2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Disa dallime ndërmjet Biblës dhe Kuranit

Më të lexuarat

Senad Maku

 

“Ai ta zbriti ty (Muhamed) librin me argument, që është vër­tetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin”. (Kuran: Ali Imran, 3)

Librat e shenjtë të Hebraizmit janë të përmbledhur bashkë me librat e shenjtë të Krishterimit dhe së bashku përbëjnë një për­mb­ledhje të quajtur Bibël. Ky emër vjen nga greqishtja “He bi­blos” (apo biblion), që do të thotë “Libri”, kurse në trajtën diminutive “ta biblia” (apo bibla), d.m.th. libërthat, përmbledhje librash.[1] Përbëhet nga dy pjesë kryesore: Dhiata e vjetër dhe Dhiata e re. Dhiata e vjetër, libri i shenjtë i hebrenjve dhe Dhiata e re, libri i shenjtë i të krishterëve.

Ndërsa libri i shenjtë i fundit, i zbritur prej Zotit të Madhë­ru­ar, është Kurani, i shpallur për tërë njerëzimin. Kuran do të thotë “i lexueshëm”, që në kuptimin etimologjik rrjedh nga fjala Ka­re’e, që domethënë me lexue, lexim.

Kur’an është Fjalë pa konkurrencë e Allahut xh. sh.. Ai, në­përmjet të besueshmit Xhibril, i është shpallur vulës së pejga­mbe­rëve Muhamedit (s.a.v.s.), është shkruar në Mus-hafe dhe është transmetuar në mënyrën më të besueshme (tevaturen) deri tek ne; leximi i tij është ibadet, fillon me suren “El-Fatiha” dhe përfu­nd­on me suren “En-Nas”.[2]

Bibla nuk është një libër po një përmbledhje librash. Bibla – sipas versionit protestant, përmban 66 libra, kurse Bibla – sipas versionit romano-katolik, përmban 73 libra.[3]

Bibla është një përzierje e thënieve hyjnore dhe e komenteve njerëzore të atyre që erdhën më pastaj, duke falsifikuar e ndry­shuar shkrimin e shenjtë dhe duke vendosur mendimet dhe fjalët e veta. (Shih p.sh., Jeremia 8:8, Luka 1:1-4, 1 Korintasve, 7:25) Ori­gjinalet e këtyre librave, si të Dhiatës së vjetër ashtu dhe të Un­gjijve, kanë humbur. Kurani nuk përmban komente dhe ndër­hyrje njerëzore siç ka ndodhur me vetë Biblën, madje as fjalët e Muhamedit a.s. nuk janë pjesë të Kuranit, ato quhen Hadithe.

Në Bibël gjenden disa libra që janë shkruar shumë vjet pasi pejgamberët përkatës kishin vdekur dhe jo në gjuhën e atyre pej­gamberëve, duke krijuar kështu një numër vështirësish në analizi­min e tyre, duke hasur në të gabime, kontradikta, mospërputhje faktesh etj., sa kohë që i tërë Kurani u shkrua gjatë jetës së pejga­mberit Muhamed s.a.v.s. dhe u mësua përmendsh nga qindra njerëz në gjuhën origjinale.

Të katër Ungjijtë kanonikë nuk ishin ungjijtë e vetëm. Vendi­mi, se çfarë duhet të jetë në Bibël dhe çfarë jo, u mor sipas gjyki­mit të njerëzve. Në Islam nuk u mbajt asnjë konferencë, në të cilën do të përcaktohej se cila sure duhet të jetë e cila të mos jetë në Kuran. Në Dhiatën e re, të katër Ungjijtë japin jetën dhe misi­o­nin e Isait, Jezusit a.s., kurse Kurani nuk është një biografi e Muhamedit a.s. shkruar nga pasuesit e tij. Ky është një dallim shumë i madh ndërmjet Biblës dhe Kuranit.

Po t’i analizojmë disa dallime esenciale në të dy librat, do të vërejmë ekzistencën e dallimeve themelore në besim, që i gjejmë në të dy tekstet. Këto dallime janë: Në konceptin e Zotit. Bibla Zotin e tregon si një Zot që lodhet (Ekzodi, 31:17- Zanafilla 2:2); një Zot që harron (Psalmi, 13:1- Vajtimet, 5:20); i pafuqishëm (Zanafilla, 32:28); një Zot që fle (Psalmi, 44:23- 78:65); i pamë­shirshëm (Psalmi, 77:7-9); dituria e mangët e Zotit (Zanafilla, 3:8); Zoti përshkruhet në formën e njeriut (Zanafilla, 1:26- 9:6); një Zot që ka familje (Ekzodi, 4:22- Ligji i përtërirë, 32:19- Eze­kieli, 16:3-32- Hebrenjve, 5:5- Psalm,i 2:7); një Zot që ka nevojë për udhëheqjen e njeriut (Ekzodi, 12:13); padrejtësia e Zotit (Jo­bi, 19:6-7); një Zot që prish premtimin (Levetiku, 26:44); një Zot që pendohet për atë që bën (Zanaflilla, 6:6-7), dhe shumë “ar­gu­mente” të tjera, që janë në kundërshtim me Qenien e Zotit xh.sh., kurse Kurani i hedh poshtë këto trillime. Shih ajetet që u kundër­vihen këtyre citateve biblike: Kaf, 38, Ta-Ha 52, Haxh 74, Beka­re 255, Zumer 53, Bekare 115, Shuara 11, Nahl 74, Ihlas 1-4, Maide 18, Furkan 6, En-Am 59, Junus 44, Nisa 40, Ibrahim 42, Rrum 6, e shumë ajete të tjera.

Cilësitë e Allahut xh.sh., që tregohen në Kuranin Famëlartë, janë absolutisht të përkryera, të përhershme. Fjalët që flasin për vetitë e Allahut të Madhëruar, tërësisht dallohen nga kuptimi i fjalëve që i përdorim për ndonjë veti të qenieve të gjalla. Ndër­kaq, në Bibël në disa citate, gjejmë të kundërtat e kësaj, ato cilësi janë mbërthyer nga teprimet, tejkalimet, përdhosja e deri tek de­gje­nerimet e asaj që është thelbi i tyre, d.m.th. fjalët i janë shma­ngur thelbësores dhe kuptimit të së vërtetës. Vetitë e Zotit në Bibël në të vërtetë janë pasqyrim i ëndjeve, cilësive dhe dëshi­rave të pikëpamjeve e qëndrimeve njerëzore; Zoti cilësohet për të gji­tha vetitë që cilësohen dhe njerëzit. Pra, koncepti biblik i Zotit është krejt i ndryshëm nga ai i Kuranit. E Allahu i Madhëruar, në Kuranin Famëlartë, thotë: “I Lartësuar është Zoti yt, Zot i fuqisë nga ajo që i përshkruajnë”. (Saffat, 180)

Po ashtu edhe në konceptimin e pejgamberëve ka dallime. Bi­bla i quan profetët mëkatarë, gënjeshtarë, tradhtarë dhe u jep shumë epitete të tjera, kryerje të veprave të shëmtuara e të ndyra, etj.. Është për ta tërhequr vëmendjen qëndrimi i Biblës ndaj Pej­ga­mberëve, ngase, kur flet për ta, pothuajse të gjithë Pejgamberët dalin si mëkatarët më të dalluar. I quan si gënjeshtarë, tradhtarë, të padijshëm, autorë (bërës) gabimesh e mëkatesh, dhe me epitete të tjera që u mvishen Pejgamberëve. Në Bibël hasim tregime tri­sh­tuese në lidhje me Pejgamberët, sepse këta paraqiten si per­sonazhe kryesore në kryerjen e veprave më të shëmtuara dhe të ndyra. Këto veti nuk përkasin me njeriun e rëndomtë e jo më t’i ketë Pejgamberi, njeriu i zgjedhur nga Allahu xh.sh..

P.sh. Luti a.s. bëri zina me dy të bijat e veta (Zanafilla, 19:30-38); Haruni a.s. si njeriu që konstruktoi viçin për ta adhuruar izra­elitët (Ekzodi, 32:1-20); Sulejmani u martua me 700 gra dhe 300 konkubina e u bë idhujtar (1 Mbretërve, 11:3-7); Zoti e urdhëron profetin Osea që të martohet me prostitutë, e të ketë fëmijë të kur­vërisë (Osea, 1:2); Jakobin e quan si dinak dhe mjeshtër intri­gash të shumta (Zanafilla, 27:16, 19-36/32:24-30); Juda bëri zina me nu­sen e të birit Tamarën, dhe ajo mbeti shtatzënë me të e lindi dy binjakë, Faresin dhe Zaran, ku prej Faresit, e, si rezultat i kësaj zinaje, nderohen si stërgjyshërit e Jezusit-Isait a.s., Davudi a.s., Sulejmani a.s. (Zanafilla, 38:12-30, Mateu, 1:3-16) etj..

Kurse Kurani Pejgamberët i ngre në shkallën më të lartë dhe i bën shëmbëlltyrë për ne. Zoti xh.sh. i nderoi Pejgamberët e Tij të zgjedhur, që të ishin ndërmjetësues ndërmjet Allahut xh.sh. dhe robërve të Tij. I veçoi për ta bartur amanetin e Zotit xh.sh. (ama­netin e Shpalljes) për thirrje të vazhdueshme për të besuar në një Zot. Zgjodhi njerëz të pajisur me moral të lartë, njerëz fisnikë dhe që rrjedhin nga familjet me prejardhje të pastër, njerëz bes­nikë dhe të kujdesshëm në punën e tyre. Kur e lexojmë Kuranin, sho­him se Zoti xh.sh. i pajisi ata me disa cilësi që duhet t’i ketë Pej­gamberi. Ata janë: I drejtë, I vërtetë; Besnik, I sinqertë; Transme­tues i shpalljes së Zotit; I zgjuar, I mençur; I mbrojtur nga gabimet; Pa të meta fizike etj..

Domosdoshmëria që çdo Pejgamber t’i posedojë këto veçori a cilësi dalluese, është çështje që përputhet me logjikën e shë­ndo­shë, ngase nuk ka mundësi që një Pejgamber të posedojë cilësi negative, të cilat zbehin moralin e tij si pejgamber. Morali i tyre është shumë më i lartë se i njerëzve të tjerë. Po ata, në të njëjtën kohë, nuk arrijnë gradën e hyjnisë, ngase mekanizmat kuranore ndalojnë një gjë të tillë, sepse shkalla më e lartë është “robëria më e lartë” ndaj Allahut xh.sh.. Përshkrimet, shpifjet e tilla ndaj Pej­ga­mberëve jo vetëm që nuk gjenden në Kuran, por konsiderohen mëkatarë ata që u mveshin këso epitetesh të dërguarve të Zotit xh.sh.. Po të kemi parasysh Fjalët e Allahut xh.sh. të Madhëruar, Që në Kuranin famëlartë thotë: “Pasha Allahun, patjetër do të merreni në përgjegjësi për atë që trillonit”. (En-Nahl, 56) “pa dyshim ai që shpif, ka dështuar keq”. (Ta Ha, 61) “Po a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?” (Ankebut, 68)

Gjithashtu dallime thelbësore gjejmë edhe për sa i përket besimit në jetën e tanishme dhe të përtejme në konceptin e shpëti­mit dhe drejtimit në jetë. Po ashtu dallime kemi edhe në histori – ku Kurani dhe Bibla nuk përputhen: p.sh. tek Ademi dhe Havaja, tek Ibrahimi a.s., Ismaili, Ishaku, Luti, Musai, Isai a.s. etj..

Duke e parë devijimin e popujve nga rruga e vërtetë dhe ndryshimin e librave të shpallur prej të Madhit Zot, Allahu xh. sh. para 14 shekujsh dërgoi Pejgamberin e Tij, të dërguarin e Tij të fundit, Muhamedin s.a.v.s., me Fjalën e Tij finale, dërguar njerë­zimit. Librat e mëhershëm nuk u ruajtën ashtu siç u shpallën. Bib­la e sotme është një përzierje e gjurmëve të mbetura të Fjalëve të Zotit, me fjalët e profetëve, të historianëve, të autorëve dhe të njerëzve të tjerë, kështu që as autorët e librave nuk dihen saktë­sisht.

Këtë e vërteton studiuesi dhe eksperti i Krishterimit të her­sh­ëm, Bart D. Ehrman[4], i cili thotë: “Skribët profesionistë janë shfa­qur në Krishterim në një periudhë shumë të vonshme, aty nga shekulli i katërt. Për këtë arsye, është e natyrshme që në kopjet e hershme të jenë bërë gabime të shumta gjatë kopjimit. Mirëpo, më me rëndësi është fakti se këta skribë kanë qenë të përfshirë personalisht në debatet teologjike, që kanë marrë plot jetë njerë­zore në Krishterimin e hershëm…. Duke pasur parasysh polemi­kat, konfliktet e ndryshme, mosmarrëveshjet teologjike, dhe ve­ça­nërisht debatet mbi kriptologjinë[5], skribët e krishterë u nxitën t’i ndryshonin fjalët e shkrimit të shenjtë, në mënyrë që t’i bënin ato më të dobishme për debatin. Skribët e ndryshuan tekstin në dorëshkrimet e tyre, për t’i bërë tekstet më qartësisht “ortodokse” dhe më pak të “keqpërdorshme” nga kundërshtarët e tyre.[6] Kjo ka ndodhur sa herë që skribët përgjegjës, për kopjimin e tekstit, ki­shin dashur të siguroheshin që teksti të thoshte pikërisht atë që ata dëshironin që të thoshte.[7]

Feja islame, Kurani është ai që ringjalli dhe e përtëriu fenë e të gjithë të dërguarve të tjerë. Çështje/vlera kryesore me të cilën Islami, Kurani ka ardhur, është sqarimi i konceptit të Zotit, që është edhe esenca e vërtetë e fesë. Koncepti i Zotit në Krishterim ka arritur deri në atë shkallë sa Zoti të krahasohet me vetitë dhe cilësitë e njeriut, duke i bërë shok Zotit, duke i bërë ortak, duke e adhuruar dikë tjetër në vend të Tij etj..

Kurani është një udhëzues që ndan dritën nga errësirat dhe na tregon në mënyrë perfekte se ç’ mund të besohet e ç’nuk mund të besohet nga Bibla.[8]

Po ashtu nuk duhet harruar se Kurani flet për shumë ngjarje që përmenden edhe në Bibël. Pra, pikësëpari, ngjashmëria nuk do të thotë medoemos kopjim i një libri prej një tjetri, siç mendojnë disa – se Kurani na qenka kopje e Biblës. Allahu e bën të qartë në Kuran se mesazhi që Ai po shpallte nëpërmjet Muhamedit a.s., nuk ishte diçka e re, veçse ishte një vazhdim i zinxhirit të mëher­shëm të porosive dhënë nga Zoti, nëpërmjet Pejgamberëve.

“Ne të frymëzuam ty me shpallje sikurse patëm frymëzuar Nuhun dhe pejgamberët pas tij; patëm frymëzuar Ibrahi­m­in, Ismajlin, Is’hakun, Jakubin dhe pasardhësit e tij, Isa­in, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin, e Davudit i patëm dhënë Zeburin”. (Nisa, 163)

“E, sa pejgamberë kemi dërguar te popujt e lashtë?! (Zuhruf, 6)

“Secili popull kishte të dërguarin e vet, e kur u vinte i dër­guari i tyre, bëhej gjykimi i drejtë në mes tyre, atyre nuk u bëhet padrejtësi”. (Junus, 47)

Është e natyrshme që mesazhi i atyre Pejgamberëve ishte i njëjtë, duke qenë se ata vinin nga Zoti i njëjtë dhe tash, meqë në Bibël kanë mbetur gjurmë të mesazhit të vërtetë të përcjellë nga Pejgamberët, nuk është aspak e çuditshme nëse edhe në Kuran gjejmë paralelizma me ngjarje të caktuara. Nëse mendojmë se Kur­ani është kopje e burimeve hebraiko-krishtere (e Biblës) ve­tëm sepse të dy librat flasin për disa ngjarje të njëjta, ky është një mendim shumë naiv.

Ndërsa për ndryshimin dhe falsifikimin e Biblës, Zoti u drej­tohet njerëzve nëpërmjet Kuranit famëlartë: “Mjerë ata që me duart e tyre shkruajnë Librin, e pastaj thonë: “Kjo është prej Allahut”, që për këtë të kenë ndonjë dobi të vogël (materiale). Mjerë ata për çfarë kanë shkruar me duart e tyre dhe mjerë ata për çfarë kanë fituar!” (Bekare, 79)

Por njëkohësisht, meqë Kurani na tregon për shtrembërimin e Biblës dhe falsifikimin e saj, shtrohet pyetja a thua na tregon edhe vetë Bibla për ndryshimin e saj. Këtë më së mirë na e tre­gojnë disa nga citatet e Biblës, si p.sh.:

a) Tek Jeremia 8:8, thuhet: “Si mund të thoni: “Ne (Hebre­njtë) jemi të urtë dhe ligji i Zotit është me ne”? Por ja, pena e rreme e shkruesve e ka bërë një falsitet”.

b) “Kur Moisiu mbaroi së shkruari në një libër tërë fjalët e këtij ligji, u dha këtë urdhër Levitëve që mbanin arkën e besë­lidh­jes të Zotit, duke thënë: “Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në arkën e besëlidhjes të Zotit, Perëndisë suaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje; sepse unë e njoh frymën tënde rebele dhe fortësinë e qafës sate. Ja, sot kur akoma jam i gjallë midis jush, ju u bëtë rebelë kundër Zotit; aq më tepër do të bëheni mbas vdekjes sime! (Ligji i Përtërirë, 31:24-27)

Mblidhni pranë meje të gjithë pleqtë e fiseve tuaja dhe zyr­tarët tuaj, me qëllim që të dëgjojnë këto fjalë dhe unë të thë­rras të dëshmojnë kundër tyre qiellin dhe Tokën. Sepse unë e di që, mbas vdekjes sime, do të korruptoheni plotësisht dhe do të largoheni nga rruga që ju kam urdhëruar, dhe ditët e fundit do të goditeni nga fatkeqësia, sepse keni për të bërë atë që është e keqe për sytë e Zotit, duke provokuar indinjatën e Tij me veprën e duarve tuaja”. (Ligji i Përtërirë, 31:28-29)

Nga kjo vërehet se Moisiu/Musai a.s. paralajmëroi dhe e dinte se Tevrati (pesëlibërshi i tij) do të shtrembërohej dhe do ta ndry­shonin mbas vdekjes së tij, dhe ashtu ndodhi.

c) Po ta analizojmë mirë edhe Dhjatën e Re, do të vërejmë se edhe aty kemi të bëjmë jo me Fjalën e Perëndisë, po me shkrime të njerëzve të ndryshëm dhe pa inspirimin e Perëndisë, si p.sh.:

Tek Ungjilli sipas Lukës, shkruan: “Mbasi shumë vetë ndër­morën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë, ashtu si na i përcollën ata që ishin bërë nga fillimi dëshmitarë okularë dhe shërbyes të fjalës, M`u duk e mirë edhe mua, pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi, të t`i shkruaj sipas radhës, fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar.” (Luka, 1:1-4).

Nga vargu i lartshënuar tregohet qartë se:

– Së pari, Ungjilli sipas Lukës ishte vetëm një ndër shumë narracionet e shkruara në dekadat e para pas Jezusit nga njerëz të ndryshëm (Mbasi shumë vetë ndërmorën të renditin tregimin e ngjarjeve që ndodhën në mesin tonë);

– Së dyti, ky shkrim i drejtohej Teofilit personalisht nga Luka dhe jo njerëzimit nga Perëndia (fort i nderuari Teofil, që ti të njohësh vërtetësinë e gjërave që të kanë mësuar); dhe

– Së treti, më e rëndësishmja është se ky Ungjill nuk ishte shkruar nën frymëzimin e Zotit, por ishte shkruar pasi Luka kishte konsultuar burime të ndryshme (pasi i hetova të gjitha gjërat me kujdes që nga fillimi); qoftë të shkruara, qoftë gojore, origjinën e të cilave as nuk e dimë e as që mund ta verifikojmë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë nga shkrimet e tjera të Dhiatës së re e edhe të së vje­trës.

d) Një rast tjetër ka të bëjë me Palin, me Letrat e tij, të cilat në fakt përbëjnë pjesën më të madhe të Dhiatës së re, ku shihet mjaft qartë se nuk ka kurrfarë dëshmie se ai ishte i frymëzuar nga Zoti përderisa i shkruante ato letra. Në një mori rastesh ai e bën të qartë se në letra po e shprehte mendimin e tij dhe jo të Perëndisë:

“… s’kam urdhër nga Zoti, por po jap një mendim si njeri …” ( 1 Korintasve, 7:25)

“…sipas gjykimit tim….” (1 Korintasve, 7:40)

“…dhe mendoj se edhe unë kam Frymën e Perëndisë….” (1 Korintasve, 7:40)

“…Ja, unë, Pali, po ju them …” (Letra e Palit Galatasve, 5:2)

Si shihet, tek 1 Korintasve 7:40 vihet në dyshim edhe frymë­zimi i mësimeve të Palit në tërësi. Aty tregohet se ai nuk ishte i sigurt as nëse e kishte Frymën e Perëndisë apo jo. Përse duhet të besohen për fjalë të Zotit letrat e Palit, nëse ai vetë e bën të njo­hur aty se pohimi që ai e kishte frymën e Zotit, ishte mendim i tij personal dhe nuk ishte i konfirmuar nga Perëndia.

Duke pasur parasysh se në një artikull nuk mund të elaboro­het gjithçka për sa u përket dallimeve në mes dy librave – Biblës dhe Kuranit, jam përpjekur të shtjelloj disa nga gjërat më eleme­ntare për të dëshmuar dallimet dhe vërtetësinë e tyre në lidhje me të dy tekstet.

Dua ta përfundoj këtë artikull me Fjalët e Allahut Fuqiplotë, Që në librin e Tij të fundit, në Kuranin famëlartë, thotë:

“Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër përveçse prej Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit) dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!”. (Junus, 37)

“Ai ta zbriti ty (Muhammed) Librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshëm. Ai e zbriti më parë Tevra­tin dhe Inxhilin. Udhërrëfim për njerëz, e zbriti edhe Furka­nin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S’ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e Allahut, i pret ndëshkimi i rreptë. Allahu është ngadhënjyes, shpagimtar”. (Ali Imran, 3-4)

Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të për­bashkët në mes nesh dhe jush: se do ta adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’I shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” (Ali Imran, 64)

“Nuk ka detyrim në fe, rruga e drejtë është dalluar shumë qartë nga ajo e padrejta” (Bekare, 256).

——————————————————————————–

[1] Bibla, përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Ferizaj, 1994, fq. 11; dhe Ekrem Murtezai, “Fjalori i feve”, fq. 62.

[2] “Kur’ani- Përkthim dhe komentim” nga H. Sherif Ahmeti, fq. 10.

[3] Duhet theksuar se dallimi kryesor në mes Biblës katolike dhe Biblës protes­ta­n­te ka të bëjë me çështjen e librave që gjenden në të. Në Biblën katolike (Bibla – Përktheu dhe shtjelloi Dom Simon Filipaj, Ferizaj, 1994) dhe në atë prote­stante (Bibla- Diodati i ri, përkthim 1991-94) dallimi qëndron në faktin se Bi­bla katolike ka 7 libra më tepër se Bibla protestante, kurse të dyja sektet lib­rin e tyre e quajnë të shenjtë. Atëherë, shtrohet pyetja – pse ky dallim ndërmjet biblave? Cila është, në të vërtetë, Fjalë e Perëndisë?

[4] Bart Ehrman është një studiues i njohur i Dhiatës së re si dhe një ekspert i Kri­shterimit të hershëm. Masterin dhe doktoratën i ka kryer në Seminarin Teo­lo­gjik të Princentonit. Aktualisht është shef i departamentit të studimeve fetare në Universitetin “Chaper Hill” të Karolinës së Veriut. (Biografi nga libri i tij: “Të keqcitosh Jezusin….”, në fund të librit.)

[5] Kriptologji-a: shkenca që merret me shifrimin dhe me deshifrimin e shkrimeve të fshehta. (Mikel Ndrecaj, “Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja”, Prishtinë, 2000, fq. 415.)

[6] Bart D. Ehrman, “Të keqcitosh Jezusin-Si dhe përse u ndryshua Bibla”, fq. 10.

[7] Po aty, fq. 78. Gjatë shekujve II dhe III, po ashtu gjatë kohës së Konstantinit, Bart Ehrman tregon se “këta dy shekuj kanë qenë veçanërisht të pasur në ndryshime teologjike ndërmjet të krishterëve të hershëm. Në të vërtetë, dalli­met teologjike ishin kaq shumë të shtrira, saqë grupe që e quanin veten e tyre të krishtera ndiqnin besime dhe praktika që shumë të krishterë sot do të këm­bëngulnin se nuk kanë të bëjnë aspak me krishterizmin”. (Po aty, fq. 78) Po ashtu Bart D. Ehrman thotë: “Ç’dobi ka të thuash se tekstet origjinale të Bi­b­lës janë të frymëzuara? Ne nuk i zotërojmë tekstet origjinale, por kemi vetëm një kopje të mbushura me gabime dhe shumica e këtyre dorëshkrimeve janë prodhuar shekuj më vonë se origjinalët”. (Po aty, fq. 27.) “Ishte e qartë se ki­shte një problem në pohimin se Bibla ishte verbalisht e frymëzuar në çdo fjalë të saj. Siç mësuam në një nga kurset e para të ndjekura në institut, ne nuk i zo­tërojmë dorëshkrimet origjinale të Dhiatës së Re. Ajo që ne kemi përbëhet nga kopje të këtyre shkrimeve, të bëra vite më vonë. Mbi të gjitha, asnjëra prej këtyre kopjeve nuk është krejtësisht e saktë, duke qenë se skribët që i ka­në prodhuar ato, pa dashje ose qëllimisht, i kanë ndryshuar në vende të ndry­sh­me. Të gjithë skribët e kanë bërë këtë. Kështu, në vend që të kemi fjalët e frymëzuara të autorëve (d.m.th. origjinalet) të Biblës, ajo çka kemi janë vetëm kopje të shkruara në gabime të shumëfishimeve”.( Po aty, fq. 23.)

[8] Dallimi ndërmjet Kuranit dhe Biblës qëndron në faktin se Kurani vazhdimisht pohon burimin e tij hyjnor nga Zoti i botës. (Shih këto ajete: Ali Imran, 164; Ni­sa, 82; Nisa, 105; Junus, 57; Nahl, 64; Fussilet, 53; Ali Imran, 3; Ibrahim, 1) Feja islame është një fe që është e argumentuar me Kuran, ashtu siç u argu­mentua që Kurani është burim hyjnor, nga Zoti i Plotfuqishëm, sa kohë që në Bibël nuk gjejmë ndonjë citat që të argumentojë Krishterimin. Askund në Bi­bël nuk keni për të gjetur se Zoti i drejtohet popullit të Musait, ose pasar­dhë­s­ve të këtij populli, duke u thënë se feja e tyre quhet judaizëm, ose – se u shpall pasuesve të Krishtit që feja e tyre quhet krishterim. Me fjalë të tjera, emrat judaizëm dhe krishterim nuk kanë pasur origjinë dhe miratim hyjnor. Vetëm shumë kohë pas largimit të Jezusit nga kjo botë, fesë së tij iu vu emri Krish­te­rim. E, sa për Islamin, Kurani thotë: “Feja e pranueshme tek Allahu është Islami, e atyre që u është dhënë libri, pasi mësuam për të vërtetën, ata vetëm nga zilia në mes tyre, kundërshtuan. E kush i mohon argumentet e Allahut, le ta dijë se Allahu shpejt do t’ia japë llogarinë”. (Ali Imran, 19) “E, kush kërkon fe tjetër, përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit”. (Ali Imran, 85)

Me rastin e Haxhit lamtumirës, në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. mbajti fjalimin e fundit, dhe mbasi e mbajti fjalimin e tij para masës, po atë ditë, Zoti xh.sh. shpalli ajetin e Kuranit: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe”. (El Maide, 3) Këto citate të lartpërmendura tregojnë se Kurani përmban pohimin për vulën e autorësisë së Allahut xh.sh., dhe se feja islame është feja së cilës duhet t’i bashkohemi. Po ashtu, Zoti jo vetëm që e shpalli Kuranin, po edhe, duke qenë se ai duhej të mbetej si mesazh për njerëzimin deri në fundin e botës, duhej të ruhej ashtu siç është shpallur, edhe premtimi i Zotit për ruajtjen e Kuranit është i mre­kullueshëm, për se thotë: “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. (El Hixhr, 9)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit