2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Përse njerëzit e kanë të vështirë të ndryshojnë qëndrim

Më të lexuarat

Një mendje e bindur është imune ndaj logjikës. Por për këtë ka arsye psikologjike.
Shpesh ne jemi të prirë të besojmë një ide që nuk mbështetet në fakte objektive, por përkundrazi, këto të fundit mbështesin idenë se qëndrimi ynë është i pasaktë.
Për nga natyra, ne duket se luftojmë për të pakësuar mendimet dhe emocionet që na bëjnë të mos ndihemi mirë dhe që nuk përputhen me besimet tona. Një rast i tillë mund të jetë kur ne mohojmë provat e një partneri jo besnik apo kur hiperbolizojmë performancën e një personi të dashur në një skuadër sportive.
Besimet tona dominojnë faktet në një proces që psikologët e quajnë imunizimi konjitiv. Imunizimi konjitiv ndihmon në shpjegimin e faktit përse disa besime tonat bëhen edhe më të forta kur sfidohen. Pikërisht ky proces psikologjik mund të na ndihmojmë të shpjegojmë përse nuk heqim dorë nga disa besime apo bindje përballë provave që e kundërshtojnë fuqishëm.
Besimet e imunizuara janë shpesh të pamundura për t’u sfiduar me arsyetim dhe argumente të strukturuara. Provoni për shembull të kërkoni në Google ‘superheroi më madhështor’ ose diçka të ngjashme dhe do të përfshiheni në grindjet e shumë blogjeve, forumeve dhe artikujve të internetit.
Pengesat tona mendore hyjnë menjëherë në punë për të mbrojtur besimin, ndaj nuk ka rëndësi se çfarë thotë logjika në luftën Superman-Batman, ne e kemi bërë tashmë një zgjedhje që do ta mbrojmë fuqishëm.
Studimet klasike të psikologjisë tregojnë se ne kemi telashe në mbajtjen mend të rasteve kur besimet tona personale kanë dështuar në testin për t’u rezistuar provave. Kjo ndodh sepse mendjet tona neutralizojnë automatikisht përplasjen e informacionit, si në rastin e një kulti që mbronte fundin e botës dhe kur papritur kuptuan se bota nuk mori fund sipas parashikimit të tyre.
Në fakt, një karakteristikë e bindjeve të forta është logjika dhe struktura e tyre e brendshme, edhe kur ato përballen me një verifikim që i hedh poshtë. Për këtë arsye, besimtarët e një teorie hyjnë në një debat të përgatitur me përshtatjen e sa më shumë besëtytnive dhe me shmangien natyrale të informacionit që i kundërshton ato. Ata vazhdojnë të kërkojnë informacione që forcojnë teorinë e tyre, edhe nëse këto janë të pavërtetueshme dhe nëse nuk bëjnë sens.
Diçka që na ngelet në mendje nuk ka pse domosdoshmërisht të ketë të bëjë me mënyrën se si ne reflektojmë ndaj legjitimitetit të këtij informacioni. Dhe nëse ide të caktuara qëndrojnë në mendjen tonë dhe na ndihmojnë të kalojmë faza të vështira, ia dalim të hedhim poshtë ndonjë mosbesim.
Ajo që ka rëndësi, sapo ne fillojmë të pranojmë një besim, është nëse ky besim vazhdon të jetë i dobishëm. Kur rezulton i tillë, e gjithë çështja kthehet në një mbrojtje rigoroze të këtyre avantazheve. Kërkimet sugjerojnë se ne përqafojmë pesë teknika madhore të forcimit të besimeve tona, ndonëse këto mund të jenë false.
1. Izolimi
Ne e izolojmë veten nga njerëzit që kanë besime të tjera nga ne në mënyrë që t’i mbrojmë idetë tona nga çdo zë tjetër i ndryshëm nga ne që mund të na vërë përballë argumenteve.
Format e izolimit luajnë një rol të rëndësishëm në shumicën e anëtarësimeve në grup, që prej shembujve të trajnimit bazik ushtarak deri te një partner që përpiqet të përjashtojë personin e zemrës nga miqtë që nuk i ka qejf.
2. Mosekspozimi
Ne përpiqemi të pakësojmë sa më shumë të jetë e mundur ekspozimin ndaj besimeve dhe ideve të të tjerëve që mund të sfidojnë tonat. Kjo mund të ilustrohet më së miri me regjimet totalitare të shteteve të cilat ndalojnë lirinë e medias dhe fjalën e lirë.
Njëkohësisht, të gjitha format e arsimit përdorin parime të ngjashme në përzgjedhjen e teksteve për në klasa apo në përshkrimin e këshillave më të mira të ushqimit.
3. Emocionet
Ne i lidhim besimet tona me emocione të fuqishme. Një qasje përfshin përqafimin e një besimi nëse i trembemi së kundërtës së tij. Shembulli më i qartë është frika e mosekzistencës së jetës pas vdekjes, si pasojë ne biem dakord me besimin që ekziston një jetë e tillë dhe do të jetë shumë e lumtur për të gjithë ne.
Nga ana tjetër, ne gjithashtu i nxisim fëmijët tanë të besojnë në mënyrë që të qetësojmë frikën e tyre apo t’i largojmë nga rreziku në raste të caktuara.
4. Grupet
Ne lidhemi me grupe që kanë mentalitete të ngjashme, ku punojmë së bashku me ta për të penguar besimet rivale dhe grupet që i përfaqësojnë ato. Targetimi i besimeve të ndryshme është diçka shumë e zakonshme në politikë, veçanërisht në parti dhe linjat ideologjike. Kjo gjë ndodh në një mënyrë më fine në fushën akademike dhe artistike.
5. Përsëritja
Një mënyrë e fundit për imunizimin e besimeve tona është përsëritja. Përsëritja është sigurisht mënyra kryesore e të mësuarit, që nga gramatika e më tej. Duke përsëritur vazhdimisht një besim tonin, qoftë ky i gabuar, ne nuk arrijmë të pranojmë të kundërtën e tij sepse këto lidhen në mënyrë të pashmangshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit