3.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Metodat e profetit për trajtimin e gabimeve të njerëzve

Më të lexuarat

Parathënie

Lavdërimet janë për Allahut, Zotin e Botëve, Zotëruesin e ditës së gjykimit, I pari pafillim e I fundit pa mbarim, Krijuesi i qiellit dhe i tokës. Paqja dhe bekimet qofshin mbi profetin e Tij të besueshëm, mësuesin e njerëzimit, që u dërgua si mëshirë për botërat.

Përhapja e dijes tek të tjerët është një nga veprat më të mira, përfitimet e së cilës përcillen tek të tjerët. Ajo është pjesë e thirrëave në Islam dhe  e mësuesve që përcjellin nga trashëgimia e profetëve dhe të dërguarve.

 

“Allahu, engjëjt, madje dhe milingona në folenë e saj dhe balena në det,

do të luten për atë që u mëson njerëzve rrugën drejt të mirës”. (Hadith transmetuar nga Tirmidhiu)

 

Faktikisht ekzistojnë lloje dhe mënyra të ndryshme të mësimdhënies, me metoda dhe mjete të ndryshme, njëra prej të cilave është korrigjimi i gabimeve. Korrigjimi i gabimeve është pjesë e arsimit; ato janë si binjakë të pandashëm.

Marrja me korrigjimin e gabimeve (nasihat) është gjithashtu një pjesë e sinqeritetit në fe, është një detyrim moral për të gjithë muslimanët. Lidhja mes kësaj dhe konceptit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, që është gjithashtu një detyrim moral, është krejt i dukshëm (por duhet të theksojmë se fusha e gabimeve është më e madhe se fusha e së keqes (munker), prandaj një gabim mund të jetë ose jo, një vepër e keqe.

Korrigjimi i gabimeve përbën gjithashtu një pjesë të shpalljes dhe metodologjisë së Kuranit. Kurani përmban urdhëra dhe ndalime, lejime dhe dënime dhe korrigjime të gabimeve – edhe ato që janë bërë nga ana e profetit. Pra, ai përfshin vërejtje dhe nxjerrje në pah të gabimeve për shembull:

 “Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. Ngase atij i erdhi i verbëri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi! E ai që nuk ndjen nevojë për (Zotin) pse ka pasuri, Ti atij i vë veshin (i drejtohesh)! Po ti nuk ke përgjegjësi pse ai nuk pastrohet. Ndërsa ai që nxiton dhe vjen tek ti, dhe meqë ai frikësohet, e ti nuk zë asgjë (dhe nuk ia vë veshin fjalës së tij)”. (Kuran 80: 1-10)

 

 “(Përkujto) Kur i the atij që Allahu i kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: “Mbaje bashkëshorten tënde dhe ki frikë nga Allahu!”, e ti e mbaje të fshehtë në veten tënde atë që Allahu do ta zbulojë dhe u frikësohesh njerëzve, por me të drejtë është që t’i frikësohesh Allahut”. (Kuran 33: 37)

 “Ty nuk të takon asgjë rreth çështjes se a do t’ua pranojë Ai pendimin, apo do t’i dënojë ata, në të vërtetë ata janë zullumqarë(të padrejtë). (Kuran 3: 128)                     

 

Kurani është shpallur gjithashtu në disa raste, për të korrigjuar gabimet e disa sahabëve (shokët e profetit). Kur Hatib ibn Ebu Belte’ah (Allahu qoftë i kënaqur me të) u shkroi jobesimtarëve të fisit kurejsh, për t’i informuar ata për drejtimin në të cilin ishte nisur profeti për një ekspeditë ushtarake kundër tyre, Allahu shpalli:

 “O ju që besuat, nëse keni dalë (prej vendlindjes) për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time, mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve. Ata e dëbojnë të dërguarin dhe ju, sepse i besoni Allahut, Zotit tuaj, e ju fshehurazi u ofroni miqësi, po Unë më së miri e di atë që keni fshehur dhe atë që e keni publikuar. Ai që punon kështu nga pala juaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë”. (Kuran 60: 1)

Në lidhje me gabimin që bënë harkëtarët në betejën e Uhudit, të cilët u larguan nga pozicioni, ku profeti i kishte urdhëruar të qëndronin, Allahu shpalli këtë ajet:

 

“…deri kur u dobësuat dhe u përçatë ndërmjet vete, në çështjen e vendit (që u pat caktuar Muhamedi) dhe pasi vërejtët atë që dëshironit (prenë e luftës), e atëherë kundërshtuat (urdhërin e pejgamberit). Pati prej jush që e dëshën këtë jetë (ata që u ngutën pas presë) e pati prej jush që e deshën botën tjetër”. (Kuran 3: 152)

Kur profeti u largua nga gratë e tij me qëllim disiplinimin e tyre, disa njerëz përhapën zëra se ai ishte ndarë nga ato, Allahu shpalli:

 “Madje kur u vjen atyre (munafikëve) ndonjë lajm qetësues (kur fitojnë muslimanët) ose shqetësues (kur dështojnë), ata e përhapin atë, e sikur t’ia linin atë (përhapjen e lajmit) pejgamberit dhe përgjegjësve të tyre, ata do të dinin të nxjerrin përfundime (se si do të duhej shpallur)”. (Kuran 4: 83)

Kur disa muslimanë nuk arritën të shpërngulen nga Meka në Medinë pa ndonjë justifikim të arsyeshëm, Allahu shpalli:

 “Engjëjt që morën shpirtin e atyre që ishin mizorë të vetvetes thanë: “Në ç’ka ishit ju? – Ata thanë: “Ne ishim të paaftë në atë tokë!” (engjëjt) Ju thanë: “A nuk ishte e gjerë toka e Allahut e të migronit në të?” (e të praktikonit lirisht fenë e Zotit)”. (Kuran 4: 97)

Kur disa nga sahabët besuan dhe u treguan të tjerëve shpifjet e munafikëve (hipokritëve) që akuzonin Aishen (Allahu qoftë i kënaqur me të), për diçka që ajo nuk e kishte bërë, Allahu shpalli disa ajete në lidhje me këtë gënjeshtër si:

 “E sikur të mos ishte mëshira e Allahut dhe mirësia e Tij ndaj jush, në këtë dhe në botën tjetër, ju do t’ju kapte dënim shumë i madh për shkak të asaj në të cilën u hudhët. Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishit kurrfarë dije flisnit duke menduar se ajo ishte imtësi e parëndësishme, ndërsa te Allahu ajo është shumë e madhe”.(Kuran 24: 14-15)

 Pastaj Allahu tha:

 “E përse, kur e dëgjuat atë, nuk thatë: “Ne nuk na takon të flasim për këtë. I Lartë je Ti, kjo është shpifje e madhe!”. Allahu ju këshillon që një gjë e tillë të mos përsëritet kurrë, nëse jeni besimtarë të denjë”. (Kuran 24: 16-17)

Kur disa nga sahabët po debatonin në praninë e profetit dhe ngritën zërat e tyre, Allahu, i Plotfuqishmi, Madhështori, shpalli:

 “O besimtarë, mos bëni asgjë (para se të orientoheni me udhëzimet e) Zotit dhe të dërguarit të Tij, keni droje Allahun, se me të vërtetë Allahu i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. O ju që keni besuar, mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e pejgamberit dhe mos iu ngërmoni atij si i ngërmoheni njëri-tjetrit, e të zhduken veprat tuaja duke mos e ndjerë”. (Kuran 49: 1-2)

Kur erdhi karvani në kohën e hutbes të së premtes dhe disa nga njerëzit e pranishëm u larguan nga hutbeja dhe u shpërndanë për t’u marrë me tregti, Allahu shpalli:

 “Po, ata kur shohin ndonjë tregti ose ndonjë dëfrim mësyhen atje, kurse ty të lënë në këmbë. Thuaju: “Ajo që është tek Allahu është më e mirë se dëfrimi dhe tregtia, e Allahu është furnizuesi më i mirë!”.

Shumë shembuj të tjerë tregojnë gjithashtu rëndësinë e korrigjimit të gabimeve dhe jo të heshtjes para tyre.

Profeti u udhëzua nga Drita e Zotit të Tij që të ndjekë parimin e dënimit të së keqes dhe korrigjimit të gabimeve pa kompromis.  Nga kjo që përmendëm  dhe tregues të tjerë, dijetarët, Allahu i mëshiroftë, arritën në parimin: “Nuk lejohet që profeti të vonojë të shprehë mendimin e tij dhe duhet të korrigjojë gabimet në kohën e duhur”.

Kuptimi i metodave të profetit në trajtimin e gabimeve të njerëzve me të cilët ai u takua, ka një rëndësi të madhe, sepse profeti ishte i udhëzuar nga Zoti i Tij, dhe fjalët dhe veprat e tij mbështeteshin nga shpallja dhe vërtetoheshin dhe korrigjoheshin ashtu si duhej. Metodat e tij kanë urtësi dhe janë të frytshme dhe përdorimi i tyre është mënyra më e mirë për t’i bërë njerëzit të reagojnë në mënyrë pozitive. Nëse ai që është në pozitën e drejtimit dhe mësimit të të tjerëve, i përvetëson këto metoda dhe këtë trajtim, përpjekjet e tij do të jenë të suksesshme. Ndjekja e metodave të profetit përfshin gjithashtu ndjekjen e shembullit të tij, sepse ai është shembulli më i mirë për ne dhe kjo do të na çojë drejt një shpërblimi të madh nga Allahu, nëse qëllimi i gjithsecilit është i sinqertë.

Njohja e metodave të profetit tregon dështimin e metodave të shpikura nga njerëzit – që ndiqen kudo në tokë – dhe u vërteton ndjekësve të këtyre metodologjive se ata janë një dështim. Pjesa më e madhe e tyre është e qartë që janë një devijim i bazuar në teoritë e korruptuara, si për shembull në lirinë absolute, ose rrjedhin nga trashëgimi të rreme, ose janë një imitim i verbër i prindërve apo i paraardhësve.

Duhet të theksojmë se zbatimi praktik i kësaj metodologjie në jetën e përditshme mbështetet shumë në ixhtihad (studimi i situatës dhe përpjekja për të vendosur metodën më të mirë). Kjo përfshin zgjedhjen e metodave më të mira në një situatë të caktuar. Kushdo që e kupton natyrën njerëzore do të jetë i aftë të dallojë ngjashmëritë mes situatave të jetës reale dhe situatave të përshkruara tek tekstet, kështu ai do të jetë i aftë të zgjedhë metodën më të përshtatshme nga metodat e profetit.

Ky libër është një përpjekje për të studiuar metodat e profetit në trajtimin e gabimeve të bëra nga njerëz të niveleve të ndryshme dhe me të kaluara të ndryshme, nga ata njerëz që jetuan me të dhe me të cilët ai bashkëveproi. I kërkoj Allahut ta bëjë këtë libër të suksesshëm dhe pa gabime, që vëllezërit, motrat e mia muslimane dhe unë të përfitojmë prej tij, sepse Ai i kontrollon të gjitha gjërat dhe Ai është i aftë ta bëjë këtë, dhe Ai është Udhëzuesi për në Rrugën e Drejtë.

 

Disa pika që duhet theksuar gjatë trajtimit të gabimeve

 Para se të nisim diskutimin tonë duhet të theksojmë disa çështje dhe fakte që duhet t’i mbajmë në mendje kur merremi me korrigjimin e gabimeve të të tjerëve.

 Sinqeriteti ndaj Allahut

Qëllimi i një njeriu, kur ai ndërrmerr korrigjimin e gabimeve të të tjerëve, duhet të jetë fitimi i kënaqësisë së Allahut dhe jo shfaqja e epërsisë personale, zbrazja e inatit ndaj dikujt, apo përpjekja për të lënë përshtypje të mirë tek të tjerët.

Tirmidhiu transmeton nga Shufej el-Asbahi se kishte hyrë në Medinë dhe kishte parë një njeri rreth të cilit ishin mbledhur disa njerëz. Ai pyeti: “Kush është ai?”. Ata u përgjigjën: “Ebu Hurejra”. Shufej tha: “Kështu që u afrova tek ai dhe u ula përballë tij. Ai po u fliste njerëzve dhe kur ai mbaroi dhe ata ishin larguar, unë i thashë: ‘Të kërkoj për Allahun, që të më tregosh një hadith që ke dëgjuar nga i dërguari i Allahut dhe e ke kuptuar plotësisht’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr fryma dhe mbeti në këtë gjendje derisa e mori veten, pastaj tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Zotit ma tregoi në këtë shtëpi, kur nuk kishte njeri tjetër përveç atij dhe meje’. Pastaj Ebu Hurejra u mek përsëri, pastaj e mori veten, fshiu fytyrën dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij kur nuk kishte asnjeri tjëtër përveç atij dhe meje”. Pastaj mbeti përsëri pa frymë, e mori veten, e fshiu fytyrën e tij dhe tha: ‘Do të të tregoj një hadith që i dërguari i Allahut ma tregoi në shtëpinë e tij, kur nuk kishte njeri tjetër të pranishëm përveç atij dhe meje’. Atëherë Ebu Hurejrës iu morr shumë fryma saqë iu var koka përpara dhe u mbështet në supin tim për një kohë të gjatë, pastaj e mori veten dhe tha: ‘I dërguari i Allahut më tha:

Kur të vijë Dita e Gjykimit, Allahu do të zbresë për të gjykuar mes njerëzve. Dhe çdo komb do të gjunjëzohet me përulje. Njerëzit e parë që do të thirren do të jenë: një njeri që e ka mësuar Kuranin përmendësh, një njeri i cili është vrarë për hir të Zotit dhe një njeri që ka pasur shumë pasuri në tokë. Allahu do t’i thotë lexuesit: ‘A  nuk ta mësova atë që ia shpalla të dërguarit Tim?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, Zoti im’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të mësova?’ Ai do të thotë: ‘Qëndrova zgjuar ditë e natë duke e recituar atë’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë: ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që njerëzit të thonin se filani e di Kuranin përmendësh dhe kështu ndodhi’.

Pastaj do të sillet njeriu që kishte pasur shumë pasuri dhe Allahu do t’i thotë: ‘A nuk isha shumë bujar me ty në pasuri, në mënyrë që t’i të mos ia kishe nevojën askujt?’ Ai do të thotë: ‘Sigurisht, o Zot’. Allahu do të thotë: ‘Çfarë bëre me atë që të dhashë?’ Ai do të thotë: ‘E përdora për t’ua dhënë të afërmve të mi dhe për bamirësi’. Allahu do të thotë: ‘Ti gënjen’ dhe engjëjt do të thonë ‘Ti gënjen’. Allahu do të thotë: ‘Ti doje vetëm që të thonin se filani është bujar dhe kështu u tha’. Pastaj para Allahut do të sillet ai që u vra për hir të Allahut dhe Ai do t’i thotë: ‘Përse të vranë’. Ai do të përgjigjet: ‘Unë u urdhërova të luftoj në rrugën Tënde, kështu që luftova derisa më vranë. Allahu do të thotë: “Ti gënjen. Ti doje vetëm që të thonin se filani ishte trim dhe kështu thanë’. Pastaj i dërguari i Allahut më preku në gjunjë dhe tha: “O Ebu Hurejre, këta janë tre njerëzit e parë për të cilët do të nxehet zjarri Ditën e Ringjalljes”. (Transmeton Tirmidhiu. Ebu Isa ka thënë ky është një hadith gariib hasen.)

Nëse qëllimi i njeriut që jep këshilla është i sinqertë, ai do të marrë shpërblim dhe këshilla e tij do të pranohet dhe zbatohet me lejen e Allahut.

 Bërja e gabimeve është pjesë e natyrës njerëzore

Profeti a.s ka thënë: “Çdo bir i Ademit bën gabime dhe më të mirët e atyre që bëjnë gabime janë ata që pendohen”.

Duke e patur këtë fakt të qartë në mendje, gjërat vendosen në perspektivën e tyre të duhur, kështu që edukuesi nuk duhet të presë që njerëzit të jenë të përsosur ose të pagabueshëm, apo t’i gjykojë sipas asaj që ai mendon se duhet të jenë dhe pastaj t’i konsiderojë ata si të dështuar, nëse bëjnë një gabim të madh ose  mëkat qoftë dhe vazhdimisht. Ai duhet t’i trajtojë ata në një mënyrë realiste, duke u bazuar në dijen e tij për natyrën njerëzore, e cila është pre e injorancës, neglizhencës, të metave, tekave, dëshirave të mëdha dhe harresës.

Kuptimi i këtij fakti e parandalon mësuesin që të mos tronditet shumë nga lloji i gabimeve të papritura që mund ta bëjnë atë të reagojë në një mënyrë të papërshtatshme. Kjo do t’i kujtojëthirrësit dhe mësuesit, që po përpiqet të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja, se edhe ai vetë është një qënie njerëzore, që mund ta bëjë gjithashtu të njëjtin gabim, prandaj ai duhet ta trajtojë atë duke mbajtur një pozicion mëshire më tepër se ashpërsie, sepse qëllimi kryesor është për të përmirësuar dhe jo për të dënuar.

Por në të njëjtën kohë, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet t’i qortojmë njerëzit që bëjnë gabime apo të gjejmë justifikime për ata që kryejnë krime, duke u bazuar në faktin se janë qënie njerëzore apo se janë vetëm të rinj, ose se epoka moderne është plot gjëra joshëse, e të tjera si këto. Ne duhet t’i dënojmë veprimet dhe t’u bëjmë thirrje njerëzve t’i llogarisin punët e tyre, por në të njëjtën kohë ne duhet t’i vlerësojmë veprimet e tyre sipas Islamit.

Kur thua se dikush është në rrugë të gabuar, kjo duhet të bazohet në faktet e ligjit islam dhe në kuptimin e duhur, jo në padije dhe në faktin se thjesht dikujt nuk i pëlqen ai veprim. Muhamed ibn el-Munkedir ka transmetuar se Xhabiri falej i veshur vetëm me izar (veshje për pjesën e poshtme të trupit, e mbështjellë rreth belit) të lidhur pas shpine. Arsyeja për këtë ishte se ata nuk kishin pantallona dhe e vishnin izarin të lidhur pas shpine sepse i mbulonte më shumë kur bënin rukunë(përkuljen gjatë faljes) dhe sexhden (vënien e ballit në tokë) dhe rrobat e tjera të tij ishin në një mbajtëse për rroba. Dikush i tha atij: “A po falesh vetëm me një rrobë?”. Ai iu përgjigj: “Unë veprova kështu  vetëm që budallenjtë si ti të më shihnin. Cili nga ne kishte dy rroba në kohën e të dërguarit të Allahut?”. Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Me fjalën ‘budallenj’ këtu nënkuptohet  “i paditur”…. Qëllimi ishte shpjegimi se është e lejuar të falesh vetëm me një rrobë, edhe pse është e pëlqyeshme të vishen dy. Është njëlloj sikur ai të thoshte: “E bëra me qëllim për t’ju treguar se është e lejuar; ai që nuk e di mund ta bëjë këtë veprim ose mund të më qortojë në mënyrë që unë t’i them se është e lejuar”. Përgjigja e tij ishte kaq e ashpër, sepse ai donte t’u mësonte atyre që të mos i qortonin dijetarët dhe për t’i nxitur ata që t’i shqyrtojnë vetë çështjet e sheriatit”.

 Sa më i madh të jetë gabimi, aq më shumë përpjekje duhet të bëhen për ta korrigjuar atë

 Përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë lidhje me akiden (besimin), duhet të jenë më të mëdha se përpjekjet për të korrigjuar gabimet që kanë të bëjnë, për shembull,  me rregullat e mirësjelljes. Profeti ishte shumë i interesuar për trajtimin dhe korrigjimin e gabimeve që kishin lidhje me shirkun (politeizmin) dhe të gjitha format e tij, sepse kjo ishte çështja më kryesore. Për shembull:

El-Mugirah ibn Shu’be ka thënë:

“Ditën që vdiq Ibrahimi (djali i vogël – foshnjë) i profetit a.s, pati një eklips të diellit dhe njerëzit thanë: ‘Ky eklips ka ndodhur për shkak të vdekjes së Ibrahimit’. I dërguari i Allahut tha: ‘Dielli dhe hëna janë dy shenja të Allahut dhe eklipsi i tyre nuk ndodh për vdekjen apo lindjen e një njeriu. Nëse e sheh eklipsin, atëherë ltjuni Allahut dhe faljuni Atij derisa të përfundojë eklipsi…”. (Transmeton Buhariu)

Ebu Uakid el-Lejthi ka treguar se kur i dërguari i Allahut doli për të shkuar në

Hunejn(vendi i një beteje), ai kaloi pranë një peme që u përkiste politeistëve, që quhej Dhatu Enuat, ku ata varnin armët e tyre. Ata thanë: “O i dërguari i Allahut, na bëj edhe ne një Dhatu Enuat ashtu siç e kanë ata’. Profeti tha:

 “Subhan-Allah!(I Pastër është Zoti!) Kjo është e ngjashme me atë që thanë njerëzit e Musait : ‘Bëj për ne një zot siç kanë ata zotëra’. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju do të ndiqni rrugët e njerëzve të cilët ishin para jush”. (Transmeton Tirmidhiu 1280. Ai ka thënë se është një hadith sahih hasen.)

Sipas një tregimi tjetër nga Ebu Uakid, ata dolën nga Meka me të dërguarin e Allahut për në Hunejn. Ai tha: “Mosbesimtarët kishin një pemë pas të cilës ishin tërhequr dhe aty vendosnin armët e tyre, ajo quhej Dhat Enuat. Ne kaluam pranë një peme të ngjashme dhe thamë: ‘O i dërguari i Allahut, bëje këtë një Dhat Enuat për ne’. I dërguari i Allahut tha:

 ‘Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju keni thënë atë që njerëzit e Musait i thanë atij: ‘Na bëj ne një zot ashtu si ata kanë zotëra’ dhe ai tha ‘Me të vërtetë ju jeni njerëz që nuk dini’. Është e njëjta gjë dhe ju do të ndiqni rrugët e njerëzve që ishin para jush, hap pas hapi”. (Ahmedi)

Zejd ibn Halid el-Xhuhenij ka thënë: “I dërguari i Allahut na çoi për faljen e mëngjesit në el-Hudejbije, pasi kishte rënë shi gjatë gjithë natës. Pasi mbaroi u kthye nga njerëzit dhe tha:

 ‘A e dini se çfarë thotë Zoti juaj?’ Ata thanë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri”. Ai i Plotfuqishmi ka thënë: ‘Këtë mëngjes një nga robtë e Mi u bë besimtar duke më besuar Mua dhe njëri jobesimtar. Sa për atë që tha ‘na është dhënë shiu nga mëshira dhe madhështia e Allahut’, ai më beson Mua dhe nuk i beson yjet. Sa për atë që tha ‘shiu na ka ardhur nga ky yll e ky yll’ ai nuk më beson mua por beson yjet”. (Buhariu)

Ibn Abasi tregon se një burrë ka thënë:

“O i dërguari i Allahut, çfarë të dojë Allahu dhe ti”. Ai i tha: “A po më barazon me Allahun? Në vend të kësaj thuaj: Çfarë të dëshirojë vetëm Allahu”. (Ahmedi)

Ibn Omeri ka transmetuar se ai kishte kapur Omer ibn Hattabin, i cili ishte me një grup njerëzish dhe po betohej në emrin e babait të tij. I dërguari i Allahut i thirri dhe u tha:

“Allahu ua ka ndaluar atyre të betohen në emrin e paraardhësve të tyre; ai që donte të betohej, duhet të betohet në emrin e Allahut ose të heshtë”. (Buhariu)

 Shënim: Imam Ahmedi ka transmetuar në “Musnedin” e tij:

 “Uekij na tregoi se el-A’mesh u ka treguar nga Sad ibn Ubejde, i cili ka thënë: ‘Isha me Ibn Omerin në një rreth njerëzish dhe ai dëgjoi një njeri nga rrethi tjetër të thotë: ‘Jo, Për kokën e babait tim’. Për këtë arsye ibn Omeri i hodhi guralecë dhe tha: ‘Kështu betohej Omeri dhe profeti ia ndaloi dhe i tha se ishte shirk”.

             Ebu Shurejh Hani ibn Jezid ka thënë:

 “Një delegacion njerëzish shkoi tek profeti dhe ai dëgjoi ta thërrisnin njërin prej tyre Abdul-Haxher (rob i gurit). Ai e pyeti atë: ‘Si të quajnë?’ Ai u përgjigj: ‘Abdul-Haxher’. I dërguari i Allahut tha: ‘Jo, ti je Abdullah (rob i Allahut). (Transmeton Buhariu. Albani ka thënë në “Saheeh el-Adab el-Mufred” se është sahih.)

 

 Marrja parasysh e pozitës së personit që po përpiqet të korrigjojë gabimin

             Këshilla e disa njerëzve pranohet më lehtë se e disa të tjerëve.Kjo ndodh sepse ata kanë një pozitë-status, që të tjerët nuk e kanë ose ndryshe nga të tjerët, kanë autoritet mbi personin që e ka kryer gabimin.Për shembull, një baba me fëmijën e tij, ose një mësues me nxënësin e tij, ose një zyrtar i qeverisë me atë që ai po kontrollon. Ai që është më i madh në moshë, nuk është njëlloj si ai që është më i ri, një i afërm nuk është si një i huaj, një person me autoritet, nuk është si ai pa autoritet. Kuptimi i këtyre ndryshimeve do ta bëjë reformuesin t’i vendosë gjërat në perspektivë dhe t’i vlerësojë ato siç duhet, në mënyrë që qortimi ose korrigjimi i tij, të mos çojë në një të keqe më të madhe. Pozita e atij që po qorton dhe vlerësimi që gëzon në zemrën e gabuesit, janë shumë të rëndësishme për ta gjykuar sa sa i fortë duhet të jetë qortimi dhe për të vendosur sa i ashpër apo i butë duhet të jetë toni. Nga kjo ne mësojmë dy gjëra:

 Së pari: Personi, të cilit Allahu i ka dhënë status dhe autoritet duhet ta përdorë atë për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja dhe për t’i mësuar njerëzit. Ai duhet ta kuptojë se ka një përgjegjësi të madhe, sepse zakonisht njerëzit pranojnë më shumë nga ai sesa nga të tjerët, kështu që ai mund të bëjë më shumë se ç’mund të bëjnë të tjerët.

Së dyti: Personi që mundohet të urdhërojë për mirë dhe të ndalojë nga e keqja nuk duhet ta gjykojë situatën gabim dhe të vendosë veten e tij në një pozicion më të lartë se sa është, apo të sillet sikur ai ka cilësitë që tjetri nuk i ka, sepse kjo i largon njerëzit.

            Profeti a.s e shfrytëzoi sa mundi pozitën e respektit që Allahu ia kishte dhënë, kur ai i qortonte dhe i mësonte njerëzit. Ai ka bërë gjëra që nuk do të kishin qenë të përshtatshme nëse do të ishin bërë nga dikush tjetër, për shembull:

Jeish ibn Tihfe el-Gifari ka transmetuar se babai i tij ka thënë:

 “Isha i ftuar tek i dërguari i Allahut, si një nga të varfërit të cilët i mikpriste.

 I dërguari i Allahut doli të shohë të ftuarit e tij gjatë natës dhe më pa që isha shtrirë me bark. Ai më gjuajti dhe më tha: ‘Mos u shtri kështu, këtë shtrirje e urren Allahu’”. Sipas një transmetimi tjetër: “Ai e qëlloi dhe e zgjoi dhe i tha: “Kështu shtrihen njerëzit e zjarrit”. (Ahmedi, Tirmidhiu, Ebu Davudi)

             Kjo metodë e qortimit ishte e përshtatshme për profetin, për shkak të pozitës dhe statusit të tij, por nuk është e përshtatshme për njerëzit e thjeshtë. Nuk është e drejtë që nëse një njeri që dëshiron të qortojë tjetrin sepse ai fle me bark, ta godasë ndërsa ai po fle dhe ta zgjojë dhe pastaj të presë që ai ta pranojë këshillën dhe ta falenderojë për këtë. E njëjta gjë ndodh dhe me goditjen e një personi që po kryen një gabim, apo hedhjen e gjërave si guralecë apo ndonjë gjë tjetër edhe pse disa nga selefët (brezat e parë të të devotshmëve) vepruan kështu për shkak të statusit të tyre të veçantë. Disa ngjarje të kësaj natyre janë si më poshtë:

Ed-Darimi, Allahu e mëshiroftë, ka transmetuar nga Sulejman ibn Jasir se një burrë i quajtur Sebig shkoi në Medinë dhe nisi të pyesë për tekstet e Kuranit që dukeshin me dy kuptime (të paqarta). ‘Omeri kërkoi që ta thërrasin dhe ai kishte përgatitur disa degë hurme për të (që ta qëllojë me to). ‘Omeri e pyeti: ‘Kush je ti?’ Ai u përgjigj: ‘Unë jam robi i Allahut, Sebig’. ‘Omeri mori një degë peme dhe e goditi duke thënë: ‘Unë jam robi i Allahut’. Umeri vazhdoi ta qëllonte derisa nisi t’i dalë gjak nga koka dhe ai tha: ‘O Ameer el-Mumineen, mjaft! Ajo që kisha në mendje nuk është më”.

 Buhariu ka transmetuar se Ebu Lejla ka thënë: ‘Hudhejfe ishte në el-Medain dhe kërkoi një pije dhe një fisnik i lartë i dha një enë të argjendtë. Ai ia hodhi atë atij dhe i tha: ‘Nuk do ta kisha hedhur, por i thashë të mos e bëjë dhe ai nuk ndaloi. Profeti na e ka ndaluar të veshim rrobat e mëndafshit dhe të qëndisura me ar dhe të pimë nga enët prej floriri dhe argjendi. Ai (profeti) ka thënë:  “Këto janë për ata (mosbesimtarët) në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”.

 Sipas një transmetimi të treguar nga Ahmedi për të njëjtën ngjarje, Abdur-Rahman ibn Ebu Lejla ka thënë:

 “Dola me Hudhejfen në njërën nga këto zona dhe ai kërkoi diçka për të pirë. Një fisnik i solli një enë prej argjendi dhe ai (Hudhejfe) ia hodhi në fytytrë. Ne thamë: ‘Heshtni, heshtni, nëse e pyesim përse e bëri, mund të mos na e tregojë’. Kështu që ne heshtëm dhe pak më vonë ai tha: ‘E dini përse ia hodha në fytyrë?’ Ne u përgjigjëm: ‘Jo’. Ai tha: ‘I kisha thënë të mos e bënte. I dërguari i Allahut ka thënë: “Mos pini nga enët prej floriri”, dhe Muadhi tha: ‘Mos pini nga enët prej floriri ose argjendi dhe mos vishni rroba mëndafshi apo të qëndisura me ar (kjo është vetëm për burrat), sepse këto janë për jobesimtarët në këtë botë dhe për ju në botën tjetër”.

Buhariu ka transmetuar se Sijrijn i kërkoi Enes ibn Malikut t’i shkruajë një kontratë çlirimi nga skllavëria, sepse ai kishte shumë para, por ai refuzoi. Sijrijn shkoi tek Omeri, i cili i tha Enesit ta shkruajë dokumentin, por përsëri Enesi nuk pranoi, prandaj Omeri e goditi me një kamzhik ndërsa i recitoi fjalët:

 “E ata që i keni në pronësinë tuaj dhe kërkojnë prej jush t’i lironi në bazë të kompensimit, atëherë ua bëni këtë të mundshme me marrëveshje, nëse e dini se janë të besueshëm…”(Kuran 24: 33)

– kështu që ai e shkruajti dokumentin për të.

En-Nesai ka transmetuar nga Ebu Said el-Khudri se ai po falej kur një djalë i Mervanit doli para tij, kështu që ai e ndaloi dhe kur ai nuk u zmbraps, ai e qëlloi. Djali doli jashtë duke qarë dhe shkoi tek Mervani dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Mervani pyeti Ebu Saidin: “Pse e qëllove djalin e vëllait tënd?(E ka fjalën për djalin e tij)” Ai u përgjigj: “Nuk qëllova atë, qëllova shejtanin (djallin). Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

“Nëse ndonjëri prej jush po falet dhe dikush do të kalojë para tij, ta ndalojë sa të mundet dhe nëse ai kundërshton atëherë qëlloje, sepse ai është një djall”.

Ahmedi ka transmetuar nga Ebu an-Nadr se Ebu Said el-Khudri po vuante nga një plagë në këmbë dhe i ati shkoi dhe e pa të shtrirë me njërën këmbë sipër tjetrës, prandaj e goditi mbi këmbën e vrarë, duke i shkaktuar më shumë dhimbje. Ai tha: “Më vrave këmbën! Nuk  dije që e kam të vrarë?’ Ai u përgjigj: ‘Sigurisht që e di’. Ai i tha: ‘Përse veprove ashtu?’ Ai u përgjigj: ‘Nuk e ke dëgjuar se profeti na e ka ndaluar të rrimë kështu (dmth me këmbët njëra mbi tjetrën kur jemi shtrirë)?”

Maliku ka transmetuar nga Ebu az-Zubejr el-Mekki se një burrë i propozoi për martesë motrës së një burri tjetër dhe ai (vëllai) i tha atij se ajo kishte bërë zina (imoralitet). Këtë e mori vesh Omer ibn el-Khattabi, prandaj ai e qëlloi ose gati e qëlloi dhe i tha: “Përse i tregove?”

Muslimi ka transmetuar në “Sahih” nga Ebu Isak i cili ka thënë: “Isha me el-Esued ibn Jazid në Xhaminë e Madhe dhe me ne ishte dhe Esh-Shabi. Esh-Shabi na tregoi çfarë kishte thënë Fatime bint Kajs për të dërguarin e Allahut në lidhje me mos sigurimin e strehimit apo të ardhurave për të. El-Esued mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi duke i thënë: “Mjerë për ty! Si flet për një gjë të tillë?” Omeri tha se ne nuk duhet të largohemi nga Libri i Allahut dhe Suneti i profetit tonë për fjalët e një gruaje e cila mund të mos i ketë mbajtur mend mirë gjërat. Gratë kanë të drejtën e strehimit dhe të të ardhurave. Allahu thotë:

 “…dhe mos i nxirrni ato prej shtëpive të tyre, e edhe ato të mos dalin vetëm nëse bëjnë ndonjë vepër të keqe të vërtetuar”.  (Kuran 65: 1)

 Ebu Davudi ka transmetuar me një isnad (atribuimi tek një zinxhir transmetimi) në të cilin trasmetimi i dy personave është i pranueshëm, se dy burra hynë nga dyert e Kindes, kur Ebu Mesud el-Ensari ishte ulur në një rreth njerëzish. Dy burrat thanë: “Ka ndonjë njeri që do të gjykojë mes nesh?” Një burrë nga rrethi tha: “Unë do të gjykoj”. Ebu Mesudi mori disa gurë të vegjël dhe ia hodhi atij duke i thënë: ‘Mbylle gojën! Është e papëlqyeshme të nxitosh në gjykim”.

Ne duhet të theksojmë gjithashtu se qortimi i profetit ndaj disa prej shokëve të tij të ngushtë ishte në disa raste më i ashpër se qortimi ndaj ndonjë beduini, ose ndonjë të panjohuri. Të gjitha këto kanë lidhje me urtësinë dhe vlerësimin e saktë kur qorton dikë.

 Bërja e dallimit midis atij që gabon nga padija dhe atij që gabon pavarësisht nga dija që ka

 Një nga ngjarjet që e ilustrojnë këtë më së miri është ajo që i ndodhi Muavie ibn el-Hakem es-Selami kur ai shkoi në Medinë nga shkretëtira dhe nuk e dinte se nuk lejohet të flasësh gjatë namazit (faljes). Ai tha: “Kur po falesha pas të dërguarit të Allahut, një burrë teshtiu dhe unë i thashë ‘Jerhamukallah (Allahu të mëshiroftë)’. Njerëzit më panë me inat dhe unë thashë: “Pse po më shikoni ashtu?” Ata nisën të qëllonin me duar këmbët dhe kur e kuptova se donin të më bënin me dije të mos flisja, unë pushova së foluri (dmth doja t’jua ktheja, por e kontrollova veten dhe heshta). Kur i dërguari i Allahut mbaroi së faluri – (babai dhe nëna ime u sakrifikofshin për të, sepse unë nuk kam parë mësues më të mirë se ai) – ai nuk më qortoi, nuk më goditi dhe nuk më vuri në siklet. Ai vetëm sa tha:

“Ky namaz nuk duhet të përmbajë asgjë nga ligjërata e njerëzve, ai është vetëm për tesbih dhe tekbir (të thuash subhan Allah dhe Allahu Ekber) dhe lexim i Kuranit”. (“Sahih Muslim”)

I padituri duhet të mësohet, ai që ka dyshime duhet të sqarohet, i shkujdesuri duhet të përkujtohet dhe ai person që bën gabime me paramendim duhet të paralajmërohet. Nuk është e drejtë të trajtohet njëlloj si ai që di për një rregull dhe ai që që nuk ka dije për të, kur t’i qortosh. Trajtimi me ashpërsi i atij që nuk di, vetëm do ta largojë dhe do ta bëjë atë të kundërshtojë këshillën tuaj, ndryshe nga trajtimi i tij me urtësi dhe me butësi, sepse njeriu i paditur nuk e kupton se po bën gabim. Është sikur ai t’i thoshte njeriut që po e qorton: “Përse nuk më mëson përpara se të më sulmosh?”

Ai që bën një gabim pa e kuptuar, mund të mendojë se  ka të drejtë, prandaj duhet ta kemi parasysh këtë gjë dhe duhet të sillemi me takt. Imam Ahmedi ka transmetuar në “el-Musned” nga el-Mugire ibn Shu’be:

 “I dërguari i Allahut hëngri, pastaj u ngrit të falej. Ai kishte marrë abdes para se të hante, por unë i dërgova pak ujë që të merrte abdes’. Ai më refuzoi dhe tha: “Largohu!” Për Allahun u mërzita. Ai u fal dhe unë iu ankova Omerit për atë që ndodhi. Ai tha: “O Profeti i Allahut el-Mugire është prekur nga refuzimi yt dhe është i shqetësuar se ti mund të jesh i mërzitur me të për ndonjë arsye”. Profeti tha:

 “Ai është njeri i mirë, por më solli ujë për të marrë abdes, pasi kisha ngrënë dhe nëse do të kisha marrë abdes atëherë, njerëzit do ta kishin ndjekur atë zakon (domethënë ata do të kishin menduar se duhej të merrnin abdes sa herë të hanin diçka)”.

Këtu duhet të theksojmë se kur profeti nxorri në pah gabimet e këtyre sahabëve të mëdhenj, nuk pati një ndikim negativ tek ata dhe kjo nuk ishte arsye që ata të largoheshin. Përkundrazi, pati një ndikim pozitiv, sepse duke u korrigjuar në këtë mënyrë nga profeti, ata ishin në ankth dhe të shqetësuar dhe e kontrollonin sjelljen e tyre derisa të siguroheshin se i dërguari i Allahut ishte i kënaqur me ta.

Duhet të theksojmë gjithashtu nga kjo ndodhi se kur profeti nxorri në pah gabimin e el-Mugires, ai nuk ishte i nxehur me të. Ai e bëri këtë nga mëshira që kishte për njerëzit dhe që t’u shpjegojë atyre me qartësi, në mënyrë që ata të mos ia impononin vetes diçka që nuk ishte e detyrueshme, gjë që do t’u shkaktonte shumë vështirësi.

 Bërja e dallimit mes gabimeve që vijnë nga një përpjekje e ndershme për të zbuluar atë që është e drejtë (ixhtihadi) dhe gabimet e bëra qëllimisht, nga shkujdesja apo për shkak të të metave

Nuk ka asnjë dyshim se në rastin e parë njeriu nuk fajësohet, në të vërtetë ai do të marrë një shpërblim nëse gabohet, për aq kohë sa qëllimi i tij është i sinqertë dhe është përpjekur për të arritur në përfundimin e drejtë, sepse profeti ka thënë:

“Nëse një sundimtar gjykon dhe përpiqet të marrë vendimin e drejtë dhe vendimi i tij është i drejtë ai do të marrë dy shpërblime dhe nëse vendimi i tij është i gabuar, ai do të marrë një shpërblim”. (At-Tirmidhiu. Ebu Isa et-Tirmidhi ka thënë se në këtë version është një hadith garib hasen).

Ky është një rast i ndryshëm nga ai që gabon qëllimisht, ose për shkak të të metave. Në rastin e parë, personi duhet të mësohet dhe të këshillohet, në të dytin ai duhet të paralajmërohet dhe të qortohet.

Ixhtihadi, që mund të justifikohet, duhet të bëhet nga ai që është i kualifikuar, jo nga ai që jep fetva (vendime) pa pasur dije dhe pa i marrë parasysh rrethanat. Kjo është arsyeja përse profeti i ka gjykuar me ashpërsi njerëzit të cilët bënë gabim në rastin e personit i cili kishte një plagë në kokë. Ebu Davudi ka transmetuar  në “Sunen” nga Xhabiri, i cili ka thënë: “U nisëm për udhëtim dhe njëri nga burrat tanë u godit në kokë me një gur dhe nisi t’i rridhte gjak. Pastaj e zuri gjumi dhe kur u zgjua kishte nevojë të marrë gusul (ishte në gjendje xhunubi ose papastërtie për shkak të një ëndrre). Ai i pyeti shokët e tij: ‘Mendoni se mund të marr tejemum?’ Ata u përgjigjën: ‘Nuk mendojmë se mund të justifikohesh, sepse kemi ujë’. Ai mori gusul dhe vdiq. Kur shkuam tek profeti dhe i treguam për atë që ndodhi, ai tha:

 ‘Ata e vranë atë, Allahu i vraftë! Përse nuk pyetën kur nuk dinin? Kurimi i injorancës bëhet duke pyetur…” (Albani e ka klasifikuar si hasen në “Sahih Ebu Davud” dhe ka treguar se materiali i shtuar në fund të hadithit është daif (i dobët).)

 Njëherë profeti tha:“Gjykatësit janë tre llojesh, njëri do të jetë në parajsë dhe dy të tjerët në ferr. Ai që do të jetë në parajsë është gjykatësi i cili e di të vërtetën dhe gjykon sipas saj. Gjykatësi i cili e di të vërtetën, por gjykon padrejtësisht do të jetë në ferr dhe gjykatësi, i cili gjykon mes njerëzve pa pasur dijen e duhur, do të jetë gjithashtu në ferr”. (“Sunen Ebu Davud”; i klasifikuar si sahih nga Albani.)

Lloji i tretë nuk konsiderohet se ka justifikim.

Një faktor tjetër për të njëhsuar shkallën e qortimit është duke i kushtuar vëmendje ambientit ku ka ndodhur gabimi; nëse ishte një mjedis ku zbatohej Suneti ose një mjedis ku është e përhapur risia (bidati), sa i përhapur është mëkati, ose nëse ka njerëz të paditur ose shumë të butë, mendimet e të cilëve ndiqen në një shkallë të gjerë, që japin fetva për të thënë se diçka është e lejuar.

 Edhe nëse ai që bën gabimin ka pasur qëllim të mirë, kjo nuk do të thotë se ai nuk duhet të qortohet

Amr ibn Jahja ka thënë: “Kam dëgjuar tim atë të tregojë nga i ati i tij i cili ka thënë: ‘Ne ishim tek dera e Abdullah ibn Mes’ud para faljes së mëngjesit. Kur ai doli jashtë, ne shkuam me të tek xhamia, Ebu Musa el-Esh’ari erdhi tek ne dhe tha: ‘Akoma nuk ka dalë Ebu Abdur-Rahmani?’ Ne i thamë: ‘Jo.’ Ai u ul me ne derisa doli Ebu Abdur-Rahmani. Kur ai doli, ne të gjithë u ngritëm në këmbë dhe e përshëndetëm dhe Ebu Musa i tha: ‘O Ebu Abdur Rahman, më parë në xhami pashë diçka që nuk e kisha parë më parë, por dukej gjë e mirë, el-Hamdu Lilah’. Ai tha: ‘Çfarë ishte ajo?” Ai i tha: ‘Nëse jeton do ta shohësh. Pashë në xhami njerëzit që ishin ulur në grupe, duke pritur namazin. Në çdo grup ishte një burrë dhe ata kishin guralecë në duar. Ai thoshte ‘Thoni Allahu Ekber njëqind herë’, dhe ata thonin Allahu Ekber njëqind herë. Pastaj ai thoshte ‘Thoni La ilahe illa Allah njëqind herë’, dhe ata thonin La ilahe ila Allah njëqind herë; pastaj ai u thoshte ‘Thoni Subhan Allah njëqind herë’ dhe ata thonin Subhan Allah njëqind herë’. Ai e pyeti çfarë u the atyre?’ ai tha: “Unë nuk u thashë asgjë, po prisja të dëgjoja mendimin tënd dhe çfarë do të më thuash të bëj’. Ai tha: “Përse nuk u the të numërojnë punët e tyre të këqija dhe t’i sigurosh se asnjë nga veprat e tyre të mira nuk do të shkojë dëm?’ Pastaj ai iku dhe ne ikëm me të, derisa arriti tek njëri nga ato grupe njerëzish. Ai qëndroi pranë tyre dhe tha: “Çfarë është kjo që po bëni?’ Ata thanë: ‘O Ebu Abdur-Rahman, këto janë gurë që po i përdorim për të numëruar tekbiret, tehlilet dhe tesbihettona’. Ai tha: “Numëroni veprat tuaja të këqija dhe ju siguroj se asnjë nga veprat tuaja të mira nuk do të shkojë dëm. Mjerë për ju, o umeti i Muhamedit, sa shpejt po shkatërroheni! Shokët e profetit tuaj janë akoma gjallë, rrobat e tij nuk janë grisur akoma dhe enët e tij nuk janë prishur akoma. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, ju ose po ndiqni një rrugë që është më e udhëzuar se rruga e profetit , ose keni hapur një derë drejt udhëzimit të gabuar!’ Ata thanë: ‘Për Allahun, O Ebu Abdur –Rahman, ne donim vetëm të bënim mirë’. Ai tha: ‘Sa nga ata që donin të bënin mirë nuk e arritën atë! I dërguari i Allahut na tregoi se njerëzit e recitojnë Kuranin dhe nuk kalon më tej sesa fyti i tyre. Për Allahun, unë nuk e di, ndoshta pjesa më e madhe janë njerëz si ju’. Pastaj ai u largua nga ata. Amr ibn Selemeh ka thënë: “Unë pashë pjesën më të madhe të burrave të atyre grupeve të luftonin bashkë me Havarixhet ( grup i larguar nga pasuesit e Imam Aliut) në ditën e Nahravanit…’”. (Ed-Darimi)

 

Kur korrigjon gabimet e të tjerëve duhet të jesh i drejtë dhe jo i njëanshëm.

 Allahu thotë:

 “…Kur të flitni (të dëshmoni) duhet të jeni të drejtë…” (Kuran 6: 152)

 “…dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë…” (Kuran 4: 58)

 Fakti që Usame ibn Zejd ishte i dashur tek profeti dhe djali i njeriut të tij të dashur (Zejdit), nuk e ndaloi profetin që ta qortojë atë me ashpërsi kur ai u përpoq të ndërhyjë në lidhje me njërin nga dënimet e urdhëruara nga Allahu. Aishja ka transmetuar se kurejshët ishin të shqetësuar për një grua, e cila kishte vjedhur në kohën e profetit, në kohën e pushtimit të Mekës. Ata thanë: “Kush do të ndërhyjë te i dërguari i Allahut për të? Kush mund të guxojë tjetër përveç Usame ibn Zejdit, të dashurit tek i dërguari i Allahut?’ Atë e sollën tek i dërguari i Allahut dhe Usame ibn Zejdi i tregoi atij në lidhje me të. Fytyra e profetit ndryshoi dhe ai tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha:

 ‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”. (transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi; ky version tregohet nga Muslimi)         

 Sipas një transmetimi të treguar nga En-Nesai nga Aishja, ajo ka thënë: “Një grua mori hua disa bizhuteri duke thënë se do t’ia jepte hua dikujt tjetër, por ajo i shiti ato dhe paratë i mbajti vetë. Atë e sollën para të dërguarit të Allahut. Familja e saj shkoi tek Usame ibn Zejd, i cili foli me të dërguarin e Allahut në lidhje me çështjen e saj. Fytyra e profetit ndryshoi ndërsa ai po fliste, e atëherë  tha: ‘A po ndërmjetëson për një nga dënimet e caktuara nga Allahu?’ Usame u përgjigj: ‘Lutu për faljen time, o i dërguari i Allahut.’ Kur erdhi mbrëmja, i dërguari i Allahut u ngrit dhe iu drejtua njerëzve. Ai lavdëroi Allahun ashtu si Ai meriton të lavdërohet pastaj tha:

 ‘Njerëzit që ishin para jush u shkatërrruan, sepse nëse njëri nga fisnikët e tyre vidhte ata e linin të lirë, por nëse njëri nga të dobëtit vidhte ata e zbatonin dënimin për të. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse do të vidhte Fatimja, vajza e Muhamedit, unë do t’i prisja dorën’. Pastaj ai urdhëroi që t’i pritej dora gruas që kishte vjedhur”. (I cilësuar si sahih nga Albani)

 Qëndrimi i profetit kundrejt Usames tregon se ai ishte i drejtë dhe i paanshëm dhe se Islami në këndvështrimin e tij, vinte para dashurisë për njerëzit. Një njeri mund të durojë gabimet personale të kujtdo që ai dëshiron, por ai nuk ka të drejtë të tregohet tolerant apo i anshëm kundrejt atyre, gabimet e të cilëve i kalojnë kufinjtë e caktuar nga Islami.

Ndonjëherë kur ndonjë i afërm ose mik bën një gabim, nuk mund ta qortojmë atë ashtu siç mund ta qortojë një njeri që nuk e njeh. Për këtë arsye një njeri mund të shikojë diskriminim ose anshmëri joislame në sjelljen e tij për këtë dhe një njeri mund të mos u kushtojë rëndësi gabimeve të shokut të tij, ndërsa tregohet shumë i ashpër me kritikat ndaj një personi tjetër. Një poet arab ka thënë:

 “Nëse je i kënaqur me një person

 gabimet e tij  ti nuk i shikon

 por nëse i mërzitur me të je

 tek ai të mirë nuk njeh

 Kjo mund të pasqyrohet gjithashtu dhe në mënyrën se si veprimet interpretohen. Një veprim nga ana e personit të dashur kuptohet në një mënyrë dhe i njëjti veprim nga një person tjetër interpretohet krejt ndryshe.

Të gjitha sa u thanë më sipër zbatohen vetëm kur rrethanat janë të njëjta; përndryshe do të ketë gjykime të ndryshme ashtu siç do ta shohim më vonë.

Duhet të jesh i kujdesshëm që korrigjimi i një gabimi mos të të çojë drejt një gabimi më të madh

 Është një fakt i njohur që Islami nga dy të këqija lejon atë që është më pak e keqe, në mënyrë që të shmangë të keqen më të madhe. Prandaj, një ftues në fe mund të heshtë për një gabim, se ndoshta duke folur mund të çojë drejt një gabimi më të rëndë.

Profeti heshti foli për munafikët dhe nuk i ekzekutoi ata, edhe pse kufri i tyre ishte i ditur. Ai i duroi fyerjet e tyre që njerëzit mos të thonin: “Muhamedi po vret shokët e tij”, veçanërisht ngaqë natyra e tyre e vërtetë nuk ishte e njohur për të gjithë. Profeti nuk e shkatërroi Qaben e ta ndërtonte atë mbi themelet e vëna nga Ibrahimi, nga konsiderata për kurejshët të cilët ishin akoma të rinj në Islam dhe shumë afër xhahilijetit të tyre të fundit (periudhës paraislamike të padijes). Ai kishte frikë se mos kjo ishte shumë e tepërt për ta, prandaj e la ashtu siç ishte, me një pjesë që mungonte dhe me derën e vendosur shumë lart dhe të mbyllur për masën popullore edhe pse kjo përmban një element të keqbërjes dhe shtypjes.

Para kësaj, Allahu u kishte thënë muslimanëve të mos i fyejtë zotat e mushrikinëve (politeistëve), edhe pse kjo është një formë adhurimi, për shkak se kjo mund t’i çonte ata drejt fyerjes së Allahut, që është mëkati më i madh.

Një ftues mund të heshtë për një veprim të gabuar, të mos qortojë për një periudhë kohe, ose mund të ndryshojë mënyrën e tij, nëse mendon se duke vepruar në këtë mënyrë do të shmangë një mëkat apo gabim më të madh. Kjo nuk konsiderohet si e metë apo neglizhencë, përderisa qëllimi i tij është i sinqertë dhe nuk i frikësohet askujt tjetër përveç Allahut dhe ai ka heshtur vetëm sepse shqetësohet për të mirën e Islamit dhe jo nga frika.

Duhet të theksojmë se ajo që shkakton një mëkat më të madh kur qorton dikë për një gabim, është zelli që nuk mund të kontrollohet apo të përmbahet.

 Kuptimi i natyrës njerëzore nga ku buroi gabimi

 Ka disa gabime që nuk mund të zhduken asnjëherë, sepse ata kanë të bëjnë me mënyrën që Allahu i ka krijuar njerëzit. Është e mundur që këto gabime të pakësohen, por të kalosh në ekstrem gjatë trajtimit të tyre mund të rezultojë në katastrofë. Ky është rasti i grave. Profeti ka thënë:

“Gruaja është krijuar nga një brinjë dhe nuk do të sillet gjithmonë në mënyrë të qëndrueshme kundrejt jush. Nëse të pëlqen shoqëria e saj, atëherë shijojeni atë pavarësisht nga qëndrimi i saj. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe thyerja e saj nënkupton divorcin”. (Muslimi nga Ebu Hurejra)

 Sipas një transmetimi tjetër ai ka thënë:“Tregohuni të sjellshëm me gratë sepse ata janë krijuar nga brinja dhe pjesa më e përkulur e brinjës është maja. Nëse përpiqeni ta drejtoni atë do ta thyeni dhe nëse nuk e prekni do të mbetet e përkulur. Prandaj jini të sjellshëm me gratë”. (Buhariu nga Ebu Hurejre)

Ibn Haxheri, Allahu e mëshiroftë ka thënë:“Fjalët: ‘trajtojini gratë me mirësi’ tregojnë se duhet të mundohesh t’i vesh në rrugë të drejtë me butësi, sepse nëse kalon në ekstrem, duke u përpjekur për t’i drejtuar ata, do t’i thyeni dhe nëse i lini ata do të mbeten të shtrembërta… Ajo që ne mësojmë nga kjo është se nuk duhet t’i lëmë të përkulura nëse kalojnë përtej të metave të natyrshme të pritura dhe kryejnë mëkate apo lënë pas dore detyrat. Ajo që nënkuptohet është se mund t’i lëmë siç janë në lidhje me çështjet e lejuara. Nga hadithi mësojmë gjithashtu se një mënyrë sjelljeje me butësi i bind njerëzit dhe hap zemrat e tyre. Ai na tregon gjithashtu se duhet të jemi të butë me gratë dhe ta durojmë qëndrimin e tyre me durim. Kushdo që këmbëngul në drejtimin e tyre, nuk do të përfitojë prej tyre, sepse burri nuk mund ta shijojë kënaqësinë e jetës pa të dhe ajo është mbështetja e tij në jetë. Është sikur ai të thotë: ‘Nuk mund ta shijosh shoqërinë e saj nëse nuk e duron”.

Bërja e dallimit në mes gabimeve që i kalojnë kufinjtë e Islamit dhe gabimeve që vetëm sa ndikojnë tek njerëzit e tjerë

             Nëse Islami është më i dashur për ne se vetë vetja jonë, ne duhet ta mbrojmë atë dhe të nevrikosemi për të më shumë se për veten tonë. Kur sheh një njeri që nevrikoset për veten e tij nëse dikush e fyen, por jo të inatoset për hir të fesë së Allahut nëse ajo (feja) fyhet, është një shenjë që nuk ke ndjenja fetare. Ose e shumta mund ta shohim atë duke e mbrojtur pak në një mënyrë të sikletshme.

            Zakonisht, profeti a.s i falte ata që bënin gabime në bashkëveprimin me të, veçanërisht beduinët zemërgurë, në mënyrë që t’i zbuste zemrat e tyre. Buhariu transmeton në hadithin e tij të saktë se Enes ibn Maliku ka thënë:

“Po ecja me të dërguarin e Allahut dhe ai kishte veshur një mantel Nexhrani (një krahinë arabe) me një jakë të fortë. Një beduin iu drejtua atij, i rrëmbeu mantelin në atë mënyrë saqë jaka la shenjë në qafën e profetit dhe tha: “O Muhamed, më jep pak nga pasuria e Allahut që ke ti!’. I dërguari i Allahut u kthye nga ai dhe qeshi, pastaj urdhëroi që t’i japin diçka”. Por nëse gabimi kishte të bënte me çështjen e fesë, atëherë profeti do të zemërohej për hir të Allahut. Shembuj nga kjo do të jepen më poshtë.

            Ka dhe disa çështje të tjera që duhet të mbahen në mendje kur merresh me gabimet e të tjerëve si:

 – Bërja e dallimit mes gabimeve të mëdha dhe gabimeve të vogla, ashtu si Islami bën dallimin mes mëkateve të mëdha (kebair) dhe mëkateve të vogla (sagair).

 

– Bërja e dallimit mes një personi që ka bërë shumë vepra të mira, të cilat pak a shumë do ta anulojnë rëndësinë e gabimit të tij dhe një mëkatari që mëkaton kundër vetes së tij (duke bërë vepra të këqija). Njerëzit mund të pajtohen me veprimet e atij që ka bërë shumë vepra të mirë, por jo me veprimet e tjetrit. Kjo është ajo që i ndodhi Ebu Bekrit, siç e tregon historia e mëposhtme. Esma bint Ebu Bekër ka thënë:

  “Shkuam me të dërguarin e Allahut si pelegrinë dhe kur arritëm në el-Arxh, i dërguari i Allahut ndaloi të bëjë një pushim dhe ne ndaluam me të. Aishja u ul pranë të dërguarit të Allahut dhe unë u ula pranë babait tim. Kafsha që Ebu Bekri dhe i dërguari i Allahut kishin marrë për udhëtim ishte me një shërbëtor të Ebu Bekrit. Ebu Bekri u ul, duke pritur që ai t’i arrinte dhe kur ai i arriti, deveja nuk ishte me të. Ebu Bekri i tha: ‘Ku është deveja?’ shërbëtori u përgjigj ‘E humba dje’. Ebu Bekri i tha: ‘Një deve kishe dhe e humbe?’ dhe nisi ta qëllojë. I dërguari i Allahut buzëqeshi dhe tha: “Shikoni çfarë po bën ky muhrim (person i veshur me ihram për në haxh)”. Ibn Ebu Rizmah tha: “I dërguari i Allahut nuk tha asgjë tjetër veç këtyre fjalëve: ‘Shikoni çfarë po bën muhrimi’, dhe vuri buzën në gaz. (Transmeton Ebu Davudi në Sunenin e tij. I cilësuar si hasen nga Albani)

 –          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon vazhdimisht dhe atij që gabon për herë të parë.

–          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon pa ndërprerë dhe atij që rrallë mund të bëjë di[ka të tillë.

–          Të dish të bësh dallimin mes atij që gabon hapur dhe pa turp dhe atij që përpiqet t’i mbulojë gabimet e tij.

–          T’u kushtosh vëmendje rasteve ku lidhja e tjetrit me Islamin nuk është dhe aq e fortë dhe kur zemra ka nevojë të hapet më shumë ndaj fesë, pa qenë të ashpër me të.

–          Të marrësh parasysh kontekstin e tjetrit përsa i përket statusit dhe autoritetit të tij.

 Arsyet që i përmendëm më sipër nuk kundërshtojnë parimin e drejtësisë dhe barazisë, për të cilat folëm më sipër.

             –    Të qortosh një fëmijë për fajet që bën, duhet të gjesh formën që i përshtatet moshës së tij.

 Buhariu ka transmetuar se Hasen ibn Ali mori një nga hurmat që ishte dhënë për bamirësi dhe e futi në gojë. Profeti i tha në persisht:

             “Nuk e di se ne nuk e hamë sadakanë (gjërat jepen për bamirësi)?”

             At-Tabarani, Allahu e mëshiroftë, tregon nga Zejneb bint Ebu Seleme se ajo kishte hyrë në shtëpinë e të dërguarit të Allahut, ndërsa ai po merrte gusul. Ajo tha: “Ai mori një grusht ujë ia hodhi në fytyrë dhe tha ‘Largohu, vajzë budallaqe!”

Nga kjo është e qartë se nuk do të thotë që në vitet e para të jetës së fëmijës, gabimet e tij nuk duhet të korrigjohen, me të vërtetë duke i korrigjuar atij gabimet do të thotë se po e rrit atë në mënyrën më të mirë, sepse korrigjimet do t’i mbeten në kujtesë dhe në të ardhmen ai do të përfitojë prej tyre. Hadithi i parë tregon sesi mësohet një fëmijë që ta ketë frikë Allahun dhe ta kufizojë veten e tij, kurse hadithi i dytë tregon se si i mësohen zakonet e sjelljes së mirë, si të kërkojë leje para se të hyjë diku si dhe të mos shikojë auretin e njerëzve (pjesët e trupit të cilat duhet të mbulohen).

 Një shembull tjetër i shkëlqyer i korrigjimit të fëmijëve është historia e një djali të vogël tw quajtur Omer ibn Ebi Seleme. Buhariu ka transmetuar se ai (djali) ka thënë: “Isha i vogël nën kujdesin e të dërguarit të Allahut dhe gjatë ngrënies e lëvizja dorën nëpër tw gjithë pjatën. I dërguari i Allahut më tha:

“O djalë! Thuaj Bismilah (me emrin e Allahut), ha me dorën e djathtë dhe ha atë që është para teje”. Ai shtoi: “Që nga ajo kohë kjo ishte mënyra ime e ngrënies”.

Ne mund të theksojmë se kur profeti e këshilloi djalin e vogël, i cili bëri gabim duke e prekur të gjithë ushqimin me dorë, fjalët e tij ishin të shkurtra dhe të qarta, gjë që e bëri të lehtë që fëmija ta kuptonte dhe t’i mbante mend. Ndikimi në zemrën e djalit zgjati gjatë gjithë jetës së tij përderisa ai tha: “Kjo mbeti mënyra ime e ngrënies që nga ajo kohë”.

 – Të tregosh maturi kur këshillon gratë jo-mahrem (gratw e huaja), në mënyrë që këshilla tw mos keqkuptohet dhe të shmanget fitneja (joshja). Asnjë i ri nuk duhet të përdorë justifikimin se po u flet të rejave në mënyrë që të korrigjojë gabimet e tyre apo t’i mësojë ato. Sa shpesh ka çuar kjo gjë në katastrofa! Kur vjen puna për të korrigjuar gratë, një rol kryesor duhet t’i lihet Ehl el-Hisbeh (mbikqyrwsve tw çwshtjeve fetare) dhe të vjetërve, të cilët mund t’i ndihmojnë ata. Personi që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja duhet të veprojë në bazë të asaj që ai mendon se do të jetë rezultati i qortimit të tij. Nëse mendon se do të jetë pozitiv, atëherë duhet të flasë, përndryshe ai duhet ta kufizojë veten e tij dhe të mos u flasë grave të paditura, të cilat mund të bëjnë akuza të rreme kundër tij, ndërsa akoma vazhdojnë ta përsërisin gabimin. Gjendja e shoqërisë  dhe statusi i atij që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe tw ndalojë nga e keqja, luajnë një rol themelor në suksesin e përpjekjeve të tij për të këshilluar, për të bërë të ditur një mesazh ose për të dhënë fakte. Historia e mëposhtme e ilustron këtë.

Robi i liruar i Ebu Rahamit, emri i të cilit ishte Ubejd, ka treguar se Ebu Hurejra takoi një grua që kishte hedhur parfum dhe po shkonte në xhami. Ai i tha: “O grua, ku po shkon?” Ajo u përgjigj: “Në xhami”. Ai i tha: “Dhe ke hedhur parfum për këtë?” Ajo tha: “Po”. Ai tha: “Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

 “Nëse një grua hedh parfum dhe pastaj shkon në xhami, Allahu nuk do t’i pranojë namazet e saj, derisa ajo të marrë gusul”. (Ibn Maxhe)

Sipas “Sahih Ibn Khuzejme”, një grua kaloi pranë Ebu Hurejrës dhe kishte hedhur shumë parfum. Ai i tha asaj: “Ku po shkon o grua, robëresha e Zotit?” ajo i tha: “Në xhami”. Ai i tha: “A ke hedhur parfum?” ajo u përgjigj: “Po”. Ai i tha: “Kthehu pas dhe merr gusul, sepse kam dëgjuar të dërguarin e Allahut të thotë:

 “Allahu nuk e pranon namazin e një gruaje e cila kur shkon në xhami ka hedhur shumë parfum, derisa ajo të kthehet dhe të marrë gusul”. (al-Albani ka thënë se është hadith hasen. Ahmed Shakir e ka cilësuar si sahih).

 – Të mos merremi me rregullimin e simptomave, ndërsa lëmë pas dore trajtimin e shkakut të gabimit.

 – Mosekzagjerimi i gabimit.

 – Moskalimi në ekstreme për të vërtetuar se gabimi ka ndodhur, apo të përpiqesh të detyrosh me forcë atë që bëri gabimin të pranojë fajin.

 – Lwnia e kohës së mjaftueshme për të korrigjuar gabimin, veçanërisht në rastin e atij që është mësuar ta bëjë atë për një kohë të gjatë, ndërsa vazhdon ta ndjekësh çështjen dhe vazhdon të korrigjosh dhe tw këshillosh.

 – Mos e bëni atë që bën gabim të ndihet si një armik, sepse qëllimi është t’i bindësh njerëzit dhe jo të fitosh pikë kundër tyre.

 Tani do ta kalojmë diskutimin tek metodat e përdorura nga profeti për trajtimin e gabimeve të të tjerëve, ashtu siç është treguar në hadithet e sakta të transmetuara nga dijetarët.

 

PJESA II

1-  Nxitimi në korrigjimin e gabimeve të të tjerëve dhe jo lënia e tyre pas dore

Profeti nxitonte në korrigjimin e gabimeve të njerëzve, veçanërisht kur nuk ishte e drejtë ta vononte këtë në momentin kur nevojitej. Detyra e tij ishte t’u shpjegonte njerëzve të vërtetën, t’i mësonte të bënin mirë dhe t’i largonte nga veprimi i veprave të këqija. Prandaj ai nxitonte në korrigjimin e gabimeve të njerëzve në shumë raste, siç do ta shohim në historinë e atij që nuk e falte namazin siç duhej, të gruas Mahzumi, të Ibn el-Latbijeh, Usames, të personave që donin të çonin adhurimin në shkallën më të lartë e të tjera. Këto ngjarje do të tregohen gjatë vazhdimit të diskutimit tonë, nëse Allahu do.

Mosnxitimi për korrigjimin e gabimeve është në kundërshtim me interesat e Islamit dhe keshtu qe humbet rasti për ta rrahur hekurin sa është i nxehtë.

2-   Trajtimi i gabimeve duke  shpjeguar vendimin (hukm)

Xherhad ka transmetuar se profeti a.s kishte kaluar pranë tij kur kofsha e tij kishte qenë e zbuluar. Profeti tha: “Mbuloje kofshën tënde, sepse është pjesë e auretit (pjeseve te turpshme)”. (Tirmidhiu ka thënë se ky është një hadith hasen)

3- Referimi tek feja islame kur njerëzit bëjnë gabime dhe qartësimi i parimit qe ata po e shkelin

Kur dikush bën një gabim, ata nuk e kanë në mend parimin islam dhe ai ka humbur nga tërheqja e momentit. Në raste të tilla, përsëritja e parimit islam dhe thënia e tij me zë të lartë, mund të jetë një mënyrë e efektshme për ta ndaluar personin nga rruga që ka marrë dhe për ta bërë atë të zgjohet nga çorientimi që e ka pushtuar. Kur shikojmë se çfarë ka ndodhur mes muhaxhirinëve(emigrantëve) dhe ensarëve (mbështetësve), për shkak të fitnes të nxitur nga munafikët(hipokritët), do të shohim një shembull se si profeti e përdori këtë taktikë. Buhariu ka transmetuar në hadithin e tij të saktë se Xhabiri ka thënë: “Dolëm për një ekspeditë ushtarake me të dërguarin e Allahut dhe me ne erdhën edhe disa nga muhaxhirët dhe ata ishin shumë. Mes muhaxhirët ishte një burrë i cili bënte shumë shaka. Ai e shtyu një ensar (me shaka) dhe ensari u nxeh me të dhe i thirri të tjerët që ta përkrahin duke thënë: “O Ensarë! Muhaxhiri thirri: “O muhaxhirinë!” Profeti doli dhe tha:“Për çfarë është kjo thirrje e njerëzve të xhahilijetit?” Pastaj ai tha: ‘Çfarë problemi ka?’ Atëherë i treguan se si muhaxiri e kishte shtyrë ensarin me shaka. Profeti tha: “Lëreni fanatizmin tribal,  sepse ai (tribalizmi – ndarja fisnore) është mëkat”.

Sipas transmetimit të Muslimit ai ka thënë:

“Një njeri duhet ta ndihmojë vëllain e tij edhe nëse është keqbërës apo viktimë e keqbërjes. Nëse ai është keqbërës, duhet ta ndalojë dhe nëse është viktimë e keqbërjes, ai duhet t’i vijë në ndihmë”.

4- Korrigjimi i keqkuptimeve që ndodhin për shkak të diçkaje që nuk është e qartë në mendjet e njerëzve

Në “Sahih Buhari”, Humejd ibn Ebu Humejd at-Tawiil tregon se ka dëgjuar Enes ibn Malikun të thotë: “Tre njerëz erdhën në shtëpitë e grave të profetit dhe i pyetën se si e bënte profeti adhurimin. Kur gratw u treguan ata tw tre menduan se kjo ishte shumë pak. Thanë: ‘Kush jemi ne, në krahasim me profetin? Të gjitha mëkatet e tij të së kaluarës dhe të së ardhmes, i janë falur’, (Ata menduan se ai që nuk e di nëse mëkatet i janë falur duhet të bëjë adhurim në shkallën maksimale dhe të veprojë më shumë se profeti, me shpresën se mëkatet mund t’i falen). Njëri nga ata tha: ‘Përsa më përket mua, që tani e tutje do të falem çdo natë’. Tjetri tha: ‘Kurse unë do të agjëroj për gjithë pjesën tjetër të jetës time dhe nuk da ta ndërpres asnjëherë’. I treti tha: ‘Ndërsa unë nuk do të kem asnjë lidhje me gratë dhe nuk do të martohem asnjëherë’. I dërguari i Allahut shkoi tek ata dhe u tha:‘Ju jeni ata që kanë thënë kështu e kështu?! Për Allahun, unë jam ai që i frikësohet Allahut më shumë se çdo njeri tjetër, por unë agjëroj dhe e ndërpres agjërimin, unë falem dhe pushoj dhe martohem’”. (Muslimi)

Muslimi ka transmetuar nga Enesi se një grup i shokëve të profetit i pyetën gratë e profetit se çfarë bënte ai kur ishte vetë. Njëri prej tyre tha: ‘Unë nuk do të martohem asnjëherë’. Tjetri tha: ‘Unë nuk do të ha kurrë mish’. Një tjetër tha: ‘Unë nuk do të fle asnjëherë në shtrat’. Profeti e lavdëroi dhe e falenderoi Allahun dhe tha:

‘Si është puna me disa që thonë fjalë të tilla? Përsa më përket mua, unë falem dhe fle, unë agjëroj dhe e ndërpres agjërimin dhe unë martohem. Kushdo që nuk vepron sipas Sunetit tim nuk është prej meje”. (Muslimi)

Këtu mund të theksojmë pikat e mëposhtme.

– Profeti shkoi tek ata dhe iu drejtua atyre drejtpërdrejt; kur ai donte t’i mësonte të gjithë njerëzit, ai nuk u drejtohej me emër apo t’i shfaqë ata, ai thjesht thoshte: “Si është puna me disa njerëz…?” Në këtë mënyrë ai tregohej i butë me ta dhe i mbulonte gabimet e tyre, ndërsa në të njëjtën kohë vepronte për interesin e përbashkët duke i mësuar të gjithë.

– Hadithi përshkruan zbulimin e veprimeve të njerëzve të mirë dhe kërkon të rivalizojë me to. Hetimi i gjërave të tilla është shenja e mendjes së ndritur dhe përpjekjes për të përmirësuar veten.

– Kjo ndodhi tregon se kur vjen puna për çështjet e dobishme të fesë, nëse nuk është e mundur që ato të mësohen nga burrat, është e lejuar të mësohen nga gratë.

– Nuk ka asnjë problem që një njeri të flasë për veprat e tij, nëse nuk ka asnjë faktor mburrjeje dhe kjo bëhet që të tjerët të përfitojnë.

– Ne mësojmë gjithashtu se kalimi në ekstreme përsa i përket adhurimit mund ta bëjë një njeri të mërzitet, gjë që mund tw sjellw mw vonw qw njeri ta ndalojë adhurimin tërësisht; prandaj më e mirë është të jesh i mesëm. (Fet’h el-Bari)

 – Në përgjithësi gabimet ndodhin si rezultat i keqkuptimeve; nëse mendimet sqarohen siç duhet, gabimet do të ulen. Nga hadithi është e qartë se arsyeja pse ato sahabë përvetësuan konceptet e adhurimit të tepërt dhe monasticizmit, ishte se ata menduan se duhet të bënin më shumë vepra se profeti, në mënyrë që të shpëtonin; atij i ishte thënë se mëkatet e tij i ishin falur, por ata nuk e kishin këtë përparësi. Profeti i vuri në udhë të drejtë dhe u tha se edhe pse atij i ishin falur mëkatet, ai ishte njeriu që i frikësohej më shumë Allahut nga gjithë njerëzimi dhe ai i urdhëroi që ata të ndiqnin Sunetin e tij për adhurimin.

Diçka e ngjashme i ndodhi një sahabi tjetër, emri i të cilit ishte Kahmas el

Hilali, i cili tregoi ndodhinë e tij: “U bëra musliman dhe shkova tek profeti dhe i thashë që isha bërë musliman. U largova për një vit, gjatë të cilit u dobësova shumë dhe kur u ktheva, ai më shikoi nga koka tek këmbët. Unë i thashë: ‘Nuk më njeh?” Ai tha:

‘Kush je ti?’ Unë i thashë: ‘Jam Kahmas el-Hilali’. Ai më tha: ‘Çfarë të ka ndodhur?” Unë i iu përgjigja: “Pasi të takova ty, kam agjëruar çdo ditë dhe nuk kam fjetur asnjëherë gjatë natës’. Ai tha: ‘Kush të tha ty ta torturosh veten tënde? Agjëro në muajin e durimit (Ramazanin), dhe një ditë të çdo muaji pas tij’. Unë i thashë: ‘Më lejo të bëj më shumë’. Ai tha: ‘Agjëro muajin e durimit dhe dy ditë të çdo muaji pas tij’. Unë i thashë: ‘Më lejo të bëj më shumë, unë mund ta bëj këtë’. Ai tha: ‘Agjëro në muajin e durimit dhe tre ditë të çdo muaji pas tij”. (“Musned at-Tajalisi”. I transmetuar nga Taberani në “el-Kebir”).

Disa keqkuptime mund të bazohen në faktin sesi gjykohen dhe si konsiderohen njerëzit. Profeti ishte shumë i dhënë pas korrigjimit në lidhje me këtë dhe për t’i vënë njerëzit në rrugën e drejtë. Në “Sahih Bukhari”, ka një transmetim nga Sehl ibn Sa’d as-Sa’idi i cili ka thënë:

“Një burrë kaloi pranë të dërguarit të Allahut, dhe profeti pyeti një burrë që ishte ulur pranë tij: ‘Çfarë mendon për këtë burrë?’ Ai tha: ‘Ai është nga njerëzit më fisnikë’. Për Allahun, nëse propozon për martesë ai meriton të pranohet, nëse ndërmjetëson, ai meriton t’i pranohet ndërmjetësimi”. I dërguari i Allahut nuk tha asgjë. Pastaj një burrë tjetër kaloi aty pranë dhe i dërguari i Allahut e pyeti: ‘Çfarë mendon për të?’ Ai u përgjigj: ‘O i dërguari i Allahut ai është një nga muslimanët e varfër. Nëse propozon për martesë, ai nuk meriton të pranohet, nëse ai ndërmjetëson, ndërmjetësimi i tij nuk duhet të pranohet dhe nëse flet ai nuk e meriton të dëgjohet”. I dërguari i Allahut tha: ‘Ky burrë është më i mirë se gjithë burrat e tokës që ngjasojnë me atë që kaloi më parë”.

Sipas një ndodhie të treguar nga Ibn Maxhe, një burrë kaloi pranë të dërguarit të Allahut dhe profeti u tha (shokëve të tij):

“Çfarë mendoni për këtë burrë?” Ata thanë: “Ky është nga njerëzit më fisnikë. Nëse bën një propozim për martesë meriton të pranohet, nëse ndërmjetëson, meriton t’i pranohet ndërmjetësimi, nëse flet, meriton të dëgjohet”. Profeti heshti. Një burrë tjetër kaloi dhe profeti pyeti: “Çfarë mendoni për këtë burrë?” Ata u përgjigjën: “Për Allahun, o i dërguari i Allahut, ai është një nga muslimanët e varfër. Nëse propozon për martesë, ai nuk meriton të pranohet; nëse ndërmjetëson nuk meriton t’i pranohet ndërmjetësimi dhe nëse flet nuk meriton të dëgjohet”. Profeti ka thënë: “Ky burrë është më i mirë se gjithë burrat në tokë që ngjasojnë me atë që kaloi më parë”.

5 – Të korrigjosh gabimet duke u kujtuar njerëzve vazhdimisht t’i frikësohen Allahut

Xhundub ibn Abdullah al-Bexheli ka transmetuar se i dërguari i Allahut dërgoi një grup muslimanësh të luftojnë disa mushrikinë dhe ata zhvilluan një betejë. Njëri nga mushrikinët u zinte pritë muslimanëve të veçantë dhe i vriste ata. Njëri nga muslimanët donte ta kapte dhe ta vriste. Xhundubi tregon: “Ne menduam se personi qw iu vu nga pas “mushrikut” ishte Usamah ibn Zejd. Kur ai ngriti shpatën, mushriku tha ‘La ilahe ila Allah’, por ai (Usamah) e vrau. Një burrë shkoi tek profeti dhe i tregoi se çfarë kishte ndodhur në betejë. Kur ai i tregoi se çfarë i kishte ndodhur mushrikut, i cili kishte thënë ‘La ilahe illa Allah, profeti dërgoi të merrnin Usaman dhe e pyeti: “Përse e vrave?”. Ai tha: “O i dëguari i Allahut! Ai u kishte bërë shumë keq muslimanëve, ai vrau filanin dhe filanin’ – dhe ai tha emrat e disa njerëzve, – “Unë e sulmova dhe kur ai pa shpatën tha ‘La ilahe illa Allah’. I dërguari i Allahut tha: “Dhe ti e vrave?”. Usamah tha: “Po”. Ai tha: “Çfarë do të bësh kur deklarata ‘La ilahe illa Allah’ të vijë ta mbrojë atë ditën e ringjalljes?” Ai tha: “O i dërguari i Allahut, lutu për faljen time”. Profeti tha vetëm: “Çfarë do të bësh kur deklarata ‘La ilahe illa Allah’ të vijë ta mbrojë atë ditën e ringjalljes?”; ai nuk tha asgjë tjetër. (Mulimi)

Sipas një transmetimi të treguar nga Usamah ibn Zejd, ai ka thënë: “I dërguari i Allahut na dërgoi në një fushatë ushtarake dhe në mëngjes arritëm në el-Harakat afër Xhuhejneh. Gjatë betejës kapa një burrë dhe ai tha ‘La ilahe ila Allah’, po unë e vrava. Pastaj u ndieva keq për këtë dhe ia tregova profetit. I dërguari i Allahut tha ‘Ai tha La ilahe ila Allah dhe ti e vrave?’ I thashë: ‘O i dërguari i Allahut, ai tha ashtu vetëm sepse kishte frikë nga arma ime’. Ai i tha: ‘Ku e di ti se çfarë kishte ai në zemër? Si mund të ishe i sigurt nëse ishte i sinqertë apo jo?’ Ai e përsëriti këtë aq herë saqë do të doja të mos isha bërë musliman deri atë ditë (sepse pranimi i Islamit fshin të gjitha mëkatet e mëparshme – Përkthyesi)’. (Muslimi)

Një çështje që duhet të përfshihet në grupin e gjërave që duhet t’i kujtojmë është përkujtimi i njerëzve për fuqinë e Allahut. Një shembull i kësaj jepet si vijon:

Muslimi ka transmetuar se Ebu Mas’ud el-Bedri ka thënë: “Po rrihja njërin nga shërbyesit e mi me kamzhik dhe dëgjova një zë pas meje që më thoshte: ‘Dëgjo Ebu Mas’ud!’ Por nuk i kushtova rëndësi zërit sepse isha shumë i nxehur. Kur zëri mu afrua, e kuptova se ishte i dërguari i Allahut dhe po më thoshte: ‘Dëgjo Ebu Mas’ud, dëgjo Ebu Mas’ud!’ E hodha kamzhikun nga dora (sipas një tranmetimi tjetër: kamzhiku më ra nga dora nga respekti për të). Ai tha:

‘Dëgjo Ebu Mas’ud, Allahu ka më shumë forcë mbi ty, sesa ti ke mbi këtë shërbëtor”. Unë i thashë: ‘Nuk do të rrah më asnjëherë një shërbëtor”.

 

Sipas një transmetimi tjetër ai ka thënë: “I thashë: ‘O i dërguari i Allahut, ai është i lirë për hir të Allahut’. Ai tha: ‘Nëse nuk do ta kishte bërë këtë, zjarri i ferrit do të frynte mbi fytyrën tënde, ose tha zjarri do të të prekte ty”.

Sipas një transmetimi tjetër të treguar gjithashtu nga Muslimi “I dërguari i Allahut tha:‘Pa dyshim Allahu ka më shumë pushtet mbi ty sesa ti ke mbi të’. Kështu që ai e liroi atë”.

Ebu Mas’ud el-Ensari ka thënë:“Po rrihja njërin nga shërbëtorët e mi, kur dëgjova një zë pas meje: “Dëgjo Ebu Mas’ud, dëgjo Ebu Mas’ud”. U ktheva dhe pashë që ishte i dërguari i Allahut. Ai tha: ‘Allahu ka më shumë pushtet mbi ty sesa ti ke mbi të’. Pas kësaj nuk kam rrahur më asnjë shërbëtor timin”. (Tirmidhiu. Ebu Isa ka thënë se është hadith hasen sahih)

 

6- Të tregosh dhembshuri ndaj atij që po kryen një gabim

            Kjo zbatohet në rastin e atyre që meritojnë dhembshurinë, të cilët ndiejnë keqardhje dhe tregojnë se janë penduar, siç është ndonjëherë rasti kur njerëzit bëjnë pyetje për të mësuar si në ndodhinë e mëposhtme: Ibn Abasi ka treguar se një burrë, i cili ishte divorcuar nga gruaja me anë të dhihar-it (një mënyrë divorci e xhahilijetit) dhe pastaj kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, shkoi tek profeti dhe i tha:

“O i dërguari i Allahut, unë u ndava nga gruaja me dhihar, pastaj kryeva marrëdhënie me të, para se t’i ofroja keffareh (shlyerjen)”. Ai tha: “Pse veprove kështu, Allahu të mëshiroftë?” Ai tha: “Pashë byzylykun e saj të këmbës nën dritën e hënës”, Ai tha: “Atëherë mos iu afro derisa të kesh mbaruar atë që Allahu të ka urdhëruar”. (Ebu Isa ka thënë se është hadith hasen garib sahih. Sahih Sunen al-Tirmidhi)

Ebu Hurejra ka thënë: “Ndërsa po rrinim me profetin, një burrë erdhi tek ai dhe i tha:

“O i dërguari i Allahut, jam i mallkuar!’ Ai i tha: ‘Çfarë të ka ndodhur?’ Ai u përgjigj: ‘Kryeva marrëdhënie me gruan time, ndërsa po agjëroja’. I dërguari i Allahut i tha: ‘A ke mundësi të lirosh një rob?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. Profeti i tha: ‘A mund të agjërosh për dy muaj me rradhë?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. I dërguari i tha: ‘Ke mundësi të ushqesh 60 të varfër?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. Për pak kohë profeti heshti për këtë çështje dhe ndërsa po rrinin profetit i sollën një shportë të madhe plot me hurma. Ai tha: ‘Ku është ai që më pyeti?’ Burri tha: ‘Këtu jam’. Ai i tha: ‘Merri këto dhe jepi për bamirësi’. Burri tha: ‘Kush është më i varfër se unë, o i dërguari i Allahut? Për Allahun, nuk ka familje në Medinë më të varfër se e imja’. Profeti buzëqeshi sa iu dukën dhëmbët pastaj tha: ‘Ushqeje familjen tënde me to”. (Buhariu)

Ky njeri, i cili kishte bërë një gabim dhe erdhi të pyesë të dërguarin për të, nuk po bënte shaka dhe nuk po e merrte me lehtësi çështjen. Ai ndihej i penduar dhe fajtor, siç bëhet e qartë kur ai tha “Jam i mallkuar”. Për këtë arsye ai meriton mëshirë dhe dhembshuri. Transmetimi i Ahmedit e bën gjendjen e burrit edhe më të qartë. Ebu Hurejre ka treguar se kishte shkuar një beduin, duke i rënë fytyrës, duke shkulur flokët e duke thënë:

“Jam i sigurt që jam i mallkuar!” I dërguari i Allahut i tha: “Çfarë të bën të mallkuar?” Ai tha: “Kryeva marrëdhënie me gruan time gjatë Ramazanit para se të perëndojë dielli”. Profeti i tha: “A mund të lirosh një rob?” Ai u përgjigj: “Jo”. Ai i tha: “A mund të agjërosh dy muaj njëri pas tjetrit?’ Ai u përgjigj: “Jo”. Ai e pyeti: “A mund të ushqesh 60 njerëz të varfër?” Ai u përgjigj: “Jo” dhe tregoi sa sa i varfër ishte. Të dërguarit të Allahut i sollën një shportë me 15 sa’ (masë kubike) me hurma dhe profeti pyeti: “Ku është ai burri?…Ushqe të varfërit me këtë”. Burri u përgjigj: “O i dërguari i Allahut në Medinë nuk ka familje më të varfër sesa e imja”. I dërguari i Allahut buzëqeshi sa iu dukën dhëmbët dhe tha: “Ushqe familjen tënde”.

……………………………………………..

 

7- Mos nxito t’i tregosh tjetrit se ka bërë gabim

Umerit i ndodhi diçka që e tregoi vetë: “Dëgjova Hisham ibn Hizamin të lexojë Suren el-Furkan gjatë kohës që i dërguari i Allahut ishte gjallë. Dëgjova leximin e tij dhe ishte ndryshe nga mënyra se si e thoshte i dërguari i Allahut. Për pak sa nuk e ndërpreva faljen e tij, por prita derisa dha selam (perfundoi namazin). Atëherë e kapa për rrobash dhe i thashë: ‘Kush ta ka mësuar ta thuash kështu këtë sure që sapo të dëgjova ta lexosh?’ Ai tha: ‘I dërguari i Allahut më ka mësuar ta lexoj atë’. Unë i thashë: ‘Po gënjen! I dërguari i Allahut mua më ka mësuar ta lexoj ndryshe.’ E mora dhe shkuam tek i dërguari i Allahut dhe i thashë: ‘E dëgjova ta lexojë suren Furkan ndryshe nga mënyra që ti na ke mësuar ta lexojmë’. I dërguari i Allahut tha:

“Lëre të lirë. Recitoje o Hisham’. Ai e recitoi ashtu siç e kisha dëgjuar unë. I dërguari i Allahut tha: ‘Kështu është shpallur’. Pastaj si tha: ‘Recitoje ti o Umer”. Unë e recitova ashtu siç më kishte mësuar ai. I dërguari i Allahut tha: ‘Kështu është shpallur. Ky Kuran është shpallur me shtatë mënyra leximi për lehtësi, prandaj lexojeni në mënyrën që është më e lehtë për ju. (Buhariu)

Përveç metodave edukative, nga kjo ngjarje ne mësojmë si më poshtë:

– T’i thuash gjithësecilit të recitojë – këndojë përpara tjetrit dhe ta aprovosh se recitimi i tyre ishte  efikas duke konfirmuar se të dy ishin të saktë dhe asnjëri i gabuar.

– Kur profeti i tha Omerit ta lëshojë Hishamin, kjo kishte si qëllim përgatitjen e të dyja palëve që të dëgjojnë me qetësi. Kjo tregon se Omeri ishte nxituar shumë.

– Njeriu që kërkon dije nuk duhet të nxitohet të dënojë ndonjë mendim që ndryshon nga ai me të cilin ai është i njohur; së pari ai duhet ai duhet të jetë i sigurt për atë që po thotë, sepse ai mendim mund të jetë një mendim i mirëqenë prej dijetari.

Një pikë tjetër e lidhur është se nuk duhet të nxitohemi ta dënojmë dikë që gabon, siç do ta shohim dhe në ndodhinë e mëposhtme.

En-Nesai ka transmetuar nga Abbad ibn Sherhabil i cili ka thënë:

“Shkova në Medinë me xhaxhain tim dhe hymë në njërin prej kopshteve të qytetit. Fërkova pak grurë dhe i zoti i kopshtit erdhi, mori mantelin tim dhe më qëlloi. Shkova të kërkoj ndihmë tek i dërguari i Allahut. Ai dërgoi ta merrnin pronarin e kopshtit dhe ata e sollën tek ai. Ai i tha atij: ‘Pse veprove ashtu?’ Ai u përgjigj: ‘O i dërguari i Allahut, ai hyri në kopshtin tim mori ca grurë dhe nisi t’i fërkojë’. I dërguari i Allahut i tha: ‘Ti nuk e mësove nëse ai nuk e dinte dhe ti nuk e ushqeve nëse ai ishte i uritur. Jepja mantelin e tij’. Dhe i dërguari i Allahut urdhëroi të më jepnin një waskose gjysmë wask (masë pwr matjen e grurit).

 

Nga kjo ngjarje ne mësojmë se duhet të zbulojmë rrethanat në të cilat ndodhet ai që e bën gabimin apo vepron në mënyrë agresive, në mënyrë që të dimë mënyrën më të mirë për ta trajtuar atë.

            Duhet të theksojmë gjithashtu se profeti nuk e dënoi të zotin e kopshtit, sepse ai kishte të drejtë, por ai e kishte trajtuar çështjen në mënyrën e gabuar. Ai ia bëri atij të qartë se mënyra me të cilën ai e kishte trajtuar atë njeri që nuk e njihte ishte e gabuar në këto rrethana, atëherë ai e mësoi atë ta trajtonte çështjen siç duhet dhe i tha t’i kthejë rrobën që ia kishte marrë njeriut të uritur.

8- Ruajtja e qetësisë kur trajton gabimet e njerëzve

Duke u sjellë ashpër, vetëm sa i përkeqëson gjërat dhe bën më shumë dëm sesa mirë. Ne e mësojmë këtë duke parë se si e trajtoi profeti gabimin e bërë nga beduini i cili urinoi në xhami, siç transmetohet nga Enes ibn Maliku, i cili ka thënë:

“Ndërsa ishim në xhami me të dërguarin e Allahut, erdhi një beduin dhe urinoi në xhami. Shokët e të dërguarit e Allahut thanë: ‘Ndalo! Ndalo!’, por i dërguari i Allahut tha: ‘Mos e ndërprisni, lëreni’. Kështu që ata e lanë dhe pasi urinoi, i dërguari i Allahut e thirri dhe i tha: ‘Në këto xhami nuk është e lejuar të urinosh apo të kryesh nevojat, ato janë vetëm për të përkujtuar Allahun, për t’u falur dhe për të lexuar Kuranin’ ose fjalë me këtë ndikim. Pastaj ai urdhëroi dikë të sillte një kovë ujë dhe t’ia hidhte vendit që u bë pis dhe ai veproi kështu’”. (Muslimi)

Parimi që profeti ndoqi në trajtimin e gabimit ishte trajtimi me butësi i personit, në mënyrë që të mos tregohej i vrazhdë me të. Buhariu ka transmetuar nga Ebu Hurejra:

“Një beduin urinoi në xhami dhe njerëzit u ngritën ta ndalonin. I dërguari i Allahut u tha: ‘Lëreni dhe hidhini një kovë ujë vendit. Ju jeni dërguar për t’i bërë gjërat të lehta për njerëzit dhe jo për t’i bërë ato të vështira”.

Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë) ishin shumë të dhënë pas dënimit të së keqes që kishin parë dhe për ta mbajtur xhaminë e tyre të pastër dhe të rregullt, siç tregohet në transmetime të ndryshme të këtij hadithi, që i përshkruan ata duke i bërtiur personit, që ngrihen për ta rregulluar problemin, që e qortojnë atë dhe nxitojnë për ta zgjidhur problemin me të, ose kur i thonë: “Ndalo!”.

Por profeti po mendonte për pasojat e mundshme të të dyja mundësive – ndalimit të tij ose jo. Nëse do të mundoheshin ta ndalonin, detyrimi i një burri që ta ndalojë urinimin e tij mund ta dëmtojë atë, dhe nëse nuk do të mundte të ndalonte por të lëvizte sepse ishte i frikësuar, papastërtia do të përhapej në një zonë më të madhe të xhamisë dhe në rrobat dhe trupin e personit. Profeti kishte largpamësinë të shohë se mosndalimi i personit derisa të kishte përfunduar urinimin, ishte më e pakta e dy të këqijave, veçanërisht nga fakti se burri e kishte nisur diçka të tillë dhe ishte një problem të cilin mund ta zgjidhnin më vonë duke e pastruar vendin. Prandaj ai u tha shokëve ta linin dhe mos e ndërprisnin. Ai u tha ta linin të qetë, sepse kjo ishte në interesin e të gjithëve dhe kjo do të shmangte një të keqe më të madhe, duke duruar një të keqe më të vogël.

Transmetohet gjithashtu se profeti e pyeti burrin për arsyen e veprimit të tij. Et-Taberani ka transmetuar në “El-Mu’xhem el-Kebir” se Ibn Abasi ka thënë:

“Një beduin shkoi tek profeti, në xhami, dhe u zotua për besnikërinë ndaj tij. Pastaj ai u largua dhe nisi të urinojë. Njerëzit donin ta ndalonin, por profeti tha: ‘Mos e ndaloni një burrë kur urinon’. Pastaj ai e pyeti: ‘Nuk je musliman?’ Ai u përgjigj: ‘Sigurisht që po’. Profeti i tha: ‘Ç’të shtyu të urinosh në xhami?’ Ai u përgjigj: ‘Për Atë që të ka dërguar me të vërtetën, mendova se ishte si çdo vend tjetër prandaj urinova’. Profeti kërkoi një kovë me ujë që ta hidhnin sipër papastërtisë”.

Trajtimi me urtësi i problemit pati një ndikim të madh tek beduini, siç tregohet nga reagimi i tij. Ibn Maxhe ka transmetuar se Ebu Hurejra ka thënë:

“Një beduin hyri në xhami ku ishte ulur i dërguari i Allahut dhe tha: ‘O Allah, më fal mua dhe Muhamedin dhe mos fal asnjeri tjetër’. I dërguari i Allahut buzëqeshi dhe tha: ‘Po kufizon diçka të gjerë’. Pastaj beduini shkoi në pjesën më të largët të xhamisë dhe urinoi. Pasi kishte mësuar më mirë, beduini tha: ‘Ai u ngrit, babai dhe nëna ime u flijofshin për të, nuk më qortoi dhe nuk më ofendoi. Ai tha vetëm: ‘Ne nuk urinojmë në këtë xhami, ajo është ndërtuar vetëm për të përkujtuar Allahun dhe për t’u falur’. Pastaj ai kërkoi të sillnin një kovë me ujë dhe ia hodhi sipër papastërtisë”.

Ibn Haxheri përmendi në komentimin e tij një sërë gjërash që mësojmë nga hadithi për beduinin, mes të cilave:

– Ne duhet të jemi të sjellshëm kur merremi me një të paditur dhe duhet t’i mësojmë atë që ai duhet të dijë, pa e qortuar atë, përderisa nuk vepron nga kokëfortësia, veçanërisht nëse ai duhet të bindet.

– Profeti ishte i sjellshëm dhe ai u soll mirë me të.

– Ideja e marrjes së masave kundër papastërtisë (nexhase) u ngulit mirë në mendjet e sahabëve, që është një arsye pse ata u nxituan ta dënonin këtë veprim në praninë e profetit pa kërkuar në fillim lejen e tij. Ideja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja u ngulit gjithashtu mirë në mendjet e tyre.

– Ne duhet gjithashtu të nxitojmë të largojmë gjërat që janë të pakëndshme kur nuk na ndalon asgjë për të vepruar kështu, sepse kur burri mbaroi së urinuari, profeti dha udhëzime se vendi duhej të pastrohej me ujë.

 

9- Shpjegimi i seriozitetit të gabimit

Ibn Umeri, Muhamed ibn Ka’bi, Zejd ibn Eslemi dhe Katade treguan (pjesa e mëposhtme përpilohet nga tregimet e tyre) se gjatë një fushate të Tebukut një burrë tha: “Nuk kemi parë njerëz që e duan ushqimin dhe thonë gënjeshtra më shumë se recituesit tanë, ose më frikacakë në fushën e betejës” – duke iu referuar të dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij. Auf ibn Malik tha: “Po gënjen!” Ti je një hipokrit dhe unë do t’i tregoj të dërguarit të Allahut”. Aufi shkoi t’i tregojë të dërguarit të Allahut, por mori vesh se tashmë ishte shpallur Kurani në lidhje me këtë. Pastaj erdhi te profeti, i cili ishte në devenë e tij dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, ne vetëm po flasim me nge dhe po bëjmë shaka, sa për të kaluar kohën”. Ibn Umeri tha: “Është sikur ta kisha parë të varur në kapistrën e devesë së profetit dhe duke e goditur me gurë në këmbë dhe duke thënë: “Thjesht po flasim me nge dhe po luajmë !”, ndërsa i dërguari i Allahut recitoi:

“Thuaju: ‘A me Allahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?” (Kuran 9: 65)

Ibn Xherir ka transmetuar se Ibn Umeri ka thënë: “Gjatë eskspeditës së Tebukut një burrë tha gjatë një takimi: ‘Nuk kemi parë njerëz që ta duan ushqimin dhe të thonë më shumë gënjeshtra sesa recituesit tanë, apo të jenë më frikacakë në fushën e betejës’. Një burrë që ishte i pranishëm tha: ‘Po gënjen!’ Ti je hipokrit dhe unë do t’i tregoj të dërguarit të Allahut’, dhe Kurani u shpall’. Abdullah ibn Umeri ka thënë: ‘E pashë të varur në kapistrën e devesë së të dërguarit të Allahut duke gjuajtur gurë dhe duke thënë: ‘O i dërguari i Allahut ne vetëm po flisnim me nge dhe po bënin shaka’, dhe i dërguari i Allahut po thoshte:

“Thuaju: ‘A me Allahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?” (Kuran 9: 65) (“Tefsir ibn Xherir at-Taberi”. Transmetuesit e tij janë me kriteret e  “Sahih” përveç Hisham ibn Sa’dit, nga i cili Muslimi ka transmetuar vetëm si një transmetim konfirmues, si në el-Mizan. Transmetohet gjithashtu nga Taberi në isnadin e tij dhe ka një tregim konfirmues me një isnad hasen nga Ibn Hatimi nga hadithi i Ka’b ibn Malikut.)

10- Shpjegimi ndikimit të dëmshëm të gabimit

Ebu Thalebe al-Khashni ka thënë: “Sa herë që i dërguari i Allahut ndalonte në një vend gjatë udhëtimit, njerëzit shpërndaheshin në lugina dhe kodra. I dërguari i Allahut tha: “Shpërndarja juaj në lugina dhe kodra vjen nga shejtani”. Pas kësaj sa herë që ata ndalonin, të gjithë qëndronin të bashkuar, saqë nëse u hidhje një mantel, i mbulonte të gjithë”. (Transmeton Ebu Davudi në “Sunen”; i cilësuar si sahih nga Albani në “Sahih Sunen Ebu Davud”).

Sipas një transmetimi tjetër: “…sa do të thoje se nëse hidhje sipër tyre një mantel, ajo do t’i mbulonte të gjithë:. (Ahmedi)

Këtu mund të theksojmë shqetësimin e profetit për shokët e tij, që është shqetësimi i liderit për trupat e tij. Shpërndarja e ushtrisë kur ndalonin për fushim ishte një mashtrim i shejtanit, në mënyrë që t’i bënte muslimanët të trembeshin dhe ta drejtonte armikun që t’i sulmonte ata. Shpërndarja në këtë mënyrë e bënte të vështirë që një pjesë e ushtrisë ta ndihmonte pjesën tjetër.

Mund të theksojmë gjithashtu se shokët e profetit, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, i bindeshin atij për të gjitha udhëzimet që ai u jepte.

Një shembull tjetër sesi profeti e shpjegonte sa i rëndë dhe i rrezikshëm ishte një gabim, shihet në hadithin e en-Numan ibn Beshir, sipas të cilit profeti ka thënë:

“Drejtojini radhët (gjatë namazit) ose Allahu do t’ju ndajë”. (Buhariu)

Muslimi ka transmetuar në “Sahih” nga Semmak ibn Harbi, i cili ka thënë: “Kam dëgjuar en-Numan ibn Beshir të thotë:

I dërguari i Allahut i drejtonte radhët me saktësi, derisa e shihte që ne e kemi bërë një gjë të tillë. Në ditë ai erdhi dhe sapo thoshte tekbirin, vuri re një burrë që i kishte dalë para kraharori. Ai tha: “O robtë e Allahut, drejtojini radhët tuaja, ose Allahu do t’ju ndajë’”. (Muslimi)

En-Nesai ka transmetuar nga Enesi se profeti i Allahut ka thënë:“Drejtojini radhët dhe qëndronin afër njeri-tjetrit dhe drejtojini qafat tuaja, sepse për Atë në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit, unë shoh shejtanët që hyjnë në radhët tuaja si të ishin dele të zeza”. (“El-Muxheaba”. I klasifikuar si i saktë nga Albani në “Sahih Sunen en-Nesai”)

Shpjegimi i ndikimeve negative është shumë i rëndësishëm kur bëhet fjalë për të bindur njerëzit se po bëjnë një gabim. Pasojat mund të ndikojnë tek vetë personi, ose edhe tek të tjerët. Një shembull të ndikimit tek personi e shohim tek transmetimi i Ebu Davudit në “Sunen” nga Ibn Abasi, ku një burrë mallkoi erën. Muslimi ka thënë se era mori mantelin e një burri dhe ai e mallkoi atë. Profeti i tha:“Mos e mallko, sepse ajo bën vetëm siç komandohet nga Allahu dhe nëse një njeri mallkon diçka që nuk meriton të mallkohet, mallkimi do t’i kthehet atij”.

            Një shembull i ndikimit tek të tjerët është treguar nga Buhariu në “Sahih” nga Abdur-Rahman ibn Ebu Bekre nga i ati i tij, i cili ka thënë: “Një burrë lavdëroi një burrë tjetër në praninë e profetit”. Sipas një transmetimi nga Muslimi një burrë tha: ‘O i dërguari i Allahut, s’ka tjetër përveç të dërguarit të Allahut që të jetë më i mirë se ai për këto e këto gjëra’. (Muslimi) Profeti i tha disa herë:‘Mjerë për ty! Ti i ke prerë fytin shokut tënd! Ti i ke prerë fytin shokut tënd!’ pastaj tha “Nëse ndonjëri prej jush këmbëngul në lavdërimin e tjetrit lëreni të thotë: “Mendoj se filani është kështu e kështu dhe Allahu e di të vërtetën ose nuk e konfirmoj sjelljen e askujt para Allahut, por mendoj se ai është kështu e kështu”

 

Sipas një transmetimi të Buhariut në “El-Edeb el-Mufred”, Muhxhen el-Eslemi ka thënë: “…kur ishin në xhami, i dërguari i Allahut, pa një burrë duke u falur, duke bërë sexhde dhe ruku. I dërguari i Allahut më tha:

‘Kush është ky?’ Unë nisa ta lavdëroja atë dhe i thashë: “O i dërguari i Allahut, ky është filani dhe është kështu e kështu”.

Sipas një transmetimi tjetër gjithashtu në “el-Edeb el-Mufred” ai tha: “Ky është filani dhe është një nga njerëzit më të mirë në Medinë për namazin”. Ai tha: “Hesht se mos të dëgjon, ti mund ta shkatërrosh atë”. (El-Albani ka thënë se është hadith hasen.)

            Buhariu ka transmetuar se Ebu Musa ka thënë: “Profeti dëgjoi një burrë që po lavdëronte një tjetër në maksimum dhe i tha: “Ti e ke shkatërruar atë” ose “Ti ia ke thyer shpinën”.

            Profeti shpjegoi se ekzagjerimi kur lavdëron dikë është një gabim që mund të ketë pasoja të këqija. Ai mund ta bëjë personin që po lavdërohet të ndihet krenar dhe zemra e tij të mbushet me mendjemadhësi dhe vetëadmirim dhe ai do qëndrojë në famën e tij ose do fillojë të mburret, ngaqw mund të kënaqet shumë nga lavdërimi. Kjo mund ta çojë atë në dënimin e tij të fundit, që është ajo që nënkuptoi profeti kur tha: “Ti e ke shkatërruar atë”, ose “Ti i ke prerë fytin” ose “Ti i ke thyer shpinën”.

            Për më tepër, nëse një njeri e lavdëron në maksimum dikë tjetër dhe thotë diçka për të cilën nuk është i sigurtë, pohon diçka që nuk mund ta dijë, ose tregon gënjeshtra ose thotë diçka për ta gënjyer personin që po lavdëron, kjo do të jetë katastrofë, veçanërisht nëse personi që po lavdëron është një shtypës ose keqbërës. (“Fet’h el-Bari”)

            Në përgjithësi, nuk është e ndaluar t’i lavdërosh njerëzit. Profeti i ka lavdëruar disa njerëz në praninë e tyre. Një shpjegim i rëndësishëm i kësaj teme gjendet në “Sahih Muslim”, ku është një kapitull i quajtur: Ndalimi i lavdërimit të të tjerëve nëse ekzagjerohet ose ka rrezik fitneje për atë që lavdërohet). (“Kitab ez-Zuhd ua ar-Rekaik”, “Sahih Muslim”)

            Personi që ndihet sikur po dështon, nuk dëmtohet nga lavdërimi dhe nëse lavdërohet ai nuk bëhet mendjemadh, sepse ai e di natyrën e tij të vërtetë. Disa nga selefët (paraardhësit e devotshëm) kanë thënë: “Nëse një njeri lavdërohet në praninë e tij le të thotë ‘O Allah më fal mua për atë që ata nuk e dinë, mos më bëj mua përgjegjës për atë që ata thonë dhe më bëj më të mirë nga ajo që ata mendojnë”. (Fath el-Bari)

11- Mësimi praktik i atij që po kryen një gabim

            Në shumë raste mësimi praktik është më efikas sesa mësimi teorik. Kjo është ajo që bëri profeti. Xhubejr ibn Nufejr ka treguar nga i ati se ai shkoi tek i dërguari i Allahut, i cili kërkoi ujë pastaj tha:

“Merr abdes, o Ebu Xhubejr”. Ebu Xhubejr filloi me gojën dhe i dërguari i Allahut tha: ‘Mos fillo me gojën o Ebu Xhubejr sepse kafiri (mosbesimtari) fillon me gojën’. Pastaj i dërguari i Allahut kërkoi ujë dhe lau duart derisa u pastruan, pastaj shpërlau gojën dhe hundën tre herë, lau krahun e djathtë deri në bërryl tre herë, dhe krahun e majtë tre herë, fshiu kokën dhe veshët dhe lau këmbët”. (El-Bejhaki në “es-Sunen”)

            Këtu mund të theksojmë se profeti e ndaloi qëllimisht sahabin që të mos bëjë një veprim të gabuar duke i treguar se kafiri fillon me gojën, kuptimi mund të jetë se kafiri nuk i lan duart para se t’i fusë në enë (më ka thënë shejh Abdul-Aziz ibn Bazi kur e pyeta për shpjegimin e hadithit), sepse nuk është higjienike. Allahu e di më së miri.

12- Ofrimi i një alternative më të bazuar

Abdullah ibn Mes’ud ka thënë: “Kur faleshim me profetin, thonim: “Paqja qoftë mbi Allahun nga robtë e Tij, paqja qoftë mbi filanin”. (Sipas një transmetimi të en-Nesait, ai ka thënë: “Paqja qoftë mbi Xhibrailin, paqja qoftë mbi Mikailin.) Profeti ka thënë:“Mos thoni ‘Paqja qoftë mbi Allahun’, sepse Allahu është ‘Paqësori’ (es-Selam). Por thoni ‘et-Tehijatu lilahi ue es-salavatu uet-tajibatu, es-selamu alejke, ejuhe en-Nebiju ue rrahmetullahi ue berekatuhu, e es-selamu alejna ue ala ibadilahi es-salihin’. Nëse e thoni këtë, do të përfshijë çdo rob të Allahut në qiell ose mes qiellit dhe tokës. Pastaj thoni: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij’. Pastaj cilën dua të doni”. (Buhariu)

                        Një transmetim tjetër që trajton këtë temë është treguar nga Enesi, i cili ka thënë se profeti kishte parë pështymë në drejtimin e kiblës dhe kjo e kishte zemëruar aq shumë sa dukej dhe në paraqitje. Ai u ngrit, e hoqi atë me dorë dhe tha:

“Kur kushdo prej jush ngrihet për t’u falur, ai po flet me Zotin e tij. Zoti i tij është mes tij dhe Kiblës, prandaj asnjëri prej jush nuk duhet të pështyjë në drejtim të kiblës; ai duhet të pështyjë në të majtë ose nën këmbët e tij:. Pastaj ai mori cepin e rrobës së tij, pështyu në të dhe e fërkoi njërën anë me tjetrën dhe tha: “Ose veproni kështu”. (Buhariu)

            Një shembull tjetër është transmetuar nga Ebu Said el-Khudri i cili ka thënë: “Bilali shkoi tek profeti me disa hurma të cilësisë së mirë dhe profeti e pyeti: “Nga vijnë këto?” Bilali tha: “Ne kishim disa hurma të cilësisë së dobët dhe shita dy masa të tyre me një masë nga këto, që t’ia jepnim profetit”. Kur ai e dëgjoi këtë, profeti tha:

“Oh, oh! Esenca e riba-s (kamatës)! ! Esenca e kamatës! Mos e praktikoni atë. Nëso doni të blini, shitini hurmat tuaja për diçka tjetër, pastaj blijini”. (Buhariu)

            Sipas një transmetimi tjetër, një ditë një shërbëtor i shpuri profetit disa hurma të freskëta, por hurmat e profetit ishin të thata, prandaj profeti e pyeti:

“Ku i more këto hurma?” Ai u përgjigj: “Blemë një masë nga këta për dy masa nga hurmat tona”. Profeti i tha: “Mos e bëni këtë, sepse nuk është e drejtë. Fillimisht shiti hurmat  tuaja, pastaj bli çfarë hurmash të duash”. (“Musned Ahmed”)

            Por në rastin e disa ftuesve dhe njerëzve që kërkojnë të urdhërojnë për të mirë dhe të ndalojnë nga e keqja, vëmë re  disa të meta në metodat e tyre kur ata gjykojnë disa nga gabimet që bëjnë njerëzit. Ata vetëm i nxjerrin në pah gabimet dhe i gjykojnë si haram dhe nuk ofrojnë një alternativë, apo nuk shpjegojnë çfarë duhet të bëhet nëse një person bën një gabim. Dihet se metoda e Islamit është të ofrojë alternativa që të shlyhen përfitimet që mund të jenë fituar nga praktikimi i haramit. Kur u ndalua zinaja (imoraliteti, shkelja e kurorës), martesa lejohej dhe këshillohej; kur u ndalua ribaja (kamata, interesi), u lejua tregtia; kur u ndalua mishi i derrit, mishi i kafshës së ngordhur dhe mishi i çdo kafshe që ka dhëmbë shqyes dhe kthetra, u lejua mishi i bagëtisë së therur siç duhet dhe u lejuan të gjitha kafshët e tjera e kështu me radhë. Nëse një njeri bën një gabim, Islami i tregon rrugën se si të largohet nga ky gabim me anë të pendimit dhe shlyerjes, ashtu siç shpejgohet në tekstet e keffaret-it (veprimeve të shlyerjes). Prandaj ata që duan t’u bëjnë të tjerëve ftesë në Islam duhet të ndjekin sheriatin duke u ofruar alternativa dhe duke gjetur mënyra të pranueshme për t’u larguar nga mëkati. (Një shembull tjetër i ofrimit të një alternative është të citosh hadithet e sakta, që të zëvendësojnë hadithet e “dobwta” dhe të trilluara.)

            Këtu ia vlen të theksojmë se ofrimi i alternativave është diçka që varet në atë që është e mundur. Ndonjëherë një gabim është diçka që duhet të ndalohet, por nuk ka alternativë reale, ose sepse gjendja e përgjithshme është e keqe dhe njerëzit largohen nga sheriati i Allahut, ose sepse ai që po kërkon të urdhërojë për të mirë dhe të ndalojë nga e keqja nuk e mban mend se cila alternativë është ajo që duhet dhwnw. Kjo ndodh shpesh në rastin e marrëveshjeve financiare dhe organizatave investuese, të cilat u krijuan në shoqëritë jobesimtare dhe shkuan në shoqëritë muslimane të plota me të gjitha tiparet e tyre të papranueshme islamikisht.Të metat dhe dobësitw e muslimanëve i privojnw ata pwr të krijuar alternativa islamike dhe pwr  t’i zbatuar ato kudo. Ato dobësi dhe të meta mbeten, edhe pse metodologjia hyjnore përmban alternativa dhe mënyra për t’u larguar prej tyre, që mund të lehtësojnë vështirësitë e muslimanëve, por ka njerëz që e dinë këtë, dhe ka prej tyre që nuk e dinë.

13- Udhëzimi i njerëzve tek ajo që do t’i parandalojë nga kryeja e gabimit.

            Ebu Umamah ibn Sahl ibn Haneef ka treguar se i ati i ka thënë se i dërguari i Alahut doli dhe ata udhëtuan me të në drejtim të Mekës, gjersa arritën në grykën e el-Khazzarit afër el-Juhfah. Sahl ibn Haneef mori gusul, ai ishte i bardhë me trup dhe lëkurë të bukur. Amir ibn Rabeeah, vëllai i Banu Adiyy ibn Kab e shikoi, ndërsa po merrte gusul dhe i tha: “Nuk kam parë asnjëherë si ajo që kam parë sot, as lëkura e një virgjëreshe që është e fshehur!” (duke iu referuar bardhësisë së lëkurës së Sahl.) Sahl ra në tokë (ai pati një krizë epileptike). I dërguari i Allahut erdhi dhe  i thanë: “Do ta shohësh Sahlin?” Për Allahun, ai nuk ngre dot kokën dhe nuk zgjohet”. Ai pyeti: “Kush e pati fajin?” Ata thanë: “Amir ibn Rabeeah e pa”. I dërguari i Allahut thirri Amirin dhe i qortoi me inat dhe i tha:

“Pse ndonjëri prej jush do ta vriste vëllain e tij? Nëse ndonjëri prej jush sheh se vëllai juaj ka diçka që i pëlqen, lutuni që ai të ketë të mira”. Pastaj i tha: “Lahu ta ndihmosh”. Ai lau fytyrën, duart deri në bërryl, gjunjët, anët e këmbëve dhe brenda izarit (rrobë e poshtme) me një ene. Pastaj profeti i tha: “Hidhja ujin sipër”. Ai ia hodhi ujin mbi kokë dhe nga pas duke e anuar enën. Sahl u ngrit dhe u bashkua me njerëzit dhe ishte me shëndet të mirë”. (“El-Musnad”. El-Haythami ka thënë se burrat e Ahmedit janë burrat e saheeh, “el-Majma”.

            Sipas një transmetimi të Malikut, Muhamed ibn Ebu Umamah ibn Sahl ibn Haneef mori gusul në el-Khazzar dhe hoqi rrobën që kishte veshur. Amir ibn Rabeeah po e shikonte. Sahl ishte i bardhë dhe kishte një lëkurë shumë të bukur. Amir ibn Rabeeah i tha: “S’ka parë lëkurë më të bukur se kjo, as lëkura e një virgjëreshë!”. Sahl ra në tokë dhe u sëmur rëndë. I dërguari i Allahut erdhi dhe i thanë: “Sahl është sëmurë dhe nuk mund të vijë me ty o i dëguari i Allahut”. Sahl i tregoi se çfarë kishte ndodhur me Amirin dhe i dërguari i Allahut tha:

“Pse ndonjëri prej jush do ta vriste vëllain e tij? Duhej të ishte lutur për të mira për të. Syri i keq eshtë i vërtetë. Merr abdes ta ndihmosh”. Kështu që Amiri mori abdes dhe Sahl u ngrit dhe shkoi me të dërguarin e Allahut dhe ishte me shëndet të mirë”. (“El Muëatta”)

            Nga kjo histori mësojmë:

– Mësuesi (dmth profeti) u nxeh me atë që dëmtoi vëllain e tij musliman.

– Ai i shpjegoi efektet e dëmshme të gabimit dhe se ajo mund të të çonte deri në vdekje.

– Ai tregoi mënyrën që mund ta parandalonte dëmin që mund t’i bëhet një muslimani.

 

14- Mospërballja direkte e njerëzve me gabimet e tyre dhe referimi i çështjes me terma të përgjithshme, mund të jetë i mjaftueshëm.

            Enes ibn Maliku ka transmetuar se profeti ka thënë:“Si është puna me disa njerëz të cilët gjatë namazit të tyre e ngrenë shikimin drejt qiellit?” Ai foli shumë ashpër për ta dhe tha: “Ata nuk duhet të veprojmë më kështu, sepse përndryshe Allahu do t’jua marrë shikimin”. (Buhariu)

            Kur Aishja donte të blinte një shërbëtore, emri i së cilës ishte Bareerah, pronarët e saj refuzuan ta shesin atë pa kushtin se ajo do të ishte akoma e lidhur me ta. Kur profeti e zbuloi këtë, ai u ngrit, iu drejtua njerëzve, falenderoi dhe lartësoi Allahun dhe tha: “Si është puna me njerëzit që vendosin kushte, të cilat nuk janë në Librin e Allahut? Të gjitha kushtet të cilat nuk janë përmendur në Librin e Allahut janë të pavlefshme, edhe po të kishte një qind kushte të tilla. Urdhri i Allahut është më i vërtetë, kushtet e vendosura nga Allahu janë më detyruese dhe uala (lidhja, besnikëria) është për atë që e liron robin”. (I transmetuar nga Buhariu në shumë vende në “Saheeh”. Shih “Fath el-Bari”)

            Aishja ka thënë: “Profeti bëri diçka dhe e beri të lejueshme, por disa njerëz menduan se ishin lart kësaj. Profeti e mori vesh këtë dhe iu drejtua njerëzve. Ai e lartësoi dhe e falenderoi Allahun dhe tha:‘Si është puna me njerëzit, të cilët mendojnë se janë më lart sesa të veprojnë gjërat që bëj unë? Për Allahun, unë di më shumë për Allahun sesa ata dhe i frikësohem atij më shumë sesa ju”.

            Ebu Hurejra ka transmetuar se i dërguari i Allahut pa pështymë në kiblën e xhamisë, prandaj u kthye nga njerëzit dhe tha: “Si është puna me njërin prej jush, që qëndron me fytyrë nga Zoti i tij dhe pështyn para tij? Dëshiron ndonjëri prej jush të qëndrojë para tij dhe ta pështyjë në fytyrë? Nëse doni të pështyni, pështyni në të majtën tuaj ose nën këmbë dhe nëse nuk mund ta bëjë këtë, le të veprojë kështu” – dhe el-Qasim përshkroi sesi pështyu në rrobën e tij dhe fërkoi njërën pjesë të saj me pjesën tjetër. (“Saheeh Muslim”)

            En-Nasai ka transmetuar në “Sunan” se profeti fali namazin as-Subh dhe recitoi Suren er-Rum, por u ngatërrua. Kur mbaroi namazin tha:“Si është puna me ata njerëz të cilët falen me ne por nuk pastrohen siç duhet? Këta njerëz na bëjnë të ngatërrohemi kur këndojmë Kuran”. (“Sunan en-Nasai”, “el-Mujtaba”. Burrat e tij janë thiqah (të besueshëm), por el-Hafidh ka thënë për Abdul-Malik ibn Umayrin se ishte i besueshëm por kujtesa e tij ndryshoi dhe ai mund të ketë sajuar disa transmetime).

            Ahmedi ka transmetuar se Ebu Rauh el-Kalai ka thënë: “I dërguari i Allahut na drejtoi në namaz dhe tha Suren er-Rum, por u ngatërrua në një pjesë të saj. Ai tha: “Shejtani na bëri të ngatërrohemi në këndimin e Kuranit, për shkak të disa njerëzve të cilët vijnë në namaz pa abdes. Kur të vini në namaz, merrni abdes siç duhet”.

            Ai ka transmetuar gjithashtu nga Shuhab nga Abdul-Malik ibn Umayr, i cili ka thënë: “Dëgjova Shaheeb Ebu Rauh të tregojë nga një burrë nga shokët e profetit , i cili tha se profeti fali namazin as-Subh dhe lexoi Suren er-Rum dhe u ngatërrua dhe ai transmetoi të njëjtin hadith”. (Transmetohet gjithashtu nga Zaidah dhe Sufjani nga Abdul-Maliku. “El-Musnad)

            Ka shumë shembuj të cilët tregojnë se nuk duhet të tregohet identiteti i atij që ka kryer gabimin. Kjo mënyrë indirekte dhe shmangia e përballjes së drejpërdrejtë ka shumë përfitime, duke përfshirë dhe pikat e mëposhtme:

1. Ajo shmang reagimin negativ të atij që ka kryer gabimin dhe e parandalon që të joshet nga shejtani për t’u hakmarrë ose për të mbrojtur veten e tij.

2. Kjo është më e pranueshme nga njerëzit dhe më efikase.

3. Ajo fsheh gabimin e personit para njerëzve të tjerë.

4. Ajo rrit pozitën e mësuesit ose këshilluesit dhe e bën më të dashur.

            Duhet të theksojmë se kjo metodë e përdorimit të referimit të tërthortë për t’i bërë të ditur një njeriu që ka kryer një gabim një rregull, pa e treguar atë dhe pa shkaktuar tension, duhet të perdoret kur ajo që ai ka bërë nuk dihet nga shumica e njerëzve. Nëse pjesa më e madhe e njerëzve e dinë se çfarë ai ka vepruar dhe ai e di se ata e dinë, atëherë kjo metodë do të ishte më shumë në natyrën e qortimit dhe mësimit dhe ekspozimit të tij ne mënyrën më të dhimbshme. Ai që ka kryer gabimin duhet të përballet drejtpërdrejt më shumë se sa të trajtohet në këtë mënyrë. Nga faktorët që mund të përbëjnë ndryshimin janë: ai që jep këshillën, në praninë e kujt jepet këshilla dhe nëse këshilla jepet në një mënyrë provokuese dhe agresive apo në një mënyrë të sjellshme dhe të butë.

            Metodat jo të drejtpërdrejta të mësimit të njerëzve nëse përdoren me urtësi, mund të jenë përfituese për atë që ka bërë gabimin dhe për të tjerët.

15- Nxitja e opinionit publik kundër atij që ka kryer gabimin

            Kjo metodë duhet të përdoret vetëm në rrethana shumë të kufizuara, kur çështjes i është dhënë shumë rëndësi, për të shmangur përshkallëzimin negativ të gjendjes. Më poshtë vijon një shembull se si e ka përdorur profeti këtë metodë.

            Ebu Hurejra ka thënë: “Një burrë shkoi tek profeti dhe u ankua për fqinjin e tij. Profeti i tha:‘Shko dhe duroje’. Personi u kthye përsëri dy ose tri herë të tjera, atëherë profeti i tha: ‘Shko dhe nxirri gjërat e tua jashtë’. Kështu që ai shkoi dhe i nxorri gjërat në rrugë. Njerëzit nisën ta pyesnin se çfarë po ndodhte dhe ai u tregoi për fqinjin e tij dhe njerëzit nisën ta mallkojnë (fqinjin) duke thënë: ‘Allahu i bëftë këtë e atë atij!’ Atëherë fqinji doli jashtë dhe i tha: “Futi gjërat e tua brenda, nuk do të bëj më asgjë që ty nuk të pëlqen”. (Ebu Davudi)

            Kjo metodë ka një plotësuese të kundërt, që përdoret në rrethanat e tjera për t’i mbrojtur njerëzit nga opinioni publik, siç do të shpjegohet më poshtë.

 

16- Shmangia e ndihmimit të shejtanit kundër atij që po kryen një gabim

             Umer ibn el-Khattabi ka transmetuar se në kohën e profetit, ishte një burrë i quajtur Abdullah, nofka e të cilit ishte Himar (gomar), i cili e bënte të dërguarin e Allahut të qeshë. Profeti urdhëroi ta rrihnin me kamzhik sepse kishte pirë – një ditë e dërguan tek profeti dhe ai dha urdhër ta qëllonin me kamzhik. Një nga të pranishmit tha: “O Allah, mallkoje atë! Sa herë e kanë sjellë të dënohet sepse pi!” Profeti tha:

“Mos e mallko atë, sepse për Allahun, gjithçka që unë di për të, është se ai e do Allahun dhe të dërguarin e Tij”. (Buhariu)

            Ebu Hurejra ka thënë:“Një të pirë e dërguan tek profeti, i cili dha urdhër që ta rrihnin, prandaj disa nga ne e qëlluam me duar, disa të tjerë me këpucë dhe rroba. Kur ai u largua një burrë tha: “Allahu e turpëroftë!”. I dërguari i Allahut tha: “Mos u bë ndihmësi i shejtanit kundër vëllait tënd”. (Buhariu)

            Ebu Hurejra ka thënë gjithashtu:“Një burrë, i cili kishte pirë u dërgua tek profeti dhe ai tha: ‘Rriheni!’ Disa nga ne e qëlluam me duar, disa të tjerë me këpucë dhe rroba. Kur ai u largua, disa nga njerëzit thanë: ‘Allahu të turpëroftë!’ I dërguari i Allahut tha: ‘Mos flisni kështu. Mos e ndihmoni shejtanin kundër tij”. (Buhariu)

            Sipas një transmetimi tjetër:    “Atëherë i dërguari i Allahut u tha shokëve të tij: ‘Qortojeni atë. Ata u kthyen nga ai dhe i thanë: ‘Ti nuk mendove për Allahun, ti nuk pate frikë nga Allahu, ti nuk u turpërove para të dërguarit të Allahut’. Pastaj e lanë të ikte dhe profeti tha: ‘Tuaj ‘O Allah, fale atë, o Allah mëshiroje atë!’, dhe disa nga ata shtuan disa mendime të ngjashme”. (Ebu Davudi. I cilësuar si sahih nga Albani në “Saheeh Abi Davud”.)

            Sipas një transmetimi tjetër:“Kur ai u largua, disa nga njerëzit thanë: “Allahu të turpëroftë!” I dërguari i Allahut tha: “Mos fol kështu, mos e ndihmo shejtanin kundër tij. Thuaj ‘Allahu të mëshiroftë!”.

            Ajo që mësojmë nga të gjitha këto transmetime është se nëse një musliman bën një gabim, ai mbetet një musliman dhe në thelb e do akoma Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe kjo nuk duhet të mohohet. Nuk lejohet të lutesh kundër tij në atë mënyrë që të ndihmosh shejtanin kundër tij, por duhet të lutemi për të dhe t’i kërkojmë Allahut ta udhëzojë, ta falë dhe ta mëshirojë atë.

 

17 – T’i kërkosh personit të mos e bëjë më veprimin e gabuar

            Është shumë e rëndësishme ta bindësh personin të mos e bëjë më veprimin e gabuar, në mënyrë që veprimi të mos përkeqësohet dhe të mos vonohet dënimi i mëkatit.

            Umeri ka treguar se ai ka thënë: “Jo, për babain tim”. I dërguari i Allahut tha:

“Ndalo! Kushdo që betohet për diçka tjetër përveç Allahut, ai ka bërë shirk (të vogël)”. (Imam Ahmedi. Ahmed Shakir ka thënë se isnadi i tij është Saheeh.)

            Ebu Davudi ka transmetuar në “Sunan” se Abdullah ibn Busr ka thënë: “Një burrë po kapërcente mbi njerëzit (në xhami) një të premte, ndërsa profeti po mbante hutben. Profeti i tha: “Ulu! Po shkakton çrregullim”.

Tirmidhiu ka transmetuar se Ibn Umeri ka thënë: “Një burrë gromësiu në praninë e profetit. Profeti tha:‘Mos gromësini para nesh! Ata që e mbushin stomakun më shumë në këtë botë, do të jenë ata që do të mbeten më të uriturit ditën e ringjalljes”. (Ebu Eesa ka thënë se ky është një hadith ghareeb hasan me këtë isnad.)

Këto hadithe tregojnë një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj personit që po kryen gabimin, që ai të mos e bëjë më atë që po bën.

18 – T’i shpjegosh personit që po kryen gabimin si ta korrigjojë atë

Profeti e ka bërë këtë shumë herë, duke përfshirë dhe të mëposhtmet:

– Tërheqjen e vëmendjes së individit për gabimin e tj që ai t’i rregullojë vetë gjërat.

Një shembull i kësaj është tregimi i Ebu Saeed al-Khudrit, i cili ka thënë se ishte me të dërguarin e Allahut dhe profeti hyri dhe pa një burrë të ulur në mes të xhamisë, duke i shtërnguar duart me njëra-tjetrën dhe duke folur me vete. Profeti i bëri me shenja, por ai nuk e vuri re. Prandaj ai u kthye nga Ebu Saeed dhe tha:

“Nëse ndonjëri prej jush falet, nuk duhet t’i shtërngojë gishtat me njëri-tjetrin, sepse ky shtërngim vjen nga shejtani, për aq kohë sa jeni në xhami jeni në një gjendje faljeje, derisa të dilni jashtë”. (Ahmedi në “Musnad”. AL-Haythami ka thënë në “Al-Majma” se isnadi i tij është hasan.

– T’i kërkosh personit të bëjë diçka përsëri me korrektësi, nëse kjo është e mundur.

Ebu Hurejra ka treguar se një burrë kishte hyrë në xhami, ndërsa i dërguari i Allahut ishte ulur në një qoshe. Ai u fal, pastaj erdhi dhe e përshëndeti me selam. I dërguari i Allahut tha: “Ue alaykas selam, shko dhe falu, sepse nuk je falur”. Ai shkoi dhe u fal, pastaj u kthye dhe e përshëndeti profetin i cili tha: “Ue alaykas Selam, kthehu dhe falu, sepse nuk je falur (me korrektësi)”. Në rastin e dytë ose më pas, burri tha: “Më mëso o i dërguari i Allahut”. Ai i tha: “Kur ngrihesh për tu falur, merr abdes siç duhet, pastaj drejtohu nga kibla dhe thuaj tekbirin (Allahu Ekber). Pastaj thuaj çfarë është më e lehtë për ty nga Kurani, pastaj përkulu derisa trupi të të bjerë të qetësi në ruku (përkulja), pastaj ngrihu derisa trupi të jetë krejtësisht i drejtë. Pastaj gjunjëzohu derisa të jesh i qetë në sexhe, pastaj ulu derisa të jesh i qetë në uljen tënde, pastaj gjunjëzohu përsëri derisa të jesh i qetë në sexhden tënde, pastaj ulu përsëri derisa të jesh i qetë në uljen tënde. Vepro kështu në të gjitha namazet e tua”. (I transmetuar nga të gjithë, ky version është transmetuar nga Buhariu.)

Duhet të theksojmë se profeti u kushtonte vëmendje veprimeve të njerëzve që ishin rreth tij, që ai të mund t’i mësonte ata. Sipas një transmetimi të an-Nasait:“Në xhami hyri një burrë dhe u fal, ndërsa i dërguari i Allahut po e shikonte. Kur mbaroi, ai u kthye dhe e përshëndeti të dërguarin e Allahut, i cili i tha: ‘Shko falu sepse nuk je falur (siç duhet)…”.

Nga cilësitë e mësuesit është se ai duhet të jetë i informuar për veprimet e atyre që janë me të.

– Është pjesë e urtësisë edukative t’i kërkosh një personi që ka bërë gabim, ta përsërisë veprimin e tij, në mënyrë që ai ta vejë re gabimin e tij dhe ta korrigjojë vetë, veçanërisht kur është një gabim i dukshëm që nuk i shkon atij. Ai mund ta ketë bërë nga harresa, prandaj kjo do ta kujtojë atë.

– Nëse personi që ka kryer gabimin nuk e kupton atë, duhet t’i tregohet dhe t’i shpjegohet.

– T’i japësh informacion një personi që është i interesuar dhe ka pyetur vetë për të, është më efikase dhe ka më shumë gjasa të kujtohet, sesa t’ia japësh një njeriu që nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.

            Metodat e mësimdhënies janë të shumta dhe mësuesi mund të zgjedhë ato që përshtaten më mirë në rrethana të caktuara.

            Një shembull tjetër i kërkimit të një personi të përsërisë veprimin e tij me korrektësi jepet nga Muslimi në “Saheeh”, ku ai tregon se Xhabiri ka thënë: “Umer ibn Khattabi më ka thënë se:

‘Një burrë mori abdes, por nuk e lagu një pjesë të këmbës që kishte masën e një thoi. Profeti e pa dhe i tha: ‘Kthehu dhe merr abdes siç duhet’. Kështu që ai u kthye dhe mori abdes përsëri dhe u fal”.

Një shembull tjetër është treguar nga Tirmidhiu në “Sunan” nga Kildah ibn Hanbali, i cili ka thënë se Safuan ibn Umayyah e dërgoi atë tek profeti me pak qumësht, kos dhe daghabees(kastraveca), në kohën kur profeti ishte në majë të luginës. Ai tha:

“Shkova pranë tij dhe nuk e përshëndeta me selam dhe as nuk i kërkova leje për të hyrë, prandaj profeti tha: Dil jashtë dhe thuaj ‘esselamu alejkum; a mund të hyj?’” (Tirmidhiu ka thënë se është një hadith ghareeb hasan.)

– T’i kërkosh personit që ka kryer gabimin ta korrigjojë sa më shumë të mundet.

Buhariu ka transmetuar nga Ibn Abasi se profeti ka thënë:

“Asnjë burrë nuk duhet të rrijë vetëm me një grua nëse nuk është mahram (kushëri me afërsi gjaku me të cili ndalohet martesa)”. Një burrë u ngrit dhe tha: ‘O i dërguari i Allahut, gruaja ime ka shkuar në haxh dhe unë jam regjistruar për filan ekspeditë ushtarake’. Ai tha: ‘Shko dhe bëj haxhin me gruan tënde’”.

– Rregullimi i pasojave të gabimit

An-Nasai ka transmetuar në “Sunan” nga Abdullah ibn Amri se një burrë shkoi tek profeti dhe i tha:“Kam ardhur të deklaroj besnikërinë time ndaj teje dhe të bëj hixhretin (shpërnguljen). Prindërit i kam lënë duke qarë”, Ai i tha: “Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin, ashtu siç i bëre të qajnë”.

– Të ofrosh kaffarah (shlyerje) për gabimin.

Nëse disa gabime nuk mund të korrigjohen ose të ndryshohen, atëherë Islami ofron tre mënyra për t’i larguar efektet e tyre. Njëra nga mënyrat është kaffarati ose veprimet e shlyerjes, që është disa llojesh, si kaffarat al-yameen (shlyerja për betimin e një premtimi të papërmbushur) dhe shlyerja për dhihar ( një formë jahili e divorcit ku burri i thotë gruas “Ti je për mua si nëna ime”) dhe shlyerja për vrasje, kryerjen e marrëdhënieve gjatë muajit të ramazanit e të tjera.

19 – Të gjykosh vetëm gabimin dhe të pranosh pjesën tjetër

Ka raste kur jo gjithçka që bën apo thotë një person është e gabuar, prandaj është prej urtësisë ta kufizosh gjykimin vetëm tek ajo që është e gabuar dhe të mos e përgjithësosh duke dënuar gjithçka që thuhet ose bëhet. Kjo tregohet në tregimin e transmetuar nga Buhariu në “Saheeh” nga ar-Rubayyi bin Muauuadh ibn Afra, i cli ka thënë:

            “Profeti erdhi, hyri brenda dhe u ul në shtratin tim ashtu siç u ule ti. Disa vajza tonat nisën t’i bien def-it dhe duke kënduar këngë që lavdëronin ato të paraardhësve tanë që ishin vrarë në Bedr. Pastaj njëra prej tyre tha: ‘Mes tyre është një profet që di të ardhmen’. Profeti tha: ‘Mos e thoni atë, por thoni atë që po thonit më parë’”.

            Sipas një transmetimi të Tirmidhiut:“…I dërguari i Allahut i tha: ‘Mos e thoni këtë, por thoni atë që po thonit më parë’”. (Ebu Isa ka thënë: ky është një hadith hasan.)

Sipas një transmetimi të Ibn Majah profeti ka thënë: “Mos e thoni këtë, thoni: asnjë nuk e di të ardhmen përveç Allahut”. (I cilëuar si saheeh nga Albani.)

            Nuk ka dyshim se ky lloj trajtimi e bën personin të ndiejë se ai, që po përpiqet të nxjerrë në pah gabimet e tij dhe t’i korrigjojë ato, është i drejtë dhe i ndershëm dhe kjo e bën më të mundshme që ai ta pranojë këshillën e tij. Kjo është në kundërshtim me disa nga ata që duan të gjykojnë gabimet, por nxehen kaq shumë nga gabimi që është kryer saqë shkojnë në ekstrem në gjykimin e tyre dhe dënojnë gjithçka që bëhet dhe thuhet nga ai që ka bërë gabimin, njësoj për të mirin dhe për të keqin. Kjo e bën njeriun ta refuzojë atë që ata thonë dhe të refuzojë zbatimin e këshillës së tyre.

            Në disa raste, gabimi nuk është tek fjalët, por në rastin ose kontekstin ku ato thuhen. Për shembull, kur vdes dikush, një njeri mund të thotë suren “el-Fatihah” dhe të gjithë të pranishmit do ta thonë. Ata mendojnë se nuk ka asgjë të keqe me këtë sepse ajo që ata po thonë është Kurani, jo fjalët e kufrit. Atyre duhet t’u shpjegohet se çfarë nuk shkon me këtë veprim është, të mendosh se duhet ta themi el-Fatihanë në këto raste si një akt adhurimi pa pasur fakte nga sheriati për të vepruar kështu, që është thelbi i bidatit. Kjo është ajo që Umeri i përmendi një burri i cili teshtiu pas tij dhe tha ‘el-Hambu Lilah ues-selam ala Resul Allah’ (Lavdërimet kanë për Allahun dhe paqja qoftë mbi të dërguarin e Allahut)”. Ibn Umeri tha: “Unë mund të thoja ‘el-Hambu Lilah ues-selam ala Resul Allah’, por nuk është kjo ajo që na ka mësuar i dërguari i Allahut. Ai na ka mësuar të themi ‘el-Hamdu Lilah ala kulli hal’ (Lavdërimet janë për Allahun, çfarë do qofshin rrethanat)”. (“Sunan at-Tirmidhi”)

20- Kthimi i të drejtave dhe ruajtja e pozitës

            Muslimi ka transmetuar se Auf ibn Maliku ka thënë : “Një njeri i Humayr vrau njërin nga armiqtë dhe donte të merrte si plaçkë gjërat e tij, por Khalid ibn el-Ualid, i cili ishte përgjegjës për fushatën, nuk e lejoi. Auf ibn Maliku shkoi tek i dërguari i Allahut dhe ia tregoi ngjarjen. Ai e pyeti Khalidin:

“Përse nuk ia dhe plaçkën?” Khalidi u përgjigj: “Mendova se ishte shumë, o i dërguari i Allahut”. Profeti i tha: “Jepja atij”. Pastaj Khalidi kaloi pranë Auf i cili i tërhoqi mantelin dhe tha: “A nuk veprova ashtu si të thashë përsa i përket të dërguarit të Allahut?’ I dërguari i Allahut e dëgjoi, u nxeh dhe i tha: “Mos ia jep o Khalid! Mos ia jep o Khalid! Përse nuk i lë të qetë komandantët e mi? Ngjashmëria mes teje dhe atyre është si ai burri që i kërkohet të kujdeset për një deve ose dele dhe kur është koha që të pinë ujë, ai i dërgon në një gropë që të pinë dhe ata nisin të pijnë, ata pijnë ujin e pastër dhe lënë llumin. Ti merr ujin e pastër dhe u lë atyre (komandantëve) llumin”. (Muslimi)

            Imam Ahmedi ka transmetuar një version më të plotë të kësaj ndodhie nga Auf ibn Malik al-Ashai, i cili ka thënë: “Dolëm në një ekspeditë ushtarake në kufirin e Sirisë dhe Khalid ibn el-Ualid u caktua si komandanti ynë. Një burrë që i përkiste Humayr erdhi në grupin tonë dhe nuk kishte asgjë tjetër përveç një shpate, nuk kishte armë tjetër. Një nga muslimanët theri një deve dhe ky burrë mundohej të merrte diçka derisa arriti të merrte një copë lëkure si forma e një mburoje. Ai e hapi në tokë dhe e punoi derisa u tha, pastaj i bëri nëj dorezë, si një mburojë. Ne hasëm me armikun, që ishte një grup i përzier romakësh dhe arabësh nga (fisi) Qudahah. Ata na luftuan me ashpërsi, mes tyre ishte një romak me një kalë palomino me një shalë ngjyrë floriri dhe një rrip të larë me ar dhe një shpatë me të njëjtin material. Ai nisi t’i sulmojë dhe t’i sfidojë njerëzit dhe ai burri Madadi iu shmang romakut derisa iu afrua nga pas dhe e goditi kalin me shpatën e tij. Romaku ra në tokë dhe burri e vrau me shpatën e tij. Pasi Allahu u dha fitoren, burri erdhi të kërkojë plaçkën dhe njerëzit ishin dëshmitarë se ai e kishte vrarë (romakun), prandaj Khalidi i dha një pjesë të plaçkës dhe pjesën e mbetur e mbajti. Kur u kthye në grupin e Auf, ai i tregoi atij për këtë dhe Auf tha: “Kthehu dhe kërkoja dhe pjesën tjetër”. Ai u kthye por Khalidi nuk ia dha. Auf shkoi tek Khalidi dhe i tha: “Nuk e di se i dërguari i Allahut ka thënë se plaçka duhet t’i jepet atij që vret?” Ai tha: “Sigurisht që e di”. Ai i tha: “Atëherë përse nuk ia jep atij plaçkën e tij?” Ai u përgjigj: “Mendova se ishte shumë”. Auf i tha: “Kur ta takoj të dërguarin e Allahut do t’i tregoj për këtë”. Kur shkoi në Medinë Auf e dërgoi burrin dhe ai iu ankua profetit. I dërguari i Allahut thirri Khalidin, ndërsa Auf ishte ulur aty dhe i tha:

“O Khalid përse nuk ia dhe këtij burri plaçkën e tij të luftës?” Ai u përgjigj: “Mendova se ishte shumë për të o i dërguari i Allahut”. Profeti tha: “Jepja atij”. Khalid kaloi pranë Auf dhe Auf i tërhoqi mantelin dhe i tha: “Nuk të mjaftoi ajo që të thashë për të dërguarin e Allahut?” I dërguari i Allahut e dëgjoi, u nxeh dhe tha: “Mos ia jep o Khalid! Përse nuk i lë të qetë komandantët e mi? Ngjashmëria jote me ta është si një burrë të cilit i kërkohet të kujdeset për deve ose dele, kështu që ai kujdeset për ta, pastaj kur vjen koha që ata të pinë, ai i çon në një gropë dhe ato pijnë ujin e pastër dhe lënë llumin. Ti merr ujin e pastër dhe u lë atyre (komandantëve) llumin”.

            Këtu duhet të theksojmë se kur Khalid bëri një gabim në vendimin e tij (ixhtihadin) duke i mbajtur një sasi të madhe të plaçkës së luftës nga vrasësi, profeti dha urdhër që çështja të zgjidhej drejt, duke i dhënë plaçkën pronarit që e meritonte. Por ai u nxeh kur dëgjoi Auf duke bërë insinuata për Khalidin dhe duke e vënë në lojë kur tha: “A nuk bëra atë që të thashë se do të bëja sipas të dërguarit të Allahut?” dhe kur i tërhoqi mantelin Khalidit kur i kaloi pranë. Prandaj ai tha: “Mos ia jep o Khalid!” Ai e bëri këtë me qëllimin e rivendosjes dhe riforcimit të pozitës së komandantit dhe liderit, sepse mbështetja e pozicionit të liderit përpara njerëzve shërben për një qëllim të qartë.

            Por mund të ngrihet pyetja e mëposhtme: Nëse vrasësi kishte të drejtë ta merrte plaçkën, si mund të mos ia jepte? En-Nauaui iu përgjigj kësaj pyetjeje me dy rezultate të mudnshme:

“Ai ose ia ka dhënë plaçkën më vonë dhe e vonoi si dënim për të dhe për Auf, për atë që ai i dha Khalidit dhe sepse tregoi mungesë respekti për komandantin dhe atë i cili e kishte caktuar atë. Ose ai që kishte të drejtë ta merrte atë, e la me dëshirë dhe ua dhuroi muslimanëve dhe qëllimi i kësaj ishte ta bënte Khalidin të ndihej më mirë me qëllimin e mbështetjes së pozitës së liderëve”. (“Fath ar-Rabbani”).

            Fakte të mëtejshme për kthimin e pozitës së personit të cilit i është bërë padrejtësi jepen në transmetimin e Imam Ahmedit në “Musnad” nga Ebu at-Tufayl Amir ibn Uathilah, se një burrë kaloi pranë një grupi njerëzish dhe i përshëndeti me selam dhe ata ia kthyen selamin, por kur ai u largua njëri prej tyre tha: “Për Allahun, e urrej këtë burrë për hir të Allahut”. Të tjerët thanë: “Sa gjë të keqe që the! Për Allahun ne do t’i tregojmë atij. Ngrihu o filan – njëri nga të pranishmit – dhe shko tregoji”. Kështu lajmëtari i tyre shkoi dhe i tregoi se çfarë kishte thënë. Burri shkoi tek i dërguari i Allahut dhe i tha: “O i dërguari i Allahut, kalova pranë një grupi muslimanësh mes të cilëve ishte filani. I përshëndeta me selam dhe ata ma kthyen përshëndetjen dhe kur ika, njëri prej tyre më zuri në rrugë dhe më tha se filani kishte thënë: “Për Allahun, e urrej këtë burrë për hir të Allahut. Thirre dhe pyete përse më urren”. Atëherë i dërguari i Allahut e thirri dhe e pyeti për atë që kishte thënë burri. Ai e pranoi dhe tha: “Unë e thashë atë o i dërguari i Allahut”. I dërguari i Allahut tha:

“Përse e urren?” Ai u përgjigj: “Unëjam fqinji i tij dhe e njoh shumë mirë. Për Allahun nuk e kam parë asnjëherë të falë ndonjë namaz përveç namazit të urdhëruar që të gjithë të mirët dhe të këqinjtë e falin”. Burri tha: “O i dërguari i Allahut pyete, a më ka parë ndonjëherë të vonoj ndonjë namaz, apo të mos marr abdes ashtu si duhet, apo të mos bëj rukunë dhe sexhden siç duhet?” Ai u përgjigj: “Jo”. Pastaj ai tha: “Për Allahun nuk e kam parë ndonjëherë të agjërojë përveç këtij muaji, të cilin edhe të mirët dhe të këqinjtë e agjërojnë”. Ai tha: “O i dërguari i Allahut a më ka parë ndonjëherë ta ndërpres agjërimin tim gjatë (atij muaji) apo të bëj ndonjë gjë që të ma bëjë agjërimin të pavlefshëm?” I dërguari i Allahut e pyeti dhe ai tha: “Jo”. Pastaj ai tha: “Për Allahun, nuk e kam parë t’i japë ndonjë gjë ndonjë personi në nevojë apo të shpenzojë nga pasuria e tij për hir të Allahut, përveç zekatit, që të gjithë e japin, të mirët dhe të këqinjtë”. Ai tha: “O i dërguari i Allahut pyete nëse kam mbajtur ndonjëherë ndonjë pjesë të zekatit dhe nëse nuk ia kam dhënë atij që ma ka kërkuar?” I dërguari i Allahut e pyeti dhe ai u përgjigj: “Jo”. I dërguari i Allahut tha: “Nuk e di, ndoshta ai është më i mirë se ti”.

            Menjëherë pas këtij transmetimi në “el-Musnad” thuhet si vijon: “Yaqoob na tregoi, babai im na tregoi ne nga Ibn Shihab se atij i kishin thënë se një burrë në kohën e të dërguarit të Allahut kaloi pranë një grupi njerëzish. Ai nuk e përmendi Ebu Tufaylin. Ebu Abdullah tha: “Kam dëgjuar se Ibrahim ibn Sad ka transmetuar këtë hadith nga kujtesa e tij dhe tha në lidhje me Ebu at-Tufaylin se djali i tij Jakub e ka treguar nga i ati, por ai nuk e përmendi Ebu at-Tufaylin. Mendoj se është gabuar dhe transmetimi i Jakubit është Saheeh dhe Allahu e di më së miri”. (El-Musnad. EL-Haythami ka thënë: burrat e Ahmedit janë thiqah)

            Është shumë e rëndësishme të ruash pozitën e një personi pasi ai është penduar për gabimin e tij dhe i ka vënë gjërat në rrugë të drejtë, në mënyrë që ai të mbetet në rrugën e drejtë dhe të bëjë një jetë normale mes njerëzve. Në ndodhinë e gruas Makhzoomi të cilës i prenë dorën (për vjedhje, që transmetohet nga Aishja, thuhet se:

“Ajo u pendua siç duhet më vonë, u martua dhe vinte tek unë dhe unë i tregoja të dërguarit të Allahut për çfarë kishte nevojë”. “Saheeh Muslim”).

PJESA III

21- Nëse gabimi bëhet nga dy persona duhet t’u drejtohesh të dyja palëve

Në shumë raste, faji nuk është vetëm i një njeriu dhe personit që bën gabimin mund t’i jetë bërë padrejtësi, por gabimi nuk ndahet në mënyrë të barabartë. Në këtë rast, duhet t’u drejtohesh të dyja palëve dhe duhet të këshillohen. Më poshtë jepet një shembull:

Abdullah ibn Ebu Aufa ka thënë: Abdur-Rahman ibn Auf u ankua për Khalid ibn el-Ualidin tek i dërguari i Allahut. Profeti tha:

“Mos mërzisni asnjërin prej atyre që ishin të pranishëm në Bedr, sepse edhe nëse do të shpenzonit flori sa madhësia e Uhudit, veprat tuaja nuk do të barazoheshin me veprat e tyre”. Ai tha: “Ata më fyen në fillim dhe unë reagova”. Profeti tha: Mos e mërzisni Khalidin sepse ai është një nga shpatat e Allahut të dërguara kundër kuffarëve”. (el-Haythami ka thënë: burrat e at-Tabaranit janë thiqah. “el-Majma”. Shih gjithashtu dhe “el-Mujam el-Kabeer” nga at-Tabarani)

22- Ti kërkosh një personi ta falë atë që i bëri padrejtësi

Enes ibn Maliku ka thënë: “Arabët i shërbenin njëri-tjetrit kur udhëtonin dhe Ebu Bekri dhe Umeri kishin një burrë me vetë, i cili u shërbente. Ata i zuri gjumi dhe më vonë u zgjuan dhe ai nuk kishte përgatitur ushqim për ta. Njëri prej tyre i tha shokut: “Ky burrë flen shumë”. (Ky është në “Tefsie Ibn Katheer”. Sipas versionit të cituar nga el-Albani në “as-Silsilah as-Saheehah”)

            Ata e zgjuan dhe i thanë: “Shko tek i dërguari i Allahut dhe thuaji se Ebu Bekri dhe Umeri të dërgojnë selam dhe të kërkojnë ushqim” Ai tha:

“Jepu atyre selamin tim dhe thuaji se sapo kanë ngrënë”. Ata u mërzitën kështu që shkuan tek profeti dhe e pyetën: “O i dërguari i Allahut të çuam fjalë për ushqim dhe ti na the se kemi ngrënë? Çfarë kemi ngrënë?” Ai u përgjigj: “Mishin e vëllait tuaj. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, e shoh mishin e tij në dhëmbët tuaj” – duke nënkutuar mishin e atij për të cilin kishin përgojuar. Ata thanë: “Kërkoji Allahut të na falë”. Profeti tha: “Lëreni atë të kërkojë falje për ju”.           

 

23- T’i kujtosh një njeriu cilësitë e mira të atij të cilit i ka bërë padrejtësi, që atij t’i vijë keq për atë që ka bërë dhe të kërkojë falje

            Kështu veproi profeti në situatën që u krijua mes Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Buhariu ka transmetuar në “Saheeh Kitab at-Tefsir” se Ebu Darda ka thënë: “Pati një grindje mes Ebu Bekrit dhe Umerit. Ebu Bekri e nxehu Umerin dhe ai u largua i zemëruar dhe Ebu Bekri e ndoqi, duke i kërkuar të kërkojë falje për të, por ai nuk e bëri atë dhe ia mbylli derën në fytyrë. Ebu Bekri u kthye dhe shkoi tek i dërguari i Allahut dhe ne po rrinim me të. I dërguari i Allahut tha:Shoku yt është përfshirë në një grindje”. Pastaj Umeri u pendua për atë që kishte bërë, prandaj erdhi dha selamin dhe u ul pranë profetit. Ai i tregoi të dërguarit të Allahut se çfarë kishte ndodhur. I dërguari i Allahut u nxeh dhe Ebu Bekri nise të thotë: “Për Allahun, o i dërguari i Allahut unë kam më shumë faj”. I dërguari i Allahut tha: “Do ta lësh të qetë shokun tim? Do ta lësh të qetë shokun tim? Unë u thashë njerëzve: “Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju dhe ju të gjithë thatë ‘Ti je gënjeshtar’, por Ebu Bekri tha ‘Ti po thua të vërtetën”.

            Buhariu e ka treguar gjithashtu këtë ndodhi në “Kitab el-Manaqib” (Libri i Virtyteve” në “Saheeh” e tij, nga Ebu Darda, i cili ka thënë: “Isha ulur me profetin kur erdhi Ebu Bekri, duke e mbajtur fundin e rrobës së tij në atë mënyrë që i dukeshin gjunjët. Profeti tha:“Shoku yt është përfshirë në një grindje”. Ebu Bekri përshëndeti me selam pastaj tha: “Ka ndodhur dika mes meje dhe djalit të el-Khattabit. Unë e mërzita, pastaj u pendova dhe i kërkova të më falte, por ai kundërshtoi, prandaj kam ardhur tek ti”. Ai tha tri herë: “Allahu të faltë o Ebu Bekër”. Pastaj Umeri u pendua (për atë që kishte bërë) dhe shkoi tek shtëpia e Ebu Bekrit dhe pyeti: “A është Ebu Bekri aty?” Ata i thanë: “Jo”. Kështu që ai shkoi tek profeti dhe pa se shenjat e zemërimit ishin aq shumë të dukshme në fytyrën e profetit saqë Ebu Bekri u ndie i hidhëruar. Ai u gjunjëzua dhe tha dy herë: “O i dërguari i Allahut, për Allahun unë kam më shumë faj”. Profeti tha: “Allahu më dërgoi mua tek të gjithë ju dhe ju të gjithë thatë: “Ai është gënjeshtar”, por Ebu Bekri tha ‘Ai po thotë të vërtetë’ dhe më ndihmoi me veten dhe me pasurinë e tij. A nuk do ta lini të qetë shokun tim?” Ai e tha këtë dy herë dhe pas saj Ebu Bekri nuk u ndie më i prekur.

 

24- Ndërhyrja për t’i qetësuar njerëzit dhe për t’i dhënë fund fitnes (mosmarrëveshjes) mes atyre që po kryejnë gabime

            Profeti e ka bërë këtë në shumë raste kur ishte gati të niste luftimi mes muslimanëve, prandaj ai ndërhynte, ashtu si tregohet në ndodhinë e përgojimit kundër Aishes. Ajo tha: “I dërguari i Allahut u ngrit atë ditë dhe kërkoi dikë që të merrej me Abdullah ibn Ubayy për të, ndërsa ai ishte në minbar. Ai tha:

“O muslimanë! Kush do të merret me një burrë, i cili kam dëgjuar se po më sulmon në lidhje me familjen time? Për Allahun, për familjen time di vetëm të mira dhe ata kanë përmendur një burrë për të cilin di vetëm të mira dhe ai nuk ka bërë asnjëherë vizitë në shtëpinë time pa mua”. Sad ibn Muadhi, vëllai i Bani Abdul-Ashhal, u ngrit dhe tha: O i dërguari i Allahut, unë do të merrem me të për ty. Nëse ai është nga Aus (një fis arab), do t’ia pres qafën (do t’i pres kokën) dhe nëse është nga vëllezërit tanë të Khazraj (një fis arab), na trego çfarë të bëjmë dhe ne do ta bëjmë”. Pastaj një burrë nga fisi Khazraj u ngrit; Umm Hassan ishte kushëriri i tij nga i njëjti fis dhe ai ishte Sad ibn Ubadah, lideri i Khazraj. Para saj ai njihej si njeri i drejtë, por në këtë rast shpirti i tribalizmit e nxorri jashtë kontrollit dhe i tha Sad ibn Muadhit: “Po gënjen! Për Allahun ti nuk do ta vrasësh atë dhe nuk do të jesh i aftë ta vrasësh. Nëse ai do të ishte njëri nga njerëzit e tu, nuk do të doje që të vritej!”. Usayh ibn Hudayr, kushëriri i Sad, u ngrit dhe i tha Sad ibn Ubadahut: “Po gënjen! Për Allahun, ne do ta vrasim atë! Ti je një hipokrit që mbron hipokritët!” Të dyja palët e fisit Aus dhe Khazraj u nxehën kaq shumë saqë gati sa nuk filluan të luftonin, ndërsa i dërguari i Allahut po qëndronte në minbar. I dërguari i Allahut nisi t’i zbusë gjërat derisa u qetësuan”. (Buhariu dhe Muslimi)

            Profeti shkoi tek Bani Amr ibn Auf për t’i pajtuar dhe qëndroi atje për këtë qëllim derisa erdhi koha për një nga faljet si tregohet në “as Saheehayn” (Buhariu dhe Muslimi) dhe në një transmetim të en-Nasait. Sahl ibn Sad es-Saidi ka thënë: “Mes dy palëve nga ensarët lindi një grindje, që arriti deri në atë pikë saqë nisën t’i hidhnin gurë njëri-tjetrit. Profeti shkoi t’i pajtonte dhe erdhi koha e namazit, kështu që Bilali thirri ezanin dhe priti për të dërguarin e Allahut, por ai nuk erdhi. Prandaj ai tha ikametin dhe Ebu Bekri e drejtoi namazin…” (El-Mijtaba” “Kitab Dab el-Qudah”)

            Sipas një transmetimi të Ahmedit, Sahl ibn Sad es-Saidi ka thënë: “Dikush shkoi tek i dërguari i Allahut dhe i tha “Banu Amr ibn Auf po luftojnë dhe po i hedhin njëri tjetrit gurë”. Atëherë i dërguari i Allahut shkoi t’i pajtojë ata…”. (“El-Musnad”)

 

25- Tregimi i zemërimit për një gabim

            Kur profeti shihte apo dëgjonte për ndonjë gabim, ai e tregonte zemërimin e tij, veçanërisht nëse kishte të bënte me çështjet e besimit (akides). Kjo përfshin dhe debatet për al-Qadar (urdhrin hynor) dhe Kuranin. Në “Sunan Ibn Majah”, ka një transmetim nga Amr ibn Shuayb të cilit ia ka treguar i ati, dhe këtij të fundit babi i tij, i cili ka thënë: “I dërguari i Allahut shkoi tek shokët e tij, të cilët po debatonin për al-Qadar dhe dukej sikur i kishte shpërthyer në fytyrë një shegë, dmth. fytyra e tij ishte skuqur nga zemërimi. Ai tha:‘Për këtë jeni urdhëruar? Për këtë jeni krijuar? Po përdorni disa pjesë të Kuranit për të kundërshtuar të tjerat? Popujt para jush janë shkatërruar nga kjo!”

            Abdullah ibn Amr ka thënë: “Nuk jam ndier asnjëherë i kënaqur nga humbja e një takimi me të dërguarin e Allahut, por u ndieva i kënaqur që nuk kisha qenë në këtë takim”. (I transmetuar nga Ibn Majah, hadithi numër 85. Ai ka thënë në “az-Zauaid” se është saheeh isnad dhe burrat e saj janë thiqah. Është në “Saheeh Ibn Majah, hasan saheeh, hadithi numër 69).

            Sipas Ibn Ebu Asim në “Kitab as-Sunnah”: “I dërguari i Allahut shkoi tek shokët e tij dhe ata po debatonin për al-Qadar, njëri citonte një ajet dhe tjetri një ajet tjetër. U duk sikur profetit i kishin hedhur një farë shege në fytyrë (sepse i ishte skuqur nga zemërimi). Ai tha:

‘Për këtë jeni krijuar? Këtë jeni urdhëruar të bëni? Mos përdorni pjesë të librit të Allahut kundër pjesëve të tjera. Shikoni se çfarë jeni urdhëruar të bëni dhe bëjeni dhe çfarë e keni ndaluar ta bëni dhe shmanguni nga ajo’”.  (Albani ka thënë se isnadi i tij është hasan.)

            Një rast tjetër që profeti është zemëruar për mohimin e njërit nga parimet themelore, është ajo që ndodhi në rastin e Umerit, në lidhje me burimet. Ahmedi ka transmetuar në “Musnad” nga Xhabir ibn Abdullah  se Umer ibn al-Khattabi shkoi tek profeti me një libër që e kishte marrë nga disa nga Njerëzit e Librit (hebrenjtë dhe të krishterët). Ai ia lexoi dhe profeti u nxeh. Ai tha: “Të janë ngatërruar mendimet nga ai, o biri i al-Khattabit? Për Atë në duart e të Cilit është shirti im, ju kam sjellë (mesazhin) të pastër dhe të drejtë, prandaj mos i pyesni për asgjë, se mos ju thonë diçka të vërtetë dhe ju ta refuzoni, ose t’u thonë diçka të rreme dhe ju ta pranoni. Për Atë në duart e të Cilit është shpirti im, nëse Musai do të ishte gjallë, do të më ndiqte vetëm mua”. (I cilësuar si hasan nga Albani për shkak të transmetimeve konfirmuese në “al-Irva”.)

Hadithi transmetohet gjithashtu nga ad-Darimi, nga Xhabiri, i cili tha se Umer Ibn al-Khattabi shkoi tek i dërguari i Allahut me një kopje të Tevratit dhe tha: “O i dërguari i Allahut, kjo është një kopje e Tevratit”. Profeti nuk tha asgjë. Umeri nisi ta lexojë dhe fytyra e profetit ndryshoi (dmth u zemërua). Ebu Bekri tha: “Nëna të humbtë! A nuk e sheh fytyrën e të dërguarit të Allahut?” Umeri shikoi fytyrën e të dërguarit të Allahut dhe tha: “Kërkoj mbështetje tek Allahu, nga zemërimi i Allahut dhe zemërimi i të dërguarit të Tij. Ne jemi të kënaqur me Allahun si Zoti ynë, me Islamin si fenë tonë dhe me Muhamedin si profetin tonë”. I dërguari i Allahut tha:“Për atë në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit, nëse mes jush do të shfaqej Musai dhe ju do ta ndiqnit atë e do të largoheshi nga unë, ju do të humbisnit nga rruga e drejtë. Nëse do të kishte jetuar deri në kohën e profecisë time, ai do të më kishte ndjekur mua”. (Abdullah Hashim Yamani ka thënë se transmetohet gjithashtu nga Ahmedi dhe një hasan isnad dhe nga Ibn Hibbani me një saheeh isnad.)

Nga transmetimet konfirmuese është hadithi i Ebu Dardasë i cili ka thënë: “Umeri i solli disa faqe të Tevratit të dërguarit të Allahut dhe tha: “O i dërguari i Allahut, këto janë faqet e Tevratit, që i kam marrë nga një vëlla i imi nga fisi Bani Zurayq’. Fytyra e të dërguarit të Allahut ndryshoi dhe Abdullah ibn Zaydi – personit të cilit iu tregua Adhan në ëndërr – tha: ‘Mos ke rrjedhur? Nuk e shikon shprehjen e fytyrës së të dërguari të Allahut?’ Umeri  tha: ‘Ne jemi të kënaqur me Allahun si Zoti ynë, me Islamin si feja jonë, me Muhamedin si profetin tonë dhe me Kuranin si udhëzuesi ynë. I dërguari i Allahut u qetësua dhe tha:‘Për atë në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit, nëse mes jush do të ishte Musai dhe ju do ta ndiqnit atë dhe jo mua, do të humbisnit. Ju jeni pjesa ime mes popujve dhe unë jam pjesa juaj mes profetëve’”. (Al-Haythami ka thënë në “al-Majma”. Transmetohet nga at-Tabarani në “al-Mujam al-Kabeer dhe përfshin Ebu Amir al-Qasim ibn Muhamed al-Asadin dhe unë nuk kam parë njeri të japë biografinë e tij, por pjesa tjetër e burrave janë të besueshëm al-Mujam.)

Nga këto transmetime mund të theksojmë se nësuesi, profeti kishte mbështetjen e personave të tjerë të pranishëm kur ata e vunë re se si ndryshoi shprehja e fytyrës së tij dhe mbajtën qëndrimin e tyre duke u bazuar tek ajo që panë. Nuk ka dyshim se ky kombinim ngjarjesh pati një ndikim të madh tek personi i cili po qortohej.

Procesi kaloi nëpër etapat e mëposhtme:Së pari: Profeti u zemërua aq sa i ndryshoi shprehja e fytyrës, para se të fliste.

Së dyti: Ebu Bekër es-Sidiku dhe Abdullah ibn Zayd e vunë re këtë dhe i treguan Umerit.

Së treti: Umeri e kuptoi gabimin e tij dhe nxitoi ta korrigjonte atë dhe të kërkonte të falur për atë që kishte bërë, duke kërkuar mbështetje tek Allahu nga zemërimi i Allahut dhe zemërimi i të dërguarit të Tij dhe duke ripohuar parimin bazë të të qënurit i kënaqur me Allahun, të dërguarin e Tij dhe fenë e Tij.

Së katërti: Profeti u qetësua kur Umeri u tërhoq dhe kuptoi gabimin e tij.

Së pesti: Komenti i profetit konfirmoi dhe përforcoi këtë parim themelor, duke ripohuar detyrimin e ndjekjes së rrugës së profetit dhe duke këshilluar kundër marrjes së burimeve të tjera si burim udhëzimi.

            Një shembull tjetër i zemërimit të profetit kur ai pa diçka të dënueshme transmetohet në “Saheeh Buhariu” nga Enes ibn Maliku, i cili ka thënë se profeti pa pështymë në xhami në drejtimin e kiblës, ai u mërzit dhe kjo dallohej qartë në fytyrën e tij. Ai e fshiu me dorë dhe tha:“Kur çdonjëri prej jush ngrihet për t’u falur, ai po flet me Zotin e tij, ose Zoti i tij është mes tij dhe kiblës, prandaj ai nuk duhet të pështyjë në drejtim të kiblës, por në të majtën e tij ose nën këmbë”. Pastaj ai mori qoshen e rrobës së tij, pështyu në të dhe fërkoi njërën anë të saj me anën tjetër dhe tha “ose mund të veproni kështu”.

            Një shembull i zemërimit të profetit, kur ai dëgjonte se një gabim çonte në keqbërje, transmetohet gjithashtu nga Buhariu, nga Ebu Mesud el-Ansari, i cili ka thënë: ‘O i dërguari i Allahut, nesër do të shkoj vonë në namaz për shkak të filanit, i cili e zgjat shumë namazin për ne’. Nuk e kam parë asnëjherë profetin më të zemëruar në qortimin e tij se atë ditë, kur ai tha:‘O njerëz! Disa prej jush po largojnë të tjerët. Kur kushdo prej jush po drejton faljen, le ta shkurtojë atë, sepse mes tyre ka të moshuar, të dobët dhe persona që kanë nevoja të ngutshme’”.

            Një shembull tjetër është për myftiun (dhënësin e vendimeve ligjore islamike) që tregon zemërimin kundrejt një njeriu që po bën pyetje kur ai nis të bëjë kritika pedante në mënyrë qesharake. Zayd ibn Khalid al-Juhani ka thënë: “Një beduin shkoi tek profeti dhe e pyeti për një pasuri të humbur, të cilën ai e kishte gjetur. Ai tha:

Njoftoji njerëzit për një vit. Mbaj mend përshkrimin e enës dhe fillin me të cilin është lidhur dhe nëse ndonjëri vjen dhe e kërkon dhe e përshkruan atë siç është, jepja; përndryshe, përdore’. Ai tha: ‘O i dërguari i Allahut po për një dele të humbur?’ Profeti u përgjigj: ‘Ajo është për ty, për vëllain tënd (dmth pronarin, ose për ujkun’. Ai tha: ‘Po për një deve të humbur?’ Fytyra e profetit u bë e kuqe (nga zemërimi) dhe tha: ‘Nuk ke çfarë t’i bësh. Ajo ka këmbë, ka ujë dhe mund të hajë pemë’. (Buhariu)

            Mësuesi mund ta tregojë zemërimin e tij në raport me gabimin në kohën kur kryhet gabimi, ose kur ai e sheh apo dëgjon për të, në atë mënyrë sa që zemërimi të mund të shihet në fytyrën e tij, apo të kuptohet nga toni i zërit të tij. Kjo është një shenjë që tregon se zemra e tij është vigjilente kundër keqbërjes dhe nuk do të heshtë për këtë, në mënyrë që të pranishmit do të kenë frikë të përsërisin të njëjtin gabim. Të flasësh kur zemërohesh, mund të ketë një ndikim më të madh sesa të heshtësh dhe të presësh derisa të qetësohen gjërat, sepse atëherë ndikimi i komenteve tuaja do të ketë humbur.

            Nga ana tjetër, mund të jetë veprim i mençur të vonosh komentimin në një ndodhi të vajtueshme deri të mblidhen të gjithë bashkë ose kur të takonhen, për shkak të rëndësisë të asaj që është përfshirë ose sepse nuk ka njerëz të mjaftueshëm rreth e rrotull, që ta kuptojnë dhe ta përçojnë informacionin tek të tjerët. Nuk ka asgjë të keqe t’i drejtohesh një individi menjëherë dhe ta vonosh diskutimin e përgjithshëm të çështjes për më vonë. Sipas “Saheeh al-Buhari”, Ebu Humayd as-Saidi ka transmetuar se i dërguari i Allahut caktoi dikë për të mbledhur zekatin. Kur ai e kishte mbaruar punën e tij ai erdhi dhe tha: “O i dërguari i Allahut, kjo është për ty dhe kjo më është dhënë mua si dhuratë”. Ai tha: “Përse nuk ulesh në shtëpinë e prindërve të tu dhe të shohësh nëse të sjell ndonjëri, ndonjë dhuratë?’ Në mbrëmje i dërguari i Allahut i ngrit për t’u falur tha shehadetin, lavdëroi Allahun ashtu si Ai e meriton të lavdërohet, pastaj tha:

“Çfarë nuk shkon me një punonjës që erdhi sot tek ne dhe na tha: ‘Kjo është për ty dhe kjo më është dhënë mua si dhuratë? Përse nuk ulet ai në shtëpinë e prindërve dhe të shohë nëse ndonjëjeri i dërgon ndonjë dhuratë apo jo? Për Atë në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit, nëse ndonjëri prej jush merr diçka në mënyrë të paligjshme nga ne, ditën e gjykimit do t’i vihet rreth qafës; nëse është një deve do ta sjellë duke pëllitur, nëse është lopë do ta sjellë duke pëllitur dhe nëse është dele do ta sjellë duke blegëruar. O Allah, unë e kam përçuar mesazhin”. Ebu Humayd shtoi: “Pastaj i dërguari i Allahut e ngriti krahun e tij aq lart saqë mund të shihnim sqetullën e tij”.

26- Largimi nga ai që ka bërë gabimin dhe shmangia e debatit me të, duke shpresuar se mund të kthehet në rrugë të drejtë

            Buhariu ka transmetuar se Ali Ibn Abi Talib ka thënë se i dërguari i Allahut shkoi një natë tek ai dhe Fatimah, vajza e të dërguarit të Allahut dhe tha: “Nuk do vish të falesh?” Aliu u përgjigj: “O i dërguari i Allahut shpirtrat tanë janë në dorën e Allahut. nëse Ai do të na kthejë në jetë (nga gjumi), Ai do të bëjë këtë!” I dërguari i Allahut u largua kur Aliu ia tha këtë dhe nuk i ktheu farë përgjigje, por Aliu e dëgjoi teksa po largohej duke i rënë kofshës me dorë dhe duke thënë:

“…Po njeriu (jobesimtar), më shumë se çdo gjë tjetër është kundërshtar”. (Kuran 18: 54) 

(Fjalët e Aliut mund të kuptohen në shumë mënyra.)

27- Qortimi i atij që ka kryer gabimin

            Këtë bëri profeti me Hatibin, kur ai dëgjoi se kishte dërguar fjalë tek kuffari i kurejshëve, duke i informuar për qëllimin e muslimanëve për të shkuar drejt Mekës për ta pushtuar atë. Profeti e pyeti:“Çfarë të detyroi ta bësh atë që bëre o Hatib?” Ai u përgjigj: “Unë i besoj Allahut dhe të dërguarit të Allahut dhe nuk kam ndryshuar asnjëherë, por doja të bëja disa veprime me ndikim tek ata me anë të të cilave Allahu mund të mbrojë familjen dhe pasurinë time. Të gjithë shokët e tu kanë dikë këtu me anë të të cilit Allahu do t’i mbrojë familjet dhe pasurinë e tyre”. Profeti tha: “Ai ka thënë të vërtetën, prandaj thojini vetëm fjalë të mira”. Umer ibn Khattabi tha: “Por ai ka tradhtuar Allahun, të dërguarin e Tij dhe besimtarët! Lejomë t’ia pres qafën (kokën e tij)!” Profeti tha: “Nga e di ti? Ndoshta Allahu i ka parë njerëzit e Bedrit dhe ka thënë: “Bëni çfarë të doni, sepse parajsa është garantuar për ju”. Lotët rrëshqitën nga sytë e Umerit dhe ai tha: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë”.

Nga kjo ngjarje mësojmë shumë pika të rëndësishme edukative:

1. Profeti e qortoi sahabin i cili kishte bërë një gabim të rëndë duke e pyetur: “Çfarë të detyroi ta bësh atë që bëre?”

2. Pyetja për arsyen që e shtyu atë ta bëjë gabimin, ka pa dyshim një ndikim në mënyrën më të cilën ai trajtohet.

3. Ata që kanë një të kaluar të shkëlqyer nuk janë të përjashtuar nga kryerja e mëkateve të mëdha.

4. Mësuesi duhet të jetë pa paragjykime kur merret me gabimet e shokëve të tij, në mënyrë që ata të vazhdojnë të bëjnë përparime në rrugën e drejtë. Qëllimi është t’i përmirësosh ata dhe jo t’i tjetërsosh.

5. Mësuesi duhet t’i vlerësojë çastet e dobësisë njerëzore që mund të mposhtin disa nga ata që janë me të dhe ai nuk duhet të tronditet nga një gabim i rëndë kur ai kryhet nga një njeri që është i përparuar ose i moshuar.

6. Mbrojtja e atij që e meriton të mbrohet edhe pse ka bërë një gabim.

7. Nëse një njeri që kryen një gabim ka bërë shumë vepra të mira, kjo duhet të merret parasysh gjatë vlerësimit të shkallës së gabimit të tij dhe trajtimit i tij.

28- Fajësimi i personit që e ka kryer gabimin

            Një gabim i dukshëm nuk mund të injorohet; faji duhet t’i vihet atij që e ka kryer gabimin dhe ai duhet të qortohet që në fillim, në mënyrë që ta kuptojë që ai ka kryer një gabim. Buhariu ka transmetuar në “Saheeh” se Aliu ka thënë: “Kisha një deve femër si plaçkë nga Bedri dhe profeti më kishte dhënë një deve tjetër femër nga khums (një e pesta e proporcionit nga az-Zakah). Kur doja të martohesha me Fatimen, vajzën e të dërguarit të Allahut, lashë një takim me një argjendar nga Bani Qaynuqa (një fis arab) që të vinte me mua në Ishkhur. Doja t’i shisja dy byzylyqe floriri dhe t’i përdorja paratë për ualeemah (gostinë e dasmës). Ndërsa po mblidhja shalët, thasët, rripat dhe pajisjet e tjera, devetë ishin ulur pranë një dhome që i përkiste një ensari. Pasi mblodha gjërat që duhej, u ktheva dhe pashë që pjesa e mbrapme e deveve ishte e hapur, anët ishin hapur me thikë dhe u kishin marrë mëlçitë. Mezi e pashë këtë skenë. Thashë: ‘Kush e bëri këtë?’ Ata thanë: ‘Hamzah ibn Abdul Mutalibi. Ai është në atë shtëpi duke pirë me një ensar’. Shkova tek profeti dhe Zayd ibn Harithah ishte me të. Profeti e kuptoi se diçka nuk shkonte nga fytyra ime. Ai më pyeti: ‘Si është puna me ty?’ I thashë: ‘O i dërguari i Allahut, nuk kam parë kurrë diçka, si ajo që ndodhi sot! Hamzah sulmoi dy devetë e mia femra, u çau shpinat pastaj i hapi anash me thikë. Ai është në një shtëpi duke pirë’. Profeti kërkoi mantelin e tij, e veshi pastaj nisi të ecë dhe Zayd ibn Harithah e ndoqi nga pas derisa arriti në shtëpinë ku ishte Hamzah. Ai kërkoi leje për të hyrë brenda dhe ata e lejuan. Ata po pinin dhe i dërguari i Allahut nisi të fajësojë Hamzah për atë që kishte bërë, por pastaj ai vuri re se Hamzah ishte i pirë dhe i ishin skuqur sytë. Kjo ndodhi para se të ndalohet pirja e pijeve alkoolike. Hamzah shikoi të dërguarin e Allahut. Ai shikoi gjunjët e tij, pastaj barkun, pastaj fytyrën dhe pastaj tha: ‘Ti nuk je vetëm se një rob për babain tim’. I dërguari i Allahut e kuptoi se ai ishte i dehur, prandaj u largua dhe ne shkuam me të.

29- Shmangia e atij që ka bërë gabimin

            Imam Ahmedi ka transmetuar se Humayd ka thënë: “El-Ualid erdhi tek unë dhe një miku im tha: ‘Eja me mua, sepse ti je më i ri se unë dhe di më shumë për hadithin’. Ai në çoi tek Bishr ibn Asim. Ebu el-Aliyah i tha: ‘Do t’jua tregosh këtyre të dyve hadithin tënd?’ Ai tha: ‘Uqbah ibn Maliku na tregoi se Ebu Nadr el-Laythi ka thënë se, Bahz, i cili ishtë një nga grupi i tij ka thënë: “I dërguari i Allahut na dërgoi për të luftuar me disa njerëz. Njëri u largua nga turma dhe një luftues (musliman) e ndoqi nga pas me shpatë. Ai i cili u largua nga turma tha: ‘Jam musliman’, por muslimani nuk i kushtoi vëmendje por e qëlloi dhe e vrau. Këtë e mori vesh i dërguari i Allahut dhe ai foli me zemërim kundër tij. Këtë e mori vesh personi që e kishte vrarë dhe ndërsa i dërguari i Allahut po mbante një ligjëratë, ai tha: ‘O i dërguari i Allahut, për Allahun, ai e tha atë vetëm për t’u mbrojtur’. Profeti u largua nga ai dhe nga njerëzit rreth tij dhe vazhdoi ligjëratën. Personi që e kishte vrarë atë nuk duroi dot dhe tha për të tretën herë: ‘O i dërguari i Allahut, për Allahun, ai e tha atë vetëm për t’u mbrojtur’. I dërguari i Allahut iu kthye dhe dukej në fytyrë sa i mërzitur ishte. Ai tha:

            ‘Allahu e përbuz atë që vret një besimtar’, ai e tha këtë tre herë”.

            Nasai ka transmetuar nga Ebu Saeed el-Khudri se një burrë erdhi nga Najrani tek i dërguari i Allahut dhe kishte vënë një unazë floriri. I dërguari i Allahut u largua nga ai dhe tha:     “Ti ke ardhur tek unë me thëngjill nga zjarri i ferrit në duar”.

            Ahmedi ka transmetuar një version më të hollësishëm nga Ebu Saeed el-Khudri:“Një burrë erdhi nga Najrani tek i dërguari i Allahut dhe kishte vënë një unazë floriri. I dërguari i Allahut u largua nga ai dhe nuk e pyeti për asgjë. Burri u kthye tek gruaja e tij dhe i tregoi çfarë kishte ndodhur. Ajo i tha: ‘Kjo duhet të ketë ndodhur për një arsye. Kthehu tek i dërguari i Allahut’. Prandaj ai u kthye dhe i hoqi unazën dhe rrobën që kishte veshur. Kur kërkoi leje për të hyrë, ai u lejua. Ai e përshëndeti të dërguarin e Allahut, i cili ia ktheu përgjigjen. Ai tha: ‘O i dërguari i Allahut, kur erdha më parë u largove nga unë’. I dërguari i Allahut i tha: ‘TI erdhe tek unë me një thëngjill nga zjarri i ferrit në duar’. Ai tha: ‘O i dërguari i Allahut, unë erdha me shumë thëngjij’. Ai kishte sjellë disa rroba nga Bahraini. I dërguari i Allahut i tha: ‘Ajo që ke sjellë nuk do të na ndihmojë në asnjë mënyrë (në lidhje me botën e përtejme), ato janë njëlloj si shkëmbinjtë e el-Harrah, por ato janë luksi i kësaj bote’. Burri tha: ‘O i dërguari i Allahut, shjegojua këtë sokëve të tu që të mos mendojnë se je i zemëruar me mua për ndonjë arsye”. I dërguari i Allahut u ngrit dhe e shpjegoi këtë dhe tha se problemi kishte qenë unaza e tij e floririt.

            Sipas një transmetimi të Ahmedit nga Amr ibn Shuayb, nga babai i tij, nga gjyshi i tij, profeti pa që njëri prej shokëve të tij kishte vënë unazë floriri dhe u largua nga ai. Sahabi e hodhi dhe vendosi nëj unazë hekuri dhe profeti tha:“Ky është mëkat, këto janë bizhuteri të njerëzve të ferrit”, prandaj ai e hodhi dhe vendosi një unazë argjendi dhe profeti nuk i tha asgjë.

30 – Bojkotimi i atij që ka bërë gabimin

            Kjo është një nga metodat më efikase që ka përdorur profeti, veçanërisht kur kryhej një gabim shumë i rëndë, për shkak të ndikimit të madh që ka bojkoti tek personi për të cilin bëhet fjalë. Një shembull për këtë është ajo që i ka ndodhur Kab ibn Malikut dhe dy shokëve të tij, të cilët qëndruan prapa nga ekspedita ushtarake e Tabukut. Profeti kishte konstatuar se ata nuk kishin asnjë justifikim të vlefshëm dhe ata e pranuan. Kab tha:“I dërguari i Allahut i ndaloi muslimanët të na flisnin ne të treve, që kishim qëndruan larg luftës. Prandaj njerëzit na u shmangën dhe qëndrimi i tyre kundrejt nesh ndryshoi, aq sa edhe toka mbi të cilën ecja më dukej ndryshe se më parë. Qëndruam kështu për pesëdhjetë ditë. Dy shokët e mi u izoluan dhe qëndruan në shtëpi duke qarë, por unë isha më i riu dhe më i vendosuri, prandaj dilja dhe merrja pjesë në falje me muslimanët dhe shkoja në treg, por asnjë nuk më fliste. Shkoja tek i dërguari i Allahut ndërsa ishte në një ligjëratë pas faljes dhe e përshëndeta me selam, duke pyetur veten nëse i kishte lëvizur buzët për t’u përgjigjur, apo jo. Falesha pranë tij, duke e shikuar fshehurazi. Kur kthehesha për t’u falur, ai kthehej nga unë dhe kur unë kthehesha nga ai, ai largohej nga unë. Kur vrazhdësia e njerëzve kishte vazhduar për shumë kohë për mua, u largova dhe hipa në murin e kopshtit të Ebu Qatadah, i cili ishte kushëriri im (djali i xhaxhait) dhe më i dashuri prej njerëzve për mua. E përshëndeta me selam, por për Allahun, ai nuk mu përgjigj. I thashë: “O Ebu Qatadah, të kërkoj për Allahun, a nuk e di që unë e dua Allahun dhe të dërguarin e Tij?” Ai nuk foli, prandaj ia përsërita atë që ia kisha thënë, duke iu lutur, por ai nuk foli përsëri. Ia përsërita përsëri duke iu lutur dhe ai tha: “Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më mirë”. Sytë e mi u mbushën me lotë, u ktheva dhe u largova duke kapërcyer murin.

            Kishin kaluar pesëdhjetë netë qëkur i dërguari i Allahut, i kishte ndaluar njerëzit të na flisnin. Pasi kisha falur mëngjesin e ditës së pesëdhjetë dhe ndërsa isha në çatinë e shtëpisë sonë, i ulur siç e ka përshkruar Allahu, sa që toka u bë e ngushtë për mua, përkundër gjerësisë së saj, u ngushtua për mua (Kuran 9: 118), dëgjova dikë që bërtiste nga kodra e Sal me gjithë forcën e zërit: “O Kab ibn Malik, gëzohu!”.

            Nga kjo ngjarje nxjerrim mësime të mëdha, të cilat nuk duhet të anashkalohen. Për disa prej tyre lexojmë në komentimet e dijetarëve për këtë ngjarje si në “Zad el-Mad” dhe “Fath el-Bari”.

            Një tregues tjetër se profeti e ka përdorur këtë metodë është transmetuar nga Tirmidhiu nga Aishja, e cila ka thënë:

            “Asnjë mënyrë sjelljeje nuk ishte më e urryer për të dërguarin e Allahut sesa gënjeshtra. Nëse një njeri do të thoshte gënjeshtra në prani të profetit, ai zemërohej për këtë derisa ta dinte se personi është penduar për atë veprim”. (Ebu Eesa ka thënë se është hadith hasan.)

            Sipas një transmetimit nga Ahmedi    “…ai do të zemërohej me të…”.

            Sipas një transmetimi tjetër:“Nëse ndonjëri prej anëtarëve të familjes së tij thoshte një gënjeshtër, ai largohej prej tij derisa ai të pendohej”. (“El-Hakim”. “Saheeh el-Jami”.)

            Nga transemtimet e përmendura është e qartë se largimi nga personi që po kryen një gabim derisa ai të largohet nga ai, është një metodë edukative e frytshme. Por që ajo të jetë efikase, personi që po largohet nga tjetri duhet të ketë një pozitë në sytë e të fundit, përndryshe nuk do të ketë një ndikim pozitiv, përkundrazi mund t’i japë personit një arsye që ai të kënaqet.

31 – Lutja kundër atij që këmbëngul me kokëfortësi në kryerjen e gabimeve

            Muslimi ka transmetuar se një burrë hëngri me dorën e majtë në prani të profetit. Ai tha:    “Ha me dorën e djathtë!” Burri tha: “Nuk mundem”. Ai tha: “Kurrë mos mundsh!”

            Asgjë nuk e ndalonte atë përveç krenarisë dhe pas kësaj ai nuk mund ta ngrinte më dorën e tij të djathë tek goja.

            Sipas një transmetimi nga Ahmedi: “Iyas ibn Salamah ibn el-Akua ka treguar se babai i ka thënë:

“Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut t’i thotë një burri të quajtur Busr ibn Rai el-Eer, të cilin e pa të hante me dorën e majtë, të hajë me të djathtën. Ai tha: ‘Nuk mundem’. Profeti i tha: ‘Kurrë mos mundsh!’. Dhe pas kësaj ai nuk mund ta çonte më tek goja dorën e tij të djathtë.

 

            An-Nauaui ka thënë:

            “Ky hadith tregon se lejohet të lutesh kundër atij që vepron në kundërshtim me vendimet e sheriatit pa arsye të shëndoshë. Kjo tregon gjithashtu se duhet të urdhërojmë për të mirë dhe të ndalojmë nga e keqja në të gjitha çështjet, edhe për ngrënien”.

Këtu duhet të theksojmë gjithashtu se duaja kundër tij nuk ishte për diçka që mund ta ndihmojë shejtanin kundër tij, ishte për diçka që më shumë ishte si qortim ose dënim.

32 – Të mos marrësh parasysh disa gabime dhe të jesh i kënaqur duke e lënë personin t’i kuptojë, nga respekti për atë që po e bën gabimin

“(Përkujto) kur pejgamberi ndonjërës prej grave të veta i kumtoi fshehurazi një lajm. E kur ajo e tregoi atë (lajm) e Allahu (pejgamberit) i zbuloi atij (kallzimin e lajmit nga ajo grua), ai ia bëri (asaj) me dije një pjesë të tregimit, kurse për pjesën tjetër heshti. E kur ai (pejgamberi) e njofoi atë (gruan) me atë (që i kishte treguar), ajo tha: “E kush të tregoi ty këtë?” Ai tha: “Më tregoi i Gjithëdijshmi, Njohësi i të fshehtave!” (Kuran 66: 33)   

                        El-Qasimi ka thënë në “Mahasin at-Taueel” (titull libri):“Përkujto kur pejgamberi” i referohet Muhamedit. “Ndonjërës prej grave” i referohet Hafsah. “I kumtoi fshehurazi një lajm” do të thotë që asaj iu kërkua të mos e tregojë, ose e ndaloi vetë edhe pse Allahu e kishte lejuar. “Kur ajo e tregoi atë” do të thotë se ajo ua tregoi sekretin shoqeve të saj (Aishes). “Allahu i zbuloi atij” do të thotë se Allahu i tregoi atij çfarë i kishte thënë Hafsah, Aishes. “Ai ia bëri me dije një pjesë të tregimit” do të thotë se ai i tregoi asaj një pjesë të asaj që ajo kishte zbuluar si qortim; “dhe për pjesën tjetër heshti” do të thotë se nuk ia tregoi një pjesë, nga respekti që kishte për të.

            Në “El-Ikleel” theksohet:

            “Ajeti tregon se nuk ka asgjë të keqe të flasësh fshehurazi me dikë të cilit i beson, si për shembull bashkëshortit ose një miku dhe ai ose ajo detyrohen të mos flasin. Ajeti tregon gjithashtu trajtimin e mirë të grave, butësinë kur i qorton dhe frenimit për të kërkuar çdo faj”.

            El Hasan ka thënë: “Asnjë fisnik nuk kapet pas çdo gabimi të vogël”. Sufjani ka thënë: “Të bësh sikur nuk i vë re është veprimi i njerëzve fisnikë”.

 

33 – Të ndihmosh një musliman të korrigjojë gabimin e tij

Ebu Hurejra ka thënë: “Ndërsa ishim ulur me profetin, erdhi një burrë dhe i tha:

‘O i dërguari i Allahut, unë jam i mallkuar!’ Ai i tha: ‘Çfarë të ka ndodhur?’ Burri u përgjigj: ‘Kam kryer marrëdhënie me gruan time ndërsa po agjëroja’. I dërguari i Allahut tha: ‘A ke mundësi të lirosh një rob?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. Profeti e pyeti: ‘A mund të agjërosh për dy muaj radhazi?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. Profeti e pyeti: ‘A ke mundësi të ushqesh 60 të varfër?’ Ai u përgjigj: ‘Jo’. Atëherë profeti heshti për këtë çështje për pak kohë dhe ndërsa po rrinim aty, profetit i sollën një enë të madhe plot hurma. Ai tha: ‘Ku është ai që më pyeti tani?’ Burri tha: ‘Këtu jam’. Ai i tha: ‘Merri këto dhe jepi sadaka’. Burri tha: ‘O i dërguari i Allahut a ka mes el-Harrataynëve (dmth në Medinë) familje më të varfër se familja ime?’ Profeti buzëqeshi aq sa mund t’i shihje dhëmbët, pastaj tha: ‘Ushqe familjen tënde”. (Buhariu)

            Sipas një transmetimi të Ahmedit nga Aishja, ndërsa i dërguari i Allahut ishte ulur në hijen e një pemë të madhe, një burrë erdhi dhe i tha:

            “O i dërguari i Allahut, jam i djegur!” Ai e pyeti: “Çfarë të ka ndodhur?” Ai u përgjigj: “Kam kryer marrëdhënie me gruan, ndërsa po agjëroja”. Aishja tha: ‘Kjo ka ndodhur gjatë muajit të Ramazanit’. I dërguari i Allahut i tha: “Ulu”. Ai u ul në fund të grupit të njerëzve. Pastaj një burrë erdhi me një gomar, ku kishte ngarkuar një enë me hurma dhe tha: “Kjo është sadakaja (bamirësia) ime, o i dërguari i Allahut”. I dërguari i Allahut tha: “Ku është ai i djeguri që ishte këtu?” Burri u përgjigj: “Këtu jam o i dërguari i Allahut”. Profeti i tha: “Merri këto dhe jepi për bamirësi”. Ai i tha: “Kujt t’ia jap përveç vetes time? Për Atë i Cili të ka dërguar me të vërtetën, nuk kam asgjë për veten dhe fëmijët e mi”. Ai i tha: “Atëherë merri”, kështu që ai i mori.

 

34 – Të takohesh me personin që ka kryer gabimin që të diskutosh për të

            Në “Saheeh el-Buhariu”, transmetohet se Abdullah ibn Amr ka thënë: “Im atë më martoi me një vajzë që vinte nga një familje e mirë. Ai vinte dhe e takonte nusen dhe e pyeste për të shoqin. Ajo i thoshte: ‘Ai është njeri shumë i mirë. Ai nuk ka fjetur asnjëherë në shtratin tonë dhe as na ka shqetësuar, që kur u martuam’. Pasi kjo situatë vazhdoi për shumë kohë, ai ia tregoi profetit, i cili tha:‘Më lejo ta takoj’. Atëherë u takova me të dhe më pyeti: ‘Sa herë agjëron?’ Unë i thashë: ‘Çdo ditë’. Ai më pyeti: ‘Sa herë e përfundon Kuranin?’ Unë u përgjigja: ‘Çdo natë’. Ai më tha: ‘Agjëro tre ditë çdo muaj dhe përfundoje Kuranin njëherë në muaj’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Ai më tha: ‘Agjëro tri ditë në javë’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Ai tha: ‘Mos agjëro dy ditë, pastaj agjëro një ditë’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Ai tha: ‘Zbato llojin më të mirë të agjërimit, agjërimin e profetit Davud, duke agjëruar një ditë, pastaj tjetrën jo, dhe përfundoje Kuranin njëherë çdo shtatë ditë’. Do të doja ta kisha pranuar lejen e të dërguarit të Allahut, sepse kur u plaka dhe u bëra i dobët, nisa t’i lexoja familjes time gjatë ditës një të shtatën e Kuranit dhe ajo që lexoja gjatë ditës ma bënte të lehtë ta përfundoja gjatë natës. Nëse dua ta ndihmoj veten time, nuk agjëroj për disa ditë, pastaj i numëroj ditët, që nuk i kam agjëruar dhe agjëroj po aq ditë më vonë. Nuk dua të lë diçka që i dhashë fjalën profetit se do ta bëja, përpara se ai të vdiste”. Ebu Abdullah ka thënë: “Disa prej tyre thanë në tre dhe në pesë dhe pjesa më e madhe në shtatë”.

            Në një transmetim të Ahmedit çështja përshkruhet më qartë dhe përmban mësime të rëndësishme. Abdullah ibn Amr ka thënë: “Im atë më martoi me një grua nga kurejshët. Kur ajo erdhi, unë nuk iu afrova, sepse isha shumë i dhënë pas adhurimit të Allahut duke agjëruar dhe duke u falur. Amr ibn el-Asi erdhi tek nusja e tij dhe e pyeti: “Si të duket bashkëshorti?’ Ajo tha: ‘Ai është njeriu më i mirë, ose si bashkërshortët më të mirë mes burrave. Ai nuk na ka shqetësuar asnjëherë dhe nuk ka fjetur asnjëherë në shtratin tonë’. Prandaj ai erdhi tek unë dhe më qortoi. Ibn el-Atheer ka thënë: …sipas një hadithi tjetër Abdullah ibn Amr ibn el-Asi ka thënë: ‘Prandaj babai im erdhi tek unë dhe më qortoi’. Ai i tha: ‘Të martova me një vajzë që vjen nga një familje e mirë e kurejshëve dhe ti po e refuzon (dmth nuk po e trajton si bashkëshorte) dhe po vepron kështu e kështu’. Pastaj ai shkoi tek profeti dhe iu ankua për mua. Profeti dërgoi njerëz të më thërrisnin dhe unë shkova tek ai. Ai më tha:

            ‘Agjëron gjatë ditës?’ U përgjigja: ‘Po’. Ai më tha: ‘Falesh (qiyam) natën?’ Unë u përgjigja: ‘Po’. Ai më tha: ‘Unë agjëroj dhe e ndërpres agjërimin, falem dhe fle dhe i prek gratë (bashkëshortet e mia). Kush nuk vepron sipas Sunetit tim nuk është prej meje’. Ai tha: ‘Lexoje Kuranin njëherë në muaj’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Ai tha: ‘Lexoje njëherë çdo dhjetë ditë’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Njëri nga ata – ose Huseini ose Mugheerah – tha: ‘Lexoje çdo tri ditë’. Ai tha: ‘Agjëro tri ditë të çdo muaji’. Unë i thashë: ‘Unë mund të bëj më shumë se kaq’. Ai nisi ta rrisë numrin derisa tha: ‘Agjëro një ditë po e një ditë jo. Ky është agjërimi më i mirë, agjërimi i vëllait tim Davudit’. Huseini ka thënë në transmetimin e tij të hadithit: ‘Pastaj profeti tha: ‘Çdo adhurues ka një kohë kur është i motivuar dhe i gjallë dhe pas çdo kohe të tillë vjen një periudhë dobësimi, ku ai ndjek ose Sunetin ose bidatin. Personi i cili gjatë dobësimit ndjek Sunetin është i udhëzuar, por ai që gjatë dobësimit ndjek bidatin është i dënuar”.

Mujahid ka thënë: “Kur Abdullah ibn Amr u plak dhe u dobësua, ai agjëronte disa ditë radhazi, që të bëhej më i fortë, pastaj e ndërpriste agjërimin po aq ditë sa kishte agjëruar. Ai e lexonte po aq Kuranin, ndonjëherë më shumë, ndonjëherë më pak, në mënyrë që ta mbaronte të gjithë Kuranin për shtatë ditë ose për tri ditë. Pas kësaj ai thoshte: ‘Do të doja të kisha pranuar lejimin e të dërguarit të Allahut, sepse do të kishte qenë më mirë për mua se sa ajo që zgjodha për veten time, ose të largohesha duke thënë se do të bëja diçka dhe unë e urreja të bëja diçka tjetë”.

 

            Nga kjo ndodhi, mes të tjerave mësojmë:

– Profeti e kuptoi shkakun e problemit, të (Abdullah ibn Amrit), i cili po lodhte veten duke bërë adhurim në atë pikë, saqë nuk kishte kohë të kujdesej për detyrat e tij kundrejt bashkëshortes dhe po dështonte.

– Parimi i kushtimit të vëmedjes së duhur gjithësecilit që ka të drejta kundrejt tjetrit, zbatohet për këdo që është i shqetësuar për çështjet e adhurimit, si për shembull një student që po merr shumë mësime, ose një dauyah që është shumë i zënë me dauan, saqë gruaja e tij ankohet për keqtrajtim. Kjo mund të shkaktojë një humbje të ekuiklibrit në zbatimin e veprave të ndryshme të adhurimit dhe ndarjes së kohës mes të gjithë atyre, që bëjnë kërkesa të drejta. Pra nuk ka asgjë të keqe që mësuesi ta ulë numrin e mësimeve që u jep studentëve, apo që daiyah të ulë aktivitetet, për t’i lejuar vetes së tij kohë të mjaftueshme për t’u kujdesur për veten, shtëpinë, gruan dhe fëmijët dhe t’u japë atyre të drejtat e tyre, përsa i përket udhëzimit, shoqërisë dhe edukimit.

 

35 – T’i flasësh tjetrit hapur për gabimin që ka bërë

            Buhariu ka transmetuar se Ebu Dharr ka thënë: “U grinda me një burrë. E ema e tij ishte joarabe dhe unë thashë diçka fyese për të. Ai ia tha këtë profetit, i cili më pyeti:

Ke fyer filanin?’ U përgjigja: ‘Po’. Ai tha: ‘The diçka fyese për nënën e tij?’ I thashë: ‘Po’. Ai tha: ‘Ti je një burrë që ka akoma diçka nga xhahilijeti’. I thashë: ‘E thashë atë që thashë, sepse po plakem’. Ai tha: ‘Po, por ata janë vëllezërit e tu. Allahu të ka dhënë pushtet mbi ta, por kujtdo që i jepet pushtet mbi dikë, le ta ushqejë atë ashtu si ai e ushqen veten e tij, ta veshë atë, ashtu si vishet vetë, dhe mos i japë më shumë punë për të bëre se sa ai ka mundësi. Nëse ai i jep atij shumë punë, le ta ndihmojë”.

            Në “Saheeh Muslim” transmetohet se Ebu Dharr ka thënë: “U grinda me njërin prej vëllezërve të mi. E ëma e tij ishte joarabe dhe i thashë diçka fyese për nënën e tij. Ai u ankua tek i dërguari i Allahut. Kur profeti me takoi më tha: ‘O Ebu Dharr, të ka mbetur akoma diçka ngaxhahilijeti’. Unë i thashë: ‘O i dërguari i Allahut, kushdo që fyen një person, njerëzit do të fyejnë nënën ose babain e tij’. Ai tha: ‘O Ebu Dharr, ty të ka mbetur akoma diçka nga xhahilijeti. Ata janë vëllezërit e tu dhe Allahu të ka dhënë pushtet mbi ta, prandaj ushqeji si ushqen veten dhe vishi sikur vishesh vetë. Mos u jep më shumë punë se ç’mund të bëjnë dhe nëse u jep shumë punë për të bërë, ndihmoji ata”. (Muslimi)

Profeti i foli Ebu Dharrit në këtë mnëyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, sepse e dinte se ai do ta pranonte. Kjo metodë e drejpërdrejtë mund të jetë një metodë e dobishme dhe kursen kohën dhe energjinë dhe e bën të ditur mesazhin në mënyrën më të lehtë, por duhet të aplikohet kur është e përshtatshme për situatën dhe për njerëzit që përfshihen në të.

Kjo metodë e drejtpërdrejtë më mirë të mos përdoret nëse mund të shkaktojë diçka më të keqe ose nëse një interes më i madh nuk mund të arrihet. Për shembull nëse ai që e kryen gabimin është në një pozitë pushteti dhe autoriteti dhe nuk do t’i pranonte komente të tilla të sinqerta, ose një metodë e drejtpërdrejtë do t’i shkaktonte shumë çoroditje personit që ka bërë gabimin. Ajo nuk duhet të përdoret edhe nëse personi është shumë i ndjeshëm dhe mund të ketë një reagim të papëlqyeshëm. Pa dyshim një metodë e drejtpërdrejtë do të ishte e tepërt për një njeri nëse bëhet me një frymë kundërvenieje dhe me qëllimin e vënies në siklet dhe mburrjes, në kohën kur kritiku i tij shfaqet më superior. Në mënyrë të ngjashme është e rëndësishme të tregohemi të matur për përdorimin e metodave “jo të drejtpërdrejta”, ku ndikimet e shumta negative mund t’ua tejkalojnë të mirave të një metode të drejtpërdrejtë. Për arsye se metoda të tilla mund ta bëjnë mëkatarin të mendojë se ai që po e këshillon, mendon se ai është budalla ose po sillet pa përgjegjësi, ose sepse mund ta ofendojnë përderisa mendon se po bën vërejtje mashtruese. Kjo mënyrë e theksimit të asaj që është e drejtë mund të mos jetë efikase, sepse ajo që po thuhet mund të mos jetë e qartë për personin të cilit i drejtohet, prandaj ai do të vazhdojë ta bëjë gabimin. Në përgjithësi njërëzit ndryshojnë kur është puna për të pranuar këshilla dhe metoda e duhur do të ndryshojë në secilin rast, por një qëndrim i mirë në diskutimin e gabimeve dhe udhëzimin e njerëzve do të ketë gjithashtu ndikimin më të madh në arritjen e qëllimit të dëshiruar.

 

36 – Bindja e personit se po bën një gabim

 Hyrja në diskutim me një mëkatar për ta bindur atë mund të çojë në largimin e sinjalit të drejtimit nga sytë e tij dhe kthimin e tij në rrugën e drejtë. Një shembull i kësaj është ndodhia e treguar nga at-Tabarani në “el-Mujam el-Kabeer” nga Ebu Umamah, i cili ka thënë se një i ri erdhi tek i dërguari i Allahut dhe tha: “O i dërguari i Allahut, më lejo të bëj zina (tradhti, imoralitet)”. Njerëzit i bërtitën dhe profeti tha:“Ndaloni!” I dërguari i Allahut tha: “Lëreni të qetësohet. Eja këtu”. Ai shkoi dhe u ul para të dërguarit të Allahut, i cili i tha: “Do ta doje këtë për nënën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai tha: “Dhe të tjerët gjithashtu nuk do ta donin një gjë të tillë për nënat e tyre. Do ta doje për vajzën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin që diçka e tillë t’u ndodhte vajzave të tyre. Do ta doje për motrën tënde?” Ai tha: “Jo”. Ai tha: “As të tjerët nuk do ta donin një gjëtë tillë për motrat e tyre. Do të doje t’u ndodhte tezeve të tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Profeti i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte tezeve të tyre. Do të doje t’u ndodhte hallave të tua?” Ai u përgjigj: “Jo”. Ai i tha: “As të tjerët nuk do të donin t’u ndodhte hallave të tyre. Pastaj i dërguari i Allahut e vuri dorën në kraharor dhe tha: “O Allah falja gjynahet, pastroja zemrën dhe bëje të pastër”.

 

37 – Ta bësh një person të kuptojë se justifikimi i tij jobindës nuk është i pranueshëm

            Disa njerëz që bëjnë gabime, mundohen të ofrojnë kompensim, shlyerje, justifikime të paranueshme, veçanërisht kur kapen duke e kryer gabimin. Në të vërtetë, disa prej tyre mund të belbëzojnë kur i japin justifikimet e tyre jobindëse, veçanërisht ata që nuk janë mësuar me gënjeshtra, sepse thellë në zemër ata janë të mirë. Si duhet të veprojë mësuesi kur has një situatë të tillë? Ndodhia e mëposhtme tregon një qëndrim të shkëlqyer të profetit, kur ai trajtoi situatën e njërit prej shokëve të tij që kishte këtë natyrë. Ngjarja tregon gjithashtu se si mësuesi duhet të këmëbngulë derisa personi të largohet nga sjellja e gabuar.

Khauat ibn Jubayr ka thënë: “Bëmë një fushim me të dërguarin e Allahut në at Mar as-Zahran (një vend pranë Mekës). Dola nga tenda dhe pashë disa gra që po bisedonin. Më pëlqyen, kështu që hyra brenda, mora valixhen dhe nxorra një hillah (kostum). E vesha dhe dola u ula me to. I dërguari i Allahut doli dhe tha:

‘O Ebu Abdullah!’ (dmth ai po e qortonte pse ishte ulur me ato gra jo-mahram). Kur pashë të dërguarin e Allahut, u frikësova dhe nisa të belbëzoj (duke u munduar të nxjerr një justifikim). I thashë: ‘O i dërguari i Allahut, më humbi deveja dhe po kërkoj një litar që ta lidh’ (ai tha një justifikim të rremë për atë që kishte bërë). Ai u largua dhe unë u shkova pas. Ai ma hodhi mantelin dhe shkoi tek disa pemë araku – dhe është sikur mund ta shoh bardhësinë e shpinës së tij në mës të gjelbërimit të pemëve arak. Ai iu përgjigj thirrjes së natyrës, mori abdes dhe u kthye nga unë me ujin që i rridhte në kraharor dhe tha: ‘O Ebu Abdullah çfarë i ndodhi devesë që kishte humbur?’ Pastaj vazhduam udhëtimin dhe sa herë që më arrinte thoshte ‘Eselamu alayka Aba Abdullah. Çfarë i ndodhi devesë që humbi?’ Kur e kuptova këtë, nxitova për në Medinë, filllova të shmang vajtjen në xhami dhe në ligjërata ku ishte i pranishëm profeti. Pasi kjo zgjati për shumë kohë, kur nuk kishte asnjeri rreth e rrotull. Shkova në xhami dhe nisa të falem, por i dërguari i Allahut doli nga një nga dhomat e tij dhe nisi të falë dy rekatë të shkurtër. Unë e zgjata faljen, duke shpresuar se do të ikë dhe do të më lërë. Ai tha: ‘Zgjate sa të duash o Ebu Abdullah, se unë nuk do të iki derisa të mbarosh’. Thashë me vete: ‘Për Allahun, duhet t’i kërkoj falje të dërguarit të Allahut që ta gëzoj atë’. Pasi mbarova ai tha es-selamu alejka o Ebu Abdullah. Çfarë ndodhi me devenë që të kishte humbur?’ Unë i thashë: ‘Për Atë që të ka dërguar me të vërtetën, ajo deve nuk më ka humbur asnjëherë që kur jam bërë musliman’. Ai tha tre herë: ‘Allahu të mëshiroftë’ dhe nuk e përmendi më asnjëherë”. (El-Haythami ka thënë: at-Tabarani e ka transmetuar me dy isnade. Burrat e saj janë të gjithë saheeh përveeç el-Jarrah ibn Mukhallad, që është thiqah.)

Ky është një studim i shkëlqyer për kualifikim dhe për përdorimin e strategjive të urta për të arritur përfundimin e dëshiruar. Nga kjo ndodhi mund të mësojmë gjithashtu pikat e mëposhtme:

– Një njeri që ka kryer një krim ka turp nga një lider i respektuar.

– Mënyra si një mësues shikon dhe pyet një person – edhe pse mund të jetë e shkurtër – ka një ndikim shumë të madh tek ai.

– Mos diskutimi i justifikimit të rremë në kohën e dëgjimit të tij – edhe pse duket qartë se është i sajuar – dhe largimi nga personi mund të jenë të mjaftueshme që ta bëjnë të kuptojë se justifikimi i tij nuk pranohet, gjë që do ta nxisë të pendohet dhe të kërkojë falje. Kjo është ajo që kuptojmë nga shprehja “ai u largua”.

– Mësues i mirë është ai që e bën personin që ka bërë gabim të ndihet shumë i turpëruar prej tij, aq sa ai mundohet të fshihet prej tij, por, në të njëjtën kohë, nevoja e tij për të, e bën të shkojë tek ai. Pastaj i fundit merr më përparësi se i pari.

– Ndryshimi i sjelljes kundrejt mëkatarit bazohet – në këtë rast –  në pranimin e mëkatarit se është gabuar dhe se nuk do ta bëjë më gabimin.

Nëse mësuesi ose drejtuesi vlerësohet nga shokët e tij dhe ai qorton njërin prej tyre ose i thotë se ka bërë një gabim, kjo do të ndikojë tek ai. Drejtuesi duhet t’u kushtojë rëndësi interesave të të tjerëve gjatë qortimit të njërit prej shokëve, në mënyrë që të gjithë të përfitojnë prej tij. Megjithatë kjo nuk do të thotë se ai duhet të mos i marrë parasysh efektet negative tek një individ i caktuar. Kjo mund të trajtohet dhe efektet e saj mund të kufizohen në shumë mënyra, edhe pse një palë e tretë, ashtu si bëri el-Mughereerah kur e pyeti Umerin të bëhej ndërmjetës, ndërsa në të njëjtën kohë, duke shpjeguar situatën dhe duke pohuar sa lart mendon lideri për ndjekësin. 

 

38 – T’u kushtosh vëmendje gjërave që janë të qënësishme në natyrën njerëzore

Një shembull për këtë është xhelozia e grave, veçanërisht në rastin e martesave me më shumë se një grua, disa prej të cilave mund të bëjnë gabime që nëse do të bëheshin nga dikush tjetër në rrethana normale, do të trajtoheshin krejt ndryshe. Profeti i kushtonte vëmendje të veçantë çështjes së xhelozisë mes grave të tij  dhe si pasojë gabimeve të bëra nga to dhe durimi, drejtësia dhe paanësia me të cilat ai e trajtoi këtë çështje janë shumë të qarta. Një shembull për këtë është ndodhia e transmetuar nga Buhariu në “Saheeh” nga Enesi, i cili ka thënë: “Profeti ishte me njërën nga gratë e tij, kur një tjetër nga nënat e besimtarëve (gratë e profetit) i dërgoi një enë plot me ushqim. Gruaja në shtëpinë e profetit, e qëlloi dorën e shërbëtorit dhe ena ra dhe u thye. Profeti i mblodhi copat, i bashkoi bashkë, pastaj mblodhi ushqimin që kishte qenë në enë dhe tha: “Nësa jote është xheloze”. Pastaj ai i kërkoi shërbëtorit të priste dhe i tha dha një enë që i përkiste gruas në shtëpinë e së cilës ishte dhe e mbajti enën e thyer në shtëpinë e asaj që e kishte thyer”.

            Sipas një ndodhie të transmetuar nga en-Nasai, Umu Seleme i solli pak ushqim në një enë të sajën të dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij, atëherë Aishja erdhi e mbështjellë me një rrobë, me gur në dorë të cilin ia hodhi enës dhe e theu. Profeti i bashkoi përsëri bashkë copat dhe tha: “Ha, nëna jote është xheloze”. Ai e tha këtë dy herë, pastaj mori enën e Aishes dhe ia dërgoi Umu Selemes dhe Aishes i dha enën e Umu Selemes.

            Sipas një ndodhie të transmetuar nga ad-Darimi, nga Enesi ai ka thënë: Njëra nga gratë e profetit i dërgoi një enë me thareed (një gjellë me bukë të njomur, mish dhe lëng mishi), kur ai ishte në shtëpinë e njërës prej grave të tij, e cila e goditi enën dhe e theu. Profeti nisi të mbledhë gjellën dhe e futi në enën e thyer dhe tha: ‘Ha, nëna jote është xheloze…”.

            Xhelozia e grave është një pjesë e pandarë e natyrës së tyre, që mund t’i bëjë të kryejnë gjëra të këqija dhe të mos i lejojnë të shohin pasojat. Thuhet se kur një grua është xheloze, ajo nuk mund ta shohë fundin e një lugine nga maja e saj.

 

 

Përfundim

 

            Duke ndjekur kërkimin e Sunetit dhe metodat që profeti i ka përdorur në trajtimin e gabimeve të njerëzve, duhet ta përfundojmë duke përmendur pikat e mëposhtme:

            – Korrigjimi i gabimeve është i detyrueshëm dhe shumë i rëndësishëm. Ai është pjesë ean-naseehah (dhënies së këshillës së sinqertë) dhe ndalimit të së keqes, por duhet të mbajmë mend se Islami nuk është vetëm për të ndaluar të keqen, ne urdhërohemi gjithashtu të këshillojmë atë që është e mirë.

            – Edukimi dhe formimi nuk janë vetëm çështje të korrigjimit të gabimeve. Ata përfshijnë gjithashtu mësimin dhe tregimin e parimeve bazë të fesë dhe rregullat e sheriatit dhe përdorimin e metodave të ndryshme për t’i rrënjosur këto koncepte me vendosmëri në mendjet dhe zemrat e njerëzve, për shembull duke i këshilluar, duke u treguar histori ose duke diskutuar për ndodhitë etj. Nga kjo, është e qartë se disa prindër dhe mësues po dështojnë duke i kufizuar përpjekjet e tyre vetëm në përmendjen e gabimeve pa i kushtuar vëmendjen e duhur mësimit të gjërave themelore, ose pa i trajtuar gabimet para se të ndodhin duke rrënjosur atë që do t’i mbrojë njerëzit nga kryerja e gabimeve që në fillim, ose të paktën të ulin ndikimin e tyre.

            – Nga këto ndodhi dhe histori që u përmendën më sipër është e qartë se profeti ka përdorur metoda të ndryshme në trajtimin e gabimeve të ndryshme. Kjo ndodh sepse rrethanat dhe personalitetet ndryshojnë. Ai që e kupton këtë dhe do ta ndjekë këtë duhet ta krahasojë situatën me të cilën po merret me këto shembuj për të gjetur atë që i përngjason më shumë në mënyrë që të vendosë mënyrën më të përshtatshme.

            Ne i kërkojmë Allahut, I Lartësuar dhe i Lartësuar qoftë ai, të na udhëzojë dhe të na mbrojë, të na bëjë hapës të dyerve të së mirës dhe mbyllës të dyerve të së keqes dhe t’i udhëzojë të tjerët prej nesh, sepse ai është Gjithëdëgjuesi dhe Gjithëshikuesi, i Cili u përgjigjet lutjeve. Ai është më i Miri i përkrahësve dhe më i Miri i ndihmuesve dhe Ai është Udhëzimi për në rrugën e drejtë. Allahu e bekoftë profetin që nuk dinte shkrim e këndim, familjen e tij shokët e tij dhe Lavdërimet janë për Allahun, Zotin e botrave!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit