9.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Tradita e Ramazanit në Shqipëri

Më të lexuarat

Edmond Sharka

Agjërimi, një ‘institucion’ i njohur botërisht, nga të gjithë dhe që në një mënyrë apo në një tjetër, aplikohet nga të gjithë, ka lënë gjurmët e tij edhe në popullsinë shqiptare. Agjërimi është një praktikë e njohur që nga fillimi i jetës njerëzore në tokë. Ka ekzistuar në popuj të ndryshëm, në besime të ndryshme, madje vazhdon edhe sot të ekzistojë në besime të ndryshme dhe jetën shoqërore. I vetmi ndryshim në kohë dhe në popuj për agjërimin ka qenë mënyra e aplikimit. Ka pasur popuj që agjëronin vetëm duke mos folur për një kohë të caktuar, ndonjëherë nga mëngjesi në mbrëmje; ka pasur prej atyre që agjëronin në ditë të caktuara duke përdorur ushqime të caktuara, e kështu me radhë. Agjërim kanë mbajtur sabiinët, maniheinët, hebrenjtë, të krishterët, etj.[1] Ndërsa umeti i Muhamedit a.s. është urdhëruar me një mënyrë tjetër agjërimi krahasuar me popujt e mëhershëm.”

 

Agjërimi ndër shqiptarët ka filluar që herët, që në shek. XIV, ndoshta edhe më herët, duke pasur parasysh se është shtyllë e fesë Islame që përbën domosdoshmëri të praktikimit.

Synimi ynë në këto radhë është të sjellim disa kujtime interesante nga agjërimi i Ramazanit ndër shqiptarë, nga shekulli i kaluar. Gjithkush që ka jetuar gjatë viteve 1930-67, e kujton si periudhë shumë njerëzore, vëllazërore, me harmoni dhe dashuri mes njerëzve, edhe pse ‘fukarenj’ në materie, ishin të pasur në zemrat e tyre, duke i hapur dyert gjithkujt dhe duke ndarë gjithçka me të gjithë.

Në kujtesë të shkrimeve dhe njerëzve është pothuajse gjithçka nga e kaluara. Është Ezani (thirrja për falje), i cili herët në agim lajmëronte mbylljen e kohës së syfyrit, ndërsa në mbrëmje për aksham lajmëronte për çeljen e iftarit. Interesante janë kujtimet për ‘Topat’ e Ramazanit, të cilat kanë ekzistuar deri gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, madje edhe gjatë pushtimit italian. Baruti i prodhuar në zonën e Klosit ndër të tjera përdorej dhe për ‘topin e Ramazanit’, ku me të lajmërohej për çeljen e iftarit. Kjo ka ndodhur edhe në vitet e para pas çlirimit, kur tiranasit thoshin “ra topi i Ramazanit”.[2] Por në kujtesë të popullsisë gjithashtu është dhe daullja, që më së shumti përdorej në zonat më të varfra dhe u bë masive në një kohë të mëvonshme; kishte të njëtin rol, lajmërimin e popullsisë për syfyr dhe iftar, por duke qenë më pak e kushtueshme dhe me leverdi, u masivizua në një periudhë kur filloi të zbehet, madje të shuhet fare interesi që institucionet shtetërore kishin për fetë, në veçanti për fenë Islame (1945-1991).

KUJTESA E SHKRIMEVE MBI RAMAZANIN

Si gjithmonë “Zani i Naltë”, më pas “Kultura Islame”, dhe vitet e fundit “Drita Islame”, pasqyrojnë pothuajse çdo veprimtari të myslimanëve, në veçanti të KMSH-së, si Ramazani, Bajramet etj. Për faktin se nuk mund t’i përmendim të gjitha, po mjaftohemi vetëm me një pjesë të këtij mozaiku të madh dhe të bukur.

Hafiz Ali Korça, që në vitin e largët 1924, në një periudhë jo të mirë për ekonominë e myslimanëve, por dhe mbarë shqiptarëve, nxit dhe propozon një shembull mjaft interesant se si myslimanët mund të kontribuojnë për mbarë shoqërinë shqiptare pa përjashtim, duke u fokusuar në njerëzit në nevojë, qoftë kjo vetëm për muajin e Ramazanit. Sipas tij në Shqipëri minimumi agjërojnë 80.000 shtëpi. Nëse secila nga këto shtëpi do të ftojë për tre net një mik, Shqipëria do të përfitonte, 80.000 x 3= 240.000 frymë mirësi; nëse për secilin nga këto frymë do të paguhej 5 fr. ari, shuma totale do të shkonte në rreth 1.2 milion fr. ari.” Hafiz Aliu vazhdon e thotë: “Me këtë shumë mund të mbajmë fare mirë si jetimët, ashtu dhe Medresenë e Lartë.”[3]

Në vitet e para të ngritjes së Shtetit Shqiptar (1912-1925), agjërimi i Ramazanit respektohej jo vetëm nga popullsia, por edhe nga paria, nga shtetarët më të lartë, qofshin dhe të besimeve të ndryshme. Në mënyrë të diferencuar dhe të privilegjuar trajtoheshin punëtorët, shtetarët, madje dhe shkollat gjatë Ramazanit. Në reformat arsimore të ndërmarra nga Shteti Shqiptar në vitin 1920, i drejtohet Vehbi Dibrës dhe njëkohësisht Bashkësisë Islame Shqiptare, ndër të tjera të përgatiten për çështjen “Në kohë të Ramazanit, ç’rregullore duhet të mbajnë shkollat përgjithësisht, për vazhdimësinë e mësimit të nxënsave”[4], që të bëhet pjesë e reformës arsimore, me qëllim që myslimanët të përgatiteshin për këtë çështje dhe të mos krijoheshin probleme më vonë.

Këto çështje do të rregulloheshin gjithmonë me marrëveshje mes palëve, Shtet – Bashkësi Islame, duke lehtësuar besimtarët gjatë muajit të Ramazanit, qofshin ata drejtues të institucioneve të ndryshme shtetërore, qofshin me shërbim ushtarak apo arsmimtarët/nxënësit e kështu me radhë. Kështu p.sh. në Projekt-Ligjin e vitit 1925 për arsimin, që më vonë u bë ligj në nderim të Ramazanit, gjithashtu duke pasur parasysh që një pjesë e nxënësve agjërojnë, lehtësohet programi shkollor për muajin e agjërimit dhe përcakton: “Në shkollat ku nxënësit janë muslimanë në muajin e Ramazanit mësimi do të bëhet vetëm 4 orë, duke mësuar vetëm lëndët kryesore.”[5]

Respekti e madhërimi i Ramazanit nga shtetarët për besimtarët myslimanë edhe në mbarim të agjërimit vazhdonte. Në shkollat shqiptare programi për festën e Bajramit të Ramazanit ishte: 2 ditë pushim para dhe 3 ditë pas Bajramit të Ramazanit.[6] Kjo traditë do të ndiqej edhe gjatë okupimit të Shqipërisë nga fashistët italianë 1939-1943, si dhe nga gjermanët 1943-1944.

Shtypi Islam Shqiptar, shumë prestigjioz që nga viti 1923, kur nis me “Zanin e Naltë”, do të trajtonte pothuajse në çdo numër para, gjatë, apo pas Ramazanit, çështje të ndryshme të agjërimit, duke filluar nga agjërimet e pëlqyera, agjërimet e detyruara, mënyrën e agjërimit, çfarë e prish agjërimin, si duhet të agjërojë myslimani, kur fillon e kur mbaron agjërimi, si duhet të sillet myslimani me shoqërinë gjatë agjërimit, mënyrat se si të jemi më pranë njerëzve në nevojë, me prioritet ishin jetimët dhe medresetë (shkollat), deri në Festën e Bajramit, e gjithçka tjetër.

Në mbarim të Ramazanit në maj-prill 1924, Hafiz Ali Korça, predikuesi dhe oratori i mirënjohur mban një hytbe shumë interesante për Fitër Bajramin. Si gjithmonë “Zani i Naltë” e pasqyron të plotë. Hafiz Aliu ndër të tjera thotë: Në Shqipëri ne muslimanët, si punë feje ashtu dhe punë morali kemi patur një nam të madh. Po mjerisht, që nga Lufta Ballkanike (1912-1913) e këtej nga çdo pikpamje do shkojmë poshtë: por sot si besa fetare, po ashtu dhe besa kombëtare është ligështu e është sëmurë aq fort sa na vjen turp të themi se jemi bijt e atyre të parëve.[7] Një gjë të tillë e bën revista “Kultura Islame” në periudhën e Ramazanit, nga viti 1940 deri në numrin e fundit. Interesante është se Nr. II (62) i Tetorit 1944, në një temë trajton “Agjërimin e Vullnetshëm (Nafile)”, duke iu referuar studimit në anglisht “Burimet e Islamit” (The Sources of Islam)[8], duke i dhënë një trajtim të hollësishëm dhe shumë serioz temës përkatëse, pra agjërimit të vullnetshëm, por jo vetëm. Në shumë numra të “Zanit të Naltë” dhe “Kulturës Islame”, është trajtuar hollësisht çështja aq shumë e diskutuar edhe në ditët e sotme, fillimi dhe mbarimi i muajit të Ramazanit, dhe mjeshtri i penës, Hafiz Ali Korça, ‘e ka qarë’ këtë mesele dhe do të mjaftonte për myslimanët sot, si shembull praktika e Komunitetit Musliman Shqiptar (1923-1967) ose dhe studimi i këtyre trajtesave të Hafiz Aliut, pasi i bën një trajtim shumë të hollësishëm temës.[9]

Gjithçka do të shkonte mirë deri në vitin 1967, kur do të ndalohej praktikimi i fesë, madje në “Gazetën Zyrtare” (1967), u botua dekreti për heqjen e të gjitha festave fetare dhe zëvendësimin e tyre automatikisht me festa të reja – ‘përkujtimore’, lista e të cilave të bënte përshtypje: festa partizane, e minatorëve, festa e ‘sigurimit të shtetit’, e tankistëve, e aviacionit ushtarak, e rojeve të kufirit, e gjeologëve, festa e pranimit në organizatën e pionierit, e pranimit në organizatën e pionierit etj.[10]Problem do të shkonte deri në ‘gjuetinë e shtrigave’ kur persona të veçantë në sektorë të ndryshëm të shoqërisë apo administratës shtetërore, do të caktoheshin për të parë zhvillimin e ngjarjeve gjatë Ramazanit apo festave fetare të ndryshme. Një raportim i tillë bënte që shteti të mobilizohej e të merrte masa ndaj popullsisë. P.sh.: “Në fshatra të rrethit të Beratit, Pogradecit, Peshkopisë gjatë ditëve të Bajramit dyqanet shitën shumë më tepër sheqer nga ditë të tjera. Në këto ditë u konstatuan dhe shumë mungesa në punë.”[11]

KUJTESA NJERËZORE MBI RAMAZANIN

Myslimanët dhe myslimanet që kanë kaluar disa sisteme qeverisëse të ndryshme në agjërim, ruajnë në kujtesën e tyre me shumë nostalgji mjaft gjëra interesante për agjërimin e Ramazanit, për madhërimin që i bëhej këtij Muaji të Bekuar. Ata tregojnë se atmosfera e Ramazanit ndihej që herët, disa muaj para se të mbërrinte ky Mik i Madh e i shumëpritur. Përgatitja e familjes fillonte me mobilizimin, sistemimin e shtëpisë që një muaj para, laheshin dhe sistemoheshin rrobat në detaj, gjithçka që kishte nevojë të qepej, qepej e rregullohej qysh më parë, pastrohej me përpikëri shtëpia, qilarët kontrolloheshin edhe një herë detajisht, hapeshin raftet që ekzistonin në to për t’u radhitur ushqimet që përgatiteshin për iftar dhe syfyr, pazari kryhej herët, blihej me shumicë (brenda mundësive) për gjithë muajin. Sofra po ashtu do të lahej veçanërisht për këtë muaj, por edhe shtrojat, shiltet, postiqet etj., do të merreshin dhe do të pastroheshin, do të riparoheshin dhe nëse kishte nevojë do të ndërrohej pjesa e jashtme e tyre.[12]

Myslimanët shqiptarë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar, kanë kujdes të veçantë të jenë humanë në të tërë kuptimin e fjalës dhe ky humanizëm gjen shprehjen e tij të plotë, jo vetëm në kryerjen e agjërimit, por edhe në atë mirësjellje e mirësi tradicionale për këtë muaj, të shoqëruar me një bujari të shtuar dhe me atë mikpritje e sajdisje të veçantë me të cilën myslimani rrethon mikun që i vjen si mysafir në shtëpi për të ndarë iftarin së bashku.[13]

Ish-Kryetari i KMSH-së, H. Selim Muça e kujton Ramazanin e para ‘67 me shumë nostalgji. Kënaqësia më e madhe ishte ngrënia në mënyrë kolektive e iftarit, – thotë ai, – dhe kjo bëhej pa imponim, por vetëm me dëshirën e mirë të secilit prej nesh. Por regjimi komunist i ndaloi shqiptarët të praktikojnë fenë, dhe në kujtesë të Haxhi Selimit janë dhe momentet kur në fusha dhe në ara, anembanë Shqipërisë, persona të regjimit futeshin në masat e popullsisë për të gjetur agjërues e për t’i ndaluar dhe për t’ia prishur agjërimin.[14]

Znj. Asije Zela kujton gjyshen e saj, e cila edhe pse ishte 100 vjeç, ka agjëruar deri në ditën e fundit, nuk e ka lënë asnjëherë agjërimin, ose vjehrrën e saj e cila edhe pse mbi 80 vjeç, agjëronte. Ajo thotë: Në kohën e regjimit komunist kemi agjëruar shumë më rrallë, me ditë, jo të gjithë Ramazanin, pasi ishim në punë dhe na kuptonin.[15]

Shumë mbresëlënëse është kujtimi i nënë Nailes, vajzë e familjes Picari dhe nuse e familjes Dervishi nga Bërxulli i Tiranës, që ka agjëruar 52 ramazane në çdo periudhë të vitit, dimër, verë, në tre sisteme të ndryshme. Ajo ka filluar të agjërojë që 12 vjeçe dhe në moshën 18 vjeçe, kur u ndalua praktikimi i fesë, ajo kurrë nuk e ndali. Në rrëfimin e saj për “Drita Islame”, tregon barbarizmat që regjimi ushtronte mbi të dhe të gjithë ata që agjëronin gjatë asaj periudhe. Në komunizëm nuk na linin të agjëronim, – thotë ajo, – na bënin presion, na thoshin se nuk ju japim punë, na jepnin karamele e llokume, na çonin në punë të rënda, por unë kurrë nuk e kam prishur agjërimin. Forca e besimit në zemër dhe tradita e mosprishjes së Ramazanit edhe në vitet më të vështira, i jep forcë njeriut që të përballet me gjithçka. Në një rast, ishte Ramazan dhe isha duke agjëruar. kur shkova në punë brigadieri më tha: Shko në shtëpi se nuk do të të jap punë nëse nuk e prish agjërimin. Mirëpo, nuk ishte luksi që të humbisja ditën e punës, në atë periudhë të vështirë. Në nervozizëm e sipër ia ktheva: Më jep punë se për atë Zot do të të rrah. Derisa ti s’ke turp që më thua prish agjërimin, as unë nuk kam turp që të vë dorë mbi ty. [16]

Këto ishin disa prej kujtimeve të popullit shqiptar, që në një mënyrë apo në një tjetër u mundua ta ruajë besimin me vepra haptazi apo fshehurazi, e nëse ishte e pamundur në zemër, derisa të ‘Rrënohet e kota (komunizmi) e të triumfonte e vërteta (feja islame)’ në vitin 1991, dhe besimtarët të praktikojnë fenë e tyre lirisht, të agjërojnë Ramazanin e t’i japin hakun këtij muaji të begatë.

—————————————————————————————–

[1] Për më shumë shih: Sarëkçëogllu, Ekrem; Historia e feve –prej fillimi deri sot; LOGOS-A-, Tiranë 2010, f, 242, 260, 420 etj.

[2] http://rrugaearberit.com/tradite.html Klosi qendra më e madhe dhe më e hershme e prodhimit të barutit në Shqipëri.

[3] KORÇA, Hafiz Ali; Hutbe e Ramazan-i Sherifit; Zani i Naltë nr. 6 viti I-rë 1924; ribotim i KMSH-s, Tiranë 2014, f. 176.

[4] A.Q.SH. Fondi 155, Viti. 1920, D. VIII-2, f. 1., cituar nga Sharka, Edmond; Komuniteti Musliman Shqiptar 1912- 1939; studim i pabotuar; Tiranë 2011, f. 124-125.

[5] Sharka, Edmond; Medresetë në Shqipëri gjatë viteve 1912-1947; Drita Isl­ame, Nëntor 1913, Tiranë, f. 21.

[6] Bello, Hasan; Përpjekjet e klerit musliman shqiptar për vendosjen e mësim-besimit në shkollat shtetërore (1920-1924); Zani i Naltë, Nr. 1(154) Viti I (XV) 2012, Tiranë, f.70.

[7] Korça, Hafiz Ali; Hutbe e Bajramit; Zani i Naltë nr. 7 – Prill 1924, ribotim i KMSH-së, Tiranë 2014, f. 203.

[8] Agjërime të vullnetshme II; KULTURA ISLAME, Nr. 2 (62) -Tetor 1940, f. 41-50; ribotuar nga ALSAR, Tiranë 2012, Vëllimi III.

[9] Korça, Hafiz Ali; Rreth Hënës së Ramazanit; KULTURA ISLAME, Nr. 13-14 (Shtator-Tetor) 1940, f. 36; ribotuar nga ALSAR, Tiranë 2012 gjithashtu Qar­kore e Kryesisë së KMSH-s, Zani i Naltë nr. 1 (viti 10 i botimit), Shkurt 1935, f. 28-30.

[10] Basha, Ali M.; Rrugëtimi i Fesë Islame në Shqipëri 1912-1967; Tiranë 2011, f. 523-52.4.

[11] Fondi 511, viti 1967, dosja 20, fleta 70; cituar nga BASHA, Ali M.; Rrugët­mi i Fesë Islame në Shqipëri 1912-1967; Tiranë 2011, f. 546.

[12] Ramazani në traditën shqiptare, Dr.Hatixhe Ahmeti;cituar nga Ramazani te shqiptarët , Revista Drita Islame Korrik 2012.

[13] http://www.dritaislame.al/ramazani-gjalleron-traditat-e-bukura/

[14] http://www.dritaislame.al/h-selim-muca-si-agjeronim -ne -komun­zem- dhe-provokimet-qe-na-benin/ Korrik 2012.

[15] http://www.dritaislame.al/10-here-ne-shtepine-e-zotit/Revista Drita Islame, Tetor 2013.

[16] http://www.dritaislame.al /agjerim-ne-kohen-e-diktatures/, Repo­tazh, Revista Drita Islame, Korrik 2012

/Botuar ne Revisten Drita Islame, Korrik 2014)

http://zaninalte.al/2015/06/tradita-e-ramazanit-ne-shqiperi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit