1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Përse në malin Athos nuk lejohen të shkelin femrat?

Më të lexuarat

Greqi – Gadishulli ka një sipërfaqe 335 kilometra katrorë dhe mund të jetë hapësira më e madhe në botë, ku nuk lejohet që të shkelë asnjë femër, madje edhe kafshët e gjinisë femërore

Mali Athos në Greqi është një territor i banuar tërësisht nga priftërinjtë ortodoksë. Përveç atyre grekë, aty ka edhe një manastir me priftërinj rusë. Pikërisht në vizitën e tij të para disa ditëve, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, udhëtoi në Athos për të vizituar manastirin ortodoks, që ndodhet aty prej 1 mijë vjetësh.

mali-athos-1 mali-athos-3 mali-athos-4

Gadishulli ka një sipërfaqe 335 kilometra katrorë dhe mund të jetë hapësira më e madhe në botë, ku nuk lejohet që të shkelë asnjë femër, madje edhe kafshët e gjinisë femërore.

Të gjithë ata persona që duan ta vizitojnë këtë mal të shenjtë, në fillim duhet që t’i dorëzojnë një kopje të pasaportës së tyre Byrosë së Pelegrinëve të malit Athos. Çdo ditë rreth 100 ortodoksë dhe 10 jo ortodoksë pelegrinë meshkuj pranohen për një qëndrim tre netësh, në një nga 20 manastiret e gadishullit.

Grave nuk u jepet leje, e ato do të ngelen pas ndërsa meshkujt do të nisen drejt Athos-it nga dy portet më të afërta.

Prej 1 mijë vjetësh vazhdon praktika e ndalimit të grave në këtë vend, të cilat duhet të qëndrojnë 500 metra larg brigjeve të tij.

Sipas doktorit Graham Speake që ka shkruar librin Mali Athos: Ripërtëritje në Parajsë, një rregullore e shekullit X, përcaktonte se në mal ndalohen kafshët e gjinisë femërore, por aty nuk përmendeshin femrat, pasi çdokush e dinte që gratë nuk lejoheshin në manastiret e burrave.

Kjo ishte mënyra më e thjeshtë që një prift të shmangte marrëdhëniet seksuale dhe të ngelej beqar.

Ajo që e bënte të veçantë këtë mal, është se i gjithë gadishulli konsiderohet si një manastir i madh.

Por ka edhe një arsye tjetër, përse gratë ndalen sipas traditës ortodokse.

“Duke iu referuar traditës, Virgjëresha Mari e humbi drejtimin e rrugës, ndërsa ajo po përpiqej që të mbërrinte në Qipro me anije dhe era e çoi në Malin Athos. Dhe asaj i pëlqeu ky vend aq shumë, sa iu lut të birit që duhej t’i dhurohej dhe ai pranoi”, shpjegoi Speake. “Ky vend vazhdon që të quhet kopshti i nënës së Zotit, i dedikuar lavdisë së saj dhe vetëm ajo e përfaqëson gjininë e saj në malin Athos”.

Nga ky rregull bëjnë përjashtim vetëm macet. “Priftërinjtë e mbyllin një sy për macet, pasi këto kafshë janë shumë të zonjat për të kapur minj”.

Kjo do të thotë se produktet ditore të konsumit sillen nga jashtë çdo ditë.

Vezët importohen duke qenë se në mal nuk ka pula. Një përjashtim bëhet për kafshët e egra, për të cilat do të ishte gati e pamundur që të kontrolloheshin.

Me djemtë, politika është bërë më elastike me kalimin e viteve.

“Rregulli është dhe gjithnjë ka qenë kështu që burrat duhet të ishin të zotë të rrisnin mjekrën nëse ata do të shkonin në Athos dhe eunukët dhe djemtë e rinj nuk lejoheshin gjatë periudhës bizantine”, tha Speake. Frika ishte se një grua mund të hiqej si eunuk apo djalë e të futej brenda.

“Në ditët e sotme, djemtë shpesh vijnë në mal nëse ata janë të shoqëruar nga një i rritur, zakonisht baballarët e tyre. Unë këtu kam parë djem të moshës 10-vjeçare. Dhe priftërinjtë janë shumë të dhënë pas tyre. Atyre u pëlqen që të kenë djem vërdallë. Pra, djemve u lejohet të vijnë këtu, por rrallë ndodh të pashoqëruar”.

Por gratë e kanë vizituar gadishullin, pavarësisht ndalimit.

Gjatë luftës civile greke, ndërmjet 1946 deri në 1949, Mali Athos i ofroi strehim turmave të bujqve dhe gratë e vajzat ishin pjesë e një turme që hyri në Athos në kërkim të kafshëve.

Ndërsa në 1953, grekja Maria Poimenidou, u vesh si burrë dhe hyri në gadishull ku qëndroi për tri ditë. Kjo detyroi autoritetet greke që të aplikojnë masa më të ashpra, deri në 12 muajt burg, për të gjitha gratë që kapën brenda gadishullit.

Së fundmi, në 2008-n, katër gra moldave u lanë në gadishull nga trafikantët ukrainas të qenieve njerëzore. Policia i ndaloi për një kohë të shkurtër, por ato u lanë të lira, pasi priftërinjtë i falën.

Presidenti Putin e vizitoi manastirin ortodoks rus të Shën Pantelimonit për herë të dytë.

Atëherë aty flitej greqisht, por sipas Speake-s, aktualisht, nga 40 mijë vizitorë, të cilët shkelin në mal çdo vit, gjysma e tyre janë rusë. Manastiri rus ka vend për 500 bujtës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit