4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Nga Redi SHEHU: Teatraliteti i fundvitit

Më të lexuarat

Nëse do të kishim mundësinë që t’i jepnim një shans vetes për të parë përtej perdes që ndan dy vite të njëpasnjëshme në kufirin ekstrem të datës 31 dhjetor, para se kjo datë të vinte në të vërtetë, do të kuptonim se vlera, koha dhe intensitetit i asaj që do shpenzohej para së ky realitet i ri të vinte, shprehur me një tymnajë baroti e pijesh tapat e të cilave vetëtimthi hidhen tutje, do të vërtetonte që ky shikim do pluskonte në boshllëkun më kuptimplotë dhe më real të mundshëm. Në formë ciklike, të paharrueshme, gati-gati rituale, me përpikërinë e frikshme që e kota sjell kur takohet me epshin, teatraliteti i festës së fundvitit futet në procedurën e vet më të fundit karakterizuar me një forcë të padukshme shtytëse drejt pakuptimit veshur me hare të pashpjegueshme e kokëkrisur, që këmbëngul drejt prirjesh tregu dhe gromësire ushqimesh.

Vërtet, një teatralitet që për regjizurë ka pakuptimësinë e fundit të një viti dhe për skenë qytetin si aktualizim i  tij, i cili shërben shpesh për të justifikuar atë që nuk është mundur të bëhet gjatë gjithë asaj kohe tejet të gjatë të ikur tashmë, me shpresën se do të bëhet në vitin që matematikisht duket se vjen, por që faktikisht aty ka qenë gjithmonë mes nesh me të njëjtat gabime, e me të njëjtat simptoma. Teatralitet që ka gjithmonë nevojë për një simbol ngërthyer në një pemëz e cila rritet çdo vit si matës i nivelit alarmant të kotësisë njerëzore e cila shpërqendrueshëm përdridhet nën dritat pulsuese të striptizës publike që gjarpëron bulevardesh e dyqanesh, duke i hequr qytetit turpin e të qenurit vetvetja dhe duke i hutuar në formë dehëse ata që mendojnë se ajo çka fshihet poshtë gjithë kësaj është i njëjti realitet i egër, i hidhur, i pashpresë, petku i të cilit kësaj radhe mashtrueshëm përpiqet të të flasë me gjuhën e ngjyrave.

Spektatorë të këtij teatri pulsues, që ndërgjegjshëm i nënshtrohen hipnozës së të qenurit qoftë edhe për një herë të vetme të mashtruar se  vërtet halli nuk është pjesë e skenës, se vuajtja dhe frika janë tashmë jashtë saj, prandaj hopthi, vetëtimthi, të hidhemi në prehrin e komedisë të të qenurit parajsë fundviti, me para që vërshojnë gjithandej, rrugëtimi i të cilave ka si destinacion stomakun e jo mendjen, me një fund biologjik aspak optimist. Me trafik e bori makinash, me qindra të tilla rreth teje, me pallate që ankorojnë në bordurat e trotuareve dhe me një hije të verdhë e të vetme që ngjan me një polic rrugor lëvizës, që rreket poshtë e përpjetë për të çliruar lëmshin që i zë frymën, të vjen e të forcohet një grusht migjenian, tashmë jo kundra malit që “s’bzan”, por kundra pallateve kakofonikë, udhëzues të njëpasnjëshëm të ulluqeve urbanë që frymën ia marrin secilit, në garë drejt vendeve të ekzekutimit publik që rëndom quhen qendra tregtare apo markete.

Spektatorë që sapo kanë filluar procedurën psiqike të autoshërimit nga sëmundjet që la viti që shkoi, e cila përmblidhet në kaosin e të festuarit për hir të të festuarit, sepse të gjithë festojnë dhe për këtë duhet festuar, pa ditur përse dhe çka duhet festuar. Shërim përmes festës që rrit adrenalinën vetëm për pak kohë dhe rikthehet me simptomat e sëmundjes së mëparshme, tashmë me një faturë ekonomike më të rëndë dhe me një boshllëk akoma më të madh, i cili luhatet nga dhimbjet postdehje të kokës te dhimbjet tejngopëse të stomakut.

Festim përmes ngrënies, shërim përmes ngrënies, shpresë përmes ngrënies, urime përmes ngrënies, ngrënie përmes ngrënies. Duket se tek ne gjithçka merr kuptim vetëm përmes ngrënies. Ardhja e një viti të ri sigurisht që është një moment, mbi të gjitha, meditimi. Pakkush, në vend që të merret me anën sipërfaqësore të ndërrimit të viteve, ndalet e mediton mbi atë se çfarë ishte viti që kaloi. Çfarë bëri ai ose ajo për të kontribuar në këtë shoqërinë tonë të sëmurë? Çfarë kontributi, moral edhe material, dha për të përmirësuar vetveten dhe të tjerët? Pse ky delir? Ndoshta viti që vjen mund të jetë më i keq për secilin, ndoshta për dikë mund të jetë viti i fundit. A thua është ky festim që na bën të ndihemi më mirë? Çfarë ndodh ditën e nesërme të festës? Të gjitha qytetet janë të zbrazura, shija e festës është zëvendësuar me një shije tjetër. Çfarë ngeli në vetvetet tona përveç një kujtimi gjysmë të dehur? /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit