-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

PISA–tronditja dhe PISA–këndellja

Më të lexuarat

Dukagjin Pupovci

Në vitin 2000, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) organizoi, për herë të parë, testin PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve), qëllimi i të cilit është të maten aftësitë e nxënësve të moshës 15 vjeç për t’i zbatuar njohuritë e tyre në situata të jetës së përditshme. Kjo matje bëhet në tri disiplina: në lexim, në matematikë dhe në shkenca të natyrës. Në secilin shtet pjesëmarrës përzgjidhet një mostër reprezentative e nxënësve 15-vjeçarë që i shtrohet testit. Prandaj, konsiderohet se rezultatet, pak-a- shumë, reflektojnë gjendjen reale të sistemit të arsimit dhe mundësojnë krahasimin në mes të shteteve.
PISA-faktet
Në vitin 2000, 43 shtete morën pjesë në testin e parë PISA, ku fokusi ishte në fushën e leximit. Në krye të listës doli Finlanda që, dekada me radhë, kishte investuar shumë në zhvillimin e sistemit të arsimit. Befasisht, superfuqitë ekonomike si SHBA, Italia dhe Gjermania përfunduan në vendin e 16-të, 21-të dhe 22-të, përkatësisht. Në testin e parë patën fatin të marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Maqedonia. Rezultati ishte zhgënjyes. Nga 43 shtete, Shqipëria doli në vendin e 42-të në lexim, ndërsa Maqedonia në vendin e 40-të. Problemi tjetër i të dy vendeve ishte përqindja e madhe e nxënësve që nuk kishin arritur nivelin minimal të aftësive të leximit, të nevojshme për të qenë të suksesshëm në punë dhe në jetë (niveli 2) – 71% e nxënësve nga Shqipëria dhe 63% e nxënësve nga Maqedonia ishin nën këtë nivel minimal.
Viti 2015. Testi PISA mbahet për herë të gjashtë dhe në të marrin pjesë 72 vende, në mesin e të cilave edhe Kosova. Testi mbahet në tri disiplinat e zakonshme, ndërsa fokusi është tek shkencat e natyrës. Në Kosovë testit i shtrohet një mostër respektabile prej 5,161 nxënësve të moshës 15 vjeç nga 225 shkolla. Rezultati: i varfër. Lexim: vendin e fundit e ndajmë me Libanin; Matematikë dhe shkenca të natyrës: vendi i 70-të – prapa mbeten vetëm Algjeria dhe Republika Dominikane.

Temë në vete është përqindja enorme e nxënësve që nuk e kanë arritur nivelin minimal të aftësive për t’i shfrytëzuar njohuritë në jetë – në Lexim: 77% (mesatarja e OECD: 20%, Shqipëria: 51%, Maqedonia: 71%, Mali i Zi: 42%) ; në Matematikë: 78% (OECD: 23%, Shqipëria: 53%, Maqedonia: 70%, Mali i Zi: 52%); në Shkenca të natyrës: 68% (OECD: 21%, Shqipëria: 42%, Maqedonia: 63%, Mali i Zi: 51%). Brengë e veçantë është arritshmëria e ulët në lexim, pasi aftësia e leximit, të kuptuarit dhe interpretimi i drejtë i asaj që lexon janë themelet për arritje në çdo fushë të jetës. Në fakt, asnjë vend i Ballkanit, në 15 vjetët e testit PISA, nuk ka pasur rezultat kaq të dobët.
Për çudi, Kosova nuk ka asnjë nxënës me arritje të lartë (nivelet 5 dhe 6), për dallim nga vendet e OECD ku 8% të nxënësve janë me arritje të lartë në lexim; 11% në matematikë dhe 8% në shkenca të natyrës. Edhe vendet fqinje janë më të suksesshme në këtë aspekt – kështu Shqipëria ka 1% të nxënësve që kanë arritur nivelin 5 ose 6 në lexim; Maqedonia – 0.2%; Mali i Zi – 1.4%. Sa për sqarim, Serbia nuk mori pjesë fare në testin e vitit 2015, përndryshe rezultatet e saj në testet e viteve të kaluara kanë qenë më të mira se të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Në përgjithësi, nxënësit kosovarë ngecin shumë pas mesatares së OECD. Në fushën e leximit kjo ngecje është 146 pikë, në matematikë – 128 pikë, ndërsa në shkenca të natyrës – 115 pikë, ku 40 pikë janë të barasvlershme me një vit shkollimi. Pra, nxënësi ynë i klasës së nëntë mund të krahasohet, përkah aftësia për t’i zbatuar njohuritë në jetë, me një nxënës të klasës së gjashtë të vendeve anëtare të OECD.
Ngecja në raport me Shqipërinë dhe Malin e Zi është 1-2 vite shkollimi (33-80 pikë), varësisht nga disiplina ku bëhet vlerësimi.
PISA-tronditja
“Arsimi juaj sot është ekonomia juaj nesër” thotë Andreas Schleicher, njeriu që është më meritori për testin PISA. Meqë këtë botëkuptim e ndan pjesa më e madhe e opinionit publik në vendet e industrializuara, rezultatet e testit të vitit 2000 shkaktuan “PISA-tronditjen” në këto vende. Në rastin e Gjermanisë, rezultatet e testit PISA thyen mitin për cilësinë e shkollës gjermane, prandaj pasuan masa për përmirësim që rezultuan me sukses më të mirë në testet e mëvonshme të PISA.
Megjithatë, një reagim i tillë nuk ndodhi në Maqedoni dhe në Shqipëri, përkundër rezultateve zhgënjyese, pasi klasat politike të atyre vendeve, duke shfrytëzuar preokupimin e qytetarëve me probleme të tjera, ia dolën t’ia shesin opinionit demagogjinë se “pyetjet e testit kanë qenë jashtë planprogrameve shkollore”.
Reagimi ishte që Shqipëria abstenoi nga testi PISA deri në vitin 2009, ndërsa Maqedonia deri në vitin 2015. Progresi i Shqipërisë tanimë është i dukshëm – përderisa 71% e nxënësve nuk treguan nivelin minimal të aftësive të leximit në vitin 2000, testi i vitit 2015 tregon se kjo kategori ka rënë në 51%. Ndërkaq, Maqedonia shënoi regres në raport me vitin 2000 – derisa atëherë 63% të nxënësve ‘dështuan” në lexim, në vitin 2015 në këtë kategori bëjnë pjesë 71% e nxënësve.
Pyetja është: “A na duhet PISA-tronditja në Kosovë?” apo më me rëndësi janë temat ditore. A do ta zë vendin e “PISA-tronditjes” ndonjë formë e “PISA-vetmashtrimit” e shoqëruar me dhjetëra e qindra arsyetime se jemi “vend i dalë nga lufta”, se “kushtet e punës” janë të vështira, se “nuk kemi buxhet të mjaftueshëm” e të tjera?
Sa për “vend i dalë nga lufta”, të rikujtojmë se Gjermania, 15-vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore filloi me “importimin” e punëtorëve nga vendet tjera. Anketa që shoqëron testin PISA tregoi se nxënësit që vijnë nga shkollat me kushte më të mira të punës nuk kanë treguar rezultate më të larta se nxënësit që vinë nga shkollat ku kushtet e punës nuk janë aq të mira. Është interesante që rezultate më të mira kanë treguar fëmijët që vijojnë mësimin në klasa me numër më të madh të nxënësve sesa ata që vijojnë mësimin në klasa me numër të vogël të nxënësve. Pra, nuk qenka problemi tek lufta, as te kushtet e punës, e as te ngarkesa e klasave me nxënës. Edhe ashtu, Kosova ka, mesatarisht, 21 nxënës për një klasë që është më mirë se shumë vende të Bashkimit Evropian.
Prandaj, PISA-tronditja është e shëndetshme për këtë shoqëri, sepse çon në reflektim. Pse ne duhet të jemi gjithnjë të fundit në Evropë? Si erdhëm deri në këtë derexhe? Çfarë kemi bërë e çfarë nuk kemi bërë?
PISA-këndellja
Kësaj shoqërie i duhet një debat serioz për arsimimin e gjeneratave të reja. Në vendet e OECD, konsiderohet se shumica e atyre që nuk i arrijnë kriteret minimale të vlerësimit në PISA nuk e vazhdojnë shkollimin e mesëm, ndërsa realiteti ynë është se shumica e këtyre të rinjve, jo vetëm që vazhdojnë studimet e larta, por, duke përfituar nga degradimi total i arsimit të lartë, pa shumë mund, marrin grada akademike. Ndërkaq, duke shfrytëzuar degradimin e shoqërisë, një pjesë e tyre zënë edhe poste me përgjegjësi. Tanimë kemi raste të tilla në realitetin tonë, kur analfabetët funksionalë që nuk janë në gjendje t’i shkruajnë dy fjali kuptimplote, janë bërë profesorë universiteti ose mbajnë pozita udhëheqëse, duke ricikluar, në vazhdimësi, injorancën e vet.
Pra, e para që duhet ta kemi parasysh është se një numër i konsiderueshëm i studentëve aktualë dhe të ardhshëm kanë nevojë për t’i plotësuar boshllëqet nga shkollimi paraprak. Kjo duhet të reflektohet në përmbajtjen e programeve të arsimit të lartë, si dhe në vendosjen e kritereve të vlerësimit dhe për kritereve për pranimin e stafit akademik. Në fakt, arsimit të lartë i duhet një reformim rrënjësor që do ta çlironte nga injoranca që e ka kapur, pasi aty “prodhohen” njerëz që duhet të jenë bartës të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Aspekti i dytë ka të bëj me sigurimin e cilësisë. Suksesi i fëmijës në shkollë është kombinim i shumë faktorëve, ku bëjnë pjesë: cilësia e mësimdhënies, cilësia e programeve dhe e teksteve mësimore, kushtet e punës, bashkëpunimi me familjen, llogaridhënia, madje edhe mentaliteti. Në këto 17 vjet, Kosova ka arritur të zhdukë çdo formë të llogaridhënies në shkolla. Nuk ka asnjë rast që ndonjë drejtor ose mësimdhënës jep përgjegjësi për performancën e ulët të shkollës ose të nxënësve, e të mos flasim për nivelin politik.
Në këtë kontekst, Strategjia për sigurimin e cilësisë, e aprovuar nga Qeveria në vitin 2015, duhet të zbatohet në tërësi. Kjo strategji parasheh që shkolla të jetë përgjegjëse për të bërë sigurimin e brendshëm të cilësisë, duke krijuar ekipe funksionale të mësimdhënësve që do të punojnë bashkë në shtjellimin e programit mësimor, si dhe do të organizojë monitorim të brendshëm të punës në klasë.
Komuna, si pronare e shkollave, duhet të ofrojë mbështetjen e duhur profesionale për këtë proces, ndërsa Ministria e Arsimit të ushtrojë kontroll periodik, përmes vlerësimit të jashtëm, i cili do të jetë bazë për llogaridhënie. Po ashtu, shteti e ka për detyrë të sigurojë besueshmërinë e testeve kombëtare, në mënyrë që asnjë prind të mos shpresojë se fëmija i tij do ta kalojë testin duke kopjuar, pavarësisht punës që bëhet në shkollë. Kjo e shton presionin e prindërve mbi shkollën dhe nxit përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
Një vëmendje të veçantë duhet kushtuar përgatitjes së mësimdhënësve dhe performancës së tyre. Përvoja ka treguar se rritja lineare e pagave, për qëllime elektorale, nuk ka ndikuar aspak në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies. Prandaj, duhet të funksionalizohet urgjentisht sistemi për licencimin e mësimdhënësve, i cili bën të mundur që njerëzit të shpërblehen në bazë të punës që bëjnë, duke u liruar nga ata që nuk përmbushin standardet minimale të performancës.
Gjithsesi, rezultatet e testit duhet të analizohen me shumë kujdes që të identifikohen edhe aspekte të tjera ku përmirësimi është i nevojshëm, për shembull: nxitja e shfrytëzimit të teknologjisë së informacionit në shkolla, përmirësimi i teksteve shkollore, e kështu me radhë.
Në fund

të fundit, përmirësimi i sistemit të arsimit kërkon angazhim dhe sakrificë. Mbase duhet sakrifikuar ndonjë autostradë të re për të siguruar kompjuterë dhe internet për shkolla? Mbase duhet marrë vendime jo fort popullore për largim nga puna të atyre që nuk janë në nivel të detyrës, për mbylljen e klasave në zonat e largëta rurale dhe transportimin e nxënësve në shkolla ku numri i tyre është optimal? Mbase duhet rishikuar rrjetin e institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, shumë prej të cilave janë hapur në kohë të fushatës zgjedhore? Pra, duhen të merren hapa të guximshëm, duke filluar nga debati i hapur për problemet, deri tek marrja e masave jo të lehta për përmirësimin e sistemit të arsimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit