Koncepti se shkencat janë ekskluzivisht produkte të mendjes perëndimore vazhdon të mbetet i pacenuar nga shumë individë edhe sot. Çdo rishikim që do t’i bëhej teksteve enciklopedike në lidhje me historinë e shkencës do ta mbështeste këtë koncept. Shumica e teksteve përmendin shumë pak, për të mos thënë fare, përparimet e sjella nga shkencëtarët dhe studiuesit indianë e kinezë dhe në veçanti nga ata muslimanë.
Të dhënat që lidhen me datat, emrat dhe subjektet e avancimeve perëndimore janë marrë nga tre burime kryesore: “World Book Encyclopedia” (Enciklopedia e Librit Botëror), “Enciklopedia Britannica” dhe libri 700 faqësh i Isak Asimovit, “Kronologji e shkencës dhe e zbulimeve”. Të dhënat që tregojnë për arritjet e studiuesve muslimanë janë marrë nga referenca të ndryshme që janë shënuar në bibliografinë e këtij libri.
Çfarë mësohet: Grekët zhvilluan trigonometrinë.
Çfarë duhet mësuar: Trigonometria mbeti gjithmonë një shkencë teorike te grekët. Në një shkallë të lartë perfeksioni modern kjo shkencë u zhvillua nga studiuesit muslimanë, ndonëse meritat i takojnë më tepër El Batanit. Fjalët që shpjegojnë funksionet bazë të kësaj shkence, si sinusi, kosinusi apo tangjenti, rrjedhin nga gjuha arabe. Pra, kontributi i grekëve në trigonometri ka qenë vërtet minimal.
Çfarë mësohet: Përdorimi i numrave dhjetorë në matematikë u zhvillua nga një holandez, Simon Stevin, më 1589. Ai e çoi përpara shkencën e matematikës duke zëvendësuar thyesat, p.sh. ½, me numrat dhjetorë, p.sh. 0.5.
Çfarë duhet mësuar: Matematikanët muslimanë ishin të parët që përdorën numrat dhjetorë në vend të thyesave të mëdha. Libri i El Kashit, Çelësi drejt Aritmetikës, u shkrua në fillimet e shek. XV dhe ishte stimuli kryesor për aplikimin sistematik të numrave dhjetorë qoftë për numrat e plotë, ashtu edhe për thyesat. Është shumë e mundur që Stevin e importoi idenë në Evropë nga studimi i Kashit.
Çfarë mësohet: I pari që përdori simbolet algjebrike ishte matematikani francez Fransua Vieta. Më 1591, ai shkroi një libër algjebre duke përdorur në ekuacionet e tij shkronjat që tashmë janë shumë të njohura për ne, si X dhe Y. Asimovi thotë se ky zbulim pati të njëjtin efekt si kalimi nga numrat romakë tek ata arabë.
Çfarë duhet mësuar: Matematikanët muslimanë, shpikësit e algjebrës, e paraqitën konceptin e përdorimit të shkronjave për të treguar të panjohurën në ekuacione që në shek. IX e.r.. Nëpërmjet këtij sistemi, ata zgjidhnin një sërë ekuacionesh të vështira, duke përfshirë këtu edhe ekuacionet kuadrate dhe kubike. Ata përdorën simbolet për të zhvilluar dhe perfeksionuar teoremën binomiale.
Çfarë mësohet: Ekuacionet e vështira kubike (x në fuqi të tretë) mbetën të pazgjidhura deri në shek. 16, kur Nikolo Tartalia, një matematikan italian, i zgjidhi ato.
Çfarë duhet mësuar: Jo vetëm ekuacionet kubike, por edhe ato të një shkalle më të lartë vështirësie zgjidheshin me lehtësi nga matematikanët muslimanë që në shek. 10.
Çfarë mësohet: Koncepti se numrat mund të jenë më të vegjël se zeroja, pra numrat negativ, nuk njihej deri në vitin 1545, kur u bë i njohur nga Xheronimo Kardano.
Çfarë duhet mësuar: Matematikanët muslimanë i përdorën numrat negativ në problemet aritmetikore të paktën 400 vjet përpara Kardanos.
Çfarë mësohet: Më 1614, Xhon Napieri shpiku logaritmet dhe tabelën e logaritmeve.
Çfarë duhet mësuar: Matematikanët muslimanë i shpikën logaritmet dhe tabelat e tyre disa shekuj më parë. Këto tabela njiheshin nga bota islame që në shek. 13.
Çfarë mësohet: Gjatë shek. 17, Rene Dekarti zbuloi se algjebra mund të përdorej për të zgjidhur problemet gjeometrike. Në këtë mënyrë, ai i dha një shtytje të fortë shkencës së gjeometrisë.
Çfarë duhet mësuar: Matematikanët muslimanë e bënë këtë zbulim që në shek. 9. Thabit bin Kurrah ishte i pari që e bëri këtë. Më vonë ai u ndoq nga Ebul Uafa, i cili në shek. X shkroi një libër në të cilin e përdori algjebrën për ta zhvilluar gjeometrinë në një shkencë të thjeshtë dhe ekzakte. Çfarë mësohet: Isak Njutoni gjatë shek. 17 zhvilloi teoremën binomiale, që është një komponent kryesor për studimin e algjebrës.
Çfarë duhet mësuar: Qindra matematikanë muslimanë e kanë përdorur dhe perfeksionuar teoremën binomiale. Ata filluan ta përdornin këtë teoremë për zgjidhjen sistematike të problemeve algjebrike gjatë shek. X (ose më herët).
Çfarë mësohet: Deri në shek. 13 nuk pati asnjë përmirësim në astronominë e lashtë të mesjetës për sa i përket lëvizjes së planetëve. Ishte Alfonso, i Urti i Kastilias (Spanja e Mesme), ai që shpiku Tabelat Afonsine, të cilat ishin shumë më të sakta sesa ato të Ptolemeut.
Çfarë duhet mësuar: Që në shek. 9, astronomët muslimanë punuan dhe e përmirësuan shumë zbulimin e Ptolemeut. Ata ishin të parët astronomë që diskutuan idetë e tij arkaike. Në kritikat e tyre ndaj grekëve ata sintetizuan dëshmitë se Dielli është qendra e sistemit diellor dhe se orbita e Tokës dhe e planetëve të tjerë mund të jetë eliptike. Ata i shoqëruan punimet e tyre me tabela të sakta astronomike dhe me skica të yjeve. Shumë nga llogaritë e tyre janë aq të sakta, saqë konsiderohen bashkëkohore. Tabelat Alfonsine nuk janë asgjë më shumë sesa kopje të studimeve astronomike që u transmetuan në Evropë nëpërmjet Spanjës islamike, si p.sh. Tabelat e Toledos.
Çfarë mësohet: Studiuesi anglez, Roxher Beikon (v. 1292), ishte i pari që përmendi thjerrat e xhamit për përmirësimin e shikimit. Pothuajse në të njëjtën kohë, syzet përdoreshin edhe në Kinë, edhe në Evropë.
Çfarë duhet mësuar: Ibn Firnasi i Spanjës muslimane i shpiku syzet në shek. 9 dhe ato kishin mbi dy shekuj që prodhoheshin dhe shiteshin anembanë Spanjës. Ajo që Beikoni tha për syzet ishte thjesht një përsëritje e studimeve të El Haithem (v.1059), meqë Beikoni i referohej shpesh punës së tij.
Çfarë mësohet: Baruti u përdor në botën perëndimore falë punës së Roxher Beikonit më 1242. Përdorimi i parë i barutit në armë ishte kur kinezët qëlluan kundër mongolëve në përpjekje për t’i frikësuar. Ata e përdorën atë duke i shtuar substancës sulfur dhe qymyr.
Çfarë duhet mësuar: Kinezët vërtet e zhvilluan barutin, por ata nuk dinin ta përdornin atë për armë zjarri dhe nuk ishin ata që e shpikën formulën e tij. Studimet e kryera nga Reinuad dhe Fave treguan qartë se baruti u formulua fillimisht nga kimistët muslimanë. Më tej, këta historianë pohojnë se muslimanët ishin të parët që shpikën armët e zjarrit. Të bie në sy fakti që muslimanët përdorën granatat dhe armë të tjera në mbrojtjen e Algjerit nga frankët gjatë shek. 14. Zhan Mathes tregon se udhëheqësit muslimanë kishin stoqe me granata, pushkë, topa, ndezës, bomba sulfuri dhe pistoleta dekada të tëra përpara se ato të përdoreshin në Evropë. Fjala top u përmend për herë të parë në tekstet arabisht në vitin 1300 e.r.. Beikon mësoi për formulën e barutit nga përkthimet në latinisht të librave arabë. Ai nuk solli asgjë origjinale në këtë drejtim.
Çfarë mësohet: Kompasi u shpik nga kinezët, të cilët mund të kenë qenë të parët që e kanë përdorur atë për qëllime lundrimi midis viteve 1000 dhe 1100 e.r.. Referenca e parë për përdorimin e tij në lundrim u dha nga anglezi Aleksander Nekam (1157-1217).
Çfarë duhet mësuar: Ka shumë mundësi që gjeografët dhe lundruesit muslimanë mësuan për gjilpërën magnetike nga kinezët, por ishin të parët që e përdorën atë në lundrim. Ata shpikën kompasin dhe ia transmetuan këtë njohuri perëndimorëve. Lundruesit evropianë mbështeteshin te timonierët muslimanë dhe tek instrumentet e tyre në zbulimin e territoreve të panjohura. Gustav Le Bon pohon se gjilpëra magnetike dhe kompasi u shpikën plotësisht nga muslimanët dhe se kinezët nuk kishin shumë lidhje me to. Nekami, ashtu sikurse kinezët, mund të ketë mësuar për to nga tregtarët muslimanë. Është e rëndësishme të theksohet që kinezet e përmirësuan mjeshtërinë e tyre të lundrimit pasi filluan të kenë marrëdhënie me muslimanët në shek. 8.
Çfarë mësohet: I pari që klasifikoi njerëzit në raca ishte gjermani Johan F. Blumenbah, i cili e ndau njerëzimin në njerëz të bardhë, të verdhë, të zinj, të kuq dhe ngjyrë kafe.
Çfarë duhet mësuar: Që nga shek. 9 deri në shek. 14, studiuesit muslimanë shpikën shkencën e etnografisë. Një sërë gjeografësh muslimanë i klasifikuan racat duke paraqitur shpjegime të qarta të zakoneve, të kulturave dhe të pamjes së jashtme. Ata shkruan mijëra faqe mbi këtë temë. Shkrimet e Blumenbahut janë të parëndësishme kur krahasohen me to./Alcislam
kohaislame.com