Islamin e Perandorinë Osmane, dhe “të rinjtë” që tregoheshin më pro-perëndimorë dhe ishin kritikë ndaj fesë, veçanërisht ndaj Islamit!
Ishte edhe një grup i tretë – “Neo-Shqiptaristët”, që qëndronin si urë ndërmjet dy të parëve, por që përdornin filozofinë perëndimore dhe pozitivizmin për çështje nacionaliste. Të tria këto rryma gjendeshin brenda të tre komuniteteve fetare, që në dukje nuk ishin anti-religjioze, por synonin të largonin ndryshimet religjioze brenda atyre komuniteteve. Aa pretendonin se po mbanin idetë e Sami Frashërit e Pashko Vasës për ndërtimin e kombit, ku shqiptarët duhej të vinin interesat kombëtare mbi ato grupore e individuale, me qëllim që të ngrinin një Shqipëri të re, të bazuar mbi vlerat europiane [Endersen: 2012/f. 60]. Edhe ata pretendonin se ne paskëshim qenë një “racë superiore” që na shtypi legata orentale [Kulla: 2002/74-81], andaj vetëm duke gjetur rrugën natyrale drejt Evropës së civilizuar, do të na kthehet karakteri i vërtetë kombëtarë [Kulla: 2002/64].

Pas vitit 1923, kur u mbajt Kongresi i Parë Musliman i Shqipërisë [Clayer: 2008/129] dhe u formua “Aleanca Kombëtare Muslimane”, Shqipëria u distancua na Kalifati i Shejh-Ul-Islamit. Nën presionin e qeverisë sekulare pastaj, u vendos kontrolli “kombëtar” mbi institucionet islame, ku kryemyftiu kërkohej të ishte së paku tri breza i origjinës shqiptare. Brenda vetë Komunitetit, që tani kryesohej prej reformistësh dhe modernistësh, linja e shqiptarizmit u bë dominuese [Clayer: 2004]. Nacionalistët e përkrahur nga qeveria kërkonin autoqefalinë e Kishës Ortodokse, për ta mbrojtur nga influencat e huaja [Studime Historike #3/4/2005/85], ashtu që kleri i saj duhej të ishte me shtetësi shqiptare, të fliste shqip, të rridhte prej familjeve të ndershme dhe të mos kundërshtonte interesat kombëtare [Xhuvani: 2003/40].

Musolini e propagandoi Shqipërinë natyrale dhe pas pushtimit të Shqipërisë (1939), në Romë donte të ngrinte një xhami gjigande për nder të dy milionë myslimanëve, që i ishin bashkuar perandorisë se tij. Për Hitlerin, që donte të formonte një monarki të vogël në Adriatik, “shqiptari” ishte një racë vendimtare dhe luftëtarë të zotë malesh [Fischer: 2002/134], i besës dhe me marrëdhënie të shkëlqyeshme ndërfetare [Luckwald: 1943/51]. Pastaj erdhi rryma e re [komuniste], që mesazhin e Pashko Vasës: “E mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria” e komentuan si mesazh ateist [Rizvanolli: 2007/f. 294]. Ata pretendonin se feja në Shqipëri nuk ka pasur kurrë një rol të rëndësishëm dhe kurrë nuk do ta ketë [Ethnicand Racial Studies #20/1997/7]. Pasardhësit e tyre, si atëherë edhe sot, trumbetojnë se feja ka qenë vegël e agresorit që ka kontrolluar kulturën dhe edukimin për shumë dekada, se “të gjitha sektet religjioze janë sjellë në Shqipëri nga pushtuesit e huaj”, se [feja] ka shkaktuar “mosmarrveshtje e vëllavrasje në mënyrë që ta shtypë popullin dhe ta mbajë të mbuluar në gjak” [Bruce: 2003/73].
Këto gjepura sollën pastaj vitin 1967, kur në shtator e shpallën Shqipërinë të parin dhe të vetmin shtet ateist në botë, duke mbyllur nën ombrellën e “nacionalizmit shqiptar” të gjitha institutet religjioze: 2. 169 xhami, kisha, manastire dhe teqe [Turnock: 1989/29]. Tre komuniteteve fetare në Shqipëri iu shtua edhe i katërti – mosbesimtarët! Paradoksalisht, kjo politikë prezantohej si mbrojtje e bashkimit etnik e kulturor dhe lidhej fuqimisht me “shqiptarinë”. Ishte kjo periudha më lavdishme e popullit shqiptar – thoshte Enver Hoxha [Hoxha: 1984/515]. Edhe në Jugosllavi, ku feja nuk u ndalua me ligj, nacionalistët e dominuan jetën politike dhe, si rezultat i asaj pune, e venitën rolin e fesë në zhvillimet politike. Pa dyshim në këtë ndihmuan edhe trazirat e viteve të 1980-ta dhe konfliket 1998-2001 në Kosovë e Maqedoni.

Struktura teorike e propagandës anti-fe mbështetej fuqimisht në darvinizëm, teori që pretendonte se njeriu nuk mund ta linte fatin në duart e Zotit, pasi ai ishte një agjent kreativ që mund ta ndryshonte vetë situatën e vet! “Mëkati i trashëguar” nuk ishte tjetër veç një strategji apologjetike e priftërinjve, të cilët arsyetonin mizoritë e tyre me “vullnetin e Zotit” për të shfrytëzuar masën. Praktikat religjioze u gjykuan si “paragjykime”, synetia dhe puthja e ikonave u dekurajuan me referenca të higjienës, ndërsa falja dhe festat religjioze si “humbje e kotë kohe me konsekuenca ekonomike” . “Feja” e vërtetë e shqiptarit ishte “shqiptaria” dhe shpëtimi i kësaj shqiptarie po vinte nga Hoxha dhe partizanët pasardhës politik e moral të Skënderbeut [Draper: 1997/7-8]. Konstruktimi komunist ia jepte Skënderbeut edhe elementin anti-islam me dyshimin se mund të ishte kontrovers, por duke theksuar se ai ishte tradhtuar nga kisha katolike gjatë “rezistencës heroike kundër pushtuesit turk” [Wilmart: 2005/7].
Në vështrimin e Hoxhës dhe “hoxhistëve”, klerikët kurrë nuk kishin bërë diçka për të përmirësuar gjendjen e popullit shqiptarë. Organi komunist “Zëri i Popullit” më 1982 shkruante për një grua të moshuar që ankohej se “As kisha dhe as prifti nuk i kishin dhënë ushqim dhe as energjinë elektrike, dhe për këtë arsye unë e dua partinë dhe jo priftin” [Prifti: 1999/226]. Por në të njëjtën kohë, kulti i Hoxhës mori dimensione masonike. Një grup fshatarësh nga Jugu afirmuan se ata,nën udhëheqjen e partisë, kishin shpëtuar nga mjerimi i së kaluarës dhe shikonin ditët e bardha të ardhmërisë [Prifti: 1999/225].
Enderson-i nuk mendon se gjërat kanë ndryshuar shumë, por nuk e ka objekt diskutimi raportin ndërfetar pas tranzicionit. Një numër i madh misionarësh, të cilët shpesh janë dëshmuar edhe për nxitje trazirash, veprojnë brenda hapësirave shqiptare dhe, çuditërisht, kurdo që përballen me Islamin, luajnë me “kartelën” e shqiptarisë. Në Kosovë, misionarët e Krishterimit katolik të lënë përshtypjen se i kanë dhënë besën vendosmërisë së Jezusit se: “Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qellor, do të nxirret me gjithë rrënjë”. Ato po i përmbahen Koncilit të Kajros (1906), që të nxisin anim të fuqishëm drejt shkencave europjane dhe emancipimit të femrës…, që shpirtërisht dhe ideologjikisht të krishterizohen. Në faqen 46 të këtij Koncili shkruan: “Transformimin e muslimanëve mund ta kryejë dikush nga radhët e tyre” [Kutub: 1999]. Kush tjetër, përveç politikanët, që vetëm emrin e kanë “politikë”, edhe pse mbajnë emra muslimanësh, janë të papritueshëm në urime e pjesëmarrje festash kishtare, në pjesëmarrje paradash homoseksualësh, por nuk duken në ndonjë xhami dhe nuk bëjnë ndonjë urim fetar për ata që ua kanë dhënë votën! Ne mund të themi se feja e shqiptarit është shqiptaria, por vetëm në këngë, poezi dhe emocione. Në jetën reale ndryshojnë gjërat! Shqipëria ka sot 1.757 objekte fetare: 568 xhami, 70 tyrbe, 425 kisha ortodokse dhe 694 kisha katolike [Tirana Observer]. Por, sa ka besimtarë? Shqiptarët bëhen fetarë me të vënë një gjysmëhënë ose një kryq në gjoks, por i kanë thyer të gjitha rregullat e veshjes e të sjelljes, u është prishur familja, që është më kryesorja për ndërtimin e shoqërisë dhe për forcimin e shtetit!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit