-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

RTSH të kërkojë falje, edhe myslimanët janë shqiptarë!

Më të lexuarat

Njashtu edhe për mua, përcjellja sporadike e Festivalit në RTSH është më tepër një shpërfaqje nostalgjie për Shqipërinë utopike të para disa dekadave kur me ngulm synonim të përcillnim çdo grimcë të këtij festivali. Ishte shpresa e rreme e parajsës së barazisë, drejtësisë dhe lirisë së të qenit shqiptar! Me të njëjtin qëllim e përcolla herë pas here edhe Festivalin e fundit në RTSH. Megjithëqë Shqipëria e sotme në shumëçka është ndryshe nga utopia e komunizmit, një duzinë gjërash të tjera fatkeqësisht kanë ngelur njësoj! Në një moment gjatë këtij festivali, Pandi Laço duke përmendur disa kompozitorë të viteve të para të festivalit deklaron krejt serbes: “Të gjithë këta me emra myslimanë, por krijuan vetëm muzikë shqiptare”. Për një moment nuk di nëse është viti 1985 apo 2015! Nuk ka asnjë reagim në sallë, nuk ka asnjë reagim pas festivalit, nuk është bile askush që vërejti se diçka u tha! Gjithçka ishte në rregull, ovacionet nuk u pakësuan!

Si edhe në të kaluarën, edhe sot është bërë normale në Shqipërinë utopike të mendosh se shqiptarët myslimanë disi me automatizëm janë të gatshëm për t’i krijuar himne vetëm ISIS-it. Është bërë standard të menduarit se shqiptarët myslimanë nuk bënë gjë për këtë vend, se janë qytetarë të rendit të dytë në vendin e vet, nuk janë të mençur a vlefshëm sa duhet për të bërë kulturë, krijuar vlerë a ndërtuar diçka shqiptare! Kjo këngë e satanizimit të shqiptarëve myslimanë pati filluar shumë herët gjatë dy dekadave të para të shekullit të kaluar por e mbërriti kulmin gjatë kohës së komunizmit. Gjatë një gjysmë shekulli komunizëm, shumica e hajnave, tradhtarëve, antishqiptarëve, zuskave, të pamoralshmeve e kundërrevolucionarëve të letërsisë, kinematografisë e artit shqiptar në të dy anët e kufirit mbanin emra si Hamdi, Demir, Hanife, Zenel, Xhevrije e Bajram.

Në ndërdijen e shqiptarit të zakonshëm ky mentalitet është kthyer në diçka të rëndomtë dhe kjo vazhdon edhe sot e kësaj dite. Me premisat e njëjta u përjashtua dikur nga të qenit e vlefshme dhe shqiptare pjesa më e çmuar e poezisë klasike dhe letërsisë popullore shqiptare dhe edhe sot e kësaj dite nuk gjendet forcë për ta kthyer mbrapsht këtë padrejtësi. Faji i vetëm i letërsisë së bejtexhinjve ishte se u shkrua me alfabet arab dhe kishte aty këtu të përmendur edhe fjalë si xhami, Allah e namaz. Shqiptarit të rëndomtë edhe sot, e edhe nëpërmjet këtij Festivali i sforcohet dhunshëm të menduarit se shqiptarë të njëmendtë origjinalë janë vetëm ata që mbajnë emra si Zef, Pandi, Vangjel, Kristo a Jozefina! Nuk ishte e rastësishme as deklarata e paradokohshme e një kleriku të famshëm katolik se po të mos ishin ‘katolikët shqiptarë’ që krejt janë nja 3%, Kosova kurrë nuk do të çlirohej! Kështu që nuk është e rastësishme as kur politikanët, artistët e të ndriturit e kombit, Krishtlindjet dhe Pashkët ua urojnë të gjithë shqiptarëve, kurse Bajramin vetëm qytetarëve të besimit mysliman!

Sikur tentohet të thuhet se festë e vërtetë shqiptare është vetëm glamuri i një kulture të krijuar artificialisht nga ta e që gjoja origjinën e ka nga kisha dhe që ia kanë vënë dhunshëm tagrin e Europës. Vetëm sa nuk deklarohen haptas se duan t’ia vënë dikujt kryqin në qafë, kryqin e rremë të një identiteti të sajuar shqiptar. Dhe askush, edhe sot e kësaj dite nuk e merr mundin që këtë padrejtësi të madhe karshi shqiptarëve myslimanë ta përmirësojë. Historiografia, kultura, letërsia e bashkë me to edhe Festivali i fundit në RTSH duhet t’u kërkojnë të falur myslimanëve: edhe ata janë e ishin po aq shqiptarë, për të mos thënë shumë më shumë se sa flluskat e zbrazëta patriotike të kësaj estrade artificiale të kombit që ditën gojën e ka përplot flamur e komb dhe me të dyja këto në të njëjtën kohë bën tregti e i shet për dy lekë, siç do të thoshte Ernest Koliqi.

Duke rënë në këtë nivel provincial e fisnor të të kuptuarit të botës duhet përmendur se ngjarjet më të rëndësishme të vetëdijesimit kombëtar, kulturës, letërsisë, artit e akademisë përgjatë shekujve e mbanin siglën e shqiptarëve myslimanë dhe atë jo pse të tjerët ishin më pak të rëndësishëm ose më shumë inferiorë, por për arsyen e thjeshtë sepse myslimanët ishin dhe vazhdojnë të jenë shumica dërmuese në përkatësinë fetare tek shqiptarët. A thua vallë, çfarë priste Pandi Laço nga kompozitorët shqiptarë myslimanë? Ndonjë këngë për Al-Kaidën? Serenatë për Ladenin? Po e pati ndonjë kompozitor shqiptar emrin Mark apo Jorgi, u dashka supozuar se të tillët do ti kompozojnë himne Millosheviqit, apo opereta Shën Savës e Hitlerit? Po dikush me emrin Pandi, ison e kujt do ta mbante?

Thënë në fjalët e të madhit Thomas More, “Si mund të jetë dikush kaq i vobektë në tru sa të mendojë se është më i vlefshëm se të tjerët vetëm për faktin se rrobat e tij janë të thurura me fije më të çmuara leshi se sa rrobat e të tjerëve. Në fund të fundit, këto rroba të çmuara dikur mbaheshin prej deleve dhe ato kurrë nuk u vendosën në diçka më të mirë se një dele”. Është mirë që kënga fituese e këtij festivali quhet Përrallë! Sepse përrallë e thurur mirë është sot shumëçka nga ajo që proklamohet si vlerë, kulturë dhe krenari midis shqiptarëve. Trumbetimet për veçantinë e lashtë ilire, për gjenin unik të tolerancës shqiptare, barazinë dhe kulturën janë kurrgjë më tepër se sa fabula të krijuara me shumë nge. Kur i gërryen pak këto retorika e sheh realitetin e mosdurimit, mostolerancës, racizmit dhe antivlerës së vërtetë që synon ti pushtojë sot me çdo kusht shqiptarët. Sikur që u çliruam nga të besuarit në Shqipërinë utopike të komunizmit njashtu duhet ta flakim tutje edhe Shqipërinë e sotme të përrallave! Sa më herët, aq më pak dhimbje!

Hailil Ibrahimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit