8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Feja në shkollë dhe telenovela e mendimit

Më të lexuarat

Nga Doan Dani*

Një fjalim i kryeministrit Rama, me shumë pak mundësi interpretimi korrekt e të kthjellët, i dekoruar me harmonikën e formulës shqiptare të harmonisë dhe i hedhur, siç është bërë e modës tashmë, në një përkujtim fetar-tradicional, më tepër si flirt me rezervuarin potencial të votuesve sesa respekt për ceremoninë, i polarizoi komentet në mes ‘rrezikut të zhdukjes së njeriut shqiptar’ dhe ‘shpëtimit të shumëpritur’, duke gjetur një pikë ekuilibri në shqetësimin se ‘nuk kemi kuadro, por arsimi shkollor duhet ose mund ta përfshijë fenë’. Laiciteti i rrezikuar dhe arsyeja si antibiotik ndaj transcendencës gjetën rastin të promovohen rrëke.

Laiciteti

Vendosja e shenjës së barazisë mes laicitetit dhe laicizmit është vetëm njëra nga anomalitë (për ta cilësuar me eufemizëm) në një debat të tillë, ku alarmimi se prania e fesë në programin mësimor parauniversitar ‘cenon laicitetin’ evidenton një mosnjohje të vetë principit, të shpikur nga shteti modern për të diferencuar sferën fetare nga ajo politike, për të abroguar parimin cuius regio, eius et religio dhe për të garantuar liritë fetare, në emër të një legjitimimi të autoritetit politik jo më nga transcendenca. Janë mjaft poroze supozimet që “studimi” i normëzuar i fesë në shkollë konflikton me këto parime, që feja është përherë propagandë, kurse mësimi mbi çdo ideologji tjetër (nacionalizmi, fashizmi, komunizmi, kapitalizmi, demokracia etj.) nuk përhap, përçon e ngulit ide, mendime e zgjedhje – nga vetë origjina latine e fjalës propagare – që nxënësi ndodhet pa të drejtë zgjedhjeje, sikur e pyeti njeri nëse donte të mësonte mbi sinusin e kosinusin apo mbi majmunin e bërë njeri, që një lëndë fetare është shkelëse e laicitetit, ndërsa nuk janë shkelëse trajtimet (aktualisht) të feve në lëndë si historia (e jo vetëm), klerikët që emërtojnë institucionet arsimore apo shpjegimi i materialit mësimor nëpërmjet tyre (jo prej tyre). Nëse nxënësit i jepet diçka nga Ndre Mjeda, do të vazhdohet si në kohën e regjimit duke u neveritur – apo duke qenë indiferentë në emër të laicitetit – nga rrugëtimi intelektual, artistik e shpirtëror, falë të cilit i ofrohet sot nxënësit kjo pjesë e materialit mësimor?

Meqenëse modeli ynë, thuajse i gjithëpranuar, vjen nga Europa, duhet nënvizuar se ora fetare është pjese e pothuajse të gjitha sistemeve arsimore, me përjashtim të Francës, Çekisë dhe Sllovenisë. Në Gjermani është e detyrueshme (ashtu si në Austri, Britani, Holandë, Belgjikë, Suedi, Danimarkë, Finlandë etj.), madje deri në atë nivel sa mund të përfshihet mes provimeve përmbyllëse të një cikli shkollor. OSCE-ja ka aprovuar në 2007 dokumentin normativ, Toledo Guiding Principles, me synim, ndër të tjera, orientimin e politikave edukuese në arsimin lidhur me çështjen. Dy vite më përpara Asambleja parlamentare e Këshillit europian ka aprovuar rekomandimin 1720, ‘Education and Religion’, i cili është një udhëzues për politikat nacionale përfshi edhe raportimin e fesë me arsimin publik. Nuk janë këto shtete më pak laike se Shqipëria e as nuk ndodhet kjo e fundit në një stad më të përparuar se këto shtete.

Arsyeja

Justifikimi se shkolla duhet të mohojë njohjen e kulturës fetare dhe të transcendencës në tërësi, në favor të Arsyes, që në pikënisje noton në ujëra minimalisht përjashtuese, dhe në fakt buron nga pretendimi i monopolit të së Vërtetës, ngjashëm, paradoksalisht, me operimin e shumë feve, përveçse nga një sforcim i pabazë i atyre gjurmëve që mund të lexohen në deklaratën e Ramës, nga e cila nuk deduktohet aspak mësimi i fesë jashtë mekanizmave të arsyes. Në këtë diferencim, fesë i mbetet të jetë mos-arsyeja, e si e tillë nuk ka vend në shkollë, madje në momentin që i hapen dyert kësaj mos-arsyeje edhe fizkultura, për shembull, rrezikon të varet prej saj, paçka se nuk rezulton që ndonjë nga vendet europiane ku feja ka hapësirën e vet mësimore shkolla të ketë konvertuar paradigmat shkencore, analitike dhe edukative në favor të normave fetare.

Arsyeja shfaqet në kategori të ndryshme. Nuk është i paarsyeshëm një kalvinist që zgjedh të sillet në mënyrë virtuoze megjithëse beson se e ardhmja e tij është e paracaktuar dhe se Zoti nuk ndikohet me lutje, siç nuk është i paarsyeshëm një duhanpirës i penduar, i cili si mekanizëm për braktisjen e vesit zgjedh të mos përshkojë rrugën ku ndodhet kioska e cigareve nga frika e dorëzimit përpara joshjes. Nga ana tjetër, “zemra ka arsyet e saj që arsyeja nuk i njeh”, pohonte Pascali. Prandaj jo çdo fenomen, veprim e objekt i pashpjegueshëm me kriteret e arsyes duhet përjashtuar nga mësimi shkollor parauniversitar, përndryshe mitet, përrallat, legjendat, sagat, ëndrrat, eposi, arti, madje në një farë mënyre e mase edhe emocionet e ndjenjat (përtej artit) do të mbeteshin jashtë mureve të shkollës. Me cilat ligje të natyrës e mbi ç’kritere racionale mund t’i imponohet një nxënësi të lexojë poemën me shpatat e dyfekët vajtues të Pashko Vasës? E nëse duhet të mësojë përmendësh diçka të tillë, krahas shpjegimit darvinian të origjinës së njeriut, s’ka arsye të mos informohet se shumica dërrmuese e njerëzimit – kjo edhe për hir të demokracisë – beson që njeriu është krijim i një force mbinatyrore.

Viktima e shkatërrime të panumërta janë legjitimuar nga arsyeja. Franca, “atdheu” i saj, prodhoi një revolucion (në emër po të saj), duke degjeneruar në terror, e gjithashtu terror mbolli gjysmë shekulli më parë në një nga kolonitë e saj. Gjermania, atdheu i filozofisë moderne, arriti në emër të arsyes të zhdukte miliona njerëz, nëpër kampe apo nëpër fushat sllave. Shqipëria ka jetuar në kurriz një regjim shkatërrues, i cili degradoi në dëbimin me ligj të transcendencës, duke i “pastruar dyshimet” me të natyrshëm e jo më edhe ose vetëm me të mbinatyrshmen. Dhe rezultati është ‘Njeriu i Ri’, mishërimi i racionalitetit subjektiv më të paskrupullt. Mund ketë qenë një keqpërdorim i arsyes, siç është sot terrori me prapavijë fetare.

Dhe si reminishencë e “arsyetimit kritik”, në episodin ‘feja opium për popujt’, vjen konstatimi i Fatos Tarifës në këtë debat, sipas të cilit “besimi” fetar është rezultat “indoktrinimi”, e kësisoj jo “fenomen modern”, ndërsa nuk paska qenë indoktrinues opiumi i regjimit enverist – ku edhe u formua intelektuali Tarifa – i cili me gjithë pretendimin e zëvendësimit të ‘të besuarit’ (besoj që Zoti ekziston) me ‘të diturit’ (di që 2+2=4) gjeneroi vetëm mjerim. Aq e thellë është ekspertiza e sociologut Tarifa në lëmin e edukimit sa arrin ne përfundimin se “në një shtet laik dhe në një shkollë laike, nxënësit duhet të mësohen të dyshojnë në besimet e fesë dhe në çdo dogmë (fetare, politike ose ideologjike) duke ia nënshtruar ato një arsyetimi rigoroz e të mbështetur empirikisht, dhe jo të ushqehen me to”. 1. A mund të vërtetojë Tarifa me arsyetim të mbështetur empirikisht se shtetet europiane që përfshijnë fenë në kurrikulat shkollore nuk janë laike e sekulare? 2. Kush e tha që në shkollë do të jepet besim e jo fe dhe mbi ç’teori vërtetohet sinonimia e fesë me besimin? 3. Me çfarë empirizmi mund të vërtetohen Muji dhe Halili, autorësia e Lekë Dukagjinit mbi kanunin që i atribuohet dhe me çfarë arsyetimi kritik apo empirik u serviret sot këtyre nxënësve në librat e historisë shifra e 200.000 arbërve të emigruar në Itali në shek. XV apo përfundimi se “ilirët ishin shumë të drejtë, mikpritës e trima”? 4. Si mund të edukohet dyshimi, pra liria, duke mos braktisur mendësinë e shprehur me “duhet të”? Përveçse e shikon mësuesin në rolin e atij që përcakton se çfarë bën e çfarë nuk bën për nxënësin (sepse ai ka certifikatën e ‘duhet/nuk duhet’), praktikisht Tarifa, pasi i referohet Søren Kierkegaard-it, për të justifikuar se besimi “nuk ka një bazë intelektuale” – ndërsa në shkollë diskutohet të jepet fe e jo besim dhe, për ironi, mungesa e kësaj baze nuk pengoi filozofin danez të ishte besimtar e intelektual – mendon se feja nuk mund të studiohet për t’u njohur, por për të mohuar transcendencën ose, në të kundërt, mbetet të jetë ushqim e natyrisht opium. Dhe ky është zëri i ekspertit.

Demagogjia

I gjithë debati buron nga shfrytëzimi që Rama u bën rregullisht sferave fetare. Arsyet variojnë nga publiciteti, nganjëherë ndërkombëtar, legjitimimi dhe shtrirja e konsensusit përmes retorikës sakrale, zhvendosja e vëmendjes kolektive nga probleme serioze – megjithëse në këtë aspekt nuk e konkurron dot mjetin hipnotizues ‘kronikë e zezë’ – joshja e partnerëve ndërkombëtarë të komuniteteve fetare specifike, deri te sipërmarrja e votave. Nuk shpjegohet ndryshe gjithë ky pasion i zbuluar për Xhaminë e Namazgjasë me të ardhur në pushtet, ndërkohë që si kryetar bashkie ishte në pozita krejtësisht të kundërta, të shfaqura publikisht vetëm pak muaj para zgjedhjeve – kur partia tjetër flirtonte për të njëjtat arsye – nga zëra të afërt me Ramën, si Artan Shkreli e Artan Lame, të cilët deri vonë nuk e fshihnin dot antipatinë deri edhe ndaj “siluetës” së Xhamisë së Et’hem Beut (Lame) apo “veshjes” orientale me plumb të Kullës së Sahatit (Shkreli). S’kanë arsye të tjera valëvitja e certifikatës së pagëzimit para një viti e gjysmë, nënvizimi i vazhdueshëm i identifikimit fetar (personal e familjar, pa kursyer as të porsaardhurin Zaho), deklarata e pjesëmarrjes epike në meshën e 4 nëntorit 1990, iftaret, inaugurimet, përmbushja e amaneteve të Baba Reshat Bardhit e deri te ceremonia e fundit e Komunitetit Mysliman Shqiptar.

Ndryshon vetëm mënyra. Teksa mes dy bashkësive kryesore të krishtera Rama synon përmbysjen e imazhit të një PS-je me bastione vetëm në jug e qendër, e përkëdhelur nga Greqia dhe e afërt me Kishën ortodokse, duke u prezantuar me besimin fetar si asnjë homolog i mëparshëm i këtij rangu (deri në OKB është marrë vesh drejtpërdrejtë), në ceremonitë e bashkësisë myslimane ai mban leksione, frymëzohet për zgjidhje problemesh globale dhe lokale, hap e mbyll ixhtihadin, shqetësohet edhe për Bibliotekën e Mosulit, ndërsa disa nga ato të vendit të tij janë në kushte tragjike. Një autoritet i tillë politik mund t’i gërryejë parimet bazike të laicitetit. Kësisoj, në fushën e arsimit, laiciteti mund të rrezikohet jo aq nga hyrja e fesë në shkollë sesa nga ndërhyrja e shtetit në kodifikimin e fesë që më pas do t’i transmetohet nxënësve. S’bëhet fjalë për metodë e kuadro, por për përmbajtje e kontroll. E tepërt të thuhet se ky debat i ka fillesat në interesa konsensusi (elektoral), çka dëshmon se edukimi është shqetësimi më i fundit. Por të paktën nuk i mohohet prodhimi i një entertainment argëtues, që mund ta rivalizojnë vetëm telenovelat.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit