16.7 C
Pristina
Wednesday, May 1, 2024

I lumi ai, pastaj i lumi ai, pastaj i lumi ai…

Më të lexuarat

Hz. Enesi (r.a) tregon se, Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Ai që më sheh në ëndërr, vërtetë më ka parë, sepse shejtani nuk përngjasohet me mua!” – (Bukhariu dhe Muslimi)

Disa herë kam lexuar për njerëz që e kanë parë Resulull-llahun (a.s) në ëndrrat e tyre. Natyrshëm që një gjë e tillë është e mundur dhe, në të shumtën e rasteve shfaqja në ëndërr e njërit prej të dërguarve të All-llahut të Madhëruar, është sihariq i mirë për personin në fjalë.

Edhe në vendin tonë ka pasur njerëz që e kanë parë në ëndrrat e tyre, Ma të Dashtunin… Akoma ka dhe do të ketë…

Ka disa ditë që jetoj me emocionin e një vëllau të nderuar, i cili po më tregonte se e kishte parë në ëndërr, Ma të Mirin e ma të Shtrenjtin… Natyrshëm, detajet e bashkëbisedimit janë pjesë e privatësisë, por ajo që vazhdoj të mendoj në kidhje me këtë bashkëbisedim dhe, që dua ta ndaj me ju, është nevoja e madhe që ka muslimani shqiptar sot, ta ndjejë Resulull-llahun (a.s) në jetën e tij.

Është me vend, të tërheqim vëmendjen e të rinjve tanë, që ta vendosin veten e tyre në postin e Hz. Omerit (r.a), atë ditë kur, teksa e vështronte të Dërguarin e All-llahut (a.s), i thoshte: “Tani, o i dërguar i All-llahut, ti je më i dashur për mua edhe se vetja ime!”, ose sahabiun Ka’b ibni Uxhrete (r.a), kur Ma i Miri (a.s) e pyeti: “A më don ti mua, o Ka’b?”, ose shembullin e sa e sa sahabëve, që në bashkëbisedim me Zotërinë e bijve të Ademit (a.s), i drejtoheshin: “T’u bëfsha fli, me nanë e babë, ja Resulall-llah!”…

Me fjalë të tjera, a jemi të aftë sot, t’ia drejtojmë me zemër këto ndjenja të sinqerta Resulull-llahut (a.s) dhe, të rrugëtojmë drejt praktikimit të thelbit të traditave të tij dritësuese, për t’u dëshmuar MUSLIMANË në jetë?

Nuk do rri të citoj hadithe, tani, por do të lutem me zemër që ndjenjat e sinqerta të muslimanëve të rinj shqiptarë, karshi Resulull-llahut (a.s), të rriten deri në atë gradë, sa gjithësecili prej nesh të dëshmohet me veprat e tij, ndryshe nga ai takam njerëzish, të cilët, në ditën e gjykimit do të merren drejt ndëshkimeve, teksa Resulull-llahu (a.s) do thërrasë: “Ata janë prej meje (pra, pjesë e ymetit tim)!” e, një melek do i përgjigjet: “Ti nuk e di se çfarë kanë bërë pas teje!”, (pra, pas largimit tënd nga kjo botë)!

I lumi ai që e sheh në ëndrrat e tij Resulull-llahun (a.s)!

I lumi ai, pastaj i lumi ai, pastaj i lumi ai, i cili përpiqet me zemër e shpirt të pasojë gjurmën e Resulull-llahut (a.s) dhe shembullin e tij të përkryer në jetën e tij, për ta kthyer në shembull praktik në shoqërinë e tij shqiptare, a kudo qoftë në tokën e Zotit!

Imam Muhamed B. Sytari

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit