-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Myslimanët shqiptarë përballë ekstremizmit “laik”

Më të lexuarat

Është bërë e modës që, pas çdo atentati terrorist me justifikim islam në Europë, të vërshojë në mediat shqiptare një valë opinionesh me pretendime mesianike, disa për qytetërimin “tonë”e disa për islamin, athua se ky nuk është pjesë e kulturës shqiptare dhe e pronorit ‘tonë’. Që këtu, çdo përsiatje fundoset në hipokrizi. Një nga vaksinimet më origjinale e mbrojti Ndriçim Kulla. Pas një parashtrimi të gjatë të problemit, publicisti ofron si zgjidhje ‘pasurimin falas të bibliotekës së myslimanëve të rinj’, nisur nga supozimi se në gjirin e para-ekstremistëve disa shfaqin zell leximi dhe natyrisht kanë kohë, por u mungojnë librat e duhur. Kjo, sipas Kullës, do t’u mundësojë atyre “të zgjerojnë horizontin e tyre intelektual”, “të mësojnë se shoqëria ku jetojnë është e ndërtuar ose përpiqet të ndërtohet mbi bazën e një modeli europian”, “të mësojnë se laicizmi si parim bazë kushtetues i shoqërive europiane nuk është i drejtuar kundër Islamit, por kundër atyre që prekin parime” si liria apo të drejtat e njeriut.

Debati i leximit është kompleks, ndërsa diskutimi shqiptar vetëm sa e varfëron. Gjermania e shek. XVIII-XX ka prodhuar mendim e teknologji në nivele të pakrahasueshme, por kjo nuk e pengoi ngjizjen, konsolidimin dhe masivizimin e nazizmit; nuk i mungojnë leximet e librat as shoqërisë franceze, megjithatë ajo sot po shkon drejt një ligjërimi politik ekstrem e homofob; në nivel leximesh e botimesh, shoqëria e sotme shqiptare është sigurisht në kushte më të favorshme se në gjysmën e parë të shek. XX, por kjo nuk e bën më pak primitive, përkundrazi shndërrimi në xhungël, i cili sa vjen e theksohet, i përket 25 viteve të fundit. Përveç kësaj, Kulla zbulon si rrugëdalje ‘leximin’, me të cilin (folje në urdhërore) është haur shpallja hyjnore islame.

Mjafton kaq për të mos shpenzuar asnjë minutë me hipoteza të tilla, që në fund përmbyllen neveritshëm, duke kërkuar fonde, për libra natyrisht, pra, si gjithmonë, punë xhepash e xhepistësh. Megjithatë, edhe në këtë derexhe, ky artikulim, pikërisht sepse grotesk e lypsarë (atje ku s’shkon më), shfaq mjaft kthjellët imazhin e islamit në elitat shqiptare. Çka karakterizon këtë imagjinatë janë paragjykimi, përjashtimi dhe tëhuajësimi. Kulla e nënvizon që në fjalinë e tretë, kur i dallon “ekstremistët islamikë” në “pamje”, “veshje” dhe “mënyrë jetese”, pa çka se disa nga atentatorët e Parisit në e rutinën e tyre tymosnin hashash, nuk praktikonin namaz e as nuk dalloheshin, nga pamja, prej europianëve (prej “nesh”), nëse kriter dallimi nuk merret ngjyra.

Pas paragjykimit, artikulimi merr trajtën e tij të plotë kur justifikohet me “laicizëm”. Në fillim duhet theksuar se e gjithë Europa, me përjashtim të Francës, aplikon laicitetin, si model bashkëveprimi, dhe jo laicizmin, si model refuzimi agresiv. Ajo çka i nevojitet Shqipërisë është pikërisht laiciteti, i cili përveçse ndarje e fesë nga shteti është edhe ekuilibër e respekthapësirash sociale ndërfetare. Ekuilibri dhe respekti nuk janë prerogativa vetëm shtetërore apo ndërfetare. Ata që i kërkojnë tek tjetri duhet t’i shfaqin tek vetja, pikësëpari elitat me hapësira mediatike, të cilat kaq shumë i josh serenata e laicitetit, respektit dhe ekuilibrit.

lrap_0809_16_z+tattoo_expo_monterrey_mexico+virgin_mary_back_tattooPër aq sa një mysliman të lexojë bie fjala Rusoin (tashmë në versionin e propozuar nga Kulla), kjo nuk e bën atë më pak të ekspozuar ndaj rreziqeve të mos-respektimit që vërshon çdo ditë nga famullia mediatike nga e cila flet Kulla. Një mysliman shqiptar mund të jetë i lexuar, por mbetet gjithnjë mysliman, dhe kjo është njolla, produkt i dekadave të komunizmit. Para se të lexojë Rusoin e Kullës, myslimani mëson germat e shqipes në abetare me Nënë Terezën, simboli më i pastër i çkombëtarizimit në emër të vokacionit fetar; mëson se ai bart Fenë Orientale, të Imponuar nga Pushtuesi, se është i prapambetur dhe fajtor i fatkeqësive kombëtare, e madje s’di as të festojë, përveç Bajramit e synetllëkut, siç shkruan Ilir Konomi për Tiranën e 1917, në ndryshim nga ajo e sotmja, që bredhit i ka vendos kryqin.

Edhe duke e lexuar Rusoin në autobus, sapo ta ngrejë shikimin do të përplaset në të njëjtën e të vetmen simbolikë fetare, e cila nga veriu dhe jugu laik demarkon territorin ditën e natën. Mirë bredhi – të cilin ua mësoi shqiptarëve Hoxha pagan, me damarin e tij europian – tashmë e ka të nevojshëm simbolin fetare në krye, siç e kërkon me ngulm ndonjë klerik i programuarpër leximin memories shqiptare, por male, çuka, kodra, brinja e gërxhe, me ç’justifikim anti-enverist, kombëtar apo laik e bartin këtë dekorim?

Myslimani që lexon Rusoin, detyrimisht (si lexues i zellshëm) do të haset me mënyrën se sa dhe si dritarja mediatike nga e cila Kulla ka zgjedhur të ofrojë katekizmin e tij i respekton myslimanët, se në ç’nivel është ekuilibri i fetar në të, në plan komentesh, lajmesh nga bota dhe opinionesh aspak anonime. Komentet që pasojnë ndonjë kontribut të Gjergj Metës te Mapo nuk i afrohen gjëkundi vrerit qe ndjek ndonjë shkrim të Muhamed Sytarit, si ai për rihapjen e xhamive në Shqipëri (por edhe të tjerë, apo raportime të pabazuara, reflektimeetj). Megjithëse pa asnjë nënkuptim fetar, artikulli i një myslimaneje merr në komente të njëjtat paragjykime që shpreh intelektuali Kulla, nisur vetëm nga veshja pra, ndërsa shkrimi i një femre tjetër (para ca kohësh e shqetësuar për sulmet nga Kishës) maksimumi kritikohet për snobizëm e mendjemadhësi: ndodh edhe kur shamia mbahet nga një akademike, sespe tashmë ky është vreri i njollës. “Muhabet komentesh”, mund të thuhet, por po kjo gazetë botoi gegofobinë dhe islamofobinë e Maks Velos, e ndërsa Velo kërkoi falje, intervistuesi i tij, Alfred Lela, që nuk e fsheh përkatësinë fetare, jo vetëm që nuk kërkoi falje, por i thumboi kritikët e Velos, me një stil të publicistikës së viteve ’20-’30, duke u shqetësuar maksimumi për gegofobinë dhe aspak për islamofobinë. Ka perënduar edhe koha “sa për sy e faqe”: Lela e quan restaurimin e xhamisë së Prezës “‘pushtimi’ me një xhami i një kështjelle”, sepse xhamia dhe feja që ajo përfaqëson konsiderohen të huaja.

Rusoi le të shërbejë fillimisht si zbutës i ekstremizmit tek ato që i thurin lavde në emër të perëndimorizmit, ndërsa vetë kanë ngelur në mesjetën e kontinentit dhe kulti i viktimizimit u shërben si ushqim mllefi. E sigurt është se në këtë shoqëri ekstremizmi, myslimanët shqiptarë, edhe pa Rusoin, mbase nga tradita e mbase nga parimet fetare, janë akoma faktori kryesor i ekuilibrit, respektit dhe laicitetit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit