0.1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Namazi dhe dobitë e tij në aspektin shëndetësor

Më të lexuarat

Ai që fal namazet, do të fisnikërohet nga Allahu me pesë cilësi: Do t’ i lehtësohen brengat e jetës, do të shpëtojë nga dënimi i varrit, Allahu do t’ia japë librin në dorën e djathtë, do ta kalojë urën e Siratit sikurse vetëtima, dhe do të hyjë në xhenet pa kurrfarë llogarie.

Namazi është qetësuesi i zemrave. Është akti që qetëson dhe freskon shpirtin, trupin dhe mendjen. Gjithashtu, namazi është vepër që na shpëton nga çdo e keqe, në këtë dhe botën tjetër. Përveç shpëtimit në kontekstin shpirtëror-fetar, namazi na ruan edhe shëndetin tonë nga shumë dëme, e që do të mund të kishin pasoja të mëdha. Kjo nuk do të thotë se ata që nuk e praktikojnë namazin janë më shëndetligë sesa ata që e praktikojnë, sepse gjithmonë varet nga imuniteti i personit dhe gjendja e tij shëndetësore. Por, nëse kemi dy persona me shëndet të njëjtë, imunitet të njëjtë, që ushqehen me ushqim të njëjtë, kanë kushte të njëjta të jetës dhe punës, pa dyshim se ai që fal namazin do të ketë dallim në aspekt pozitiv nga ai që s’ e fal atë.
Kështu, disa nga cilësitë e personave që falin namazin janë: drita në fytyrë, forca në zemër dhe gjallëria në gjymtyrë, furnizimi i vazhdueshëm, shkatërrimi i zullumit, largimi i imoralitetit dhe të këqijave, mposhtja e epshit, zbritja e mëshirës, mbrojtja e dhuntive, largimi i dënimit, heqja e brengave dhe mërzive.
Është thënë nga shumë dijetarë islamë se namazi e afron njeriun më afër Zotit. Nëpërmjet tij arrihet bamirësia në të mirë dhe devotshmëri, përhapet dashuria mes njerëzve, hapen dyert e të mirave dhe ndërpriten e pakësohen të këqijat dhe të metat. Është shkak që i lehtëson vështirësitë, i duron ngarkesat, shlyen mëkatet. Është shkak për moral të mirë, për fytyrë të buzëqeshur, për shpirtmirësi dhe lartësi të shpirtit. Namazi është ndihmë shpirtërore që nuk ndërpritet, është ushqim dhe ujitje e mirë e pemës së besimit.
Namazi është ndriçim për njeriun në këtë botë dhe botën tjetër. Engjëjt luten për falësin e namazit sa të qëndrojë në vendin ku është falur.
Pejgamberi a.s. thotë: “Engjëjt luten për falësin e namazit sa të qëndrojë ai në vendin ku është falur, duke thënë: “O Allah, mëshiroje atë, o Allah falja mëkatet, o Allah pranoja pendimin, dhe kështu luten derisa të ngrihet apo të flasë.” (Buhariu dhe Muslimi). (1)

Dobitë e namazit në aspektin shëndetësor

Lëvizjet që bëhen në namaz, ngaqë janë të ngadalshme, nuk e lodhin zemrën dhe, për shkak se zhvillohen në kohë të ndryshme të ditës, ndihmojnë vazhdimisht për të ruajtur vitalitetin e njeriut. Në trurin e atij që gjatë ditës e vë kokën tetëdhjetë herë në tokë, dhe në mënyrë ritmike, shkon më tepër gjak. Për këtë arsye qelizat e trurit ushqehen mirë. Tek ata që falin namaz, shumë pak njerëz shihen me memorie dhe personalitet të prishur. Namazfalësit kalojnë një jetë më të mirë shëndetësore sesa namazlënësit. Për shkak se ulen dhe ngrihen në mënyrë të drejtë, sytë e atyre që falin namaz posedojnë qarkullim më të fuqishëm të gjakut. Tek ata nuk rritet tensioni në sy, dhe sigurohet këmbim i vazhdueshëm i lëngut nga këndi i syrit, prandaj edhe syri është i mbrojtur nga sëmundja e kolorit. Lëvizjet izometrike në namaz, ndihmojnë përzierjen e mirë të ushqimeve në stomak, tajitjen e lehtë të vrerit, dhe po për këtë arsye edhe mos grumbullimin e vrerit në qese. Këto lëvizje po ashtu kanë rol të madh edhe në lirimin nga kapsllëku. Lëvizjet i tundin mirë kanalet e veshkave e të urinës, gjë që mundëson të pengohet formimi i gurit në veshkë, dhe ndihmohet edhe zbrazja me lehtësi e fshikëzës së urinës. Lëvizjet ritmike në pesë kohët e namazit, duke i vënë në lëvizje muskujt dhe nyjat që në jetën e përditshme nuk vihen në lëvizje, evitojnë sëmundjet si: artezorën e nyjave dhe shtangimin e muskujve.
Këto qenë vetëm disa nga dobitë e namazit në aspektin shëndetësor. Mirëpo, assesi nuk duhet harruar se namazi fillon me elementin themelor të shëndetit të mirë, pastërtinë. Pra, abdesi dhe gusli janë edhe pastrim trupor, edhe pastrim shpirtëror, ndërsa së bashku dobi e madhe shëndetësore. Ai që e kryen detyrën e vet të ibadetit, bëhet i pastruar edhe shpirtërisht, por edhe fizikisht, dhe fiton edhe në aspektin shëndetësor. Në mjekësinë preventive kanë shumë rëndësi lëvizjet trupore të bëra në kohë të caktuara. Ndërsa, sot mjekësia alternative dhe parapsikologjia dhe pozitivizmi këshillojnë që të praktikohen sa më shumë rituale dhe veprime që largojnë mendjen nga problemi aktual shëndetësor, sepse me largimin e vëmendjes edhe qelizat e sëmura vdesin. Nëse kjo qëndron, namazi është rituali që më së shumti kërkon vëmendje dhe koncentrim.
Gjithashtu, kohët e namazit janë kohë të përshtatshme për freskimin e qarkullimit të gjakut dhe për gjallërimin e frymëmarrjes, si dhe është element shumë i rëndësishëm që e rregullon edhe gjumin.(2)

Për gruan shtatzënë

Shumë studime kanë dëshmuar se bërja e disa ushtrimeve të veçanta për gratë shtatzëna lehtëson procesin e lindjes, prandaj gjinekologët i këshillojnë shtatzënat që vazhdimisht t’i bëjnë këto ushtrime. Këto studime dëshmojnë se komplikimet e shtatzënisë, numri i lindjeve me secio cezariane dhe grisja e indeve gjatë lindjes janë më të rralla tek ato gra që i bëjnë këto ushtrime, në krahasim me ato gra që nuk bëjnë ushtrimet. Këto ushtrime, lëvizje dhe pozita, të rekomanduara nga studiuesit dhe ekspertët jomyslimanë, çuditërisht i ngjajnë tërësisht lëvizjeve dhe pozitave të namazit. Ushtrimet që rekomandohen gjatë shtatzënisë janë: ushtrimi i lakimit të kurrizit nga para – ky ushtrim i ngjan rukusë në namaz; ushtrimi i uljes galiç dhe ngritjes në këmbë – që i ngjan ngritjes dhe uljes në namaz; ushtrimi që quhet vendosja e gjoksit në gjunjë (Knee – Chest – Position) – që i ngjan sexhdes në namaz; ushtrimi i uljes dhe pushimit – që i ngjan uljes në namaz. Sa mirë do të ishte sikur punëtorët shëndetësorë do ta bënin terapi faljen e namazit, duke i parë dobitë që ka, si në aspekt shëndetësor ashtu edhe në aspekt shpirtëror e fetar.
Gjithashtu, namazi te shtatzënat ndihmon në qarkullimin e gjakut në zemër, arteriet venat dhe trurin, ndikon në dërgimin e ushqimit te embrioni dhe me rregull, nëpërmjet gjakut, dhe ndihmon zhvillimin e nurshëm të embrionit, ruan elasticitetin e nyjave të legenit, dhe ka ndikim të madh edhe në drejtpeshimin te shtatzënat.
Falja e namazit ka dobi edhe pas lindjes. Namazi i jep forcë muskujve të legenit, muskujve të barkut, dhe muskujve të gjoksit. Me këtë rast nyjat e legenit dhe ato të gishtërinjve bëhen me elastike dhe më të gatshme për lëvizje, gjë që ia mundësojnë gruas t’i kthehet eleganca, bukuria dhe fuqia e saj.(3) Përndryshe, edhe një model tjetër i ushtrimeve te shtatzënat dhe më pas edhe te lehonat, i njohur si “Ushtrimet e Kegelit”(4) jep efektet ne organizëm njësoj si efektet që jep edhe forma e namazit. Gjithsesi, duhet shtuar edhe elementin tjetër se, te lehonat ushtrimet për rikthimin e formës së trupit duhet të fillojnë më vonë, diku pas 5 javësh. Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me faktin se në Islam lehonat 40 ditë nuk falin namazin, pra derisa të pastrohen. Pra, efekti i namazit dhe ushtrimeve në shëndet gjithmonë vjen pas elementit të pastërtisë, përkatësisht pastrimit
Gjithashtu ushtrimet përmirësojnë disponimin, duke i shtuar nivelet e kemikaleve në tru, që janë përgjegjës për t’i dhënë trupit ndjenjën e shëndetit të mirë, por edhe mbrojnë nga dhimbjet duke dhënë më tepër energji, pastaj ndihmojnë në shtimin e forcës fizike dhe qëndrueshmërisë, e që do ta bënin më të lehtë kujdesin për foshnjën, si dhe do të ndihmonin në zvogëlimin e depresionit pas lindjes.(5)

Mrekullitë shkencore mjekësore në namazin e natës

Ngritja për namaz natën vonë, kur nuk ju sheh njëri, padyshim se i jep qetësi dhe prehje zemrës. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ngritja natën, duke përkujtuar Allahun, marrja e abdesit, dhe qëndrimi për namaz, njeriun e bën aktiv dhe të gëzuar.”(6)
Në një libër të shkruar në gjuhën angleze, nga një grup shkrimtarë sh, të titulluar “Diagnoza shtëpiake e praktikuar dhe e dobishme, dhe fshehtësia e shërimit nga mjekësia popullore”, ndër të tjera thuhet se: ngritja nga shtrati gjatë natës, bërja e disa lëvizjeve të vogla brenda shtëpisë, bërja e disa lëvizjeve të thjeshta gjimnastikore, larja me ujë e disa pjesëve kryesore të trupit, dhe marrja frymë thellë, ka dobi të mëdha shëndetësore.
E ai që i mendon mirë këto këshilla, sheh se këto përshkruajnë në tërësi lëvizjet e besimtarit kur zgjohet për të falur namaz, duke filluar nga abdesti, dhe më pas lëvizjet gjatë kryerjes së namazit të natës. Për të gjitha këto para XIV shekujsh ka treguar Muhamedi a.s., kur ka treguar mbi vlerat dhe dobitë shëndetësore të namazit të natës, kur ka thënë: “Falni namaz nate, se është traditë e të devotshmëve para jush, dhe afrim tek Allahu për ju, dhe ju ndalon nga mëkatet, jua shlyen mëkatet, si dhe largon sëmundjen nga trupi juaj!”
Mënyra se si namazi largon sëmundjen nga trupi, me lejen e Allahut, është vërtetuar si vijon: është vërtetuar se ngritja dhe falja gjatë natës ndikon në pakësimin e lirimit të hormonit kortizol, i cili ndikon në ndalimin e rritjes së sheqerit në gjak. Gjithashtu ndikon në ndalimin e rritjes së shtypjes së gjakut, si dhe ndalon koagulimin e gjakut në vena. Rezultati është ngadalësimi i qarkullimit të gjakut gjatë gjumit, si dhe trashja e tij për shkak të moshuazimit të lëngjeve apo për shkak të shëndetit të tepërt, si dhe e vështirëson frymëmarrje, pastaj pengon qarkullimin e gjakut në kokë, si dhe hollimin e tij. Namazi i natës është shërim për sëmundjen e pezmatimit apo ndezjes së nyjave ndërmjet eshtrave, që shkaktohet në nyja në ato vende ku lëvizin eshtrat për shkak të moslëvizjes së tyre për një kohë të gjatë, pra kur njeriu fle natën. Kjo shërohet me lëvizjet e namazit, dhe me marrjen e abdesit.
Namazi i natës ndalon sëmundjen e rritjes së tensionit nervor, pasi disa lëvizje të thjeshta gjatë namazit të natës ndikojnë në shërimin e kësaj sëmundjeje. Namazi i natës aktivizon funksionet e ndryshme të trurit: me lexim dhe përsëritje të Kuranit, me meditimin të ajeteve të tij, si dhe me përkujtim të duave të ndryshme nga Kurani e Suneti, që largojnë sëmundjen, si për shembull kjo: “O Zoti ynë, na fal e na mëshiro, na jep shëndet e jetë të gjatë! Na ndihmo që sa më shumë të të adhurojmë e të të falënderojmë! Na bëj që t’i trashëgojmë gjymtyrët tona, e që me to Ty të të adhurojmë, e mos bëj që ato të na trashëgojnë ne e të mos kemi dobi prej tyre!”(7)

Dobitë e namazit në aspektin psikologjik

Sot, njeriu më së shumti vuan nga mungesa shpirtërore. Për këtë arsye njeriu duhet të jetë përherë në namaz, sepse në këtë mënyrë vendos harmoninë në mes njeriut dhe tokës. Në të vërtetë njeriut të sotëm e të depersonalizuar namazi ia kthen integritetin që ia ka shkatërruar kultura moderne. Kur të ngushtohen rrugëdaljet dhe mërzia është vazhdimisht prezente. Namazi është më shumë se ndihmë. Muhamedi a.s., kur ishte në gjendje të shqetësuar, i thoshte myezinit të tij: “O Bilal, na jep qetësi me të!” – domethënë na i qetëso zemrat tona me namaz. Gjithashtu ai thoshte: “Paqja e qetësia ime gjendet në namaz.”(8) Është vërtetuar tashmë se njerëzit që besojnë janë më pak të shqetësuar, ndërsa s’ka dyshim se mërzia dhe shqetësimi largohet gjithmonë duke dërguar salavate Muhamedit a.s.
Namazi e përmbledh njeriun në bindje ndaj Allahut të Madhërishëm. Duke parë të këqijat e sotme që rrethojnë njeriun, shohim se jeta shpirtërore e njeriut është e vetmja shpresë dhe shpëtim. Pa dyshim se namazi e ndihmon njeriun të lirohet nga burgu i ekzistencës materiale, duke e kthyer në lashtësinë e tij dhe në njohjen shpirtërore të gjërave. Shpirti i namazliut e thërret njeriun në të mirën, prandaj namazi na ndihmon për të hyrë në një botë reale krejt tjetër, e cila përbëhet nga tri nivele: niveli i përkujtimit (në namaz, duke përmendur Allahun, ne përkujtojmë pozitën tonë reale në këtë botë); niveli i udhëheqjes së kohës (namazi kryhet në kohë të përcaktuar), dhe; aspekti shoqëror dhe ai individual që arrihen me namaz (me namaz arrijmë jo vetëm dobi individuale, sikur u theksua më sipër, por me namazin e përbashkët ne mësohemi me jetën shoqërore-socializohemi).
Për këtë arsye, të jesh namazli në ditët e sotme do të thotë të jesh i bindur në Zotin, të shfrytëzosh në mënyrë të drejtë kohën që është në dispozicion, të kontrollosh dashurinë ndaj pasurisë, t’i zhvillosh ndjenjat e dashurisë ndaj të tjerëve. Në këtë dritë na zbulohet edhe kuptimi i ajetit kuranor: “Ti lexo atë që po të shpallet nga libri (Kurani), fal namazin, vërtet namazi largon nga të shëmtuarat dhe të irrituarat, e përmendja e Allahut është më e madhja (e adhurimeve). Allahu e di ç’punoni ju.” (El Ankebut, 45).
Namaz është shprehja më e lartë e bindjes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit tonë. Namazi është miraxh i besimtarit, ngritje unikale shpirtërore e njeriut në këtë botë. Me namaz njeriu anon nga njohja e vetvetes, ndërsa pa namaz bie në greminat e kurtheve të dynjasë. Rrugë tjetër nuk ka – ngritje ose rënie. Është vështirë të paraqiten me dituri e me fjalë fshehtësitë e namazit. Përvoja e secilit namazli është e veçantë dhe vetëm e tij.(9)
Duke lexuar një studim të Qendrës Inxhinierike për Biomedicinës në Kaula Lampur, Malajzi, për efektet psikologjike dhe biologjike që sjell kryerja e ritualit fetare-namazit, nga ekspertizat dhe hulumtimet shkencore dalin në pah të vërteta interesante lidhur me dobitë që sjell adhurimi pesë herë në ditë i besimtarit. (Raporton “Neve Straits Times”).
Dobitë që theksohen në këtë studim përfshijnë aspektin trupor dhe relaksimin e forcimin e kujtesës, stabilizimin e zemrës dhe adoptimin me të lehtë në kohë dhe hapësirë etj. Pra, përveç mekanizmave të tjerë të shumtë të motivimit, njeriu besimtar mund të arrijë të forcojë dhe shtojë sasinë e motivit dhe elanit për punë, mësim dhe përballim të sfidave në jetë edhe përmes adhurimit të rregullt ditor-namazit. Këtë e dëshmon edhe ajeti kuranor “O ju qe keni besuar, kërkoni ndihmë me durim dhe namaz. Allahu është me durimtarët.”(10)

_____________________
(1) www.faljaenamazit.jimdo.com/abdesi-e-namazi/ namazi-dhe-frutet-e-tij. Qasja 09.06.2015, ora: 07:52.
(2) http://sq.wikibooks.org/wiki/Libri_i_namazit/Namazi_dhe_sh%C3%ABndeti.
(3) http://mjeksiaislame.com/ dobite-enamazit-per-gruan-shtatzene/. Qasja 23.10.2015,
(4) Du’aa Rauf Shahin, “Tani ti je nënë”, Fjala e Bukur, Prishtinë, 2013, f. 38.
(5) Po aty, f. 36.
(6) Mos u trishto, Aid el-Kami, Gostivar, 2006, f. 270.
(7) https:/ / sq-al.facebook.com/notes/ argumentet-shkencore-t%C3 %AB-kuranit-n %C3 % AB-psikologji/ mrekullit% C3 %AB-shkencore-mjek % C3 %ABsore-n % C3 % ABnamazin-e-nat%C3%ABs/201678763177722. Qasja 10.06.2015, ora: 10.15.
(8) Mos u trishto, Aid el-Kami, Gostivarë, 2006, f. 217.
(9) http://radiodeshmia.com/index.html?http%3A/ /radiodeshmia.com/ dobite-e-namazit-ne-aspektin-psikologjik .Qasja 09.06.2015,
(10) http://psikologjiaislame.webnode.com/news/ motivimi. Qasja 10.06.2015.

Msc.Ass. Teuta Borovci-Jaha /islamgjakova/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit