4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kriza ekonomike dhe papunësia e lartë në vend

Më të lexuarat

Në një konkurs të shpallur para disa kohësh nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për disa vende të lira pune, sipas disa informatave, kanë konkurruar me mijëra kandidatë (afro 4500 – sipas disa informatave).

Megjithëse në konkurs parashiheshin vetëm 70 vende të lira pune, qytetarët e papunë donin të mos e humbnin rastin për të provuar që ta realizojnë të drejtën e tyre. Ky rast, në mos tjetër, tregoi më së miri për krizën në aspektin e punësimit, me të cilën qytetarët vazhdojnë të përballen.

Kryeministri aktual i Kosovës Isa Mustafa disa herë ka deklaruar që nën drejtimin e tij vendi ka pësuar një ngritje ekonomike. Për më shumë ai ka premtuar që do të bëjnë përpjekje që kjo ngritje t’i avitet normës 5% të rritjes ekonomike në nivel vendi. Së voni, në një raport të Bankës Botërore thuhet se Kosova ka pësuar një ngritje të lehtë ekonomike, më të mirën, për dallim nga vendet e rajonit.

Por rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), e kryer nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK), për tremujorin e katërt (TM4) për vitin 2016 ditën e djeshme, dëshmojnë që niveli i papunësisë në Kosovë është ende tepër i lartë.

‹‹Anketa ka pasur shtrirje në 584 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 465 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare›› – thuhet raportin e mbështetur mbi rezultatet e ankesës.

Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore është 41.3 %, në kuadër të popullsisë me moshë të punës. 29.5% është shkalla e punësimit (AFP), për tremujorin e katërt të 2016-tës. Ndërsa për sa i përket punësimit në raport gjinor, sipas këtyre të dhënave, meshkujt kanë përfituar më shumë. 45% e meshkujve janë të punësuar, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa femrat 12.9% dhe atë kryesisht në sektorin e arsimit.

Raporti hedh dritë edhe në aspektin e respektimit të ligjit të punës. Sipas tij, del që:

‹‹29.9% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.1% kanë kontratë të përkohshme. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2016, shkalla e papunësisë është 28.7%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.3%, krahasuar me meshkujt me 26.9%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.2%. Sipas rezultateve të AFP-së në TM4 2016, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 58.7%, me fokus të veçantë te femrat me 80.4 %, krahasuar me meshkujt me 37.6 %.››

Vetëm në një konkurs që u shpall para pak muajsh nga Shërbimi Korrektues i Kosovës për disa vende të lira pune, sipas disa informatave, kanë konkurruar mbi 4500 kandidatë. Megjithëse në konkurs parashiheshin vetëm 70 vende të lira pune, qytetarët e papunë donin të mos e humbnin rastin për të provuar që ta realizojnë të drejtën e tyre. Ky rast, në mos tjetër, tregoi më së miri për krizën në aspektin e punësimit, me të cilën qytetarët vazhdojnë të përballen. Për më shumë kjo dëshmon paaftësinë e institucioneve të vendit për ta zgjidhur këtë krizë me të cilën shoqëria kosovare përballet këtu e 18 vite./Gazetaere.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit