2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Ndjenja e persekutimit dhe frika si këshilltari më i keq

Më të lexuarat

Shkrimi i publikuar javë më parë në New York Times, ku Kosova thuhet se është shndërruar në tokë pjellore të ISIS-it, ka nxitur debat të madh në mes opinionit publik në Kosovë.

Derisa njëra palë arsyeton se shkuarja e të rinjve kosovarë është tregues i qartë se Republika e Kosovës është vend ku prodhohet ekstremizmi fetar, pala tjetër thekson se fenomenet e tilla janë duke ndodhur edhe nëpër vendet më të zhvilluara perëndimore.

Publicisti Halil Matoshi thekson se sforcimi i akuzave ndaj një grupi fetar (në këtë rast ndaj kosovarëve të përkatësisë islame), krijon jo vetëm pakënaqësi, por mund të nxis edhe reagime të pamatura. Ai ka thënë për Telegrafin se nga institucionet e shtetit dhe veçanërisht nga mediat kërkohet përgjegjësi, sepse liria e fjalës nuk shkon e vetme pa përgjegjësinë.

“Unë besoj se kjo anatemë e vënë mbi myslimanët praktikantë të riteve fetare, nuk do t’i nxis kosovarët që t’ju bashkohen organizatave terroriste, por krijon ndjenjën e persekutimit, gjë që rritë frikën sepse frika është gjithnjë këshilltari më i keq që rëndom përfundon në dhunë”, ka theksuar ai.

Matoshi ka theksuar se shoqëria kosovare duhet të reagojë që t’i priten rrënjët ekstremizmit (islamit politik), porse sipas tij shoqëria duhet të reagojë edhe ndaj denigrimit të denigrueseve të islamit, që cilësohen si islamofobë.

“Edhe kjo e fundit, sipas ligjeve në fuqi, është e dënueshme, sepse gjuha e urrejtjes është e dënueshme”, ka thënë ai, duke shtuar se ekziston rreziku që shoqëria kosovare, duke tentuar ta luftojë një ekstremizëm, ta prodhojë një tjetër.

Mendime të ngjashme ka shprehur edhe analisti Shpend Kursani, i cili në një postim në rrjetin Twitter ka thënë: “Bëj thirrje organizatave për të drejtat e njeriut që të ngrisin zërin kundër inkuizicionit publik që po i bëhet dikujt veç pse shfaqë fenë”.

Në anën tjetër, analisti Agron Halitaj, në një opinion të botuar tek Telegrafi, ka thënë se Kosova para se të jetë tokë e pëlleshme e kultivimit të terrorizmit, ajo është një tokë ku kultivohet toleranca dhe harmonia ndërfetare. Sipas tij, luftimi i terrorizmit është i domosdoshëm, por nuk duhet të lejohet që në emër të kësaj të njolloset një popull i tërë.

Ai më tutje thotë së arrestimet spektakolare të vitit 2014, të një sërë të dyshuarish për terrorizëm, e bën Kosovën “qendër të rekrutimit të terroristëve”.

“Nga ky këndvështrim, u krijua përshtypja se Kosova nuk është kjo në të cilën jetojmë, por është diku në kufij me Sirinë, në mos brenda saj, dhe se e keqja buron pikërisht këtu e pastaj shpërndahet në Lindje e gjetiu”, ka shkruar Halitaj në opinionin e tij, duke shtuar se pasqyrimit jo të saktë të gjendjes, po i kontribuojnë edhe disa “analistë” dhe “gazetarë”, “të cilët s’reshtin së vëni mbiemër terroristëve”.

“Duke reaguar ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me islamin, pa e njohur fare këtë fe, ata nuk bëjnë tjetër pos që i thyejnë kufijtë e tolerancës, nxisin urrejtje te një pjesë e besimtarëve, derisa pjesën tjetër që është më tolerante e bëjnë të ndihen të lënduar”, shkruan Halitaj në opinionin e tij.

Ndryshe, ditëve të fundit në opinionin publik në Kosovë, ka shpërthyer një debat i madh rreth asaj se a po sforcohet çështja e ekstremizmit fetar më Kosovë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit