Një apo dy grupe standardesh për Ballkanin? Kjo është çështja kryesore për Presidentin e SHBA-së Joe Biden,teksa këtë javë do të takojë në Bruksel aleatët e NATO-s dhe partnerët e Bashkimit Evropian.
Javën që kaloi administrata e tij e zgjeroi fushëveprimin e një urdhri ekzekutiv për të luftuar korrupsionin në Ballkan, si dhe për të forcuar marrëveshjet e paqes në rajon, proceset demokratike dhe zbatimin e të drejtave të njeriut.
Biden ishte shumë i qartë kur foli mbi rreziqet e korrupsionit, të cilat sipas tij “i hapin derën kundërshtarëve tanë strategjikë”. Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pohoi vendosmërinë “e palëkundur” të administratës aktuale për të fituar këtë luftë.
Kjo qasje përfaqëson një shkëputje të mprehtë nga administrata Trump, e cila u fokusua tek“normalizimi i marrëdhënieve ekonomike”, si hapin transformues për Ballkanin.
Urdhri ekzekutiv i siguron Biden katalizatorin për të garantuar mbështetjen midis aleatëve të SHBA-së në samitet e BE-së dhe NATO-s këtë javë, duke dërguar një sinjal të fuqishëm të unitetit perëndimor përpara takimit të presidentit amerikan me presidentin rus Vladimir Putin në Gjenevë.
Mjerisht, inercia në Bruksel – dhe brenda vetë Departamentit Amerikan të Shtetit – përbën një pengesë të fortë për përmbushjen e vizionit parimor të përcaktuar nga presidenti amerikan dhe Sekretari i tij i Shtetit. Kur është fjala për standardet demokratike në Ballkan,Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë për momentin një sistem me dy nivele:një rrugë të privilegjuar për Serbinë, dhe një rrugë më të rreptë për fqinjët aspirantë të Serbisë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Dhe ky është një paradoks i rrezikshëm: Regjimi më anti-demokratik i rajonit, qeveria serbe e udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vucic, gëzon një trajtim më të favorshëm nga zyrtarët e SHBA-së dhe BE-së. Në dallim nga diktatorët e Luftës së Ftohtë si Josip Broz Tito i Jugosllavisë të cilin e mbështeti dikur Perëndimi, Vucic është një trampolinë për kundërshtarët e Perëndimit si Rusia dhe Kina.
Beogradi praktikon dhe promovon demokracinë jo-liberale të aleates së tij kryesore në BE, Hungarisë. Ndërsa fqinjët e tij po përpiqen me të gjitha mënyrat të nisin negociatat e anëtarësimit me BE-në, Beogradi është një aspirant problematik. Vitin që kaloi, Serbia nuk hapi asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit.
Trajtimi i pa ekuilibuar i Serbisë nga ana e Perëndimit, përfaqëson elementin më intrigues dhe domethënës për udhrin e fundit ekzekutiv, dhe një ndër sfidat kryesore për misionin e përgjithshëm të Biden për të garantuar mbështetjen evropiane për demokracinë.
Në Serbi ekziston forma më e sofistikuar dhe më e gjerë e korrupsionit në rajon. Akademiku i njohur serb, Dusan Pavlovic, thotë separatë e vjedhura nga arkat e shtetit i japin regjimit fuqinë dhe burimet për të kontrolluar narrativën kombëtare, për të margjinalizuar dhe frikësuar kundërshtarët dhe aktivistët, dhe për të sunduar për një kohë të pacaktuar.
Nën një regjim të tillë, zgjedhjet shndërrohen në një farsë. Pra, Serbia është shembulli kryesor në rajon për rrezikun për të cilin flet Biden, dhe që “minon besimin tek proceset demokratike”. E megjithatë, zyrtarët amerikanë dhe evropianë jo vetëm që e kanë anashkaluar korrupsionin në Serbi, por ata e kanë vlerësuar vazhdimisht regjimin si “një lider politik dhe ekonomik në rajon”, një pikëpamje kjo qetësuese për një shtet që vazhdon të destabilizojë fqinjët e tij më të vegjël.
Në vend se të ushtrojnë presion ndaj qeverisë për t’u reformuar, zyrtarët amerikanë u kanë bërë presion aktivistëve të shoqërisë civile për të minimizuar ankesat e tyre, dhe për të bashkëpunuar me autoritetet që ushtrojnë presion mbi ta.
Zyrtarët i kanë bërë thirrje publike opozitës që të marrë pjesë në zgjedhje krejtësisht të padrejta, duke mos i lejuar ata që të kërcënojnë me bojkotin. Vucic mund të pretendojë me të drejtë se ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së, edhe gjatë kohës që ringjall dhe përmirëson autoritarizmin elektoral të ish-udhëheqësit Slobodan Milosevic në shtëpi, dhe ringjall në rajon vizionin e një Serbie të Madhe destabilizuese.
Ndërkohë, fqinjët e Serbisë monitorohen rregullisht për korrupsionin e tyre. Shqipërisë i është mohuar prej kohësh mundësia për t’i hapur negociatat e saj për anëtarësimin në BE për shkak të korrupsionit dhe prapambetjes në raport me praktikat demokratike.
SHBA sapo ka shpallur non grata ish-kryeministrin shqiptar Sali Berisha, i cili ka kohë që nuk ka pushtet. Deri më tani, sanksionet e Uashingtonit janë zbatuar kundër trafikantëve serbë të armëve dhe figurave të shquara serbe në vende të tjera, si lideri separatist serbo-boshnjak Milorad Dodik.
Por në kushtet kur regjimi në Beograd, i cili qëndron në majën e një sistemi të korruptuar institucional – dhe revizionist – po i shpëton kritikave serioze, sanksionet kanë pasur pak efekt. Në fakt, gjatë 2 muajve të fundit, Dodik i ka shtuar thirrjet e tij për ndarjen e Bosnje Herzegovinës.
Urdhri i ri ekzekutiv paralajmëron mundësinë e ndryshimeve shumë të nevojshme. Por sinjalet e hershme janë të përziera. Ndërsa ambasadorja amerikane në Shqipëri e postoi menjëherë njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, ambasadori amerikan në Serbi uroi në Twitter yllin e NBA Nikola Jokic që është serb, për zgjedhjen e tij si lojtari më i mirë i ligës.
Biden dhe Blinken, kanë lëshuar tashmë disa mesazhe të forta dhe të qarta për udhëheqësit rajonalë, por zyrtarët e tyre të rangut më të ulët i shpërfillin ato. Në muajin shkurt, Biden i shkroi Vucic, duke i bërë thirrje udhëheqësit serb të bëjë reforma në vend dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.
Por ambasada amerikane në Beograd, nxitoi të deklaronte se kjo deklaratë nuk përfaqësonte një ndryshim në politikën e SHBA-së. Në prill, Departamenti i Shtetit reagoi zyrtarisht kundër “spekulimeve të pajustifikuara në lidhje me ndryshimin e kufijve në rajonin e Ballkanit, përgjatë vijave etnike”, ndërsa një zyrtar amerikan në rajoni mbajti dyert hapur për këtë qasje.
Një tjetër paradoks është Kosova, e cila drejtohet nga luftëtari më i fortë i rajonit kundër korrupsionit, kryeministri Albin Kurti, që është vënë nën një presion të madh ndërkombëtar në kuadër të dialogut me Serbinë. Ndër të tjera, Kurti është i detyruar të lejojë një formë të autonomisë për serbët e Kosovës, të cilët kontrollohen direkt nga një qeveri armiqësore në Beograd, ndërsa kjo e fundit refuzon që të njohë sovranitetin dhe kufijtë e saj.
Fatmirësisht, askush nuk i kupton të gjitha këto dinamika më mirë sesa Biden. Kur ishte senator ai nxiti ndërhyrjen vendimtare të Perëndimit në rajon, të udhëhequr nga Amerika.
Si zëvendëspresident ai e ka vizituar rajonin duke takuar një sërë zyrtarësh, përfshirë Vucic.
Biden dhe Blinken e kuptojnë se mënyra e vetme për ta dobësuar ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në rajon, është një qëndrim i unifikuar perëndimor mbi parimet thelbësore demokratike.
Së treti, aleatët e NATO-s duhet t’i ofrojnë Kosovës anëtarësimin në Partneritetin për Paqe. Ky akt do t’i dërgojë një sinjal të fortë Serbisë për të negociuar seriozisht me Kosovën në dialogun e udhëhequr nga BE. Uniteti i Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbi parimet thelbësore në Ballkan do të dërgonte gjithashtu një mesazh të fuqishëm në Moskë dhe Pekin, duke e avancuar misionin e përgjithshëm të Biden për të garantuar mbështetje për demokracinë në Evropë, në rajonin ku ajo është testuar më shumë.
Nga Edward P.Joseph, Foreign Policy