3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Podgorcë, mbyllen paralelet me mësim në gjuhën shqipe

Më të lexuarat

Mbyllen paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë të Strugës.

Këtë vendim prindërve të nxënësve të Podgorcës që tre vite me radhë vijuan mësimin në gjuhën shqipe, ua ka kumtuar vetë kreu i komunës Ramiz Merko, vetëm disa ditë para fillimit të vitit shkollor. Mësohet se, Merko i ka njoftuar se vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjegjësisht nga ministri, Pançe Kralev.

Kryetari i Këshillit të prindëve të nxënësve, Fadil Ramadani- Rexhoski, deklaroi për agjencinë e lajmeve INA se, njoftimi nga kryebashkiaku i Strugës ju është dhënë në mbrëmjen e së mërkurës, me rastin e një vizite private tek njëri nga prindërit e nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe.

“Nuk na ka habitur fare ky vendim, për ndërprerjen definitive të mësimit në gjuhën shqipe, por, na ka habitur më shumë mënyra se si na është bërë e ditur, si na është kumtuar. Ne nuk jemi ilegal në Podgorcë, as fëmijët nuk i kemi ilegalisht, e as mësimin nuk e kanë vijuar fëmijët tanë ilegalisht, që edhe vendimi të na komunikohet në një mënyrë gati ilegale. Ka qenë e udhës që Këshilli i prindërve të ishte ftuar në takim dhe do të informoheshim drejtë”- tha Fadil Ramadani- Rexhoski.

“Kemi përjetuar premtime, kërcënime me gjyq, manipulime, diskriminime, margjinalizime, mospërfillje, injorime nga më të ndryshmet nga autoritetet kompetente, për kërkesat tona për zgjidhjen e problemit të nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe. Kemi pasë takim edhe me zëvëndësministrin e arsimit kun a është premtuar dhe garantuar zgjidhja e problemit, në kohën kur filluam ta bojkotojmë mësimin, por ja rezultati i atyre premtimeve është komunikata e Ministrisë së arsimit, ministrit Kralev, që na është përcjellë përmes kryetarit të komunës Ramiz Merko, për mbylljen e paraleleve në gjuhën shqipe”-tha në vazhdim Fadil Ramadani-Rexhoski pwr agjencinë e lajmeve INA.

Ai theksoi se, takimet e shumta me zyrtar të ndryshëm nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, përkundër premtimeve të njëpasnjëshme.

“Nga kryetari i komunës na është premtuar se problemi do të zgjidhet në të mirë të nxënësve dhe prindërve të tyre. Premtime të tilla kemi pasë edhe nga ish ministri dhe zëvëndësja e tij e arsimit, Nikolla Todorov dhe Lindita Qazimi. Po të njëjtat premtime i kemi pasë edhe nga ish deputeti Tahir Hani. Së fundmi, edhe nga zëvëndësministri aktual i arsimit Safet Neziri, por nga këto premtime nuk është bërë asgjë për fëmijtë tanë”-theksoi Fadil Ramadani-Rexhoski.
Në fillim të muajit mars, të këtij viti, ne si prindër vendosëm që të mos vijojnë fëmijët tanë mësimin në gjuhën shqipe, derisa të mos zgjidhet ky problem, respektivisht, përderisa zëvendësministri i arsimit nuk e sjell atë vendim “famoz” të ministrit të arsimit Kralev, për legalizimin dhe zyrtarizimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë, janë shprehur kohë më parë prindërit e nxënësve nga Podgorca.

Ata kanë shprehur edhe pakënaqësinë pwr nëglizhencwn e autoriteteve dhe zyrtarëve të lartë qeveritar nga treva e Strugës, duke theksuar se askush nuk është interesuar për gjendjen në këtë shkollë, ku kërkesat e prindërve janë krejtësisht të natyrshme, legale, legjitime dhe kushtetuese.

“Ne jemi shqiptar dhe dëshirojmë që fëmijët tanë të mësojnë në gjuhën shqipe, që është e drejtë elementare dhe e patjetërsueshme. Për “dyshimet se a jemi apo jo shqiptar, gjatë një takimi me ish-ministrin e arsimit Todorov, prindërit janë pyetur në mënyrë provokative se a janë shqiptar? Po nga ky ish ministër është thënë dhe premtuar se do të bëhet ndryshimi i Statutit të shkollës dhe shkolla do të bëhet shkollë dygjuhësore për tu zgjidhë ky problem, por nga ana tjetër kjo nuk është bërë. Me atë rast bile ish ministri Todorov u ka thënë podgorcasve se kjo është punë e kryer dhe do të pasojë zyrtarizimi, por përsëri asgjë nga ky premtim”, janë ankuar prindërit e nxënësve shqiptar.

Vërejtjet e shumta të podgorcasve janë adresuar vazhdimisht në drejtim të zv/ministrit të financave Nedim Ramizi, të cilit ia zënë për të madhe që vazhdimisht ka insistuar që nxënësit e Podgorcës të vazhdojnë mësimin në Llabunishtë. (Mehmet Latifi-INA)/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit