4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Bashkimi martesor në botëkuptimin Islam

Më të lexuarat

Rrezart Beka

Esenca e çdo vizioni islam e merr pikënisjen nga teuhidi, d.m.th nga dëshmia e besimit se “nuk ka zot tjetër përveç Allahut”. Ndonëse e shkurtër në vetvete, gjithsesi kjo shprehje përbën thelbin e themelit të fesë islame. Principi i teuhidit, ose ndryshe i njëshmërisë dhe unicitetit të Zotit, është parimi parësor i gjithçkaje islame, parimi sipas së cilit Zoti është Zot dhe asgjë e askush nuk është si Ai, metafizikisht transhendent dhe aksiologjikisht përfundimtar, burimi i çdo të mire, dashurie dhe bukurie. Ndërsa nga njëra anë në Kuran pohohet uniteti absolut i Zotit, nga ana tjetër, për sa i përket pjesës tjetër të Krijimit, në të thuhet: «prej çdo gjëje kemi krijuar çifte, që të meditoni ju» (51:49). Të qënurit çift përbën esencën e gjërave të krijuara, themelin e dinamizmit dhe marrëdhënies ndërmjet krijesave. Në një farë mënyre mund të themi se ekzistenca është një lojë dinamike elementesh të kundërt që gjen zgjidhje në të vetmin Zot. Pjesë e këtij realiteti krijimor është edhe qenia njerëzore, me një dallim domethënës: në qenien njerëzore, të qënurit i krijuar në çift nuk është një e dhënë fillestare, por ai rrjedh nga një unitet fillestar. Në lidhje me këtë teksti kuranor shprehet: «dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë» (30:21).

Siç vërehet, çifti njerëzor rrjedh nga një unitet fillestar dhe ka si synim që burri të orientohet drejt gruas së tij dhe në të të gjej prehje, ekuilibër dhe përmbushjen e personalitetit të tij. Një fjalë e rëndësishme në versetin e lartpërmendur është fjala qetësim (në mënyrë që të qetësoheni). Në arabisht kjo fjalë rrjedh nga forma foljore sekene/jeskunu, nga e cila rrjedh edhe termi islam sekina. Kjo fjalë ka shumë domethënie, ndër të cilat qetësi, rehati, çlodhje apo pushim. Ajo tregon për diçka të këndshme për personin, diçka me të cilën ai është i kënaqur. Në vetvete kjo fjalë përmban si qetësinë fizike ashtu edhe atë shpirtërore. Është interesante të vërejmë se në gjuhën arabe ajo përdoret edhe për vendbanimin (mesken). Në gjuhën arabe përdoren terma të ndryshëm për fjalën shtëpi ose vendbanim. Njëra prej tyre është fjala bejt, që tregon vendin ku kalon një ditë, po ashtu ekziston edhe fjala dar, që tregon vendin ku lëviz dhe kryen punët e përditshme. Këto dy terma përshkruajnë aspektin funksional të shtëpisë, pa aspektin shpirtëror të saj. Ky dimension i munguar gjendet pikërisht në fjalën mesken. Në një segment kuranor thuhet «mesakinu terbeuneha», ju keni shtëpi që ju pëlqejnë, me të cilat jeni të kënaqur. Në këtë fjalë gjendet një element gëzimi, kënaqësie dhe përmbushjeje, që nuk gjendet në termat e tjerë të lartpërmendur.

Fjala sekina e përdorur në ajetin kuranor është e njëjta fjalë me fjalën hebraike shekina, e cila tregon praninë dhe banimin e Zotit në Tempull. Në këtë kuptim pohimi kuranor «që të qetësoheni pranë tyre» ndoshta mund të kuptojë banimin e ndërsjellë të çiftit tek njëri-tjetri, siç shprehet edhe teksti kuranor, «ato janë petku i juaj, e ju jeni petku i tyre». Petku ose veshja, e përdorur në këtë metaforë, është gjëja në të cilën njeriu gjen strehë, qetësi dhe mbrojtje. Pra, në një farë mënyrë mund të themi se ne banojmë në petkun tonë.

Teksti kuranor vazhdon duke thënë se «[Ai ka] vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë». Dashuria dhe mëshira janë vendosur nga Zoti në çiftin në mënyrë që të përmbushet sekina, marrëdhënia dhe bashkimi i ndërsjellë për të cilën po flasim. Fjala e përdorur në këtë tekst për dashurinë është meuedeh, që tregon një formë specifike të dashurisë. Kjo fjalë i korrespondon një prej emrave të Zotit (el-Uedud, i Dashuri) dhe përshkruan dashurinë e pastër, të plotë, një dashuri të pakushtëzuar dhe të painteresuar që dikush tregon karshi dikujt tjetër. Përveç dashurisë në tekst është përmendur edhe mëshira. Fjala e përdorur në tekst është rahme, e cila njësoj si fjala e parë i korrespondon një emri të Zotit (Er-Rahman, i Gjithëmëshirshmi). Gjithashtu, ky emër përbën pjesën qendrore të shprehjes më të rëndësishme kuranore Bismilah er-Rahman er-Rahim (Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit), me të cilën hapen të gjitha kapitujt e Kuranit. Profeti Muhamed ka shpjeguar se ky atribut rrjedh pikërisht nga fjala rahim, që do të thotë barku ose mitra e nënës, çka i jep termit një rezonancë eksplicite femërore. Në një hadith ai shpjegon se «ditën kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën krijoi njëqind rahma, secila prej tyre është e madhe sa hapësira që gjendet midis qiellit dhe tokës, dhe ai dërgoi një rahma poshtë në tokë, falë së cilës një nënë ka rahma për fëmijën e saj» (Muslim, Tauba, 21).

Termi rahma i përdorur në tekstin kruanor do të thotë mëshirë ose zemërdhembshuri si fryt i dashurisë. Sipas disa komentueseve ndërsa termi i parë i përdorur në tekst (meuedeh, dashuri) do të thotë dashuri njëdrejtimëshe dhe e painteresuar, si fryt i hirit, termi i dytë tregon mëshirën si fryt i dashurisë dhe nuk nënkupton vetëm atë që jep por edhe atë që merr nga tjetri. Teksti kuranor thotë që Zoti «prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja». Po të vihet re teksti nuk thotë prej jush krijoi femra, por bashkëshorte. Kjo sepse është bindje kuranore që vetëm në martesë bëhet e mundur bashkimi i plotë, marrëdhënia e dashurisë, ndjenja e mëshirës si fryt i dashurisë midis një burri dhe gruaje. Pikërisht për këtë Profeti ka thënë «martesa është suneti (tradita) ime, e çdokush që largohet nga suneti im nuk është prej meje»

Në Islamin tradicional emrat dhe cilësitë hyjnore janë ndarë në dy grupe kryesore: Xhelal dhe Xhemal, d.m.th. emrat e madhështisë e të mërisë ose ata të bukurisë dhe të dashurisë hyjnore. Ndër emrat e madhështisë hyjnore mund të përmendim i Gjithëfuqishmi (El-Kaui),Mbizotëruesi (el-Xhebbar), Gjykatësi (el-Hakkam), etj., ndërsa prej emrave të bukurisë dhe dashurisë mund të përmendim i Gjithëmëshirshmi (er-Rahman), i Buti (El-Halim), i Dashuri (el-Uedud), etj. Pika themelore e kësaj ndarjeje është se asnjëra prej këtyre dy kategorive të emrave nuk mund të shihet si mbizotëruese mbi njëra-tjetrën, sepse ato përmbajnë njësoj emrat dhe cilësitë e Zotit. Gjithsesi, emrat e bukurisë dhe të dashurisë së Zotit janë më përfaqësuese për Të se sa të tjerët. Siç ka thënë edhe Profeti, «Kur Zoti krijoi krijesat, shkroi në librin i cili gjendet me të në Arsh (Fron): në të vërtetë Mëshira ime triumfon mbi mërinë Time» (Buhariu).

Çfarë lidhjeje ekziston midis këtij elementi teologjik dhe temës nën shqyrtim? Në një hadith Profeti shprehet se «Zoti e krijoi Ademin sipas shëmbëlltyrës së Tij» (Buhariu). Në Islamin klasik kjo shëmbëlltyrë është interpretuar si kapaciteti i qenies njerëzore për të njohur dhe aktualizuar brenda saj të gjithë emrat hyjnorë, sipas natyrës njerëzore. Qenia njerëzore është teomorfike, në kuptimin që duke qenë e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Zotit ajo arrin të njohë, aktualizojë dhe reflektojë, me lejen e Zotit, të gjitha emrat dhe cilësitë hyjnore që i përkasin dy kategorive të lartpërmendura. Ndonëse ketu ka një dallim themelor. Emrat e madhështisë dhe mërisë hyjnore shihen kryesisht si emra mashkullorë, ndërsa emrat e dashurisë, pafundësisë, bukurisë dhe mëshirës shihen si kryesisht femërore. Burri dhe gruaja shihen si dy krijesa të Zotit, ku secila prej tyre shpërfaq emra dhe cilësi të ndryshme hyjnore. Përmes bashkimit të tyre plotësues në martesë, bashkëshortët plotësojnë njëri-tjetrin. Askush prej tyre nuk është i plotë në vetvete, që të dy kanë nevojë për njeri-tjetrin. Në marrëdhënie me bashkëshorten, burri konstaton tek ajo dimensionin e emrave të bukurisë dhe të dashurisë hyjnore, për t’i zbuluar më pas brenda vetes së tij dhe për t’i përmbushur edhe ai tek qenia e tij dhe anasjelltas edhe për gruan. Marrëdhënia e ndërsjellë e dashurisë ndërmjet burrit dhe gruas bën që ata të përsosin natyrën e tyre teomorfike, të qënurit e tyre sipas shëmbëlltyrës së Zotit. Ky bashkëplotësim qëndron në bazë të barazisë midis burrit dhe gruas, barazi në diversitet: «Në të vërtet gratë janë të barabarta me burrat» (Tirmidhiu).

Përmes bashkëplotësimit të ndërsjellë burri dhe gruaja arrijnë ekuilibrin dhe përsosmërinë që Zoti ka urdhëruar për ta dhe që i ka bërë objektiv të ekzistencës njerëzore. Është për këtë funksion të rëndësishëm të martesës dhe të marrëdhënies së dashurisë midis bashkëshortëve që Profeti në mënyrë të guximshme ka deklaruar se «Martesa është gjysma e besimit».

* Publikuar nga «Periodica de Re Canonica», Pontefice Universita Gregoriana, Romë 2011

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit