2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A DO TË NDRYSHOJË FORMATI I DIALOGUT SERBI-KOSOVË?

Më të lexuarat

A do të ishte një zgjidhje afatgjatë për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë një model i ngjashëm me atë dy Gjermanive?

Për disa muaj kemi bllokim të dialogut që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Zyrtarët kosovarë para se të vazhdojnë procesin e dialogut me Serbinë duan të shikojnë zbatimin nga Beogradi të marrëveshjeve që janë arritur më parë ndërmjet dy palëve. Presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliç, pas takimit që pati në 14 qershor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Ketrin Eshtën (Catherine Ashton) kishte deklaruar se dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës duhet ngritur në nivelin e kryeministrave. Kurse Kosova nuk e shikon me sy të mirë bërjen e një ndryshimi në formatin e dialogut teknik që vazhdon me Serbinë.

Kohët e fundit qeveria e Kosovës është e angazhuar me dy projekte që janë në interes të sovranitetit të vendit. E para, qeveria e Kosovës punon për përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare. Në kuadër të kësaj qeveria po punon mbi ndryshimin e 21 ligjeve për transferimin e kompetencave të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), e cila është hapur në Prishtinë me qëllim orientimin e qeverisë së Kosovës dhe komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, autoriteteve e institucioneve kosovare. Autoritetet kosovare presin që me ndihmën edhe të vendeve mike ti japin fund në vjeshtë procesit të mbikëqyrjes së pavarësisë së vendit nga ndërkombëtarët.

Projekti i dytë i rëndësishëm i udhëheqjes kosovare është të hapë një Zyrë Administrative të varur nga Qeveria e Kosovës në pjesën veriore të qytetit të ndarë të Mitrovicës. Për momentin institucionet kosovare nuk janë efektive në veri të Mitrovicës, të cilën e kontrollojnë serbët. Me anë të Zyrës Administrative që do të hapet këtu synohet ofrimi i të gjitha shërbimeve shtetërore edhe në veri të Mitrovicës si dhe mbështetja financiarisht e projekteve të infrastrukturës në këtë pjesë të qytetit. Qëllimi është që me anë të kësaj rruge të sigurohet integrimi i serbëve në këtë zonë me jetën e përditshme dhe me institucionet e Kosovës. Por serbët e Mitrovicës dhe përfaqësuesit e tyre politikë thonë se do të bojkotojnë Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovës dhe nuk do të përfitojnë nga shërbimet që do të ofrojë kjo Zyrë. Serbët e Kosovës janë edhe kundër zhdukjes së institucioneve paralele që ata kanë krijuar vetë duke marrë mbështetje edhe nga Serbia. Në të vërtetë kushti për eliminimin e strukturave paralele në veri të Kosovës, si një kusht që i paraqitet Serbisë për të marrë një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE, po shprehet tani në një mënyrë gjithnjë e më të hapur. Nga ana tjetër për të prodhuar një zgjidhje përfundimtare në lidhje me veriun e Kosovës duhet të vazhdojë dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në 24 shkurt 2012 Beogradi me Prishtinën arritën në një marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Ndërsa zbatimi i kësaj marrëveshjeje ishte lënë në duart e BE-së. Vetëm se palët i lexojnë ndryshe klauzolat e marrëveshjes që kanë të bëjnë me përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe lirinë e lëvizjes në kufi. Me qëllim qartësimin e klauzolave në fjalë ndërmjetësuesi i BE-së në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Robert Kuper (Robert Cooper) në datat 20-21 qershor vizitoi Beogradin dhe Prishtinën. Por kjo vizitë e Kuperit nuk prodhoi shumë rezultate për shkak të mos krijimit ende të qeverisë së re pas zgjedhjeve që u mbajtën në 6 maj në Serbi.

Vazhdimi i dialogut në çështjet teknike ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është në interes të të dyja palëve. Vetëm se Beogradi nuk e fsheh se përveç dialogut teknik planifikon të fillojë me Kosovën edhe një dialog politik. Në fakt prej shumë kohësh Beogradi synon që me anë të dialogut politik të rihapë për diskutim statusin e Kosovës. Por këtë herë Beogradi është përqendruar në dhënien një lloj autonomie veriut të Kosovës të kontrolluar momentalisht nga serbët. Për shkak të pritshmërisë së Beogradit në këtë drejtim qeveria e Kosovës nuk e shikon me sy të mirë ndryshimin e formatit të dialogut ekzistues dhe fillimin e një dialogu politik me Serbinë.

Por më në fund Serbia me Kosovën do të detyrohen të arrijnë në një lloj marrëveshjeje politike. Madje që tani po diskutohet që marrëveshja në fjalë mund ti ngjasonte modelit të Gjermanisë. Më konkretisht, Gjermania Lindore dhe Perëndimore mund të përfaqësoheshin në OKB pavarësisht se nuk e njihnin njëra-tjetrën. Me anë të një zgjidhjeje të ngjashme me këtë, pritet që Serbia me Kosovën të normalizojnë marrëdhëniet, edhe pse nuk do ta njohin njëra-tjetrën. Falë kësaj do të eliminoheshin pengesat në rrugën e integrimit të të dyja palëve me institucionet evro-atlantike. Vetëm se modeli i dy Gjermanive synonte bashkimin e tyre në një të ardhme afatgjatë. Kurse në shembullin e Serbisë dhe Kosovës planifikohet që qëllimi të jetë ndarja e tyre në një atmosferë paqësore në një të ardhme afatgjatë. Në pamje të parë ky model duket sikur është në favor të Kosovës. Por edhe autoritetet e Kosovës e dinë se nuk do të dalin plotësisht të fituar dhe se do ta detyrojnë Kosovën për t’u njohur serbëve të veriut një status të veçantë.kohaislame

Dr. Erhan TÜRBEDAR          

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit