3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Qyteti 400 vjeçar që u themelua nga Xhamitë

Më të lexuarat

Tirana moderne përpiu gjithçka, gjithçka nga e kaluara e saj, nga historia, nga vlerat dhe bukuritë e dikurshme. E sot në këtë 400 vjetor të themelimit të saj teksa ecën nëpër rrugët e kryeqytetit nuk sheh më asgjë që të të kujtojë të kaluarën apo historinë që i dha jetë këtij qyteti.

Përpjekjet për ruajtjen e trashëgimisë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve janë pothuajse inekzistente. Ndërtesat dhe godinat hisorike, objektet e kultit, tirana e fortifikimeve historike, kalatë, sheshe e lulishte, e gjithçka tjetër që i jep kryeqytetit një dimension real të trashëgimisë së vërtetë të tij, duket se shekujt i rrënuan.
Kryeqytetit janë përpjekur t’ia fshijnë historinë e tij, t’ia minimizojne gjurmët që shkojnë shumë më përtej kohës kur u themelua zyrtarisht. E me sa duket ia kanë arritur, pasi vetëm një pjesë e vogël e kësaj trashëgimie njihet, e pjesa tejtër është kthyer në një gojëdhënë.
Kryeqyteti i Shqipërisë u ngrit shekuj më parë, mbi themelet e një xhamie. Ishte viti1614, kur Sulejman Pashë Bargjini, beu i Mulletit, vendosi të themelojë një qytet të ri, Tiranën, duke ngritur kështu edhe ndërtesën e parë të këtij qyteti, Xhaminë e Vjetër. Së bashku me të ai ndërtoi edhe një hamam, një shtëpi për imamin dhe një furrë buke, në vendin ku sot ngrihet monumenti i partizanit të panjohur.
Fakte e të dhëna historike tregojnë se asokohe Tirana ishte një fshat i vogël, me disa stane dhe banesat e përkohshme të barinjve, diku me rreth 15 Shtëpi, e rrethuar nga fshatra të mëdhenj me tregje e me faltoret e tyre.
Banorët e fshatrave përreth filluan të zbrisnin në qytetin e Pashës e të ndërtonin banesat e tyre, ku vendi për ndërtimin e shtëpisë dhe një kopsht përpara saj u jepej falas. Kështu, Xhamia e Sulejman Pashës do të bëhej epiqendra e një qyteti të ri me emrin Tiranë, e cila dalëngadalë filloi të merrte fizionominë e një qytetit të vërtetë.
Historiani Agim Bardhi tregon se kjo xhami ishte epiqendra e qytetit. “Rreth saj kishte disa xhami të tjera, Xhamia e Ethem Beut, Xhamia e Stërmasit tek Pazari i vjetër, Xhamia e Metfirës, aty ku është gjimnazi Sami Frashëri, Xhamia e Kokonozit tek Pazari i Ri, Xhamia e Karapicit përballë pallatit të Kulturës, por xhamia e vjetër ishte më impozante dhe me e rëndësishme. Ku për qindra vite u organizuan festat më të rëndësishme të popullit të Tiranës”, tregon hisotriani Bardhi.
Lidhur me emrin e qytetit të ri, ekzistojnë legjenda dhe gojëdhëna të ndryshme, ku thuhet se emri i është vënë nga vetë Sulejman Pasha. Në variante të tjera, thuhet se emri i Tiranës bashkë me qytetin ka ekzistuar shumë kohë më përpara se beu i Mulletit të zbriste aty.

Me shtimin e popullsisë filloi të zgjerohej edhe qyteti i ri, e rrjedhimisht, u shtuan dhe objektet e kultit. “Trualli mbi të cilin zunë vend tashmë këto objekte, ishin zemrat e lagjeve, dhe shpesh ato shërbyen si pika kyçe referimi për njerëzit, ku mblidheshin për të ndarë gëzimin me njëri-tjetrin, apo për të zgjidhur hallet e problemet e tyre”, tregon z. Bardhi.
Udhëtarë, gjeografë, historianë e konsuj të shumtë që kanë kaluar asokohe ndër viset e tona, flasin për ekzistencën e kahershme të xhamive në Tiranë, për bukuritë e tyre, funksionin dhe rolin qëndror, që ata kishin në jetën e qytetarëve.
“Ka xhamia, hane, hamame, ka carshinë dhe sheshin e pazarit, vreshtët dhe kopshtet janë të panumërta. ( Evlia Çelebi, udhëpërshkrues turk, 1662)
“Tiranës i bien në sy, në radhë të parë, xhamitë e saj të stolisura me ngjyra të shkëlqyera dhe elegante, që u japin një tërheqësi të panjohur në faltoret e këtyre viseve.” (Eduard Lir, piktor dhe udhëpërshkrues anglez 1848)
” …Tirana është një qytet i sheshtë, me rrugë të gjera me shumë ujëra të rrjedhshëm, me një carshi të madhe dhe me gjallëri. Kur hyn në qytet nga rruga e Shkodrës shihen dy xhami të bukura. Ka disa xhami e mesxhide të tjera dhe dy medrese…” (Sami Frashëri, Kamus al Alam 1892)
Dy lagjet më të hershme të Tiranës për të cilat ekzistojnë informacione e të dhëna që në shekullin e 17, janë Lagja e Mujos, për të cilën thuhet se ka qenë lagja me e lashtë e Tiranës dhe ajo e Pazarit, të cilat kishin xhamitë e tyre dhe ndërtesat përreth nuk e kalonin lartësinë e xhamive, e ndërsa sot ndodh krejt e kundërta. Minaret e atyre pak xhamive të mbtura apo të ndërtuar rishtazi mezi shquhem mes pallateve shumkatëshe.
Në fillim të shekullit të 18-të, Tirana kishte filluar të zgjerohet edhe nga ana veriore e pazarit, lagjet dhe mëhallat morën emrat e xhamive, që u ndërtuan brenda tyre, në vendet më të zgjedhura, si mëhalla e Sulejman Pashës, e Mujos, e Fires, e Zajmit, më vonë mëhalla të tjera si ajo e Karapicit, Bërxollit, Kakonosit, Vathit, Tabakëve dhe e Terzive. Zemrën e qytetit të Tiranës e përbënte Xhamia e Vjetër me sheshin rreth saj. Rruga e sotme e Barrikadave, dikur përbënte aksin kryesor të strukturës urbanistike të qytetit. Anës saj qenë rreshtuar përveç Xhamisë së Vjetër edhe disa institucione të tjera islame.
Gjatë shekujve 15, 16 dhe 17, xhamitë bëhen objekte përcaktuese në ndërtimin e qendrave të qyteteve. Ato ndërtoheshin në pjesën më aktive të qytetit, pranë tregut dhe ndërtimeve të tjera publike të rëndësishme. Historianë, arkitektë e studiues të shumtë, thonë se qyteti i Tiranës u ngrit dhe u ndërtua mbi katër bërthama kryesore.
Bërthama e parë e qytetit lindi dhe hodhi shtat së bashku me xhaminë e vjetër të Sulejman Pashës në vitin 1614, në qendër të Tiranës. Bërthama e dytë e qytetit u krijua në fillim të shek. 18, rreth xhamisë së Firës, 600 m në Veri-Perëndim të xhamisë së parë, në vendin ku sot është shkolla Jeronim De Rada. Bërthama e tretë ndërtohet rreth xhamisë së Zaimit në 1775, në verilindje të xhamisë së vjetër. Bërthama e katërt nis me fillimin e ndërtimit të xhamisë së Et’hem Beut në vitet 1794-1821, e vendosur aty ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Veç kësaj në qendër të çdo lagje kishte një xhami, si ajo e Stërmasit në vitin 1840, e Karapicit më 1858, e Kokonozit dhe e Bërxollit të shek. XIX, Xhamia e Mujos, e Reçit e kështu me radhë.
Xhamitë, si ndërtesa që i shërbenin masës së gjerë të qytetarëve, morën edhe një zhvillim të madh arkitektonik me një pasuri të madhe artistike e përbërë nga dekoracione me motive floreale, me peizazhe të pikturuara dhe gdhendje druri e guri në kolonat, kapitelet, tavanet, mafilet, etj., duke u bërë një vlerë e jashtëzakonshme kulturore.
Historiani Bardhi shprehet se “Xhamitë e Tiranës përveç vlerave religjioze kishin edhe vlera të mëdha artiskike, ndoshta xhamia e Ethem Beut për shumë arkitektë është shprehja e xhamisë me elegante dhe më të bukur jo vetëm të Shqipërisë por edhe më tej.Me zhvillimin e ekonomik të Tiranës, edhe xhamitë ndërtoheshin të bukura, me minare elegante e me zbukurime të shumta, ku edhe këtu dallohet xhamia e Ethem Beut për elegancën e saj dhe për pikturat murale, që mbeten edhe sot një bukuri e jashtëzakonshme me vlera të pakrahasueshme me xhamitë e tjera. Ajo ka elemente edhe të artit perëndimor. Thonë që Haxhi Ethem Beu, ka qenë një njeri që njihte mirë jo vetëm lindjen por edhe perëndimin dhe piktorët që kanë pikturuar një pjesë të kësaj xhamie ishin nga Dalmacia (Italia).”
Të gjithë ato që fati i solli nga këto anë, nuk nguruan të përshkruanin bukuritë e tyre. Konsulli frëng në Shkodër A. Degrand, kur vizitoi Tiranën në vitin 1901, do të shkruante:
“Xhamitë e Tiranës janë të mbushura të gjitha me zbukurime dhe piktura me ngjyra kaq të gjalla, sa në ditët me diell krijonjnë një ndjesi gazmore. Nuk ka qytet tjetër në shqipëri, nga sa kam parë, që të shfaqë një karakter kaq intersant”
Ndërsa Edit Durham, në vitin 1904 do të përshkruante kështu Tiranën: “Qyteti ishte jashtëzakonisht i pastër dhe shumë piktoresk. Xhamitë ishin tejmase të bukura, ngjyra ngjyra dhe të pikturuara me peisazhe të mrekullueshme.”
Në fillim të viteve ‘30 Tirana kishte rreth 40 xhami, ndërsa, përpara se komunizmi të shkatërronte ndërtesat e kultit, Tirana, vetëm qyteti, ka patur 27 xhami, e shumë pak prej tyre i shpëtuan “terrorit të kuq”. E ndërsa sot, Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë, qendra më e madhe sociale dhe kulturore e vendit, me një popullsi domunuese myslimane dhe ka vetëm 8 xhami kryesore.
Në të gjithë vendin shumë prona të Komunitetit Mysliman u shtetëzuan dhe u ndërtuan shkolla e ndërtesa të tjera publike. “Në qendër ku sot ndodhet Teatri i Operës dhe Baletit ka qenë Xhamia e Karapicit, tek ushtari i panjohur ka qenë Xhamia e Sulejman Pashës. Tek tregu çam Xhamia e Zelve, sot shkolla Kostandin Kristoforidhi, Xhamia e Beshirëve, sot shkolla Sami Frashri, Xhamia e Haxhi Jasës, sot Materiniteti Geraldinë, Xhamia e Islam Allës, sot shkolla Jeronim Derada, e shumë të tjera në vend të të cilave janë ndërtuar godina shumëkatëshe”, tregon myftiu i Tiranës Ylli Gurra.
Xhami që mbanin mbi vete copëza të rëndësishme të historisë së Tiranës, u shkatërruan sistematikisht, për të shkëputur lidhjet me të kaluarën dhe t’i përgjigjeshin kushteve dhe rrethanave të reja, të krijuara nga ideologjia komuniste.
Xhamitë nuk luanin vetëm rolin e tyre primar, atë të vendkryerjes së adhurimit, ato luan gjithashtu edhe nje rol të madh social. Lidhur më këtë sociologu Gëzim Tushi nënvizon se “Xhamitë janë institucione të dorës së parë të rëndësishme me vlera sociale të pallogaritshme, me vlera humane shumë të mëdha, me vlera purifikuese, të shpirtit të njeriut duke e bërë ata më të mirë e më njerëzorë. Unë jam i bindur që në institucionet e kultit mysliman, në xhamitë, gjithnjë e më shumë predikohet humanizmi, solidariteti, mbështetja e të varfërve, mbështetja e njerëzve në nevojë, lidhjet humane mes njerëzve, në këtë pikëpamje dobia e tyre sociale është shumë e madhe. Shoqëria shqiptare pret shumë prej tyre, janë institucionet më të rëndësishme dhe më të vjetra të qytetërimit në këtë pikëpamje do të dëshiroja një kujdes më të madh për to, një përmirësim të kushteve.”
“Në kushtet e sotme të jetës moderne institucionet e kultit fetar janë shumë të rëndësishme dhe kanë një vlerë të madhe. Moderniteti ka sjellë shumë probleme, shumë paqëndrueshmëri dhe njerëzit kanë nevojë të gjejnë burime të sigurta të orientimit social, dhe institucionet fetarë janë unikale për sa i përket orientimit dhe ndikimit në shpirtin e njeriut. Në Shqipëri po vihet re gjithnjë e më shumë lidhja e njerëzve me objektet e kultit, kryesisht xhamitë. Sa më shumë xhami të ketë, sa më të përhapura të jenë ato, aq më mirë është, pasi në këtë kohë moderne nuk është e lehtë ti mbledhësh njerëzit ashtu siç bëjnë objektet të kultit, konkretisht xhamitë”, shprehet z. Tushi.Pas viteve ’90, gradualisht në Tiranë filloi “modernizimi” edhe ato pak objekte që kishin mbetur po u zihej fryma nga betonizimi. Gjatë kësaj kohe u vunë në funksionim disa xhami, ndërmjet tyre vetëm Xhamia e Et’hem Beut ishte mirëmbajtur si muze, e cila sot është më e frekuentuara nga vizitorët vendas dhe të huaj, për shak të bukurisë dhe historisë që ajo mbart mbi supe. Ndërsa xhamitë e tjera të si ajo e Kokonozit, e Tabakëve dhe ajo e rrugës së Kavajës, patën nevojë për investime të mëdha për t’i kthyer në identitet. Sot kapaciteti i tyre është dyfishuar. Më vonë u ndërtuan edhe xhami të reja si ajo e Xhurës tek “Oxhaku”, xhamia në bllokun e ndërtesave të Al’Maku-t dhe INSIG. Është përshtatur mjaft mirë për falje edhe një sallë në Medrese, që quhet Xhamia e Medresesë, që u nis vetëm për nxënësit e shkollës, por në të kryejn ritet fetare edhe shumë nga banorët e lagjes.
Realiteti është i dhimbshëm, të gjitha ato objekte kulti që i dhanë jetë kryeqytetit, u ndoqën nga zinxhiri shkatrrimtar, ku identiteti dhe historia u përçmuan, u rrënuan, u grabitën. Por ajo që nuk mund të shuhet është se banorët e këtij qyteti janë të vetëdijshëm se gurëthemeli i parë i Tiranës është Xhamia e Vjetër, ajo e cila i dha frymë dhe jetë qytetit.
Ndoshta një rreze shprese ka mbetur ende. Ajo është Xhamia e Namazgjasë, edhe pse peripecitë për të mesa duket nuk kanë të sosur, ajo premton të ngrihet mbi themelet e traditës dhe kulturës së hershme islame shqiptare, që do të mishërojë edhe traditën e gjatë dhe origjinale të xhamive tona, e duke i rikthyer sadopak trashëgiminë e humbur kryeqytetit të shqiptarëve.
Marre nga: (Revista Drita Islame, Janar 2014)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit