9.2 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A dini se Presidenti i SHBA-së ka qenë gjithmonë mbi ligjin?!

Më të lexuarat

Pjesa tjetër e botës e di prej kohësh, amerikanët do ta mësojnë tani

Nga Oona A. Hathaway, Foreign Affairs

Vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së mbi pretendimet e ish-presidentit Donald Trump për imunitet nga ndjekja penale, ka provokuar paralajmërime të forta për një zgjerim të ri të pushtetit presidencial.

Më 1 korrik, Gjykata vendosi me 6 vota pro dhe 3 kundër sipas linjave partiake, se presidentët në detyrë janë të imunizuar nga ndjekja penale për “veprime zyrtare”. Edhe pse theksoi se ata ende mund të ndiqen penalisht për akte jo zyrtare. “Me ketë vendim gjykata po krijon një rrjetë paligjshmërie rreth presidentit. Në çdo përdorim të pushtetit zyrtar, presidenti është tani një mbret mbi ligjin”, shkroi gjyqtarja Sonia Sotomayor në kundërshtimin e saj.

Shumë analistë i kanë bërë jehonë kritikës së saj. “Ky vendim, hedh poshtë parimin e vendosur prej kohësh se presidentët, ashtu si gjithë të tjerët, i nënshtrohen funksionimit të ligjit”, u shpreh studiuesja e jurisprudencës Kate Shaw.

“Në rast se presidenti është mbret, atëherë ne jemi nënshtetasit, jeta dhe jetesa e të cilëve janë të sigurta vetëm për aq kohë sa nuk biem pre e zemërimit të tij”, paralajmëroi komentatorja e New York Times, Jamelle Bouie. “Nëse Trump, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë amerikane, do të urdhëronte trupat e tij të vrisnin dikë apo të kryenin një grusht shteti, kjo duket se do të përfshihej brenda dispozitës së imunitetit absolut siç e vendosi gjykata”, shpjegoi studiuesja tjetër e çështjeve juridike Cheryl Bader.

Megjithatë, shumica e analistëve kanë dështuar të vënë në dukje faktin se kjo mungesë e përgjegjësisë ligjore për vendimet e presidentit amerikan, përfshirë vendimet për të drejtuar ushtrinë dhe përdorur forcën e saj vdekjeprurëse, nuk është asgjë e re. Ajo ka qenë prej kohësh realitet për shumicën e vendeve të botës.

Për dekada të tëra, presidentët amerikanë kanë zhvilluar luftëra të paligjshme, kanë komplotuar për të vrarë udhëheqës të vendeve të tjera, kanë arrestuar dhe torturuar në mënyrë të paligjshme njerëz, kanë rrëzuar qeveri demokratike dhe kanë mbështetur regjimet shtypëse, pa asnjë mundësi për të dhënë llogari në gjykatat vendase apo ndërkombëtare.

Megjithëse njerëzit në mbarë botën kanë vuajtur shumë nga këto akte të paligjshme, amerikanët kanë jetuar në një flluskë, të cilën ky vendim i Gjykatës i Lartë më në fund e ka çarë.

Në vitet që nga sulmet e 11 Shtatorit 2001, presidentët amerikanë kanë lejuar një zgjerim të madh të përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga ushtria amerikane jashtë vendit, ndonjëherë në mënyra që kanë shkelur ligjin ndërkombëtar, ligjin e brendshëm ose të dyja bashkë.

Rreth 300.000 civilë irakianë, u vranë si rezultat i drejtpërdrejtë i luftës së SHBA në Irak që filloi në nisi 2003, një luftë të cilën Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në atë kohë Kofi Annan e quajti “të paligjshme”. Nga ana tjetër më shumë se 70.000 civilë afganë dhe pakistanezë, vlerësohet të kenë vdekur si rezultat i drejtpërdrejtë i luftës kundër talebanëve, Al Kaedës dhe forcave të lidhura në Afganistan duke filluar nga viti 2001.

Shtetet e Bashkuara e justifikuan atë luftë si të ligjshme, bazuar në nenin 51 të Kartës së OKB-së, në një kohë kur pak shtete e kishin pranuar që ky nen të përdorej për të justifikuar luftërat kundër aktorëve jo shtetërorë. Ushtria amerikane mori pjesë në luftimet e vazhdueshme në Afganistan për dy dekada, dhe u përball me akuza serioze për krime lufte, përfshirë torturat në një qendër paraburgimi në bazën ajrore Bagram. Dhe ky ishte vetëm një nga disa vendet ku u torturuan të burgosurit.

Shtetet e Bashkuara drejtuan baza të paligjshme të CIA-s në disa rajone anembanë botës, si në Kosovë, Lituani, Poloni, Rumani dhe Tajlandë, ku ajo mbante dhe torturonte të burgosurit në fshehtësi.

Qindra mijëra njerëz vdiqën në luftën e vitit 2011 në Libi të udhëhequr nga NATO, dhe me një pjesëmarrje të konsiderueshme të SHBA. Edhe pse lufta u autorizua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, Kongresi Amerikan nuk e miratoi asnjëherë pjesëmarrjen e SHBA në të.

Dy avokatë të lartë të administratës, rikujtuan se ligji amerikan i njohur si Rezoluta mbi Fuqinë e shpalljes së Luftës, kërkonte që lufta të ndërpritej pas 60 ditësh. Por presidenti Barack Obama e shpërfilli atë këshillë, teksa dy avokatë të tjerë të administratës, argumentuan se operacioni ushtarak në Libi nuk ishte në kundërpërgjigje të ndonjë akti “armiqësor”, ndaj nuk i nënshtrohej atij ligji.

Gjatë viteve 2021-2023, qeveria amerikane kreu operacione kundër terrorizmit në 78 vende, duke përfshirë misione luftarake tokësore në të paktën nëntë vende. Me mbi 11.000 dronë në dispozicion,Shtetet e Bashkuara kanë kapacitetin për të kryer pa rënë sy sulme ajrore në pjesën më të madhe të botës.

Shumica e këtyre operacioneve, bazohen në një interpretim të diskutueshëm të një ligji të miratuar nga Kongresi një javë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, që e autorizon presidentin të përdorë forcën kundër atyre që kryejnë sulmet dhe çdo vendi, organizate ose personave që i strehojnë ata.

Për vite me radhë, janë bërë përpjekje për ta detyruar SHBA-në të japë llogari për dhunën e saj të paligjshme. Avokatët në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë saj, kanë ngritur padi pas rasti duke sfiduar operacionet e ushtrisë amerikane dhe të CIA-s jashtë vendit, por shumë pak prej tyre kanë kaluar pengesat procedurale dhe juridiksionale.

Për pasojë, kur flitet për veprime jashtë Shteteve të Bashkuara, presidenti amerikan ka qenë prej kohësh një “mbret mbi ligjin”. Paditë në gjykatat amerikane ndaj luftërave të kryera nga presidenti pa autorizimin e Kongresit, siç e përcakton Kushtetuta, janë hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur nga gjykatat amerikane në dekadat e fundit.

Ato kanë arritur në përfundimin se rastet paraqesin çështje politike që gjykatat nuk janë të përshtatshme për t’i zgjidhur, ose që paditësit nuk janë në pozitën e duhur për ta ngritur këtë padi. Efekti i këtyre vendimeve ka qenë përmbysja e rendit kushtetues, duke kërkuar që Kongresi të mbledhë super-shumicat në të dyja dhomat në përpjekje për të ndalur luftën e nisur nga një president.

Edhe qytetarët amerikanë janë vrarë pa asnjë dhënë askush llogari. Babai i Anwar al-Awlaki e paditi Obamën në gjykatën federale të SHBA-së, duke kërkuar që të hiqte të birin, një shtetas amerikan, nga lista e atyre që SHBA-ja synonte të eleminonte.

Jo shumë kohë pasi gjykata e hodhi poshtë padinë me arsyetimin se parashtronte çështje politike dhe babait të Al-Awlaki-t i mungonte pozita e duhur, qeveria amerikane e vrau këtë të fundit gjatë një sulmi me dron. Edhe djali 16-vjeçar i Al-Awlaki, gjithashtu shtetas amerikan, u vra në një sulm me dron dy javë më vonë.

Vajza e tij tetë vjeçare, gjithashtu shtetase amerikane, u vra në një sulm të disa komandove amerikane disa vite më vonë. Asnjë gjykatë nuk e vlerësoi ligjshmërinë e këtyre vendimeve për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Pak përgjegjësi ka pasur edhe në lidhje me programin e mirë-dokumentuar të torturave.

Pas marrjes së detyrës në vitin 2009, Obama vendosi të hetojë vetëm dy raste të keqtrajtimit të të burgosurve që çuan në vdekjen e tyre, pavarësisht provave të shumta të një programi të gjerë të qeverisë amerikane të ndalimit dhe torturës së paligjshme në vitet që pasuan sulmet e 11 Shtatorit.

Më vonë Obama e mbylli hetimin edhe për këto dy vdekje, si dhe për asgjësimin e videokasetave të marrjes në pyetje nga CIA, pa ngritur asnjë akuzë penale. Asnjë zyrtar i rëndësishëm i administratës, i përfshirë në këto akte, nuk u përball me masë disiplinore. Përkundrazi, njëri u bë gjykatës federal.

Ndërkohë, Gina Haspel, e cila sipas New York Times, ishte e pranishme teksa një i burgosur i nënshtrohej torturës së zhytjes nën ujë në një bazë sekrete të CIA-s që ajo drejtonte në Tajlandë, u emërua më vonë si drejtore e CIA-s gjatë administratës Trump.

Po si mund të bëhet SHBA-ja një superfuqi që jep sadopak llogari për shkeljet e rënda që bën?

Hapi i parë do të ishte vazhdimi i forcimit të lidhjeve të SHBA me Gjykatën e Hagës, edhe pse zyrtarisht nuk e njeh juridiksionin e saj, dhe dhënia fund e kërcënimeve me sanksione ndaj saj, siç bënë kohët e fundit anëtarët e Kongresit, pas njoftimit se prokurori Karim Khan po kërkonte një urdhër-arresti për kryeministrin izraelit Beniamin Netanyahu dhe ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin punën e gjykatës, siç ka bërë me hetimin e krimeve të luftës nga Rusia në Ukrainë. Por mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara duhet ta pranojnë se nuk janë të imunizuara nga juridiksioni i GJNP-së, kur dyshohet se kryen krime në territorin e një shteti që është palë themeluese e kësaj gjykate.

Kjo nuk do të thotë t’i dorëzosh qytetarët amerikanë në Hagë, por të paktën të gjykohen po në SHBA për krimet që akuzohen nga GJNP-ja. Po ashtu, qeveria e SHBA-së mund të sigurojë një llogaridhënie  civile më të fuqishme kur kryen gabimisht dëme jashtë vendit.

Së fundi, Kongresi duhet të rimarrë rolin e tij kushtetues për të vendosur se kur Shtetet e Bashkuara duhet t angazhohen në operacione ushtarake jashtë vendit. Një hap i parë do të ishte rishikimi i Rezolutës mbi Fuqinë e shpalljes së Luftës, për të përcaktuar qartë kuptimin  e “armiqësisë”, dhe për të vendosur ndërprerjen e financimi për çdo luftë që zgjat përtej 60 ditëve, përveçse nëse autorizohet në mënyrë specifike nga Kongresi.

 Shënim: Oona A.Hathaway, profesoreshë e së Drejtës Ndërkombëtare në Shkollën Juridike të Universitetit të Jeilit, SHBA.

/tesheshi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit