3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A e ka humbur Perëndimi Malin e Zi?

Më të lexuarat

Deri vonë vendi i vogël i Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi, dukej se po ndiqte qartazi shtegun proeuropian. Në prill 2023 politikani për tri dekada në funksionet më të larta drejtuese të vendit, autokrati Millo Gjykanoviç humbi zgjedhjet si president.

Partia e tij Socialiste (DPS) pasuese e organizatës dikur komuniste qysh në verën 2020 u desh të ulet në bankën e opozitës. Që nga ajo kohë ndonëse politikisht jo gjithçka shkoi mbarë, integrimi i Malit të Zi në BE, orientimi transatlantik dhe politika e reformave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin të padiskutueshme.

Por këtej e tutje kjo mund të ndryshojë. Sepse që nga java e kaluar Mali i Zi ka një qeveri të re, që vëzhgues të pavarur në vend e konsiderojnë si kabinetin e tmerrshëm. “Kjo qeveri e përçan rrezikshëm shoqërinë dhe ve në pikëpyetje rrugën dhe karakterin evropian të vendit”, shkruan publicisti dhe drejtori i gazetës Vijesti, Zeljko Ivanoviq.

Kryeministri malazez në detyrë që nga vjeshta 2023 Milojko Spajiq nga aleanca Europa Tani (PES) javën e kaluar prezantoi kabinetin qeveritar të ristrukturuar. Koalicioni qeverisës përbëhet nga partitë me drejtues pro serbë e pro rusë, ndër to Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviq, përkatësisht kryetar i partisë Demokracia e re Serbe (NSD) dhe Partia Demokratike Popullore e Malit të Zi (DNP). Mandiq është që nga tetori 2023 edhe president i parlamentit të Malit të Zi.

Mandiq dhe Knezeviq janë përkrahës të deklaruar të Putinit, ata indirekt shprehen kundër pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia shpallur më 2006 dhe e refuzojnë integrimin në BE si dhe anëtarësimin që nga viti 2017 të vendit në NATO. Ata bëjnë thirrje për një lidhje të ngushtë të Malit të Zi me Serbinë, janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe përgënjeshtrojnë gjenocidin e Srebrenicës. Ata dhe partitë e tyre kësisoj venë në pikëpyetje arsyen e shtetit dhe identitetin e Malit të Zi.

Një aspekt anësore i qeverisë së re është, se numri i ministreve dhe ministrave është rritur rekord në 32 anëtar – në një vend me rreth 600 mijë banorë, raporton dw.

Pjesëmarrja e politikanëve si Mandiq dhe Knezeviq në koalicionin qeverisës ishte pjesë e një marrëveshjeje mes Spajiq dhe partive pro serbe, pasi partia e tij pro evropiane pas zgjedhjeve para një viti fitoi një shumicë të ngushtë dhe u mbështet nga 13 deputetë nga blloku i partive pro serbe. Në këmbim këto parti duhej të shpërbleheshin me poste ministrash, gjë që edhe u realizua tani. Edhe pse NSD dhe DNP nuk kanë poste kyçe në qeveri, e Mandiq dhe Knezeviq nuk kanë vet poste ministrore, nëse bashkëpunimi me ta sjell “më shumë stabilitet” për qeverinë Spajiq, sikurse ai premton, është e pasigurt.

“Drejtuar nga Moska dhe Beogradi”

Reagimet nga brenda dhe jashtë vendit ishin të menjëhershme. Presidenti malazez Jakov Milatoviç, i cili përpara pak muajsh u shkëput nga Spajiq dhe partia e tij PES për shkak të një grindjeje mbi koncernin kombëtar energjetik, në komentin e tij lidhur me qeverinë e riprodhuar të Malit të Zi theksoi, se “Mali i Zi është një viktimë e veprimit primitiv politik dhe e papërgjegjshmërisë, që shfaqin vazhdimisht kryeministri Milojko Spajiq dhe udhëheqja e vendit”.

Ngjashëm u shpreh edhe kryetari i partisë demokratike të socialistëve Andrija Nikoliq. Ai është edhe më i drejtpërdrejtë në kritikën e tij në dallim nga Milatoviqi, i cili konsiderohet i afërt me Serbinë. “Kemi të bëjmë me një qeveri, që drejtohet nga Moska dhe nga Beogradi”, është shprehur ai për mediat malazeze.

Edhe qeveria e SHBA-së, që është shprehur qartazi kundër pjesëmarrjes së partive pro serbe, reagoi përmes ambasadës: “Ne jemi të shqetësuar për përfshirjen e partive dhe udhëheqësve në qeverinë malazeze, të cilët nuk e dënojnë agresionin rus ndaj Ukrainës, refuzojnë sanksionet dhe qëndrimi i të cilëve është në kontradiktë të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në një komunikim të Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë.

Në Kroaci e padëshiruar

Vendi fqinj, Kroacia, reagoi ashpër: Një ditë pas ristrukturimit të qeverisë Ministria e Jashtme kroate i shpalli persona të padëshiruar të tre politikanët e nivelit të lartë. Krahas Mandiq dhe Knezeviq ky vendim prek edhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beciq, një politikan i qendrës, pozicionet politike të të cilit shpesh luhaten. Të tre janë në Kroaci të padëshiruar për shkak të “masave sistematike për trazimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe “keqpërdorimin e vazhdueshëm të Republikës së Kroacisë për qëllime të politikës së brendshme”, thuhet në deklaratën e Kroacisë.

Shkas për këtë hap të Kroacisë është “Rezoluta për Jasenovac”, që e miratoi parlamenti në Podgoricë në fund të qershorit. Jasenovac në Luftën e Dytë Botërore ishte një kamp kroat përqendrimi, ku janë vrarë serbë, hebrenj dhe romë. Edhe sot Jasenovac është një simbol i armiqësisë serbo-kroate. Rezoluta u miratua si një lloj përgjigjeje ndaj rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenica. Meqënëse Mali i Zivotoi në OKB për rezolutën për Srebrenicën, forcat pro serbe në Mal të Zi, sipas vëzhguesve në Kroaci, miratuan rezolutën e Jasenovacit si “kundërpërgjigje”.

Sa i përket raporteve të tensionuara malazezo-kroate, sipas politologut kroat Zarko Puhovski, problemi i rezolutës së Jasenovac-it është “i fryrë”, në radhë të parë është problematike, që deri tani asnjë qeveri kroate nuk ka pranuar mizoritë në Jasenovac dhe as përgjegjësinë historike. Kësisoj, shton Puhovski duke iu referuar Malit të Zi: “Kroacia me fqinjin e tij ka në fakt të tjera probleme, si p.sh. kufirin e papërcaktuar apo pretendime të hapura lidhur me pasuri të patundshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit