8.2 C
Pristina
Friday, November 1, 2024

“Brezi i humbur” i fëmijëve sirianë: ku 6-vjeçarët nuk kanë njohur tjetër veç luftës

Më të lexuarat

Miliona fëmijë sirianë janë duke jetuar në një gjendje të “stresit toksik” për shkak të ekspozimit të gjatë ndaj tmerreve të luftës, thuhet në një raport të organizatës “Save the Children”.

Dëmi ndaj një brezi të tërë fëmijësh shpejt mund të jetë i pakthyeshëm, thekson raporti, duke vënë në dukje emergjencën e ndihmës për këta fëmijë. Stresi i luftës ka sjellë rritjen e fenomeneve që shfaqin gjendjen e rëndë, si urinim në shtrat, vetë-lëndim, përpjekje për vetëvrasje dhe sjellje agresive mes shumë fëmijëve.

Gjetjet bazohen në qindra intervistime në Siri. “Save the Children” thotë se studimi është më i madhi i këtij lloji për shëndetin mendor dhe mirëqënien e fëmijëve sirianë të kapur nga lufta, e cila nisi në vitin 2011 dhe ka shkaktuar më shumë se 300 mijë të vdekur.

Raporti “Plagë të padukshme” rrëfen “një krizë të tmerrshme të shëndetit mendor midis fëmijëve të luftës në Siri”.

“Save the Children” ka folur me më shumë se 450 persona në shtatë nga 14 guvernoratet e Sirisë si pjesë e studimit të kryer, ku përfshihen fëmijë të moshave të ndryshme, prindër, kujdestarë, punonjës socialë, punonjës ndihmash dhe mësues.

Në konkluzionet e raportit thuhet:

Pothuajse gjithë fëmijët dhe 84 për qind e të rriturve thanë se bombardimet ishin numri një mes shkaqeve të stresit psikologjik për fëmijët.

Dy të tretat e fëmijëve ose kanë humbur një anëtar të dashur të familjes, ose kanë përjetuar bombardimin e shtëpisë së tyre, ose janë plagosur si rezultat i luftës, sipas intervistimit të të rriturve. (Disa prej tyre kanë përjetuar më shumë se një nga këto ngjarje traumatike).

71 për qind e të intervistuarve thanë se fëmijët po vuajnë raste të shtuara të urinimit në shtrat, dhe urinimit të pavullnetshëm – simptoma të stresit mbytës dhe çrregullit të stresit post-traumatik.

48 për qind e të rriturve thanë se kanë parë fëmijë që kanë humbur aftësinë për të folur apo kanë nisur të përjetojnë vështirësi në të folur, që nga nisja e luftës. Gati gjysma e të intervistuarve thanë se fëmijët “kanë rregullisht apo gjithnjë ndjenja mbytëse apo të trishtimit të thellë”.

Rreth 2.3 milionë fëmijë janë larguar nga Siria dhe të paktën 3 milionë fëmijë nën moshën gjashtëvjeçare nuk kanë njohur gjë tjetër përveç luftës, thuhet në raport.

Stresi toksik mund të ndërpresë zhvillimin e trurit dhe organeve të tjera dhe të shtojë rrezikun e varësisë apo çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor në moshë të rritur, thotë Alexandra Chen, specialiste e mbrojtjes së fëmijëve dhe shëndetit mendor në universitetin e Havardit.

“Pas gjashtë vjetësh lufte, ne jemi në një pikë pa kthim, pas së cilës ndikimi në vitet e formimit të fëmijëve dhe zhvillimit fëmijëror mund të jetë kaq i madh saqë të kthehet në të përhershëm dhe i pakthyeshëm”, thotë Marcia Brophy, këshilltare e shëndetit mendor në organizatën “Save the Children”.

“Fëmijët janë parë gjithë llojet e dhunës”, thotë një prind sirian, cituar nga raporti. Sipas tij, ata kanë parë jo vetëm dhunën e transmetuar nga televizioni apo rrjetet sociale, por edhe në jetën reale. “Kanë parë gjëra të tmerrshme të ndodhin përpara syve të tyre. Ato që ata kanë parë ju nuk i keni parë as në filma”, thotë ai.

Raporti, gjithsesi, sugjeron se pavarësisht gjetjeve pesimiste, provat flasin se nuk është ende shumë vonë për dhënien e ndihmës së duhur ndaj fëmijëve, me anë të programeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psiko-sociale. Por, kjo ndihmë duhet të jetë urgjente dhe e përshkallëzuar në të gjithë Sirinë.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit