10.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Nëna e ushtarit mysliman të vrarë i kundërpërgjigjet Trumpit

Më të lexuarat

Gjatë fjalimit të bashkëshortit të saj në Konventën e demokratëve preferoi të qëndronte e heshtur, nën dhimbjen e thellë që e ka kapluar prej vitesh, që kur djali i saj 27-vjeçar mbeti viktimë e një sulmi me autobombë në vitin 2004 në Irak.

Por tashmë ka vendosur të flasë, e nxitur edhe nga ajo çfarë ka thënë kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, i cili ka shkaktuar jo vetëm një lumë kritikash ndaj tij, por edhe një zemërim mes amerikanëve, kur vuri në diskutim heshtjen e saj gjatë asaj konvente.

Ghazala Khan ka thënë se Trumpi nuk është gjë tjetër veçse një injorant në lidhje me Islamin dhe se ai nuk e di se ç’do të thotë fjala sakrificë.

Bashkëshorti i saj, Khizr Khan sulmoi kandidatin republikan gjatë një fjalimi emocionues në Konventën Kombëtare Demokrate të së enjtes së kaluar, ndërsa ky i fundit deklaroi më vonë se ai as nuk duhej lejuar të fliste.

Djali i çiftit në fjalë, Humayun Khan, kapiten i ushtrisë amerikane, mbeti i vrarë në luftën e Irakut, ndërsa fakti që i përkiste besimit mysliman e bëri Trumpin që ta vinte në shënjestrën e tij, siç ka bërë jo pak herë gjatë fushatës presidenciale deri më sot ndaj të gjithë myslimanëve.

Në një artikull të publikuar në “Washington Post”, Khan tha se bashkëshorti i saj e kishte pyetur nëse dëshironte të fliste në Konventën demokrate, por ajo kishte refuzuar për shkak se ishte ende e mërzitur dhe ikja nga jeta e djalit të saj e brengoste ende edhe sot.

“Të ecja përgjatë podiumit të konventës, me një foto të madhe të djalit tim përballë, e kisha të pamundur të përmbahesha dhe të kontrolloja veten. Cila nënë do të mund ta bënte në fakt një gjë të tillë? Donald Trump ka edhe vet fëmijë, të cilët besoj se i do shumë. Por, a mund ta vinte realisht në dyshim se përse unë nuk fola në atë konventë?”, shkruan nëna e ushtarit mysliman të vrarë.

“Kur Donald Trump flet për Islamin, më duket totalisht një injorant. Nëse e ka studiuar ndonjëherë Islamin e vërtetë dhe e ka lexuar ndonjëherë Kuranin, jam e bindur se ideja që ka krijuar ai prej terroristëve do të ndryshonte tërësisht. Kjo, sepse terrorizmi është një tjetër fe, një tjetër besim nga ai mysliman”, vijon më tej ajo, për të shtuar: “Donald Trump tha se ka bërë shumë sakrifica. Por, a e di realisht ai se ç’do të thotë fjala sakrificë?”.

Khan u shpreh më tej se, pavarësisht se nuk foli asnjë fjalë në konventë, “e gjithë bota, të gjithë amerikanët e ndienë dhimbjen e saj”.

Në Konventën e demokratëve në Filadelfia, Khizr Khani i lindur në Pakistan tha se djali i tij nuk do të kishte qenë kurrë në Amerikë, nëse do të ishte në dorën e Trumpit të vendoste për të ardhmen e tij.

Këtu, sigurisht ai i është referuar premtimit të manjatit të pasurive të paluajtshme se, nëse do të bëhet President i Shteteve të Bashkuara, ai do të ndalojë hyrjen e myslimanëve në SHBA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit