-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dyshimet për monopol, Gani Thaçi dhe ‘Kontrata Sekrete’

Më të lexuarat

Gazeta Jeta në Kosova ka zbuluar se kontrata e vlefshme qindra mijëra euro e lidhur mes Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe firmës private “Alt3c”, ka krijuar pakënaqësi tek industria multimilionëshe e sigurimeve. Dy prej kompanive kanë akuzuar se kjo kontratë krijon ‘monopol tipik’. Nëpërmjet kësaj kontrate BKS-ja ka obliguar të gjitha kompanitë të përdorin sistemin e njejtë të krijuar nga kjo firmë private. Banka Qendrore, autoriteti mbikqyrës i BKS-së, ka konkluduar se kontrata ka kosto të lartë dhe se nuk është studiuar tregu për këtë shërbim.

Para më shumë se dy vjetësh, më 13 tetor 2013, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të industrisë së sigurimeve u mor një vendim që shihej me dyshim nga disa prej anëtareve të kësaj industrie.

Përfitues doli firma “Alt3c”, e cila u angazhua që ta implementojë një sistem softuerik për nevoja të kompanive të sigurimeve.

Por përveç përfaqësuesve të dhjetë kompanive të biznesit fitimprurës të sigurimeve aty ishin edhe Faton Abazi, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve dhe zëvendësdrejtori Gani Thaçi.

Statuti i BKS-së obligon drejtorin ekzekutiv që ta përfaqësojë Byronë në Asamblenë e Përgjithshme.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi një koment nga BKS-ja dhe Gani Thaçi se pse ishte e nevojshme që të ishte i pranishëm edhe zëvëndësdrejtori. Nuk mori përgjigje.

Vendimi që u mor atë ditë shkon në favor të firmës private “Alt3c”. Dy prej aksionarëve të saj, Ilir Pushka-drejtor dhe Ardian Kelmendi, kanë miqësi me Kushtrim Thaçin, djalin e Gani Thaçit.
Në llogarinë e Kushtrim Thaçit në Facebok janë postuar fotografi ku ai shihet në shoqëri me Pushkën dhe Kelmendin. Njëra prej tyre ka mbishkrimin “me dostat”. Aktualisht llogaria e tij në Facebook është e mbyllur.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së mbajtur më 31 tetor të vitit 2015.

Aty tregohet se dy prej dhjetë prej kompanive kanë kundërshtuar fuqishëm lidhjen e kontratës me këtë kompani private.

Kanë vlerësuar se një vendim i tillë i krijon pozitë monopoliste kësaj firme dhe se më e arsyeshme është që secila prej kompanive të ketë softuerin e vet.

Por vendimi i Asamblesë obligon të gjitha kompanitë e sigurimeve që për katër vjet të përdorin softuerin për sistemin bonus-malus të krijuar nga firma “Alt3c”.

Kontrata mes BKS-së dhe kompanisë “Alt3c”, u nënshkrua më 1 janar të vitit 2014.

Kjo kontratë do të jetë në fuqi për periudhën 4 vjeçare nga dita e nënshkrimit të saj, gjejgësisht nga 1 janari 2014 e deri më datën 1 janar 2018.

Në sistemin bonus-malus mund të përfshihet çdo i siguruar në Kosovë që posedon polisë të sigurimit të detyrueshëm të automjeteve.

Rëndësia e këtij sistemi është se nga bonusi do të përfitojnë shoferët e mirë dhe të disiplinuar dhe ata që janë të kujdesshëm në trafik dhe në të njëjtën kohë nëpërmjet malusit shoferët e papërgjegjshëm që shkaktojnë aksidente do të jenë në disavantazh.

Nëse në sistem figuron se një shoferë ka histori të mirë, atëherë përfiton zbritje për vitin e ardhshëm në sigurimin e automjetit.

Byroja Kosovare e Sigurimit u themelua më 1 gusht të vitit 2011 dhe ka për autoritet mbikqyrës Bankën Qendrore.

BKS-ja ka statusin e Byrosë Nacionale të Sigurimit me të drejta të pakufizuara, është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër. BKS-ja kryen edhe funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë ligj.

Kompetencat e BKS-së janë të parapara në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia të miratuar në Kuvendin e Kosovës në muajin qershor të vitit 2011.

Banka Qendrore: Kontratë me kosto të lartë, e pa testuar në treg dhe me rrezikshmëri

Vendimi i asamblesë së sigurimeve është kritikuar edhe nga Banka Qendrore si autoritet mbikqyrës i kësaj industrie. Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar raportin ekzaminues të Departmentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të BQK-së. Ekzaminimi është kryer mes datave 2 deri më 23 shkurt të vitit 2015.

BQK-ja ka konkluduar se gjatë vitit 2014 janë shpenzuar 401 mijë e 85 euro për sistemin bonus-malus.

Po ashtu BQK-ja ka konkluduar se kontrata mes BKS-së dhe “Alt3c” ka paraparë që kompania brenda tre muajve të ofrojë çmimin e aplikacionit softuerik bonus-malus.

“Mirëpo gjatë ekzaminimit nuk është ofrtuar dëshmi se BKS-ja ka kërkuar që shitësi të përmbushë detyrimin konform kontratës,” thuhet në këtë raport ekzaminimi.

Po ashtu në raport thuhet se BKS-ja edhe përkundër kërkesës dhe kohës së mjaftueshme nuk ka bërë funksionalizimin e Qendrës Informative të Sigurimeve përmes së cilës do të gjeneroheshin të dhënat e nevojshme për implementimin e sistemit bonus-malus.

“Njëherazi mospronësia e aplikacionit softuerik ka ndikuar që BKS-ja këtë shërbim të kontraktojë me operatorë përkatës, kontratë e cila karakterizohet me kosto të lartë, jo e testuar në treg dhe e cila mund ta ekspozojë BKS-në ndaj rrezikut ligjor,” thuhet në raportin e Bankës Qendrore.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar një koment nga Zyra për Media e Bankës Qendrore lidhur me këto gjetje. BQK-ja ende nuk ka dhënë përgjigje.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka pyetur Rexhep Idrizajn, drejtorin e kompanisë “Elsig” dhe kryuesuesin e Asamblesë së Përgjithshme të Sigurimeve se pse nuk ka pasur tenderë publikë dhe për arsyen e angazhimit të kësaj kompanie. Po ashtu e ka pyetur lidhur me shumën vjetore që merr kjo kompani nga BKS-ja.

“Mendoj që ne si kompani private apo asociacion i kompanive private nuk i nënshtrohemi Ligjit mbi Prokurimin Publik. Prandaj besoj që ]eshtjet e ngritura nga ana juaj nuk janë relevante për interesin publik dhe si të tilla sigurisht hyjnë në transakcione me interes privat dhe me ligj nuk lejohet publikimi i tyre, pa pëlqimin e të dy palëve,” thotë Idrizaj.

Ndërkaq Ilir Pushka, drejtor i firmës “Alt3c”, ka folur në emër të kësaj kompanie për Gazetën Jeta në Kosovë. Ka deklaruar se kompania që drejton ka qenë meritore për të lidhur ketë kontratë me Byronë Kosovare të Sigurimeve.

“Kompania jonë është e involvuar në fushën e sigurimeve tashmë 11 vjet dhe mendoj se ka përvojen e duhur dhe ndoshta edhe me të madhen në rajon, sa i perket sigurimit te autopergjegjesisë,” thotë Pushka.

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur Pushkën edhe për miqësinë me djalin e zëvendësdrejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

“Në të gjitha punet ne kemi kalu komision pas komisioni ( të përbërë nga drejtorët e kompanive të sigurimit) dhe BKS është vetëm partner implementues e jo ajo që negocion me ne. Duke i pasë parasysh këto fakte i bie që njohja apo mosnjohja me zt. Kushtrim Thaçi është Irelevante,” thotë Pushka.
Por bazuar në procesverbalin e siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë del se pjesë e komisionit që ka negociuar me Firmën “Alt3c” është edhe Faton Abazi, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Po ashtu përveç përfshirjes së drejtorit në komision negociues edhe zëvendësdrejtori Gani Thaçi ka qenë pjesëmarrës në mbledhjën e Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve të industrisë së sigurimeve ku është diskutuar lidhur me ofertën e firmës “Alt3c”.

Byroja Kosovare e Sigurimeve në një përgjigje dhënë Gazetës Jeta në Kosovë ka njoftuar për arsyet se pse është kontraktuar kjo kompani.

“Asambleja e Përgjithshme si organi me i lartë i BKS-së me vendim ka perzgjedhur kompaninë Alt3c Sh.p.k. pasi që kjo kompani ka qenë me vite të tëra në tregun e sigurimeve për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit softverik në Industrine se Sigurimeve të Kosovës,” thuhet në përgjigjen e BKS-së.

Po ashtu Byroja… thotë se kompanisë “Alt3c” sipas kontratës i paguhen 1.10 euro për çdo policë TPL të lëshuar.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka pyetur BKS-së lidhur me shumën vjetore që fiton kjo kompani nga kjo kontratë.

BKS-ja ka deklaruar se e ka të vështirë të japë këso informacione.

“…nuk kemi asgjë kundër për ti’u derguar informacionet por u informojmë se lidhur me këto pyetje ne kemi kërkuar nga Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave për një sqarim se a mundemi mediave t‘u japim këso lloj informacione, për shkak se në të ardhmen mund të ballafaqohemi në gjykata me kompanitë e sigurimeve të cilat janë pjesë e byrosë,” thuhet në përgjigjen e BKS-së.

Por Agjencia për Mbrotjen e Dhënave Personale i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk është në mandatin e saj të trajtojë kërkesa të tilla.

Agjencia thotë se e ka obligim që të merret me përpunimin e të dhënave të personave fizikë.

Akuzat për monopol

Kritikat për monopol janë pjesë e procesverbalit të mbledhjës së Asamblesë së Industrisë së Sigurimeve, dokument të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

Raportimi i komisionit për negociatat me firmën “Alt3c” për sistemin bonus-malus ishte në rend dite në këtë mbledhje të mbajtur më 13 tetorit të 2013-es.

Ibrahim Kastrati, kryetari i komisionit, bazuar në procesverbal deklaroi se kanë mbajtur tri takime me përfaqësues të firmës private me të cilët është diskutuar me orë të tëra.

Kastrati tregoi para anëtarëve të asamblesë se oferta e fundit e kompanisë “Alt3c” është 1.10 euro, plus TVSh-ja për një policë të shtypur të sigurimit.

Bazuar në këtë procesverbal para anëtarëve të asamblesë u deklarua edhe Faton Abazi, drejtor i BKS-së që ishte edhe anëtar i komisionit për negocim me firmën “Alt3c”.

Abazi deklaroi se brenda tre muajve pas lidhjes së kontratës kompania private obligohet të njoftojë Byronë Kosovare për vlerën e softverit.

“Softuerin mund ta blejnë kompanitë e sigurimeve pas kalimit të kohëzgjatjes së kontratës pas katër vjetësh,” deklaroi Abazi.

Por në këtë mbledhje kishte shprehur kundërshtime Arben Breshani, drejtor i atëhershëm i kompanisë së sigurimeve “Insig”.

Breshani, bazuar në procesverbal deklaroi se lidhja e kontratës me këtë firmë private krijon situatë monopoli.

“Për këtë duhet bashkuar drejt prishjes së këtij monopoli ashtu që kompanitë ose do ta blejnë softverin në tërësi, ose secila nga kompanitë të mund të kenë programet e tyre për të cilat do të mund të raportohet edhe në Bankën Qendrore të Kosovës dhe në Byronë Kosovare të Sigurimit”, kishte deklaruar Breshani, bazuar në këtë procesverbal.

Po ashtu në procesverbal shënohet se Breshani ka theskuar se “…kompania ‘Insig’ ka programin paralel për këtë i cili do të mund të vihej në funksion në momentin kur të lejohet nga BQK-ja. Tani kemi ardhur në një situatë ku aq sa ka kërkuar kompania “Alt3c” do të paguajmë. Por duhet të mendohet për një program alternativ”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka pyetur kompaninë “Insig”, lidhur me pohimet që janë bërë në emër të kësaj kompanie në këtë mbledhje.

Altin Majko, drejtor aktual, tha se lidhur me këtë çështje është mirë që gazeta t’i drejtohet drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Këshillit Administrativ apo kryesuesit të Asamblesë së Sigurimeve.

Majko shtoi se lidhur me këtë çështje ka kryer ekzaminim Banka Qendrore por se kompanive të sigurimeve ende nuk u është dorëzuar raporti final i ekzaminimit.

Një tjetër anëtar i asamblesë që kishte diskutuar në këtë mbledhje ishte edhe Rexhep Idrizaj, drejtor i kompanisë “Elsig”.

Ai kishte deklaruar se ka qenë i informuar lidhur me propozimin e kompanisë nga Eleonora Ndrecaj, anëtare e komisionit e punësuar në kompaninë që ai e menaxhon.

Idrizaj kishte deklaruar se është pro lidhjes së kontratës me këtë firmë private, por kishte kundërshtuar diçka tjetër.

“Sa i përket çështjes së blerjes së softverit prapëseprapë e shtrenjtë do të jetë mirëmbajtja. Andaj çështja e blerjes nuk duket të jetë shumë logjike,” kishte deklaruar Idrizaj.

Kritika kishte adresuar edhe Roland Kaçani i firmës “Sigma”.

Ai kishte shprehur keqardhje lidhur me diskutimin që po bëhet.

Kaçani kishte deklaruar se çështja është alarmante pasi që bëhet fjalë për monopol tipik.

“…dhe as që ia vlen të diskutohet çmimi. Është diskutabile se çfare duhet të bëhet nëse nesër kompania “Altec” kërkon çmim më të lartë për një policë. Më tutje ky është një investim që po bën industria e sigurimeve dhe kompania “Sigma” nuk e ka këtë të drejtë për të bërë investime por këtë të drejtë e ka bordi i kompanisë në Vjenë”, kishte deklaruar Kaçani, bazuar në procesverbal.

Ai kishte rekomanduar që kjo të diskutohet me Bankën Qendrore të cilët mund të japin dritën jeshile për të vazhduar me këtë çështje.

Kaçani shtoi se duhet që urgjentisht të mbahet një takim me përfaqësues të BQK-së për të realizuar këtë proces për faktin se nuk pajtohet me monopolin.

Sipas tij duhet që secila kompanitë të ketë sistemin e vetë dhe të mbajë kontakte të rregullta me Bankën Qendrore dhe Byronë Kosovare të Sigurimeve.

Atij i është kundërpërgjigjur Abazi që ka thënë se ka qenë vetë Kaçani që ka votuar pro autorizimit të komisionit për te negociuar me firmkën “Alt3c”.

“…anëtarët e asamblesë së përgjithshme kanë deklaruar se puna e komisionit do të merret për bazë 90 për qind, ndërsa tani po shprehet për monopolin”, pati deklaruar Abazi.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje Kaçanit për të marrë një koment lidhur me pohimet e tij të bëra në këtë mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të Industrisë së Sigurimeve. Ende nuk ka dhënë përgjigje.

Ndërkaq pas diskutimeve në këtë mbledhje Asambleja e Përgjithshme vendosi që të miratojë ofertën e kompanisë “Altec”,.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit