Gjatë vizitës në Londër, delegacioni parlamentar nga Kosova, i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, sot është takuar me kryetarët e të dy dhomave të Parlamentit Britanik dhe me dhjetëra deputetë dhe lordë.
Në tryezën, që bashkoi parlamentarët britanikë dhe delegacionin nga Kosova, është diskutuar hapur dhe miqësisht çështje të ndryshme me interes, siç janë marrëdhëniet e Kosovës me Mbretërinë e Bashkuar, me vendet e rajonit dhe në mënyrë të veçantë, me Serbinë.
U diskutua gjithashtu, edhe për zhvillimin ekonomik, për mundësitë e investimeve britanike në Kosovë etj.
Duke folur në këtë tryezë, kryetari Krasniqi kërkoi nga kolegët britanikë, të ndihmojnë në zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, të ndikojnë në procesin e integrimit evropian dhe në anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë. Ai kërkoi gjithashtu prej tyre, që të inkurajojnë bizneset britanike që të investojnë në Kosovë, duke shpjeguar edhe lehtësitë që ka krijuar Kosova për investime.
Lidhur me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kryetari Krasniqi rikonfirmoi gatishmërinë e Prishtinës për dialog.
Krasniqi kërkoi që të ushtrohet ndikim unik i bashkësisë evropiane ndaj Beogradit, për të hequr nga Kosova strukturat e tij, administrative dhe të sigurisë, për të pushuar destruksionin që kaq vite kanë vazhduar t’iu bëjnë institucioneve të Kosovës dhe për t’i lënë qytetarët serbë të lirë, që të marrin në duar fatin e tyre, thuhet në njoftimin nga zyra për Informim e Kuvendit të Kosovës.
Në radhët e anëtarëve të parlamentit Britanik, nga të dyja dhomat, u shqua një interesim i jashtëzakonshëm për Kosovën dhe një miqësi e theksuar.
Delegacioni i Kosovës vizitoi Kuvendin e Londrës, ku u njoftua për organizmin, funksionimin dhe rolin e tij. Delegacioni u prit nga kryetarja e Kuvendit të Londrës, Jennette Armold.kohaislame