Ky është problem thellësisht religjioz dhe thellësisht kulturor, që në instancë të fundit është përgjigjia e vetme, ndonëse iracionale, për identitetin fetar e kulturor serb.
Nga Prof. Dr. Milazim Krasniqi
Të kuptuarit e komunikimit dhe të mesazheve që vijnë në drejtim të Kosovës dhe shqiptarëve nga ana e drejtuesve më të lartë të fesë dhe të shtetit serb, më së miri mund të bëhet nëse vendosen në kuadrin teorik të studimeve postkoloniale. Në këtë kuadër mund të kuptohet më mirë raporti i ngurtësuar si raport ndërmjet agresorit dhe viktimës, por që gjuhësisht e kulturalisht paraqitet në të kundërtën e vet, pra viktima paraqitet si agresor, ndërsa agresori si viktimë. Sado që është një diskurs mjaft militant, ai e ka brenda vetes dimensionin filozofik-religjioz dhe dimensionin politik-kulturor, të prodhuar në mendimin religjioz e kulturor serb gjatë më shumë se një shekulli. Pra, janë shtresime të një komunikimi të qëndrueshëm dhe të stabilizuar dhe të mesazheve të qarta, edhe kur mbulohen nga një tis figurativ. Thënë thesht, nuk ka spontanitet në këtë komunikim e në këto mesazhe.
Prandaj, analiza e diskursit të këtyre dy dimensioneve, filozofike-religjioze dhe politike- kulturore, ndihmon të kuptohet ideologjia dominante, si edhe struktura e fuqisë, nga e cila ushqehet ideologjia fashiste serbomadhe. Që në fillim mud të konstatohet se ndonëse kanë kaluar tetëmbëdhjetë vjet nga largimi i imponuar i Serbisë nga Kosova (me Marrëveshjen e Kumanovës) ideologjia fashiste dhe filozofia e gjuhës që e shpreh atë ideologji, nuk ka ndryshuar në asnjë tregues të sajin. Meqë fuqia e Serbisë ka ardhur duke u rritur në vitet e fundit, kjo gjë është manifestuar në mënyrë progresive edhe në ristabilizimin e gjuhës së urrejtjes, po edhe të presioneve shumëplanëshe ndaj Kosovës. Edhe me këtë rast dëshmohet e njëjta gjë: fiksimi i serbëve dhe i Serbisë me Kosovën nuk është problem politik. Ky është problem thellësisht religjioz dhe thellësisht kulturor, që në instancë të fundit është përgjigjia e vetme, ndonëse iracionale, për identitetin fetar e kulturor serb.
Miti i Kosovës serbe, si ekuivalent i Jerusalemit tokësor dhe fjala “Kosovë” si fjala më e shtrenjtë serbe, në ligjërimin religjioz e kulturor serb janë elementë të shenjtërisë. Për shenjetërinë e tyre nuk mund të negociohet. Ato janë të ngurtësuara në mendimin religjioz e kulturor serb, prej nga ushtrojnë presion edhe mbi mendimin dhe veprimin politik. Rjedhimisht, problemi është shumë më vështirë i zgjidhshëm, sesa po të ishte problem i pastër politik. Ky dimension i problemit nuk është trajtuar në mënyrë korrekte deri sot nga ana e dijetarëve shqiptarë.
Pse na mungojnë studimet për imperializmin gjuhësor e kulturor serb?
Teoria postkoloniale e diskursit na ndihmon të kuptojmë këtë gjendje dhe të parashohim drejtimet nga do të lëvizë në të ardhmen mendimi filozofiko-religjioz dhe mendimi politiko-kulturor në Serbi në raport me Kosovën dhe me shqiptarët e saj, e prej andej edhe veprimi politik, që është vetëm instrument në duart e ideologjisë religjiozo-kulturore me parashenjë fashiste. Por, këta shqiptarë të kësaj Kosove nuk do ta kenë të lehtë as ta kuptojnë e lëre më t’i amortizojnë këto modele të mendimit dhe të veprimit serb. Pse? Sepse edhe pse ka më shumë se një shekull që ne shqiptarët i jemi ekspozuar dhunës së gjuhës e të kuturës serbe nga ana e autoriteteve kishtare e shtetërore, studime lidhur me dhunën e kësaj gjuhe dhe implikimet që ajo ka pasur në jetën reale, pothuajse nuk janë bërë nga studiues shqiptarë. Bile shumica e intelektualëve të sotëm shqiptarë të Kosovës e konsiderojnë në mënyrë naive si të mbyllur konfliktin kulturor shqiptaro-serb për Kosovën e rrjedhimisht edhe studimet eventuale kulturore e postkoloniale, që do të kishin objekt trajtimi këto raporte i konsiderojnë si të panevojshme.
Mungesa e vullnetit për këso studimesh i ka edhe dy arsye, njërën politike, tjetrën metodologjike. E para ka të bëjë me faktin që Kosova dhe shumë vise të tjera shqiptare që mbetën nën sundimin serb që nga viti 1912, nuk kanë pasur zhvillim normal në asnjë fushë të jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore e diturore. Rrjedhimisht kanë pasur kufizime politike e administrative të prera, edhe lidhur me studimin e disa fushave dhe veçmas të raporteve gjuhësore e kulturore shqiptaro-serbe. Ky shteg tashmë po hapet edhe më vështirë, ngase shumica e studiuesve të rinj, as nuk e dinë serbishten dhe nuk kanë as mundësi të hulumtimit në arkivat serbe. E dyta, ka të bëjë me orientimin e studimeve albanologjike në Shqipëri e në Kosovë, veçmas në gjysmën e dytë të shekullit XX, të cilat nën diktatin e metodologjisë marksiste, e kanë përjashtuar trajtimin e çështjeve mirëfilli kombëtare dhe me metodat adekuate të studimit që kanë dominuar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë nga gjuhëtarët shqiptarë janë marrë kryesisht me studime dialektologjike (që realisht nuk i kanë hyrë kurrkujt në punë) ose me studimin e gjuhës së autorëve të vjetër, (një punë gjithsesi e vlefshme për historinë e gjuhës shqipe, por larg realitetit shoqëror e kulturor të shekullit XX.)
Tëhuajësimi i studiuesve shqiptarë është aq i rëndë, sa që edhe një çerek shekulli pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe gati dy dekada të çlirimit të Kosovës, studimet albanologjike vazhdojnë të merren me probleme periferike. Prandaj, ende nuk ka as trajtime lidhur me pasojat gjuhësore e kulturore që ka lënë pushtimi serb dhe dominimi kolonial i serbishtes mbi gjuhën shqipe në Kosovë për një shekull, që nga leksiku e sintaksa e deri te filozofia e gjuhës. Ende nuk ka as studime lidhur me diskursin që kanë përdorur drejtuesit shtetërorë dhe mediet serbe gjatë kohës së pushtimit klasik të Kosovës (1990-1999) dhe veçmas gjatë spastrimti etnik dhe gjenocidit të viteve 1998-1999. (Nga ana tjetër, ka amatorë që merren në mënyrë sipërfaqësore dhe shpeshherë keqdashëse me raportin e të folmes shqipe të Kosovës me atë të Shqipërisë, gjë që është pasojë e pozitës koloniale që kanë pasur shqiptarët dhe gjuha e tyre në Serbi e në Jugosllavi, e jo shkak më vete, por kjo qasje sërish është periferike dhe nuk e trajton problemin në themelet e tij.)
Pra, ajo që është dhe mbetet detyrë urgjente e gjuhësisë shqiptare dhe e albanologjisë në përgjithësi është studimi i gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare të Kosovës në dritën e studimeve kulturore dhe studimeve postkoloniale, duke kuptuar se çfarë raportesh janë krijuar me gjuhën, letërsinë e kulturën serbe e jugosllave, çfarë mendësish dhe ideologemash janë prodhuar e prodhohen nga elitat fetare, politike e kulturore serbe në drejtim të shqiptarëve sot, etj. Në këtë kontekst gjithsesi do të duhej të studiohej në mënyrë sistematike mendimi aktual serb, që prodhohet përmes diskursit të gjuhës, letërsisë, kulturës dhe religjionit. Vazhdimi i studimeve të tilla ka rëndësi për vetë shkencën, dijen, sepse nga kjo fushë mund të nxirren rezultate shumë të rëndësishme për identitetet, për perspektivat e integrimeve, për multikulturalizmin, për integrimet brendakombëtare, për zhvillimin e gjithëmbarshëm të kombit shqiptar në kontekstet ballkanike dhe euro-atlantike. Por, këto studime do të kishin edhe vlerë praktike për ta kuptuar se si po lëvizë mendimi në Serbi dhe sa mbetet virulent jo vetëm për sigurinë tonë fizike dhe identitetin kulturor e kombëtar, po edhe për të ardhmen e Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Vazhdon…