Jam e mbuluar … dhe po, ia dola vërtet!
Në valën e materialeve që po qarkullojnë së fundmi e që kanë në qendër të tyre racizmin ndaj muslimanëve në Perëndim – sidomos atë ndaj grave të mbuluara, – ndjeva nevojën të shkruaj përvojën time personale si një femër e mbuluar dhe e punësuar në Britaninë e Madhe.
Erdha në Londër në vitin 2007, pasi u diplomova si Dietologe në Liban, e më vonë mbarova shkëlqyeshëm masterin në Mbretërinë e Bashkuar.
Si çdo e sapodiplomuar, nisa të kërkoja për mundësi punësimi, në mënyrë që të integrohesha plotësisht në shoqërinë britanike dhe të përmbushja ambiciet e mia të karrierës. Isha e vendosur për të qenë shembulli i gruas së mbuluar, të fortë e të pavarur, pavarësisht mentalitetit që ekzistonte rreth shamisë në shoqëritë perëndimore.
Punën time të parë e fitova te “Harrods”, në dyqanin luksoz me famë botërore. U pranova menjëherë në punë nga një kompani që njihet më së shumti për rëndësinë e madhe që i jep pamjes së jashtme të kandidatëve, si një element tepër thelbësor për pranimin e tyre.
Isha e vetmja femër me shami që punoja për “Harrods” dhe ky ishte një avantazh i madh për mua. Shumë kolegë dhe klientë më afroheshin, më thonin fjalë të mira për shaminë dhe më pyesnin për origjinën time. Si një njeri shumë social që isha, unë ndihesha tepër e lumtur! Fjalët që më pati thënë menaxherja ime teksa po i paraqisja dorëheqjen, i kam ende të freskëta edhe sot: “Më vjen shumë keq që po ikën! Është kënaqësi për ne të të kemi pjesë të stafit dhe të imazhit të Harrods!”
Po, po, bëhet fjalë pikërisht për atë dyqan që krenohet me luksin dhe që pranon në stafin e tij vetëm “më të mirët e më të mirëve”.
Pas punës në “Harrods”, më pranuan në kompaninë “Nestle UK”, ku punova në sektorin e kontrollit të cilësisë dhe të blerjes së kafesë së papërpunuar për produktet e “Nestle” në të gjithë botën.
Isha e vetmja femër me mbulesë në zyrat e asaj kompanie. Ndërkohë që për disa mund të jetë e sikletshme të qarkullosh në një ambjent të tillë me shami, për mua nuk ishte aspak problem një gjë e tillë! Isha e sjellshme dhe e përzemërt me kolegët dhe madje disa prej tyre i bëra edhe shoqe jashtë punës.
Në fakt, mënyra se si vishesha, e theu në njëfarë mënyre atë lloj stereotipi që ishte rrënjosur tek ata nëpërmjet medias. Madje kisha një kolege e cila më vinte çdo ditë në zyrë për të parë se si isha veshur dhe çfarë shamie kisha vënë, duke më përgëzuar në mënyrë të vazhdueshme.
Vënia e shamisë nuk ishte kurrsesi pengesë për mua, jo vetëm në ambjentin e punës, por as edhe në rrethet shoqërore, të tilla si: mbledhjet, konferencat apo seminaret shkencore.
Më kujtohet një koment thumbues nga njëra prej mikeshave të mia të pambuluara, e cila më pati thënë: “Kur të shkosh në Londër me shami në kokë, do të të kontrollojnë më shumë se të tjerët dhe do të të trajtojnë ndryshe”. “Nuk më shqetëson aspak kjo gjë, – i pata thënë, – sepse unë e di se kush jam. Mund të kontrollojnë sa të duan. Unë s’kam asgjë për të fshehur”.
Dhe më vjen të qesh tani, por në një rast ishim duke ecur me këtë shoqen krah për krah në Heathrow. Kësaj dhe shumë të tjerëve iu kërkua që të bënin mënjanë për t’i kontrolluar, përveç meje. Isha e vetmja me shami që po qëndronte në radhë.
Ajo që dua t’ju them me këtë përvojë timen, është që të jeni përherë krenare me shaminë tuaj. Të keni besim në vetvete, ta mbani kokën lart dhe të keni qëllime të larta. Jini të sjellshme dhe të përzemërta! Hidhini poshtë stereotipet e krijuara për ne dhe bëhuni shembull i mirë!
Kur ju të silleni me dinjitet, edhe njerëzit do t’ju trajtojnë në mënyrën e duhur. Madje edhe racistët ndonjëherë mund t’i ndryshojnë pikëpamjet kur ndaj tyre sillemi me përzemërsi.
Në disa vende mund të bëhet vërtet një betejë e fortë mediatike kundër grave të mbuluara, por nga ana tjetër shamia po njihet e pranohet gjithnjë e më shumë anëembanë botës.
Mos harroni asnjëherë se Zoti i jep lavdi atij që Ai do dhe se ajo lavdi mund të vijë edhe nëpërmjet shamisë!
Hajfa, Britani e Madhe