Mossuksesi i BE-së dhe SHBA-ve për ta zgjidhur krizën politike në vend, ka shtyrë Gjermaninë që të ndërmarrë një diplomaci paksa më ofensive në këtë drejtim. Shefi i diplomacisë gjermane, Frank Vallter Shtajnmaer, ka emëruar përfaqësues special për Maqedoninë në të cilën do të duhet të ndërmjetësojë për zgjidhjen e çështjes politike, shkruan Portalb.mk.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Selim Ibraimi, në deklaratën e tij për Portalb thotë se Gjermania po merr një rol më aktiv në Ballkan. Sipas Ibraimit, që nga Samiti i vitit 2015, roli i Gjermanisë dhe fuqia e Berlinit po bëhet më e konkretizuar në ndërmjetësimet ndërkombëtare.

“Në Maqedoni, ambasadorja gjermane ka qenë mjaftë e angazhuar në krizën e fundit. Tani përforcimi nga lart me një të dërguar special në Maqedoni e nxjerr krizën politike nga dimensioni i bisedimeve katër palëshe në një plan më real të integruar këtu me palën gjermane dhe amerikane. Tani kur BE ka të angazhuar në bisedimet e partive politike një diplomat të lartë në Maqedoni, dhe përforcimi me një gjerman e bën planin europian më efikas. Afro një vit nga fillimi i krizës, në fakt diplomacia e BE-së nuk arriti të përdorë “shkopin dhe karrotën” për politikanët e Maqedonisë. Overtura diplomatike gjermane ka të bëjë me dalllimet e Berlinit në BE me anëtarët tjerë të Unionit për sa i përket politikës së jashtme”, tha ai.

Mund të konsiderohet edhe si rizgjmi i Gjermanisë së Bismarkut, shton më tutje Ibraimi, për një baraspeshë të re në Ballkan, e cila fillon nga Maqedonia.

“Për më shumë, kriza politike dhe debati për zgjedhjet të lira dhe të drejta në Maqedoni duhet të nxjerrë fakte se palëve në bisedime ju duhet ndërmjetës dhe vëzhgim ndërkombëtar. Pa një monitorim afatgjatë dhe serioz as që mund të kemi proces të hapur dhe të drejtë zgjedhor. Gjermania si forcë kryesore, pa bagazhin burokratik të Brukselit ka çfarë ti ofrojë “koncertit të ri ballkanik”. Kriza e Maqedonisë sipas vlerësimeve është pasqyrë e politikave të BE-së në Ballkan. Tani për të vendosur ligjin e ri mbi të vjetrin që e kanë praktikuar partitë në pushtet do të duhet kohë që shpeshherë diplomatët e huaj e thonë se duhet të bëhet nga vetë partitë politike”, përfundoi Ibraimi.

Tanimë nuk ka dyshim Gjermania ka një rol domimant në BE, konsideron politologu Muhamed Jasharit. Ai kujton se viteve të fundit u dëshmua se përmes veprimeve të saj Gjermania ka marrë supermacinë gjeopolitike të Evropës, ndoshta për herë të parë që pas luftës së Dytë Botërore.

“Vlen të përmendim se Gjermania luan një rol kyç në konfliktin e Ukrainës. Madje nuk duhet harruar se ajo (Gjermania) ka rol udhëheqës në këtë krizë ndërkombëtarë. Në Ballkan viteve të kaluara pikërisht nën patronazhin e Gjermanisë, udhëheqësit e këtij regjioni, u tubuan në Berlin dhe Vjenë, kjo ishte shenjë e qartë e riangazhimit të Gjermanisë për Ballkanin. Krizat nëpër Evropë gjithnjë e më tepër ilustrojnë fuqinë e politikës së jashtme të Gjermanisë, në këtë aspekt Gjermania jashtëzakonisht mirë përdor dy elemente të fuqisë, atë ekonomike dhe atë të diplomacisë. Emërimi i përfaqësuesit special për Maqedoninë i cili do të duhet të ndërmjetësojë për zgjidhjen e krizës politike, është një hap i cili më shumë se kurrë i nevojitet skenës politike të Maqedonisë. Konsideroj se kjo është edhe një mundësi tjetër për gjetjen e një zgjidhje. Për Evropën më e rëndësishme është që në Maqedoni të zgjidhet ky ngërç politik sesa të vendosen sanksione”, tha për Portalb Jashari,

Jashari për Portalb ka sqaruar edhe raportet e Maqedonisë me Gjermaninë dhe esencën e bashkëpunimit, mes këtyre dy shteteve.

“Nëse flasim për raportet ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë duhet thënë se Gjermania që nga pavarësia e Maqedonisë ka mbështet Maqedoninë në rrugëtimin drejt rrugës euro-atlantike. Sipas disa të dhënave në qytetet gjermane jetojnë mbi 70.000 shtetas të Maqedonisë. Ndërmjet dy vendeve ka programe të shumta bashkëpunimi bile edhe në nivel të sektorit civil. Ndërsa vëllimi tregtar ndërmjet Gjermanisë dhe Maqedonisë para një viti ishte mbi 2 miliard euro. Në dy dekadat e fundit Gjermania ka mbështet Maqedoninë thuajse në çdo aspekt. Vlerësoj se kjo lëvizje e diplomacisë gjermane do të prodhojë rezultat, mirëpo padyshim se vullnet duhet pasur edhe aktorët politik në vend”, përfundoi Jashari.

Edhe Malinka Ristevska, njohëse e çështjeve europiane, mendon se prezenca më e theksuar e Gjermanisë në zgjidhjen e krizës do t’i japë kahje tjetër- pozitive, rrugëtimit për gjetjen e zgjidhjes.

“Përkushtimi diplomatik e forcon praninë e BE-së në vend për zgjidhjen e krizës politike. Po, sidomos prezenca më e madhe e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë. Në esencë nëse çështja e krizës nuk zgjidhet deri në fundjavë atëherë do të shkojë duke u komplikuar edhe më shumë”, deklaroi për Portalb Ristevska.

Përfaqësuesi special është Johanes Hajndëll, ka lindur në vitin 1956 në Munih. Ka qenë gazetar, diplomat ndërsa nga korriku 2015 është ambasador i Gjermanisë në Austri. Hajndëll mes viteve 2001-2004 ishte shefi i repartit për Ballkanin Perëndimor ndërsa në pas deri vitin 2006 përfaqësues për Evropën Juglindore dhe Turqinë para se emërohet zv- shef në misionin e SHBA-së nga viti 2009. Nga 3 shtatori 2009 deri vitin 2011 ka qenë ambasador në Çeki ndërsa prej korrikut 2015 është ambasador gjerman në Austri./Portalb