Shkruan: Burim BAKIU
Të sqarojmë shkurt: Republika e Maqedonisë është zënë “mat”, ashtu si në lojë të shahut, ndërsa lojtarët Gruevski dhe Ahmeti kanë ngelur “pat”.
Në këtë situatë, jo vetëm politike, në vend dhe duke pas parasysh situatën e përgjthshme në rajon dhe më gjërë, Maqedonia edhe zyrtarisht e shpalli kapjen e shtetit nga Ivanovi “konsensual” me aktin e tij të fundit. Me këtë tani Maqedonia e ka “nxjerrë” ne ankand publik shtetësinë e vet, duke rezikuar edhe sigurinë dhe paqen në vend dhe rajon. Tanimë është përmbyllur cikli politik i kapjes së shtetit, që përbën kapjen totale të të gjitha institucioneve shtetërore. Për fat të keq, situata synohet të rëndohet edhe më, duke tentuar të shkaktohet edhe pasiguri në popull dhe trazira të mundshme. E gjithë kjo bëhet për qëllimin e vetëm, sepse bandat kriminele nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe ky është skenari i tyre i vetëm për shpëtim. Është ky skenar të cilin akoma kanë mundësi ta programojnë vetë, pasi akoma qeverisin me institucionet dhe kanë ndikim në to.
Gruevski e Ahmeti kanë ngelur në “pat pozicion”, ndërsa shpëtimin që e prisnin nga kjo lojë e tyre, së bashku me Ivanovin “konsensual”, u iku duarsh. Ajo mundësi nuk kalon, sepse Ahmeti nuk i bëri ballë presionit të brendshëm dhe miqve shqiptarë e ndërkombëtar dhe nê fund “rra në dy gjunj”. Ndërsa Gruevski, që ngeli vetëm e sheh shpëtimin duke përdorur strukturat e kapura dhe mjetet e vjedhura, me qëllim që të luajë në lojën e destabilizimit të vendit dhe konfliktit ndëretnik.
Mendoj se ky ose skenarë të tillë nuk kalojnë dhe nuk duhet të gjejnë as mbështetje popullore. Dhe, kur i vendos në pasqyrë, Ahmetin dhe Gruevskin, janë të vetmit që duan destabilizim dhe të cilëve u shkon për shtati një gjë e tillë, janë keta dy dhe shpura tjetër e korruptuar e qeverisë dhe lidershipi i kriminalizuar i VMRO-DPMNE dhe BDI.
Por, epoka e gruevizmit mbaroi. Ishte kjo një epokë që “funksionoi” nëpërmjet bandave kriminale, me politika shoviniste e raciste, e cila – duke përdorur servilizmin dhe vasalizimin – arriti që për 10 vite të shkatërrojë gjithçka në këtë shtet, sidomos duke sulmuar dhe shkatërruar elementin shqiptar në Maqedoni. Por, me rëndësi është se kjo epokë mbaroi.
Pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit ka ndryshuar fryma politike në vend. Si në kampin shqiptar dhe në kampin maqedonas qartë kemi të shfaqur një frymë relaksuese politike e cila përmban në vete nevojën për reforma, për drejtësi dhe ridefinim të politikës dhe politikëbërjes.
Në kampin maqedonas kemi një parti me nam e nishan jo të mirë për shqiptarët, pra LSDM-ja, që sot shfaqet e reformuar në struktura, mbase jo edhe tërësisht, e reformuar në qasje dhe retorikë, sidomos në frymën e marrëdhënieve ndëretnike, ndërsa në kampin shqiptar kemi një befasi të këndshme, Lëvizjen BESA, që solli me vete një fryme të re në politikë, duke sjellë vlera, përgjegjshmëri dhe moral në politikë e politikëbërje. Megjithatë, këto dy parti politike, numerikisht – për shkak të sistemit jo të drejtë e të kapur, nuk kanë mundësi për të bashkëqeverisur, ndaj patjetër e kanë që në këtë proces të kyçin edhe BDI për të bërë të mundshme formësimin e një qeverie pilot, e cila do të fillonte reformat dhe procesin reformator në vend.
Pra roli i BDI në këtë proces nuk është hiç më shumë se numerik.
Nëse shofim nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, edhe përskaj kapjes së shtetit që ua fali fitoren numerike, duke aluduar mediatikisht në parimin fitues-fitues, e tjera, nuk arritën dhe nuk guxuan të formojnë qeveri. Pra, si në lojën e shahut: figurat i kanë, por pozicioni është “pat”. Poltikisht, ky binon është “shterpë”. Dhe, këtu fillon agonia e vdekjes politike e këtij binomi famëkeq VMRO-DPMNE dhe BDI.
Por, mbase procesi politik, faktori ndërkombëtar dhe opinioni i gjerë shqiptar, pra numrat e kërkojnë që edhe BDI-ja të inkuadrohet në proces, të njejtit panë një fije shpresë për rikthim në skenën poltike, sigurisht duke kujtuar partnerin e tyre VMRO-DPMNE. Ata e filluan lojën e tyre, gjithmonë të rezikshme, përsëri me “partnerin” jetik të tyre, VMRO-DPMNE-në. Dhe, kërkuan takime me partitë tjera shqiptare (me qëllim shantazhimi) dhe dështuan. Dhe, e shfrytëzuan edhe Kryeministrin Rama dhe Presidentin Thaçi dhe “përpiluan” Deklaratën, duke ditur se ajo nesër do të përdoret nga “partneri” i tyre jetik dhe Ivanovi “konsensual” si alibi për ta bllokuar një qeveri të mundshme reformatore.
Ky është skenar i përgatitur paraprakisht. BDI-ja, pra, “bleu” kohë nga VMRO-DPMNE-ja, duke negociuar rreth kësaj platforme, që në fund të 20 ditëve, në orën 00.00, të thotë “e detyruar”, se nuk na lënë të jemi bashkë, por megjithatë nuk do ta “tradhtojë” VMRO-DPMNE-së. Sepse, e detyruan LSDM-në, e njejta e detyruar edhe nga Ivanovi “konsensual” që të sigurojë nënshkrime, të negociojë për qeveri dhe jo për mandat. Dhe, pritën derisa Gruevski t’i grumbullojë “militantët” e tij për të krijuar situatë të rëndë sigurie që ashtu t’i mundësohet Ivanovit “konsensual” të marrë vendim skandaloz, ashtu siç edhe bëri.
Ky skenar është pjesë e “inteligjencës VMRO-iste” në BDI, natyrisht e ndihmuar nga VMRO-DPMNE.
Edhe një sqarim rreth Deklaratës. Ajo nuk paraqet asnjëfarë akti juridik dhe mbase më shumë duhet parë si një deklaratë e përbashkët, e cila shfaq kohezion gjithëpartiak rreth synimeve politike, ndërsa politikisht bazë kushtetuese e saj është Marrëveshja e Ohrit, ku bazohen edhe platformat politike të të gjitha partive shqiptare.
Fakt është pra që sot kemi një shumicë parlamentare, d.m.th. një shumicë të popullit, e cila shumicë në shtetet me demokraci konsesuale, siç është edhe Republika e Maqedonisë, përbën edhe qeverisjen e vendit. Megjithatë, në këtë situatë, në këtë vakum institucional të paprecedentë, duhet të shfrytëzohet metoda e aplikimit të zgjidhjes së situatës.
Dhe, ajo është zgjidhje formalo-juridike dhe kaq. Mbase situata i ka kaluar kufijtë politik dhe nuk mund të aplikohen masa politike, pra situata do një zgjidhje dhe një herë, pra, jointerpretuese, por formalo-juridike.
Dhe, në të njëjtën frymë më pas edhe qeveria e re do ta të procedojë punën me reformat.
Sigurisht se edhe vendimi i fundit i BDI për pjesëmarrje në qeveri duhet marrë me rezerva. Si u bë që me VMRO-DPMNE negociuan 20 ditë dhe në fund të rezultojnë negativisht dhe nga ana tjeter pa negociata të marrin vendim për pjesëmarrje në qeveri, tregon se kjo parti, BDI ka shumë probleme serioze, në veprim, në vendimmarrje, etj.
Mendoj se BDI nuk ka hallin e formësimit të qeverisë, por ka hallin e mbrojtjes së klikave të kriminalizuara në partinë e tyre dhe të partnerit të tyre jetik. Besoj se edhe me angazhimin e tyre në qeveri, që kryesisht ështe rezultat i presioneve të ndryshme, BDI do bëjë ç’mos që të bllokojë punën e qeverisë dhe parlamentit, çdoherë e kordinuar me partnerin jetik VMRO-DPMNE.