Selatin Kaçaniku i ka “kushtuar jetën e tij” kujdesit ndaj konsumatorit, nëse mund të shprehemi kështu bazuar në shqetësimin me të cilin ai jeton çdo ditë në lidhje me atë se si trajtohet konsumatori kosovar. Gjendjen ai e konsideron gati katastrofike, ku të drejtat e konsumatorit pothuajse shpërfillen hapur e shkelen po aq hapur.
Dhe këtë gjendje, sipas tij, mund ta konstatosh dhe me sy të lirë duke u endur nëpër tregje. Në gjykimin e tij, si kreu i organizatës “Konsumatori”, blerësi kosovar vazhdon të mashtrohet nga tregtarët e dyqaneve, respektivisht marketeve, me çmimet e produkteve raft-arkë, por jo vetëm kaq.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Kaçaniku, tashmë të gjithë ju njohin avokat, mbrojtës për të drejtat e konsumatorit. Sa po bëhet në informimin, edukimin dhe vetëdijesimin e konsumatorëve?
Shumë pak. Pothuajse hiç. Mungon interesimi, vullneti, përgjegjshmëria, serioziteti…
Si duket, partitë politike nëpërmes institucioneve, asociacioneve e mekanizmave të shtetit me shumë kujdesen për bizneset, donatorët e asociacionet e tyre se sa për qytetarin konsumator taksapagues.
Një prej të drejtave të konsumatorit është edhe e drejta për prodhime të sigurta. Sa janë të sigurta prodhimet vendore?
Siguria e ushqimeve varet nga këndi i fokusimit tonë.
Nëse e shikojmë sigurinë e ushqimeve nga këndi i zbatueshmerisë së ligjeve në Kosovë; dhe ai nuk e arrin as 40%-in?!
Nëse e shikojmë nga këndi i veprimit dhe dëshmimit të Tregut Vendor dhe Ekonomisë së lirë, atëherë duhet ta dimë se tregu i Brendshëm/Vendor as Ekonomia e Lirë në Kosovë nuk funksionojnë. Ato nuk mbrohen as nga Ligji Anti-dumping, as nga Ligji i Konkurrencës, as nga ligjet tjera.
Nëse e shikojmë nga prizmi i kompetivitetit, motivimit, le ta kemi parasysh deklaratën dhe ankesat mekanizmave të mbikëqyrjes, inspektimit të tregut dhe mbrojtjes së qytetarit konsumator, të cilët thonë se u mungojnë kapacitetet teknike, humane e financiare.
Nëse e kemi parasysh edhe faktin se institucionet, asociacionet dhe mekanizmat e shtetit akoma nuk po ia dalin të përmbushin obligimet që burojnë nga mandati, statuti, ligji dhe detyrat e tyre etiko-profesionale, atëherë çdo gjë mund të imagjinohet.
Pasi që jeni vazhdimisht në teren, cilat janë standardet e sigurisë së ushqimit në Kosovë?
Republika e Kosovës e ka Ligjin mbi standardizimet, pothuajse vullnetar. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Agjencitë e shteteve mike donatore deri para dy vitesh kanë ndarë donacione, kanë dhënë kredi të volitshme pa i obliguar fermerët që të prodhojnë cilësi. Kjo logjikë i është imponuar edhe importit të tregut.
Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës bashkë me ministritë merren me politika të larta, e jo me cilësinë e sigurinë e jetesës e të ushqimeve, as me mirëqenien sociale të qytetarit konsumator dhe të familjeve konsumatore.
Pra, duhet ta dimë se standardi kryesor i sigurisë së ushqimeve tek ne dhe çdo kund në botë, është informimi, edukimi, arsimimi, vetëdijesimi dhe vetëmbrojtja.
Cilat janë obligimet dhe përgjegjësitë e shtetit ndaj konsumatorit?
Obligimet e shtetit, nëpërmes institucioneve, asociacioneve e mekanizmave, janë që përveç informimit, edukimit, arsimimit e vetëdijesimit të konsumatorit, t’ia njohë, mundësojë e zbatojë dhjetë të drejtat themelore të sanksionuara edhe me Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit. Këto të drejta burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nga ‘acquiscommunautaires’ dhe nga direktivat e BE-së. Do të thotë institucionet, asociacionet e mekanizmat e shtetit i detyrohen shumë qytetarit konsumator taksapagues, duke mos harruar transparencën, llogaridhënien dhe ndarjen e përgjegjësive. Kjo nënkupton edhe ngritjen e zbatueshmërisë së ligjeve deri në nivel maksimal.
A jeni të kënaqur me mbledhjen e kuponëve fiskalë nga konsumatorët?
Jo, aspak, fare, hiq!
Sepse procesit i ka munguar transparenca, nuk ka llogaridhënie për ndarjen e përgjegjësive as që mund të flitet. Mendoj se qytetari konsumator është i mashtruar sepse mu Ndërmarrjet Publike, të sponsorizuara nga Qeveria, Ministria e Financave (MF)dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), fshehin TVSh-në, taksat, akcizat, kontributet si dhe obligimet tjera fiskale. Mu në raport me to janë krijuar borxhe enorme, të pa arsyeshme, të cilat pa të drejtë po falen.
Organizata “Konsumatori” dhe unë me vite të tëra po ofrohemi me modelin tonë shumë më të thjeshtë e më efikas të fiskalizimit dhe të rritjes së trefishtë të buxhetit,por mungon interesimi. Me mungesën e interesimit përgjegjësit po e dëshmojnë etikën profesionale, përkushtimin, përgjegjshmërinë e tyre dhe sinqeritetin e korrektësinë.
Qeveria, MF-ja e ATK-ja, po i dëshmojnë hapur preferencat e tyre, rrjetet dhe lobit e interesit. Ato, të gjitha marrëveshjet e promovimet i bëjnë me Asociacionet e bizneseve, anipse bizneset që i përfaqësojnë ato nuk e paguajnë TVSh-në dhe asnjë kontribut ose obligim fiskal përderisa qytetari konsumator nuk e blenë prodhimin, mallin ose shërbimin e tyre.Bile-bile, mes tyre ka tepër shumë abuzues me obligimet fiskale të cilat qytetari konsumator taksapagues ua paguan me rastin e përfundimit të transaksionitme blerje.
Pra, mes tyre ka shumë sish që fshehin TVSh-në, taksat, akcizat, kontributet si dhe obligimet tjera fiskale. Le ta themi sepretendojmë se numri i bizneseve që punojnë pa letra, por edhe i bizneseve të pa regjistruara është më i lartë se numri i bizneseve të regjistruara. Prej tyre nuk ka interes as shteti, as institucionet, as mekanizmat as qytetari konsumator taksapagues. Së këndejmi, shikuar edhe nga ky aspekt, marrëveshja dhe promovimi i fiskalitetit me ta është lobimi padrejtë dhe veprim i pa sinqertë edhe i dyshimtë?!
Cilat janë ankesat me të shpeshta në organizatën që drejtoni?
Numri i ankesave është në ulje. Jo sepse nuk kanë arsye por sepse qytetarët konsumatorë taksapagues e kanë humbur besimin. Ato bëhen kryesisht në adresë të cilësisë e përbërësve, afatit të skadencës, çmimeve, kusurit, zbritjeve mashtruese të çmimeve…
Një ndër problemet e shumta është edhe moskthimi i centëve (pareve të imëta) në arka ndaj konsumatorit?
Po, e kemi thënë se deri 50 milionë euro në vit është qarkullimi i centëve të abuzuar.
Kaçaniku, a ka centë të mjaftueshëm në treg?
Po, ka mjaftueshëm centë dhe duhet të ketë mjaftueshëm centë. Mendoj se është krijuar një problem artificial i cili duhet të trajtohet edhe në nivel të Qeverisë, MF-së, Bankës Qendrore, ATK-së…/tesheshi.com/