-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Përmbledhje e rregullave fetare në katastrofat natyrore

Më të lexuarat

Muhamed Salih El Munexhid

Përktheu: Driton Lekaj

 

Përmbledhje e rregullave fetare gjatë katastrofave natyrore

 

     Me vazhdimin e pasojave pas katastrofës së përmbytjeve dhe problemet e shumta të cilat rrjedhën nga to, është shtuar nevoja për të ditur më shumë rreth dispozitave fetare që lidhen me këto katastrofa. E ndër çështjet dhe dispozitat më të rëndësishme janë:

  • Shpëtimi i të përmbyturit dhe përpjekja për ta evakuuar atë është

prej obligimeve (vaxhibeve). Për më tepër,  muslimani e ka obligim që ta ndërpres namazin, qoftë edhe nëse është farz, për t’i ardhur në ndihmë të përmbyturit nëse ka mundësi ta bëjë këtë.

Nëse ai është i vetmi që ka mundësi ta bëjë këtë, atëherë obligohet personalisht, mirëpo nëse ka edhe të tjerë që mund ta bëjnë këtë, atëherë obligimi është i përbashkët dhe i përfshin të gjithë ata që kanë mundësi. Nëse ndonjëri nga ata e kryen këtë bie obligimi nga të tjerët, përndryshe nëse e lënë, të gjithë bëjnë mëkat.

Ai që refuzon ta bëjë këtë me gjithë mundësinë që ka obligohet me kompensim[1], sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

  • Ai që posedon pasuri në sasinë e përcaktuar fetarisht për të dhënë

zekat por, pasuria e tij është shkatërruar  nga përmbytjet, atëherë kjo çështje zgjidhet në këtë mënyrë:

  • Nëse nuk ka kaluar një vit që kur pronari i saj e ka këtë pasuri në pronësi të tij[2] apo ka kaluar një vit por, ai nuk ka mundur ta jap zekatin për ndonjë arsye, atëherë ai nuk ka mëkat dhe as nuk i kërkohet që ta kompensoj sasinë që është dashur ta jep për zekat dhe dhënia e zekatit anulohet për të.
  • Ndërsa nëse pasuria e ka kaluar një vit në posedim të pronarit dhe ai ka pas mundësi ta nxjerr zekatin por, nuk e ka bërë këtë për shkak të neglizhencës dhe shkujdesit, atëherë zekati është obligim për të dhe duhet që ai ta jep atë.
  • Lejohet që të dëmtuarve nga përmbytjet t’u jepet nga zekati, nëse

pas këtij dëmtimi janë shndërruar në të varfër apo janë zhytur  në borxhe.

Argument për këtë është hadithi të cilin e shënon Muslimi në librin e tij ku Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “O Kabisa, vërtetë lypja nuk lejohet vetëm se për njërin nga këta tre persona! E prej tyre ka përmendur: “Dhe një njeri të cilin e ka goditur një fatkeqësi e cila ia ka shkatërruar pasurinë, atij i lejohet lypja gjersa të gjen aq sa i mjafton për t’i përmbushur nevojat e tij kryesore për jetë.”

Tabiini i mirënjohur Muxhahid b. Xhebr El Mekij ka thënë: “Tre persona llogariten se janë të zhytur në borxhe: Një njeri të cilit vërshimet ia kanë shkatërruar pasurinë, njeriu të cilit zjarri ia ka shkatërruar pasurinë dhe njeriu i cili ka familje por, nuk ka pasuri, e ai merr borxhe për të shpenzuar për ta.”[3]

  • Lejohet të shpejtohet dhënia e zekatit të vitit të ardhshëm, i cili do

të llogaritej përafërsisht, për shkak të nevojës së njerëzve pas këtyre përmbytjeve. Kjo është më mirë se sa të jepet zekati në muajin Ramazan.

 

  • Për sa i përket mallrave të shitura të cilat janë dëmtuar për shkak të katastrofës së përmbytjeve, veprohet me to kësisoj:
  • Nëse janë dëmtuar para se t’i merr blerësi në posedim, atëherë shitblerja llogaritet e anuluar. Kompensimi i tyre është obligim për shitësin gjithashtu, nëse shitësi ia ka marrë të hollat blerësit obligohet t’ia kthej ato.
  • Ndërsa nëse malli i shitur dëmtohet pasi që blerësi e ka marrë në posedim, atëherë i përket vetë blerësit ta kompensoj atë dhe shitësi është i liruar nga obligimi, ngase malli i shitur ka dalë nga përgjegjësia e tij në momentin kur iu është dorëzuar blerësit.
  • Gjithashtu, nëse shitësi ia ka mundësuar blerësit ta merr mallin e tij veçse e ka larguar përgjegjësinë nga vetja, e me këtë rast blerësi është ai që është treguar neglizhent, për këtë barra e kompensimit të mallit bie mbi të.

 

  • Për kulturat e mbjella apo frutat të cilat janë dëmtuar nga

përmbytjet, para se të ekziston mundësia e korrjes apo vjeljes, i takon blerësit i cili e ka paguar vlerën e tyre të kërkojë prej shitësit tërë vlerën të cilën e paguar, për shkak të fjalës së Pejgamberit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të): “Nëse i shet vëllait tënd fruta dhe ndërkohë i godet ndonjë fatkeqësi nuk të lejohet të marrësh nga ai asgjë! Me çfarë të drejte e merr pasurinë e vëllait tënd me të padrejtë?!!”[4]

 

  • Qiramarrësi lirohet nga pagesa e kësteve të mbetura pa paguar nga

qiraja e shtëpive apo dyqaneve të cilat i kanë rrënuar vërshimet. Ngase, kontrata e qirasë bëhet jo valide nëse dëmtohet gjësendi i marrë në qira. Qiramarrësi duhet të paguaj vetëm qiranë e periudhës së kaluar, para dëmtimit, dhe duhet  t’i kthehet shuma që tepron nëse e ka paguar qiranë paraprakisht.

 

  • Ky rast e përforcon atë që e kanë paralajmëruar dijetarët në rastin

e shitjes së veturave, për domosdoshmërinë e ndarjes mes kontratës së qirasë dhe kontratës së blerjes dhe mos përzierjen mes tyre; Ngase, nëse nuk ndahen detyrimisht do të ketë konflikt mes kompanisë dhe qiramarrësit sepse, secili nga ata ia ngarkon palës tjetër vlerën e veturës (në rast të dëmtimit). Përderisa, sikur të ishte kontrata e ndarë, atëherë qiradhënësi do të merrte përsipër (në këtë rast: kompania e veturave) dëmtimin. E po të ishte kontrata e shitjes me këste e pavarur, atëherë blerësi do ta merrte përsipër dëmtimin dhe do t’i mbetej atij pagesa e kësteve.

Andaj, ‘qiraja e cila përfundon me pronësi të veturës’ nuk është qira e pastër e as shitblerje e pastër, për këtë edhe ndodh konflikti … Ndërsa tash pas përmbytjeve do të fillojnë konfliktet mes qiraxhinjve dhe kompanive – të cilat punojnë përmes kontratave të dhënies së automjeteve me qira që përfundon me pronësi, rreth sigurimit të veturave! Cili prej tyre do ta merr kompensimin nga kompanitë e sigurimeve!!

 

 

 

  • Pasuria e cila prishet për shkak të përmbytjeve dhe e cila është në

përgjegjësinë e punëtorit individual[5] prej nëpunësve në institucionet dhe kompanitë. Me këtë rast nëpunësi nuk obligohet që ta kompensojë atë, ngase punëtorit individual vetëm iu është dhënë në besim dhe ai nuk obligohet ta kompensoj atë që dëmtohet nën përgjegjësinë e tij, nëse nuk e ka keqpërdorur apo nuk ka qenë neglizhent në kujdesin për të.

 

  • Ajo që dëmtohet te punëtori i përbashkët[6] pas përmbytjeve, sikurse

veturat e njerëzve në serviset e veturave, rrobat në dyqanet e rrobaqepësisë, apo rrobat në dyqanet e posaçme për pastrimin e tyre, e të ngjashme me to, punëtori i përbashkët nuk obligohet t’i kompensojë ato sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

 

  • Emanetet dhe depozitat të cilat janë dëmtuar nga përmbytjet nuk i

kompenson ai që janë deponuar te ai, nëse i ka vendosur në një vend të përshtatshëm në të cilin ruhen  zakonisht.

 

  • Ai që huazon diçka e më pas dëmtohet nga përmbytjet, për sa i

përket kompensimit të tij ka mospajtim mes dijetarëve. Më afër është se nuk obligohet ta kompensojë atë .. ngase, gjësendi i huazuar është depozitë e cila nuk kompensohet vetëm nëse keqpërdoret apo tregohet i pakujdesshëm ndaj tij.

 

  • Gjithashtu nëse dëmtohet kapitali i pasurisë në ortakërinë e

partneritetit[7] nga përmbytjet, atëherë dëmtimin e tij e kompenson pronari i pasurisë ndërsa, ai që e tregton me të me të nuk garanton asgjë përveç nëse tregohet i pakujdesshëm ndaj saj, ngase përgjegjësia e tij me këtë rast është e njëjtë si në rastin e depozitave.

 

  • Për sa i përket pasurisë së rrëmbyer e cila është dëmtuar gjatë

përmbytjeve, dijetarët janë të pajtimit se është obligim të kompensohet, ngase rrëmbyesi është agresor. Ibn Xhezij El Malikij në librin e tij “El Kavanin El Fikhije”, fq: 362, thotë: “Rrëmbyesi e kompenson atë që e ka rrëmbyer, pavarësisht a është dëmtuar me urdhrin e Allahut apo nga ndonjë krijesë.”

 

  • Të gjitha pronat të cilat humben si pasojë e përmbytjeve, zbatohet

për to dispozita e sheriatit për ‘El Lukata’ – gjësendet e humbura, pavarësisht a janë prona që ju kanë humbur pronarëve të tyre apo i kanë lënë qëllimisht për shkak të pamundësisë për t’i bartur, qofshin ato vetura dhe makineri të rënda të cilat vërshimet i kanë marrë me vete, apo kafshë dhe bagëti të humbura dhe të shpërndara për shkak të përmbytjeve.

      Me pak fjalë, dispozita për ‘El Lukata’ është si vijon:

  • Gjësendi i thjeshtë të cilin pronari i tij nuk e kërkon zakonisht si p.sh. lapsi i lirë, shuma e vogël e të hollave, kalon në pronësi të atij që e gjen dhe nuk ka nevojë për ta lajmëruar.
  • Ndërsa për sa u përket pasurive të tjera (që janë në pronësi të njerëzve) për të cilat zakonisht njerëzit i kërkojnë dhe interesohen për to, ai që i ka gjetur duhet t’i ruaj dhe t’i lajmëroj nëpër tregje, vendtubime të njerëzve dhe gazeta, për një vit të plotë. Nëse nuk lajmërohet pronari i tyre, atëherë ato kalojnë në pronësi të tij me kusht që t’i garantoj (kompensoj) pronarit të tyre kurdo që të lajmërohet. Autoritetet përgjegjëse mund të hapin një depo për gjësendet e gjetura, ndërsa ai që vjen me fakte për gjësendin e tij të humbur, atëherë ai i jepet atij.
  • Nëse ndokush prej shitësve dhe zejtarëve keqpërdor nevojën e

njerëzve, sikurse që ka ndodhur nga pronarët e makinave që shfrytëzohen për tërheqje (të veturave p.sh.), për thithjen  e ujit, pastrimit të veturave apo edhe moteleve dhe pronarëve të apartamenteve, me këtë rast autoritetet kanë të drejtë të ndërhyjnë dhe t’i obligojnë me çmimin ekuivalent[8] me qëllim të ruajtjes nga lakmia dhe shfrytëzimi.

Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Gjësendet për të cilat kanë nevojë t’i blejnë dhe shesin masa e njerëzve, atëherë është obligim që të mos shiten vetëm se me çmimin ekuivalent, nëse nevoja për blerjen apo shitjen e tyre është e gjithanshme.”

Ibn Kajjimi ka thënë: “Nëse shitblerësit përmbahen nga shitja e mallrave të tyre vetëm se me çmim të rritur, përkundër nevojës së njerëzve, me këtë rast ata e kanë obligim të shesin me çmimin ekuivalent. Tes’iri (përcaktimi i çmimit nga autoritetet dhe detyrimi i shitësve me të) nuk mund të kuptohet përveç se përmes detyrimit me çmimin ekuivalent në treg d.m.th. tes’iri këtu nënkupton detyrimin me drejtësinë me të cilën i ka obliguar Allahu i lartësuar.[9]

  • Ai që posedon kontratën e sigurimit të ndaluar dhe të cilit i

kompensohet dëmi nga kompania e sigurimit, nuk i lejohet të merr vetëm aq sa ka paguar në të kaluarën, d.m.th. këstet e paguara më herët, ndërsa pjesën tjetër të mbetur e jep sadaka (lëmoshë).

  • Ndalohet blerja e mallrave dhe gjësendeve të vjedhura për atë

që e din apo ia merr mendja se ato janë të vjedhura. Ngase, blerja e tyre përbën bashkëpunim në të keqe dhe armiqësi dhe dikton që prona t’i humbet pronarit të vërtetë të saj.

 

  • Të përmbyturit: Nëse nuk dihet se cili prej tyre ka vdekur së

pari, atëherë ata nuk trashëgojnë nga njëri tjetri por, trashëgimia e secilit prej tyre i takon vetëm trashëgimtarëve të tyre të gjallë (pa i përfshirë ata që kanë vdekur së bashku). Kësisoj ka gjykuar Zejdi në të vrarët e betejës së ‘Jemames’[10] si dhe ata që kanë vdekur në murtajën ‘Amuas’[11] dhe këtë mendime ndajnë shumica e fukahave.

 

  • Gënjeshtra dhe mashtrimi në marrjen e kompensimeve

konsiderohet marrje e pasurisë me të padrejtë. Ai që nuk është dëmtuar nga këto përmbytje nuk ka të drejtë të marrë ndihma dhe pretendimi i tij se është dëmtuar pa qenë kjo e vërtetë është gënjeshtër e ndaluar dhe shenjë prej shenjave të dyfytyrësisë.

 

 

  • I humburi: për të cilin nuk ka ndonjë lajm apo nuk dihet se a

ka vdekur apo është gjallë, atëherë duhet të pritet deri në një afat në të cilin paramendohet sikur të ishte i gjallë do të kthehej[12] dhe pas përfundimit të këtij afati gjykohet si i vdekur. Me këtë rast fillon zbatimi i dispozitave që pasojnë si rezultat i vdekjes si: fillimi i kohës së ‘Idetit’[13] së gruas së tij dhe ndarja e trashëgimisë së tij.

 

  • Si pasojë e kësaj katastrofe është se disa organizata dhe

kompani kanë filluar t’i pushojnë nga puna nëpunësit e tyre, por para se të merret ky hap patjetër duhet të kihen parasysh pasojat e këtij vendimi për këta nëpunës ngase, ata mbajnë financiarisht familjet e tyre.

Duhet bërë e ditur se nuk i lejohet pronarit të kompanisë të pushojë nga puna nëpunësin para se të përfundojë kontrata e tij, përveç në rast të paaftësisë së pagesës së obligimeve dhe ekzistimit të dëmtimit të sigurt dhe të qartë.

Gjithashtu, duhet dhënë nëpunësit të gjitha të drejtat e tij që i takojnë sipas marrëveshjes. Dhe pasojat e përmbytjes nuk janë arsyetim për t’i mënguar diç prej të drejtës së tij, ngase ai nuk është fajtor për atë që ka ndodhur.

  • Prej rregullave të qarta në sheriat është se: “Ai që tregohet neglizhent, e garanton kompensimin.”

Çdokush që tregohet neglizhent, i pakujdesshëm dhe mospërfillës detyrohet të kompensojë dëmet që kanë ndodhur si rezultat i neglizhencës dhe pakujdesisë së tij duke ia shtuar edhe atë se meriton të ndëshkohet për shkak të abuzimit me pasurinë publike padrejtësisht.

Ndër mëkatet më të rënda me të cilat e takon robi Allahun e lartësuar në botën tjetër është marrja e pasurisë pa të drejtë. Ndërsa pasuritë më me peshë janë ato publike, ngase mëkati në abuzimin me to është i madh .. dhe ndalimi i keqpërdorimit të tyre është më i rëndë se sa ndalimi për pasurinë private, sepse ajo është e drejtë e përbashkët mes të gjithë muslimanëve.

Abuzim me pasurinë publike mund të llogaritet: Mos përmbushja e standardeve të cilësisë në projektet e shtetit dhe dhënia e lejeve për ndërtimin e ndërtesave të cilat nuk lejohet të ndërtohen.

Krim edhe më të madh se ky, bëjnë ata që shteti iu beson ndonjë detyrë dhe u jep në përgjegjësi pasurinë e arkës shtetërore të muslimanëve për të përfunduar projekte në të mirën publike dhe më pas jo që nuk i përfundojnë ato, por i plaçkitin dhe  grabitin apo i përfundojnë ato jo në mënyrën që iu është besuar. Kësisoj, ata përfitojnë prej pasurisë publike atë që nuk e meritojnë dhe rezulton nga kjo papërgjegjësi e tyre dëm dhe shkatërrim i madh.

Si rezultat i kësaj, kanë ndodhur shumë e shumë rrënime, përmbytje, djegie dhe humbje fatale në shpirtra, pasuri dhe të mira bujqësore.

Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Disa njerëz zhyten (fusin dorën) në pasurinë e Allahut me të padrejtë, atyre ju takon zjarri (si ndëshkim) ditën e Gjykimit.” (Buhariu: 3118)

Kuptimi i fjalës: “Disa njerëz zhyten (fusin dorën) në pasurinë e Allahut me të padrejtë.” d.m.th. e keqpërdorin (abuzojnë) pasurinë e muslimanëve.

Është obligim, për çdo nëpunës dhe përgjegjës të cilit iu është besuar diçka që të ketë kujdes ndaj të drejtës së Allahut në pasurinë publike dhe të mos e keqtrajtoj apo ta keqpërdorë atë.

Allahu i lartësuar thotë: “Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejt mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh si veproni.”

[1] Mendimi i shumicës së dijetarëve është se ai bën mëkat dhe nuk obligohet me kompensim, ndërsa dijetarët e mehdhebit Maliki ndajnë mendimin se ai obligohet të kompensoj njëjtë sikur dëmshpërblimi i krimit të vrasjes dhe me këtë rast nëse qëllimisht nuk i ka ofruar ndihmë të përmbyturit kompensimi bëhet nga pasuria e tij, ndërsa nëse e paraqet ndonjë arsye, atëherë dëmshpërblimi merret nga pasuria e familjes së tij. (El Meusuah El Fikhijje El Kuvejtije)

[2] E që është një prej kushteve të dhënies së zekatit. (sh.p.)

[3]  E transmeton Ibn Ebi Shejbe me zinxhir të saktë: 3/ 207.

[4]  E transmeton Muslimi me nr: 1544.

[5] Punëtori individual: është ai që kontrata e ndërlidhur me të përcaktohet me kohë të caktuar ku punëdhënësi mund të përfitoj nga ai gjatë kësaj kohe si p.sh nëpunësit e ndryshëm.

[6] Punëtori i përbashkët:Është punëtori me të cilën është lidhur kontratë për kryerjen e një vepre të caktuar. Me këtë rast punëtori obligohet ta kryej punën dhe t’ia dorëzoj pronarit të tij, si p.sh. rrobaqepësi. (sh.p.)

[7] Ortakëria e partneritetit: ndodh atëherë kur njëri nga ortakët ia jep pasurinë tjetrit që të tregtojë me të, me një përqindje të caktuar të fitimit.

[8]  Çmimin mesatar në treg. (sh.p.)

[9] Tes’iri: Është përcaktimi i çmimit nga autoritetet dhe detyrimi i shitjes përmes tij. Ai është dy llojesh:

  1. Padrejtësi e ndaluar: kjo ndodh atëherë kur autoritetet detyrojnë pronarët e mallrave apo shërbimeve – padrejtësisht – për t’i shitur apo ofruar ato me çmimin të cilin nuk e pranojnë, apo i privojnë nga ajo që ua ka lejuar Allahu.
  2. Drejtësi e lejuar (në të vërtetë e obliguar): Me këtë rast vendimi përfshin zbatimin e drejtësisë mes njerëzve dhe kjo ndodh përmes detyrimit të pronarëve të mallit apo shërbimeve për të cilat njerëzit kanë nevojë të domosdoshme dhe shitjen apo ofrimin e tyre me çmimin e drejtë (me çmimin ekuivalent në treg), nëse ndodh që ata të përmbahen nga shitja përveç se me çmimin që e përcaktojnë që në fakt e dëmton konsumatorin. (Muxhem El Mustalahat El Malije uel Iktisadije: 136)

[10] Beteja e ‘Jemames’: Beteja e cila ka ndodhur mes ushtrisë islame në krye me Halid b. Velidin  dhe fisit Beni Hanife me në krye me Musejlimen – pretenduesin e pejgamberllëkut.

[11] Mortaja ‘Amuas’: është mortaja e cila ka filluar në qytezën e quajtur Amuas,e pastaj është përhapur në rajonin e Shamit,  në periudhën e hilafetit të Umerit në vitin 18 h.

[12] Dijetarët e fikhut kanë mendime të shumta rreth afatit që duhet të presë gruaja gjersa të gjykohet se burri i saj ka vdekur. Mendimin që e konsiderojnë si të saktë shumë dijetarë të spikatur është se përcaktimi i afatit i kthehet gjykatësit. Kjo mund të ndryshojë me ndryshimin e kohëve, gjendjeve dhe rrethanave që i përcjellin ato. Gjykatësi përcakton një afat pas të cilit nuk paramendohet të jetë i gjallë dhe pas kalimit të këtij afati e gjykon si të vdekur. ( www.islam-qa.com )

[13] Iddeti: Afati i përcaktuar për pritjen e gruas, si adhurim ndaj Allahut, për të shprehur pikëllimin për burrin, apo për t’u siguruar se mitra e saj është pastruar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit