9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: “Pafajësia” e Ramës dhe fajësia e mediave në kukafshehthin mes tyre

Më të lexuarat

Një televizion informativ i dha fund bashkëpunimit këto ditë me një drejtues të tij; kështu bëri dhe një gazetë e njohur. Përfundimet e kontratave të këtyre dy drejtuesve, apo, parë ndryshe, shkarkimet e tyre, i kanë dhënë shtysë jo një debati, por fletërrufeve ndaj kryeministrit të vendit.

Edi Rama bëhet përgjegjës pa një pa dy për largimet në fjalë, anatemohet, nxihet e denigrohet. Figura e kryeministrit është bërë tabelë qitjeje, mishërim i së keqes, ku çdokush rreket të godasë pa mëshirë.

Por a është fajtor Rama? A është ai iniciatori i largimit a shkarkimit të dy drejtuesve?

Sigurisht që ai ka pjesën e tij të fajit. Rama, si çdo drejtues tjetër shtetëror, nuk i ka aspak qejf zërat kritikë. Njësoj i ka patur zët dhe Berisha kur ishte në pushtet, Nano po ashtu, e kushdo tjetër.

Kjo është një lojë kukafshehthi, ku kryeministri, e posaçërisht Rama këtë herë, bën atë që ka në dorë. Pa dyshim, jo drejtpërdrejt, po përmes lajkatimeve e fshikullimeve në dhjetëra forma.

Mes kulaçit e kërbaçit të pushtetit, pronarët mediatikë janë të lirë të zgjedhin. E si rëndom, për shkak se mediat në punë nuk janë krijuar me idealin në themel të tyre, por me pikësynimin që nëpëmjet tyre t’i ndihmohet synimit dhe biznesit parësor të pronarëve, këta të fundit shpesh zgjedhin të hanë kulaçin e t’i përvidhen kërbaçit.

Procesi riciklohet sa herë që ndërron pushteti. Radhën e ka Rama këtë herë, nesër do ta ketë një tjetër.

Kryeministri, po aq sa është fajtor në këtë histori, po aq është dhe i pafajshëm. Shkurt, “nuk është faji i tij” pse i dorëzohen në kukafshehthin e përfitimit apo kamxhikimit! Se mos prisni të vijë një kryeministër që do t’u buzëqeshë sinqerisht kritikëve!

Në këtë kontekst, peshorja e fajit kalon te pronarët mediatikë. Por dhe ata dalin të pastër në njëfarë mënyre nga kjo histori. Mediat private mund ta ndryshojnë politikën editoriale sa herë që të duan. Përndryshe, ç’u pa që iniciativa të tilla janë private! E siç e ndryshojnë politikën editoriale, ashtu mund t’i ndryshojnë dhe drejtuesit.

Gjithçka varet nga morali i pronarëve të mediave. Siç ka shembuj të tillë të pronarëve që i kanë rezistuar për vite pushtetit, si Kokëdhima në kohën e qeverisjes së Berishës, ashtu ka dhe shembuj të atyre që i janë dorëzuar atij pa vrasje ndërgjegjeje, si Frangaj e Çili.

Kësisoj, faji i pronarëve mediatikë sa ka të bëjë me ndryshimin e politikës editoriale është moral, asgjë më shumë! Tjetër gjë nëse përfitimet gjithfarësoj më pas sigurohen përmes shkeljesh ligjore.

Më shumë se për shkarkimet, mediat duhen kritikuar për informacionin që u japin njerëzve, për pranëvënien e lajmit të dobishëm me lakuriqësinë, për dhënien e të pavërtetave, për broçkullat e pafundme dhe për mesazhet katastrofike që përcjellin. Askujt nuk i hyn në xhep në ndryshon drejtuesi apo politika editoriale e medias private; njeriu mund të ndjekë një mjet tjetër informimi që i shkon për shtat botëkuptimit të tij. Për shikuesin a lexuesin ama ka rëndësi në do ketë përpara syve diçka të këndshme a të dobishme, apo do përballet, si ngahera tani, me mishmashin e së përdalës në gjasme lajmin e ditës.

Në fund, përgjegjësia kalon te publiku, që ka në dorë të mos u besojë më këtyre mediave e t’i shpërfillë, apo t’i ndjekë zellshëm pavarësisht piruetave editoriale.

Fajësia dhe pafajësia e kryeministrit të radhës dhe e pronarëve të mediave janë pjesë e lojës kukafshehthi mes tyre. Në dorë na mbetet ne t’i legjitimojmë veprimet e tyre ose jo, në varësi të asaj që kërkojmë, që presim. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit