-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Veriu kundër jugut në Evropë?

Më të lexuarat

Linja ndarëse në Evropë kalon gjatë krizës aktuale të borxheve midis veriut të pasur dhe jugut të varfër. Kështu duket në pamje të parë. Por gjendja nuk është kaq e thjeshtë.
Shumë kohë para krizës aktuale ekonomike dhe të borxheve në Evropë, statisticienët e Bashkimit Evropian kanë dalluar se mes 27 vendeve anëtare ekzistojnë diferenca të konsiderueshme në fuqinë blerëse të qytetarëve. Prej dekadash ekziston formula: Në veri jetojnë qytetarë me mirëqënie, në jug ata me më pak mirëqënie. Pas pranimit të vendeve lindore, ish komuniste në vitin 2004 u shtua një diferencim i ri. Në perëndim ka më shumë mirëqënie se në lindje të Bashkimit Evropian. Fuqinë blerëse më të lartë e kanë banorët e Luksemburgut, me 271 përqind të mesatares. Italia dhe Spanja ndodhen tek 100 përqind i fuqisë blerëse, duke krijuar kështu vlerën mesatare të 27 shteteve të BE-së. Vendet më të varfëra janë Rumania dhe Bullgaria me 46 dhe 44 përqind të fuqisë blerëse mesatare, për banorë. Gjermania ndodhet tek 118 përqind, pra mbi mesataren.

Kriza nuk është përgjegjëse për diferencat në mirëqënie
Kjo ndarje në të varfër dhe të pasur në Evropë nuk ka ndryshuar edhe shumë me krizën. Ndihma nga programi për shpëtimin e euros kanë marrë deri tani shtetet jugore si Greqia dhe Portugalia, prej ku fuqia blerëse në Greqi është me 90 përqind të mesatares së fuqisë blerëse në Evropë, më e lartë se sa në Portugali me 80 përqind. Shteti verior i euros, Irlanda, i cili po ashtu ka marrë deri tani kredi miliardash nga fondi i shpëtimit, ndodhet me 128 përqind të mesatares së fuqisë blerëse më lart se Gjermania, e cila mban ngarkesën kryesore të rreziqeve për shpëtimin e euros. Kështu që këtu skema veri jug nuk përshtatet dhe aq shumë, përderisa edhe shtetet jugore si Italia dhe Spanja vazhdojnë të paguajnë në sasi të madhe për paketën e shpëtimit të euros.
Qipro, e cila po ashtu ka bërë një kërkesë për ndihma, ka nga pikëpamja statistikore 90 përqind të fuqisë blerëse, dhe ndodhet kështu në të njëjtin nivel si Spanja dhe Italia. Marrja e borxheve pra nuk ka të bëjë me varfërinë dhe pasurinë, por me politikën aktuale financiare dhe buxhetore. Estonia është nga pikëpamja statistikore një vend i varfër në veri të Evropës, ish pjesë e Bashkimit Sovjetik, vend që nuk ka asnjë borxh dhe është aktualisht duke gjeneruar teprica.

Linja të reja ndarjeje
Ministri finlandez i Evropës, Alexander Stubb shikon një linjë tjetër ndarëse në Bashkimin Evropian. “Ne kemi sot një seri koalicionesh të ndryshme brenda BE-së. Unë mendoj se do ishte humbje kohe të flitej tani për “shtetet themeluese kundër vendeve të reja anëtare” ose “veriu kundër jugut” apo modeli “perëndimi kundër lindjes” dhe “protestantizmi kundër katolicizmit”, thotë Alexander Stubb. “Përkundrazi koalicionet brenda Bashkimit Evropian janë gjithnjë funksionale, të orientuara nga tipi i konfliktit. Ato varen nëse një vend është në zonën e euros ose jo, ose nëse preferon tregun e brendshëm apo jo, ose një vend ka notën e vlerësimit triple-A (maksimale)”, thotë Stubb.
Çështja thelbësore janë borxhet e përbashkëta
Linja e vërtetë ndarëse hiqet sot midis shteteve, që duan unionizimin e borxheve dhe atyre që nuk e pranojnë këtë, mendon ish kryeministri belg Guy Verhofstadt. Gjermania, Finlanda dhe Hollanda janë tre vendet e fundit të 17 vendeve të zonës së euros që janë kundër nxjerrjes në treg të obligacioneve të përbashkëta për zonën e euros. Për Guy Verhofstadt, i cili drejton sot fraksionin liberal në Parlamentin Evropian, kjo është çështja vendimtare: “Diskutimet bëhen faktikisht për të ardhmen e Bashkimit Evropian. Kushdo, që analizon me gjakftohtësi ngjarjet, arrin në përfundimin se euro do të mbijetojë dhe se kriza do të zgjidhet vetëm nëse krijohet një union i përbashkët fiskal, ekonomik dhe politik. Kjo përfshin me vete edhe borxhet e përbashkëta.” Meqenëse Franca lufton për obligacione të përbashkëta, është bllokuar lokomotiva gjermano- franceze, e cila ka dhënë gjithnjë drejtimin në Evropë. “Nëse kancelarja Merkel nuk e shikon këtë, atëherë bën gabim të madh,” thotë Guy Verhofstadt.

Edhe Gjermania ka përjetuar falimentime
Imazhi i shteteve veriore, të cilat dinë më mirë të merren me paranë, se sa ato jugore është i gabuar, mendon historiani i ekonomisë, Albrecht Rischtl. Nga pikëpamja historike Gjermania është “mbreti i borxheve”, thotë Ritschl.
Shekullin e kaluar Gjermania ka përjetuar dy falimentime prej luftrave botërore, falimentime të pashoqe. Kundrejt tyre, borxhet e Greqisë nuk janë hiç gjë. Megjithëse edhe Greqia ka përjetuar disa falimentime shtetërore. Historianë të tjerë të ekonomisë i lidhin ndryshimet në politikën fiskale dhe financiare me faktin që shumë vende veriore kanë qenë në mesjetë anëtare të Aleancës Tregtare Hanseatike. Që në atë kohë janë vënë themelet për virtytet tregtare. Kurse në jug, përkatësia në Perandorinë Osmane krijoi rutinën e vet.
Ndarje në euro veriore dhe euro jugore
Ndryshimet e mëdha në aktivitetin ekonomik brenda BE-së e kanë bërë ish presidentin e Shoqatës së Industrisë gjermane, Hans-Olaf Henkel, që të përpilojë një koncept, i cili është diskutuar në mënyrë kontroverse. Ai kërkon futjen e një euroje veriore për vendet e fuqishme ekonomike në veri të Alpeve dhe një euroje jugore, për pjesën tjetër të vendeve. “Për çdo ekonomist është e qartë se euro është shumë e dobët për vendet veriore dhe shumë e fortë për vendet jugore. Nëse ne me euron e dobët e kemi të lehtë të eksportojmë, atëherë taksapaguesit dhe fëmijët e tyre në jug duhet të paguajnë më shumë për pasojat financiare. Kjo është çmenduri”, thotë Henkel.

Inflacioni e ndan Evropën
Një linjë ndarëse midis veriut dhe jugut ekonomisti nga Brukseli Zsolt Darvas e shikon tek inflacioni, vlerësimi i parasë në shtetet e euros. Në veri inflacioni është i ulët, në jug është i lartë. Inflacioni i lartë në jug është shkaktuar nga paratë e veriut, thotë Zsolt Darvas. “Investimet nga veriu përshembull shkaktuan flluckën e sapunit në tregun e pasurivë të patundshme në Spanjë,” thotë ai. “Në të ardhmen kjo do të kthehet përmbys, sepse shtetet e jugut në moment nuk kanë aftësi konkuruese. Kjo do të thotë ato nuk mund të eksportojnë sa duhet, në mënyrë që t`i transferojnë borxhet jashtë vendit. Kështu që duhet të ketë një inflacion më të lartë në veri dhe një më të ulët në jug, ose madje deflacion”, thotë Zsolt Darvas.
“Duhet të luftojmë”
Prej dekadash shtetet me mirëqënie të lartë i transferojnë miliardat e BE-së si ndihma strukturore në vendet me më pak mirëqënie. Sepse afrimi i raporteve ekonomike është detyrë kryesore e unionit. Ky princip solidariteti i komunitetit nuk është prekur deri tani, edhe nëse gjatë bisedimeve për buxhetin plasin gjithnjë grindje midis paguesve neto dhe marrësve neto. Greqia është me vite të tëra marrës i madh i këtyre ndihmave. Mario Monti, kryeministri italian, shprehu këtë javë keqardhjen, që sërish janë krijuar paragjykimet midis veriut dhe jugut, madje ndarje frontesh. “Kjo është shumë shqetësuese, dhe ne duhet të luftojmë. Jam i sigurt se shumica e gjermanëve kanë simpati për Italinë, ashtu si edhe italianët i admirojnë gjermanët për kualitetet e tyre të shumta,” tha Mario Monti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit