1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A duhet të kompenzohet dita e prishur e agjërimit nafile?

Më të lexuarat

Pyetja:

A ka ndonjë pasojë nëse fillohet një ditë me agjërim vullnetar mirëpo ndërpritet pa ndonjë arsye? A duhet që ajo ditë të kompenzohet?

***

Përgjigjja:

Falenderimi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Nëse njeriu e fillon ditën me agjërim nafile, është e pëlqyer që ta vazhdojë atë deri në iftar. Por nëse dëshiron që ta prishë atë, e ka të lejuar dhe për këtë ditë nuk e ka të obliguar kompenzimin. Ky është mendimi i Imam Shafiut dhe Imam Ahmedit, duke u bazuar në hadithin në të cilin thotë Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “…Pasi erdhi Pejgamberi ﷺ thash: O i Dërguar i Allahut, na kanë sjellur neve hedije dhe e kam ruajtur atë për ty. Tha: Ç’është ajo? Tha: Hajs (lloj i hurmave të cilat i pëlqente Pejgamberi ﷺ). Tha: Sjelli ato. E pastaj ngrëni prej tyre dhe tha: Unë kam qenë agjërueshëm”. [1]

Gjithashtu, pasi Ebu Derda e prishi agjërimin e tij nafile, për të ngrënë së bashku me vëllaun e tij (me të cilin e vëllazëroi Pejgamberi ﷺ) Selman El Farisiun, i treguan Pejgamberit ﷺ dhe ai nuk e urdhëroi atë për kompenzimin e ditës së prishur. [2]

Ndërsa sipas mendimit të Imam Ebu Hanifes dhe Imam Malikut, kompenzimi i ditës së prishur të agjërimit nafile, është obligim. Duke u bazuar në hadithin në të cilin Pejgamberi ﷺ e urdhëroi Aishen dhe Hafsën që ta kompenzojnë ditën e prishur të agjërimit nafile, duke thënë: “Agjërojeni për këtë, një ditë tjetër pas kësaj”. [3] Porse ky hadith është hadith i dobët.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Omer Bajrami

————————————

[1] Transmeton Muslimi.

[2] Transmeton Buhariu.

[3] Transmeton Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ahmedi.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit