3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kontribute të shqiptarëve në zbulimet e mëdha gjeografike

Më të lexuarat

Inkuadrimi i viseve shqiptare në Perandorinë Osmane u dha shqiptarëve një shtysë të jashtëzakonshme për të shpalosur vetitë më të mira dhe vlerat më të larta, jo vetëm për interes personal por edhe në të mirë të qytetërimit të gjithëmbarshëm njerëzor.

Zbulimet e mëdha gjeografike të shekujve XV-XVII bënë të mundur vendosjen e kontakteve mes pjesëve deri atë- herë të izoluara të qytetërimit njerëzor. Zbulimet gjeografike të evropianëve dhe penetrimi i tyre në zonat që më përpara kishin qenë të njohura vetëm përmes legjendash, shkaktoi natyrisht edhe një farë reaksioni zinxhir në shtetet muslimane, veçanërisht të Perandorisë Osmane. Shumë autorë e shohin si një nga arsyet kryesore për pushtimin e Egjiptit nga Sulltan Selimi I, dëshirën për të ndaluar penetrimin e portugezëve në Oqeanin Indian.

Ai ndërtoi një flotë të madhe e të fuqishme, por sipas disa autorëve, osmanëve u interesonte kryesisht Mesdheu dhe Evropa, dhe vetëm vdekja e ndaloi të niste “pushtimin e Evropës”, siç pohon historiani me origjinë shqiptare, Lutfi Pasha.(1)
Ky autor njëkohësisht kishte qenë kryeministër i Perandorisë Osmane në atë kohë dhe pohimi i tij merr akoma më shumë vërtetësi në këtë rast. Inkuadrimi i viseve shqiptare në perandorinë osmane u dha shqiptarëve një shtysë të jashtëzakonshme për të shpalosur vetitë më të mira dhe vlerat më të larta, jo vetëm për interes personal por edhe në të mirë të qytetërimit të gjithëmbarshëm njerëzor. Në këtë aspekt u bë realitet mundësia që shqiptarët të kontribuonin në zbulimet gjeografike, në shtimin e njohurive të njerëzimit rreth botës që i rrethonte, në afrimin e popujve dhe njohjen mes njëri-tjetrit të popullsive deri atëherë të panjohura mes vete dhe në krijimin e urave të komunikimit ndërnjerëzor. Në mesin e një numri të madh shqiptarësh që nëpërmjet kontributit ndaj Perandorisë Osmane, kontribuan në historinë botërore ishte detari i famshëm i Mesdheut të shekullit XVI, Murati Reisi, i Madhi. Një trim dhe aventurier i pashoq të cilin historiani Philip Ghosse e konsideron si një nga detarët më të njohur të të gjitha kohërave.(2)
Figura e tij ka qenë një nga personazhet më të spikatura të letërsisë spanjolle të “shekullit të artë”.(3)

Mirëpo komentuesit e veprave letrare, kanë qenë në mëdyshje në se bëhet fjalë për një personazh real apo imagjinar.(4)

Në bazë të dëshmive të priftit benediktin Diego de Haedo, në veprën e tij Topografia e Historia de Argel, dhe që përbën burimin më të njohur dhe më të rëndësishëm për njohjen e Algjerit të fundit të shekullit XVI vërejmë se ai të cilin shkrimtari Castillo Solorzano e quante “korsari më i madh në mesin e muslimanëve”, është Murat Raisi i Madhi shqiptari. Haedo shkruan: “Mbi numrin e korsarëve të galeotave dhe të barkave të tyre që kishte në Algjer në vitin 1581: … 5. Murat Raisi, i Madhi, musliman shqiptar, dy galeota, prej 24 bankash… 7. Murat Raisi, Matrapillo, musliman spanjoll, një prej 22 bankash… 11. Murat Raisi, i Vogli, musliman grek, një prej 18 bankash.”(5)

Haedo shkon duke rrëfyer bëmat e tij detare vit për vit deri më 1595 kur i jep fund edhe kronikës së tij.(6)

Figurën historike të këtij detari shqiptar që ka pasur një vend aq të rëndësishëm në letërsinë spanjolle të shekullit të artë, kemi mundur ta qartësojmë dhe ndriçojmë edhe në bazë të dokumenteve dhe të të dhënave të tjera, të cilat për nga vëllimi i tyre mund të themi se nuk janë të pakta. Nuk mund të jetë ndryshe përderisa edhe bashkëkohësit e tij evropianë e shquanin në mesin e një morie të tërë kapedanësh detarë që mbanin emrin Murat, me epitetin i Madhi. Sipas të dhënave që jep Haedo, Kapedan Murati ishte shqiptar i lindur nga prindër të krishterë. Në moshën 12 vjeçare bie në duart e detarit të shquar të Algjerit Kara Ali, i cili duke parë dhuntitë e tij e ushtron në artin e lundrimit. Që i ri shquhej për guximin dhe për karakterin e tij të fortë. Philip Ghosse, thotë se Murati ishte i pari ndër kapedanët e pavarur osmanë, pra që e ushtronin detarinë më shumë për llogari të vet se sa të inkuadruar në flota ushtarake.(7)

Në rrethimin e Maltës më 1565, mbas dështimit të flotës osmane, u lodh nga disiplina dhe monotonia e shërbimit në flotë dhe u largua pa pyetur njeri për të lundruar për llogari të vet, me galeotën që i kish dhënë Kara Aliu. Duket se në këtë kohë akoma nuk i kishte mësuar të fshehtat e detit, mbasi anija e tij u përplas në shkëmbinjtë e bregdetit toskan dhe megjithëse pat shpëtuar për mrekulli me gjithë ekuipazhin, kur u kthye në Algjer, në një anije algjeriane, që rastësisht kishte kaluar në afërsi të ishullit ku ndodheshin, iu desh të përballej me zemërimin e Kara Aliut, i cili ia mori robërit remtarë dhe nuk i dha më anije tjetër. Por Murati, akoma i ri, i tërhequr nga jeta detare, bëri si bëri dhe mundi të gjejë një galerë prej 15 remash dhe u largua drejt brigjeve të Spanjës.

Pa kaluar 7 ditë u kthye duke sjellë me vete tre bergantinë spanjollë dhe 140 robër. Ky inkursion i suksesshëm i dha reputacion të madh. Më pas vihet nën urdhrat e kalabrezit Uluxh Ali, detar i vjetër dhe i njohur në Algjer, ku kryen një aksion që përfundoi sërish me sukses me kapjen e tre galerave malteze në bregun e Sicilisë. Në janar të 1578 kishte mundur të ketë një flotilje të përbërë prej disa galeonësh në pronësi të tij personale dhe nis të veprojë tashmë si kapedan ose rais. Bëma më e rëndësishme e këtij viti ishte kur mori galerën Santangel, në të cilën udhëtonte për në Spanjë Duka i Terranovas, ish zëvendës-mbret dhe kapiten i përgjithshëm i Sicilisë. Kjo nuk ishte asgjë në krahasim me atë të një viti më pas e cila’ siç thotë Ph. Gosse’ e bëri emrin e tij aq të famshëm sa atë të detarit anglez Francis Drake, që sapo ishte kthyer prej ekspeditës së tij pirateske përqark globit.(8)
Mbasi kishte dalë nga Algjeri në prill 1580 vetëm me dy galeonë, Murati lundronte qetësisht përballë brigjeve të Toskanës kur vëren dy galera të mëdha të cilat ishin pronë e Papës Gregorit XIII, madje njëra prej tyre me emër “la Capitania”, ishte anija admirale papnore.

Megjithëse galerat papale ishin të pajisura e të armatosura shumë mirë, zgjuarsia dhe aftësia e Muratit triumfoi duke u bërë zot i të dy galerave. Edhe pse zyrtarët kryesorë papalë ia dolën të arratisen, Murati nuk doli pa gjë, mbasi i kishin lënë anijet mbushur me thesare dhe njerëz. Të prangosur në rrema kishte qindra robër muslimanë si edhe një numër të madh të burgosurish të krishterë, një pjesë e mirë e të cilëve, ishin zyrtarë kishtarë, fretën e murgesha që për arsye të ndryshme ishin burgosur nga papati. Murat Shqiptari vazhdonte bëmat e tij, i mbrojtur dhe i mbështetur edhe nga miku i tij, detari dhe diplomati i madh shqiptari, Muhamet Arnauti. Pikërisht më 1585 Murat Raisi realizoi bëmën më të famshme të jetës së tij duke arritur të bëjë atë që asnjë detar tjetër musliman, qoftë maroken qoftë osman nuk e kishte bërë kurrë më parë: kalimin e ngushticës së Gjibraltarit dhe realizimin e inkursioneve në Oqeanin Atlantik. Deri atëherë detarët dhe korsarët më të shquar osmanë lundronin në afërsi të brigjeve përveç rasteve kur u duhej të kryqëzonin Mesdheun. Murati u nis nga Algjeri me 3 galeone lufte. Mbasi u ndal në portin e Salesë u përforcua edhe me disa bergantinë të vegjël. Skuadrilja e Murat shqiptarit kaloi ngushticën e Gjibraltarit dhe lundroi duke përshkuar gjithë atë distancë që i duhej për të mbërritur në ishujt Kanarie.

Një hapësirë kjo po aq e panjohur për osmanët sa ç’ishte një shekull më përpara për evropianët. Murati kishte marrë me vete një rob nga Kanariet që thoshte se e njihte itinerarin, por kur mbas shumë ditësh lundrim të mundimshëm me rrema, piloti kanarien e humbi orientimin dhe i tha Muratit që kishte frikë se mos ishin shmangur nga drejtimi dhe se i kishin kaluar Kanariet, përgjigja e Muratit i habiti të gjithë : « edhe pse nuk kam qenë kurrë, e kam të sigurt se ajo që thua është e pamundur. Prandaj, vazhdo në këtë drejtim». Murati kishte të drejtë. Pak kohë më vonë, shquan një nga ishujt e arkipelagut, atë të Lanzarotit. Mbasi zbarkuan rreth 250 ushtarë natën, morën rreth 300 robër, mes të cilëve edhe e ëma, e shoqja dhe e bija e guvernatorit të arkipelagut. Është e paarsyeshme të insistojmë në ndonjë parandjenjë të tij lidhur me lokalizimin e ishujve Kanarie. Nuk ka pse të përjashtohet mundësia që Murati të ketë pasur dijeni hartografike e gjeografike të sakta rreth brigjeve të Afrikës dhe Oqeanit Atlantik. Vepra e detarit osman Piri Reis, Kitab-i Bahriye, e shkruar më 1526 dhe që mbështetej në harta origjinale të Kolombit mbi konfiguracionin e Atlantikut dhe të territoreve të sapozbuluara të Amerikës është një dëshmi monumentale e informacionit gjeografik që dispononin osmanët.(9)

Të nesërmen, Murati shpalosi flamurin e armëpushimit dhe nisën tratativat e lirimit të robërve kundrejt shpërblimit. Familja e guvernatorit si edhe pjesa më e madhe e robërve u liruan. Edhe pse Murati nuk vonoi të ndërmarrë udhëtimin e kthimit, lajmi i sulmit kishte mbërritur në oborrin mbretëror spanjoll përpara se ai të mbërrinte në Gjibraltar. Në afërsi të ngushticës së Gjibraltarit e priste kryeadmirali i Spanjës, Don Martin de Padilla në krye të një skuadrilje përbërë prej 18 galerash nga më të mirat. Mirëpo ia doli të kalonte nëpër ngushticë në një natë me mjegull dhe madje kur kaloi shtiu disa herë me top, në shenjë sfide ndaj admiralit spanjoll. Ekspedita e kapiten Murat Raisit ishte një ndër ndërmarrjet më të guximshme në historinë e detarisë, mbasi ky lundrim atlantik u krye me anije që ishin të destinuara për lundrimin në Mesdhe, por jo në Oqean. Dallimi thelbësor mes të dy zonave është se në Mesdhe përdoreshin anijet me rrema, ndërsa në oqean rremat ishin të pafuqishëm për të përballuar dallgët dhe erërat e forta, prandaj përdoreshin anije me vela. Do të jetë një holandez disa vite më pas, Jan Sanz, i kthyer në Islam me emrin Murat, që do të fusë në përdorim në Algjer e Marok anijet rrumbullake me vela të përshtatshme për lundrimin oqeanik. Murat Shqiptari e mbylli karrierën e tij si admiral i Algjerit, detyrë të cilën e mori më 1595. Çdo pranverë ia ngarkonte të gjitha detyrat zyrtare një zëvendësi dhe ai nisej për të lundruar. Zhduket nga kronika i plagosur në pesë vende të ndryshme, megjithatë ka mundësi se nuk vdiq prej këtyre plagëve, por prej pleqërisë.(10)

Dimë se mbas Algjerit, qe dërguar nga Porta e Lartë në Tuniz, ku e hasim në dokumente deri në vitin 1604. Në ekstremin tjetër, në Oqeanin Indian gjithashtu dëshmohet kontributi i shqiptarëve në njohjen më të mirë të popujve e viseve të Lindjes së Largët, pra në pasurimin e dijes njerëzore dhe unifikimin e qytetërimit njerëzor. Në vitin 1536, sulltani i Guzeratit, Bahadir Shah dërgon një delegacion në Stamboll për të kërkuar ndihmë nga Halifi i botës islame kundër sulmeve të portugezëve. Mirëpo i biri i Bahadir Shahut, u mor vesh me portugezët dhe një vit më vonë vjen në fron me ndihmën e tyre. Në këto rrethana Sulltan Sulejmani I i ngarkon guvernatorit të Egjiptit Sulejman Pashës (Hadim) që të luftojë kundër portugezëve në ujërat e Oqeanit Indian me një flotë prej 80 anijesh dhe një ushtri prej 20 mijë ushtarësh, mes të cilëve 7 mijë jeniçerë. Sulejman Pasha ishte shqiptar dhe më vonë ka qenë edhe vali i Hixhazit, pra i Mekës dhe Medinës.(11)

Flota e udhëhequr prej tij zbarkoi në Kathi, në gadishullin e Guzeratit dhe pushton fortesat e Kukas dhe Kaçit. Synimi kryesor i tij ishte fortesa e Diut, por nuk ia doli dot. Atëherë Sulejman Pasha e heq rrethimin nga Diu, të cilin e mbronte një komandant portugez i quajtur Antonio da Silveira.(12)

Hajredin Mehmet Reisi, që ka themeluar koloninë turke në Tajlandë, ishte një detar ose kapedan që kishte marrë pjesë në fushatën e Indisë të drejtuar nga Sulejman Pasha, më 1538. Me urdhër të vetë Sulejman Pashës niset për të eksploruar ujërat që gjendeshin më në lindje të Indisë. Kapiteni Hajredin Mehmet është ndarë nga Sulejman Pasha në portin e Diut në Guzerat të Indisë. Duke ndjekur brigjet perëndimore të Indisë (brigjet e Malabarit) ka kaluar në detin Ohman. Ka zbritur nga Diu që ndodhet në 21 gradë gjerësi gjeografike deri në 12 gradë. Mbasi ka kaluar ngushticën e Palkut, që gjendet ndërmjet Indisë dhe Cejlonit, ka mbërritur në gjirin e Bengalit. Është ndaluar në portin e Tenaserimit në verilindje të gadishullit të Malajës, 12 gradë gjerësi gjeografike. Në këtë kohë Tenaserimi i përkiste mbretërisë së Siamit. Në pamundësi për të larguar flotën prej aty, mbasi këtë nuk ia lejonte mbreti, Hajredin Mehmeti u detyrua që t’i shërbejë mbretit të Siamit. Prifti portugez Fernao Mendes Pinto në një letër të datës 5 dhjetor 1554 shkruan se kapiteni turk merrte një rrogë prej 2 mijë monedhash ari nga mbreti i Siamit dhe që kryente veprime ushtarake në Laos me flotën e tij.(13)

Mbi arsyet që e shtynë shqiptarin Sulejman Pasha të urdhërojë këtë ekspeditë drejt vendeve më të largëta të Azisë nuk mund të hamendësojmë, por fakti është se ky shqiptar u bë ideatori dhe mbështetësi i udhëtimit më të largët të kryer deri atëherë nga flota osmane në lindje. Kjo ekspeditë e mbështetur prej tij, arrin të njohë dhe të eksplorojë zona të Lindjes së Largët, të cilat prej evropianëve vetëm portugezët kishin arritur deri atëherë t’i eksploronin. Pra, shumë kohë më përpara se sa anglezët, spanjollët, holandezët apo francezët.

______________________
1. Lutfi Pasha pohon se vetë Sulltan Selimi I e kishte pohuar. Das Asafname des Lutfi Pascha, bot. R. Tschudi, Berlin 1910, f. 32.
2. Philip Gosse, Histoire de la Piraterie, nouvelle edition, Paris, Payot, 1952, f. 57. Krhs. Roger Coindreau, Les corsaires de Sale, Institut des Hautes Etudes Marocaines, Paris, 1948, f. 25.
3. Në literaturën spanjolle kapidan M – rati i Madhi, del për herë të parë më 1599, në veprën e Lope De Vegas, Festime në Denia (Fiestas de Denia, kap. II, Valencia, 1599, f. 59-61). Po ky autor në veprën La Dorotea e shquan Murat Raisin në mesin e katër detarëve më të famshëm të kohës (Lope de Vega, La Dracontea, kap. I, edic. Sancha, vëll. III, f. 189).
4. Obras completas de Cervantes, Ed. Sch – vill-Bonilla, Comed. y Entrem., I, f. 241-242
5. Diego de Haedo, Topographia e Historia General de Argel, repartida en cinco tratados, do se veran casos estraños, muertes espantosas, y tormentos exquisitos, que conuine se entienden en la Christiandad: con mucha doctrina y elegancia curiosa, Valladolid, 1612, fl. 18r.
6. Haedo, thotë se ishte shqiptar, “de nacion que nosotros llamamos albanes” lindur nga prindër të krishterë. Haedo, po aty, fl. 84v.
7. Philip Gosse, Histoire de la Piraterie, nouvelle edition, Paris, Payot, 1952, f. 57. Krhs. Roger Coindreau, Les corsaires de Sale, Institut des Hautes Etudes Marocaines, Paris, 1948, f. 25.
8. Philip Gosse, Histoire de la Piraterie, po aty, f. 58. Krhs. Alonso Castillo Solórzano, Tiempo de regocijo y Carnestolendas de Madrid, Madrid, 1627, fl. 164v.
9. Svat Soucek, “Piri Reis and Ottoman Discovery of the Great Discoveries”, në Studia Islamica, Paris, MCMXIV, f. 134.
10. Philip Gosse, Histoire de la Piraterie, po aty, f. 59-60.
11. En Nehravali, Alam bil alam bejtullahi el Haram, (Geschichte der Stadt Mekka) bot. F. Ëüstenfeld, Leipzig 1854, f. 399.
12. Cemalettin Taşkiran, “Les relations ottomano-portugaises au XVIe siècle”, në XXIV Congresso International de História Militar, Lisboa 24 a 29 de Agosto de 1998, Lisboa 1999, f. 134.
13. Cemalettin Taşkiran, “Les relations ottomano-portugaises au XVIe siècle”, po aty., f. 134-135.

Ardian Muhaj (Islamgjakova)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit